You are here
Home > Kolumna > Shkruan:Myftiu i Tetovës Prof.dr. Qani Nesimi – Medreseja e Isa Beut si rivendosje e traditës arsimore institucionale islamе

Shkruan:Myftiu i Tetovës Prof.dr. Qani Nesimi – Medreseja e Isa Beut si rivendosje e traditës arsimore institucionale islamе

Medreseja Isa Beu e ndërtuar (më 1984) nga BI në RM, bënë dy gjëra me rëndësi, që nuk mund ti bëjnë medresetë jashtë vendit dhe jashtë BI. E para është se medreseja vendase teologët/teologet e ardhshëm i përgatit duke e njohur dheun e tyre, gjegjësisht duke e njohur vendin e vet, kulturën, gjuhën, fenë, traditën, mentalitetin, shoqërinë, qytetërimin e vet. Me këtë ai/ajo do të jetë më i efektshëm dhe më i sukseshëm. Kurse e dyta ka të bëjë me atë se ajo e mbron atë nga ndikimet e jashtme frakcionare, sektare etj. Poashtu, marrëdhënia mes dheut e mendimit bartë domethënie të rëndësishme si për përfytyrimin hapësinor ashtu edhe për meditimit tonë. Medresetë vendore në këtë kontekst kanë një rol shumë të rëndësishëm. Dheu ku jeton dhe ndërton banesën e vet tokësore njeriu,  kultura, shoqëria, qytetërimi, më shumë se me një koordinatë gjeografike korrespondon me rrënjët, çlirimin, brumin e vërtetë, thellësinë e realitetin. Arsyeja është e qartë: urtësia dhe dija. Ato janë të mira universale, ato nuk kanë asnjë parashenjë, janë të mira pa të cilat njeriu nuk mund të ngrihet shpirtërisht, e as që mund të aspirojë drejt esencën natyrore të gjërave, veçanërisht jo në esencën natyrore të parimeve të fesë dhe të institucioneve shpirtërore të fesë, të cilat nuk janë vetëm ibadete, por majë shpirtërore që e nxit rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve tona shpirtërore dhe psiko-fizike të dijes.

          Fjalë kyçe: arsim, medrese, kulturë, mendim dhe traditë.
Ky shkrim modest i imi, ka të bëjë me tri çështje me rëndësi në realizimin e planprogrameve mësimore nëpër shkolla në përgjithësi, e nëpër medresetë tona në veçanti. Këtu nuk do të ndalem në mënyrën se si bëhen kurrikulat apo planprogramet, por dua të vë theksin mbi mënyrën e realizimit të tyre. Dhe për mendimin tim, realizimi i tyre bëhet me anë të “gjuhës” së institucionit/administratës, “gjuhës” së idealit dhe gjuhës trupore/sjelljeve të mësimdhënësit. Pasi realizuesit e planprogrameve janë këto që i përmenda më lartë.

Bashkësi Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë ka formuar medrese përmes të cilave ajo ofron:

-koncepte autoktone dhe autentike islame;

-mundëson metodologji të përshtatshme në prezentimin e islamit;

-mbron institucionin, shoqërinë dhe fenë nga ndikimet e ndryshme të “tjetrit”, gjegjësisht nga frakcionet dhe sektet e ndryshme me botëkuptime të formuara në rajone dhe në ambiente të tjera gjeografike e kulturore;

-ruan stabilitetin në vend dhe në shoqëri; si dhe

-mundëson permanencë në kultivimin e vlerave fetare dhe kombëtare në vend.

Medreseja si institucion është më shumë se një shkollë ku mësohet dituria ose njohuri të ndryshme profesionale. Në medrese edhe pse mësohet dituria fetare dhe ajo ‘laike’, ku i riu ose e reja përgatitet për një profesion në të ardhmen, në të mësohet edhe ana etike dhe estetike e punës, sjelljes dhe e veprimit në relacionin me Allahun Fuqiplotë dhe me shoqërinë në përgjithësi. Aty mësohet feja islame, e cila i kushton vëmendje të madhe arsimit, shkencës, shkencëtarëve dhe atyre që studiojnë. Që nga fillimi, islami ka qenë në anën e dijes dhe të shkencës, duke i nxitur dhe duke i inkurajuar muslimanët që të mësojnë, e prej atyre që kanë mësuar kërkon që ta përhapin dijen dhe arsimin në mesin e muslimanëve të paditur. Ajetet e shumta kur’anore dhe hadithet e Pejgamberit a.s. flasin për vlerën e shkencës, shkencëtarëve dhe të arsimit në përgjithësi. Nëse nga medreseja dalin kuadro joprofesionale ose etikisht dhe estetikisht joadekuat, atëherë udhëheqësit e saj duhet të mendojnë seriozisht për defektet që janë paraqitur.

