Një ndër cilësitë e bukura dhe të lavdëruara në Islam është urtësia, një cilësi e cila nuk fitohet me mundin e njeriut por dhurohet nga ana e Allahut xh.sh.. Lartmadhëria i takon vetëm Allahut fuqiplotë të Urtit i Cili i jep urtësi kujt të dojë prej robërve të Tij, Ai është i Urti Absolut i Cili ka dije të përhershme prej ezeli (para se të krijojë çdo gjë). Allahu fuqiplotë në Kur’anin Fisnik thotë: “Ai ia jep urtësinë kujt të dojë ,e kujt i është dhënë urtësia, atij është dhënë mirësi e madhe “(Bekare 269). Ai ia jep urtësinë atij që e meriton dhe se Zoti nuk bën padrejtësi në mes robërve të tij. Nëse flasim për cilësimin e Kur`anit si urtësi, pse Allahu xh.sh e cilësoi këtë libër si libër të urtësisë, këtë më së miri mund ta vërejmë në suren më të njohur të Kur’anit, e ajo është Jasini ku Allahu xh.sh. thotë: “Ja, Sinë! Pasha Kur`anin e pacenueshëm në urtësinë e tij të lartë “(Jasin 1-2); Po ashtu Allahu fuqiplotë thotë: Në të vërtetë, Ne e kemi shpallur Kuranin në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju, 4. e ai është te Ne, në Librin kryesor (Leuhi-mahfûdh), i lartësuar dhe plot urtësi.” (Zuhruf 3-4)
Cilësimi i Kur`anit si urtësi e ka kuptimin se me të vërtetë Kur`ani është i përkryer. Nuk mund t`i ekspozohet kundërthënieve dhe kundërshtimeve. E ka të përkryer radhitjen dhe kuptimet e tij, nuk mund t`i bashkëngjitet dyshimi ose diçka tjetër ngase i Gjithëdijshmi e ka garantuar ku thotë: ”Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.”(Hixhr 9)
Pejgamberi a.s ishte më i urti, prej shenjave të urtësisë te ai ishin: Butësia e tij që gjithmonë e tejkalonte hidhërimin e tij, kur injorohej ai edhe më shumë bëhej i butë dhe çdoherë e udhëzonte ummetin në rrugën e urtësisë. Prej fjalëve të bukura të urtësisë së Pejgamberit a.s është: ”Koka e urtësisë është frika ndaj Allahut xh.sh”; ”Urtësia është gjë e humbur për besimtarin ku ta gjej le ta marr atë.” Poashtu Pejgamberi a.s thotë: ”I mençur është ai i cili e llogarit veten e tij dhe punon për atë që e pret pas vdekjes, kurse i paaftë është ai i cili ia plotëson dëshirat epshit të tij dhe shpreson tek Allahu me shpresa të mëdha”
Ka edhe shumë hadithe të tjera të Pejgamberit a.s që tregojnë mirësinë e Allahut dhe dhuratat e tij ndaj Pejgamberit të Tij. Për këtë shkak, njeriu që të jetë i urtë, ai e ka për detyrë që ta njohë Allahun me një njohje të vërtetë dhe sinqertë, t`i njohë cilësitë dhe emrat e Tij të bukura ashtu si i takon atij të Plotfuqishmi. Ndërsa ai që i njeh të gjitha gjërat e nuk e njeh Allahun xh.sh nuk meriton këtë epitet që të quhet i urtë sepse nuk njeh të Urtin, atë qe e krijoj urtësinë pra nuk, e njeh gjënë më të lartë dhe më të vlefshme. Kush e njeh Allahun, ai është i urtë dhe nëse është i dobët në njohurit dhe aspektet tjera.
Armin Shaqiri