Si rrjedhojë edukimi islam, gjegjësisht medreseja, merret me tërë qënien e mashkullit dhe femrës dhe këmbëngul që të edukojë përmes procesit të kumtimit të dijes së kombinuar me integrimin e mendjes dhe shpirtit të nxënësit. Qëllimi i tij nuk është vetëm trajnimi i mendjes, por i tërë qënies së personit. Kjo nuk nënkupton vetëm udhëzim ose transformim të dijes (ta’lim), por gjithashtu trajnim i personalitetit të nxënësit (tarbiyah). Mësuesi (në Medrese) nuk është vetëm një muallim, një ‘transmetues i dijes’, por gjithashtu është edhe një murabbi, një ‘trajnues i shpirtit dhe i karakterit’. Sistemi edukativ islam asnjëherë nuk e divorcon trajnimin e mendjes nga trajnimi i shpirtit. Kështu që posedimi i dijes pa kualitetet shpirtërore dhe morale konsiderohet i rrezikshëm.

Kështu që, në vijim lirisht mund të theksojmë një parktikë te të Dërguarit të Allahut që është një mësim i rendësishëm për të gjithë ne. Pra, “O Zoti im, shtoma dijeninë!”, është një thirrje kur’anore që Pejgamberi i Islamit e ka shqiptuar shumë herë, dhe mendje të shumta të ummetit të tij si pasues të mirfilltë shpirtërorë të tij do ta shqiptojnë dhe do ta zbatojnë me konsekuencë në mjediset ku jetojnë. Nëpërmjet deklaratës dhe thirrjes së Pejgamberit të islamit, gjithmonë në mënyrën më të mirë paraqitet vetëdija individuale e këtij ajeti të parë kur’anor, citim me të cilin filloi shpallja dhe periudha e artë e monoteizmit të mirfilltë qiellor: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (gjithçka)”.

Atë që Pejgamberi e ka kërkuar për veten e tij nga Zoti, të njëjtën e ka kërkuar edhe nga pasuesit e tij, duke bërë në këtë mënyrë kërkimin e urtësisë dhe të dijes një obligim të pashmangshëm, kur thotë: “Dituria është një gjë e humbur për çdo musliman dhe muslimane, dhe ata e kanë për obligim që ta marrin kudo që ta gjejnë“.

Prandaj, jam i mendimit se, të gjithë mësuesit e medreseve këtë lutje kur’anore duhet t’ia bëjnë praktikë vetes së tyre, duke ndjekur në të njëjten kohë, edhe praktikën e Pejgamberit të Allahut. Urtësia dhe dija, të cilat përbëjnë esencën e mësimit në medrese, janë të mira universale.

Ato janë të mira pa të cilat njeriu nuk mund të ngrihet shpirtërisht, e as që mund të aspirojë drejt esencën natyrore të gjërave, veçanërisht jo në esencën natyrore të parimeve të fesë dhe të institucioneve shpirtërore të fesë, të cilat nuk janë vetëm ibadete, por majë shpirtërore që e nxit rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve tona shpirtërore dhe psiko-fizike të dijes.

Duke i pasur parasysh këto njohuri nga ajetet kur’anore dhe tradita e Pejgamberit gjatë gjithë historisë islame, si një nga momentet më të rëndësishme për muslimanët ishte themelimi dhe hapja e institucioneve arsimore, ku do të mund të arsimohej popullata edhe në aspekt fetar, edhe në aspekt të përgjithshëm shkencor. Ndërtesat e para që u përdorën për mësim dhe arsimim ishin shtëpitë e banimit dhe xhamitë. Më vonë, përveç xhamive, u ndërtuan ndërtesa më të vogla për arsimin fillor, të quajtur kutab ose mekteb, kurse në xhamitë mbahej arsimi i mesëm dhe i lartë.

Dy përiudha mund të identifikohen në zhvillimin e objekteve arsimore të arkitekturës islame. E para mbulon zhvillimin e këtyre objekteve nga shfaqja e Islamit deri në shfaqjen e shkollave speciale, medreseve.Periudha e dytë shënon zhvillimin e medresesë dhe institucioneve të tjera arsimore në të gjitha vendet islame mbi të njëjtat parime, por me disa specifika të qenësishme sipas rajoneve. Ashtu si dhe objektet e tjera arkitekturore edhe objektet arsimore u zhvilluan nga individë (vakif), e jo nga institucione shtetërore. Për funksionimin e suksesshëm dhe efektiv të një komuniteti, veçanërisht kur bëhet fjalë për një bashkësi fetare, nuk është e mundur të imagjinohet pa edukim fetar. Format piramidale arsimore islame nga baza deri në krye, duhet të jenë të plota, të vazhdueshme dhe të programuara që të krijohen në atë mënyrë që organizimi dhe edukimi-pedagogjik të korrespondojnë me dëshirat dhe qëllimet specifike. E ndërgjegjshme për këto ligje, Bashkësia Islame që nga ditët e para pas ndarjes nga shteti osman do të përpiqet të organizojë edukimin dhe arsimin institucional sipas mundësive të saja ekonomike dhe atë profesionale, për përmbushjen e  nevojave të vendit, duke bërë sintezë ndërmjet  Islamit dhe asaj që është përparimtare. Si rrjedhojë në këto rajone do të ndërtoheshin medrese shumë të rëndësishme  si bartëse të institucioneve arsimore, ku bënë pjesë edhe medreseja “Isa Beu” në Shkup.

Medreseja në pëgjithësi, e ajo e Isa Beut, në veçanti, si një institucion për rivendosjen e traditës arsimore islame ka një rol të pamohueshëm në stabilizimin e marrëdhënieve shoqërore duke u bazuar në parimin e trajtimit të ‘tjetrit’. Marrëdhëniet shoqërore, sipas profesorit Ibrahim Kallën, marrin formë në tri mënyra marrëdhëniesh, mes përfytyrimit  për ‘unin’ dhe përceptimit për ‘tjetrin’ që bartin rëndësi për temën tonë. E para është përplasja mes ‘unit’ absolut dhe ‘tjetrit’ absolut. Një ‘unë’ i mirë, i drejtë dhe i përsosur  në kuptimin absolut vihet përballë një ‘tjetri’ të keq, të mangët e të padrejtë në kuptimin absolut dhe në këtë mënyrë nis një luftë që nuk ka as humbës e as fitues. Ndërtimi i ‘tjetrit’ si antitezë përmes absolutizimit në të vërtetë e shtrembëron përfytyrimin e individëve për ‘unin’ dhe bën të lindin identitete skizofrenike, konfliktuale e të copëtuara. Kjo gjë vërehet shpesh në historinë moderne të marrëdhënieve mes Islamit dhe Perëndimit. Ajo çka është vërtetë e rrezikshme për botën islame është që ta shpallë Perëndimin si fajtor për gjithçka dhe ti shtyjë e ti shmanget ballafaqimit me problemet e veta. E dyta, një mentalitet historik e kulturor që e sheh veten si esencial e qëndror dhe të tjerët si aksidentalë dhe periferikë, nuk merr për bazë të drejtën dhe drejtësinë, por forcën dhe tiraninë. Pikërisht nga ky këndvështrim kolonializmi evropian e shihte botën jashtë Evropës, që kaloi në ngjitje duke filluar nga shekulli XVIII duke arritur kulmin në shekullin XIX. Forma e tretë e marrëdhënieve, ku medreseja ka rol goxha të rëndësishëm në mbrojtjen e njerut nga këto dukuri negative, ashtu sikur tek dy të parat, është  ajo që supozohet të jetë mes një përfytyrimi të zbrazur për ‘unin’ dhe një ‘tjetri’ të lëngëzuar. Sipas kësaj qasjeje, kushdo mund të takohet në një pikë të përbashkët duke hequr dorë nga pretendimi i vet identitar. Çështja thelbësore këtu është të vendoset në një kuadër të saktë marrëdhënia midis ‘unit’ dhe gjithcka mbetet jashtë kësaj kategorie. Për të qenë në paqe me ‘tjetrin’ duhet të jemi në paqe me vetveten. Pra duhet të pranojmë “unitetin në shumësi”. Medresetë edhe në të kaluarën edhe sot kanë rol të rëndësishëm në këtë rrafsh. Nëse ju mungon kjo, duhet urgjentisht t’i kthehen vetes.

Ziyaeddin Fahri Findikoglu në artikullin me titull: “Kushtet për zhvillimin e jetës shkencore e filozofike në Turqi”, të botuar në vitin 1938, e trajton këtë gjë në kontekstin e marrëdhënies mes ‘dheut dhe mendimit’:

Mbetja e imitimeve ideologjike tek ne si të tilla vjen si pasojë e mosardhjes në vete, e mosudhëzimit te të kënduarve turq, të cilët burimet e tyre kulturore i kanë marrë nga Franca, Gjermania apo nuk e di ku. Prandaj të kënduarit tanë nuk janë të vetëdijshëm se mbi ç’dhe gjenden e bij të ç’dheu janë. Në imagjinatën e tyre thithin atmosferën e një vendi evropian. Por këta janë të destinuar që të pengohen e të rrëzohen një ditë: ose shoqëria do tu vërë vulën si ‘të padobishëm për vendin’, ose do të treten mes melankolisë e iluzionit se shoqëria nuk i ka vlerësuar…. Për sa u përket çështjeve shoqërore duhet marrë parasysh jo vlerat e nevojat e vendeve të tjera, por ato të vendit për të cilin bëhet fjalë, si dhe duhet gjetur rrugët për ta çuar imitimin e të menduarit shkencor e filozofik me natyrë ndërkombëtare drejt përtypjes, përthithjes e rikrijimit”.

Shikuar nga ky këndvështrim, medresetë e ndërtuara nga BI, gjegjësisht Medreseja Isa Beu e ndërtuar nga BFI në RM, bëjnë dy gjëra me rëndësi, që nuk mund ti bëjnë medresetë jashtë vendit dhe jashtë BFI:

  1. Medreseja vendase teologët/teologet e ardhshëm i përgatit duke e njohur dheun e tyre, gjegjësisht duke e njohur vendin e  vet, kulturën, gjuhën, fenë, traditën, mentalitetin, shoqërinë, qytetërimin e vet. Me këtë ai do të jetë më i efektshëm dhe më i sukseshëm.
  2. E mbron atë nga ndikimet e jashtme frakcionare, sektare etj.

Kur dihet se, marrëdhënia mes dheut e mendimit bartë domethënie të rëndësishme si për përfytyrimin hapësinor ashtu edhe për meditimin tonë, atëherë medresetë vendore në këtë kontekst kanë një rol shumë të rëndësishëm. Dheu ku jeton dhe ndërton banesën e vet tokësore njeriu, kultura, shoqëria, qytetërimi, më shumë se me një koordinatë gjeografike korrespondon me rrënjët, çlirimin, brumin e vërtetë, thellësinë e realitetin. Shkëputja e lidhjes me dheun përbën një nga situatat më tragjike të huajësimit për çdo botë mendimi. Krijimi i një lidhje të fortë mes dheut e mendimit nuk do të thotë ngushtim i horizontit të mendimit. Një traditë mendimi që drejtohet drejt horizonteve të hapura mbështetur në rrënjët e saj të thella, zotëron edhe mundësinë për ta qëlluar drejt balancën mes vendores e universales.

Ndërtimi i një marrëdhënie të drejtë me dheun mbi të cilin shkelim bënë të mundur që përvoja jonë e veçantë të fitojë një cilësi universale. Kjo ngjan me përjetimin e diellit që lind çdo mëngjes, në mënyra të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës. Dielli, era dhe shiu siç i përjeton një nomad në stepat e Azisë Qendrore, janë të ndryshëm nga ato që përjeton në qendër të Afrikës. Por ajo që përjetohet ëshë universale. Fakti që rrezet e diellit i ndriçojnë dhe i ngrohin në mënyrë të ndryshme pjesë të ndryshme të globit, nuk nënkupton copëzimin e fragmentalizimin e ‘diellit’ si fenomen, por tregon se përvoja e ‘ndriçimit dhe ngrohjes’ është njëkohësisht fragmentare e tërësore, lokale e universale, konkrete e abstrakte.

Pikërisht për këtë, përthithja lokale e Islamit universal, duke u nisur nga perceptimi tradicional i një vendi, nuk do të thotë se Islami si fe universale ndryshon në esencë sipas perceptimeve lokale, por kjo do të thotë se përvoja e përceptimit është fragmentale, kurse ai përsëri mbetet universal e tërësor.

Për fund, duke i dhenë disa rekomandime të mia, dua të theksoj se qëllimi i edukimit dhe i arsimimit të nxënësve në medrese është të fitojnë njohuri, aftësi dhe zakone të reja në frymën e Islamit, zhvillimin e aftësive psikofizike dhe marrjen e arsimit të gjerë, ngritjen e nivelit në përgjithësi, kulturën shëndetësore dhe ekologjike, gjë që është parakusht për vazhdimin e arsimit në institucionet e arsimit të lartë, ose për vetëarsimim të mëtejshëm. Pikërisht për këtë, dua të theksoj se, për medresantët në veçanti, e për medresenë në përgjithësi, është e domosdoshme që:

-‘Gjuha’ institucionale duhet të përcjellë mesazhe me aromë dhe shije në përputhshmëri me fjalët e Allahut xh. sh. dhe me praktikën e Pejgamberit a.s;

-‘Gjuha’ profesionale duhet të posedoj urtësinë, këshillen e mirë dhe metodologjinë me të mirë, ashtu sic urdhëron Kur’ani, për ta bindur, tërhequr dhe udhëzuar medresanten/medresantin;

-‘Gjuha’ trupore e predikuesit duhet të flas më shumë se komunikimi verbal i tij;

-Medresanti duhet të krijojë bindjen se, përfitimi i njohurive, shkathtësive dhe shprehive nga fusha islame dhe fusha të tjera të shkencës, janë mjeti që ai duhet të arrijë qëllimin e planifikuar;

-Qëllimi i tij nuk duhet të jetë vetëm trajnimi i mendjes, por i tërë qënies së tij;

-Edukimi islam nuk nënkupton vetëm udhëzim ose transformim të dijes (ta’lim), por gjithashtu edhe trajnim i personalitetit të nxënësit (tarbiyah);

-Mësuesi (në Medrese) nuk është vetëm një muallim, një ‘transmetues i dijes’, por gjithashtu është edhe një murabbi, një ‘trajnues i shpirtit dhe i karakterit’;

-Sistemi edukativ islam asnjëherë nuk e divorcon trajnimin e mendjes nga trajnimi i shpirtit;

-Ndërkaq medreseja si një institucion adukativo arsimor duhet të pres rezultatet me sa vijon: zhvillimin e aftësive mendore, psiqike dhe fizike të nxenësve; aftësimin e tyre për të përdorur gjuhë të huaja; aftësimin për të vazhduar shkollimin e tyre në institucione të arsimit të lartë në vendin tonë dhe jashtë; aftësimin për përdorimin e burimeve të ndryshme të informacionit për kërkime të pavarura; ngjalljen e interesimit të nxënësve për njohuri të reja shkencore; zgjimin e vetëdijes krijuese, të menduarit kritik dhe ndjenjën për angazhimet në punë; edukimin në frymën dhe praktikën islame; krijimin e karaktereve të individëve të qëndrueshëm dhe krijues midis nxënësve që do të jenë në përputhje me parimet dhe praktikat e Islamit që mund të harmonizohen në vetvete; avancimin e humanizmit islam; ndërgjegjësimin për përkatësinë kulturore, si dhe hapjen ndaj kulturave të tjera; ndërgjegjësimin për përgjegjësinë për të afërmit, familjen, popullin, traditën shpirtërore, gjuhën dhe vendin, me tolerancë të plotë ndaj kombeve të tjera dhe identitetin e tyre kulturor dhe shpirtëror; kultivimin e kujtesës dhe njohurive historike të specifikave dhe të përvojave të fituara në një mjedis multifetar, multietnik dhe multikulturor; zbulimin e shkathtësive fizike, stilin e shëndetshëm jetësor dhe mënyra e përgjithshme e jetës, respektim i ndërsjellë, mirëkuptim dhe ruajtjen e vlerave shpirtërore dhe materiale të trashëgimisë kulturore; ngritjen e kulturës ekologjike dhe trajnimit për të luftuar degradimin e cilësisë së mjedisit.

Artikuj të ngjajshëm

error: