Zani i Naltë-një vazhdimësi e traditës religjioze primordiale
Feja në përgjithësi, e ajo islame në veçanti, si faktor shumë i rëndësishëm për ndryshimet shoqërore, përmes vlerave universale etike dhe estetike, ka potencial që me fuqinë dhe efikasitetin e saj të ndikojë në krijimin e një shoqërie më të shëndoshë kombëtarisht, moralisht, fetarisht, si në dimensionin e krijimit të raporteve ndërnjerëzore, ashtu edhe në formësimin e njeriut. Mu për këtë është më se e nevojshme, madje edhe e domosdoshme që feja të përkapet dhe të perceptohet si një tërësi, e jo parcialisht e segmentalisht, duke iu referuar zbulesës (vahjit) dhe jetës pejgamberiane (sunnet) në tërësi, e cila do të na mundësojë që edhe fenë ta lansojmë më realisht, si dhe njeriu dhe shoqëria të përqafohen më denjësisht.
Zani i Naltë si një revistë me karakter fetar e kombëtar, është në rolin e urës që bartë deri tek ne idetë e intelektualëve tanë, të cilët kanë jetuar në kohën më kritike të shtetëformësimit të Shtetit Shqiptar. Kjo është periudha e pasosmane, koha kur Ballkani ishte i dominuar nga nacionalizmat e shfrenuar të kombeve dhe feve të ndryshme, të cilat popullin shqiptar dhe Shqipërinë e sapoformuar e shihnin si një vend ku mund ti ngopnin/realizonin aspiratat e tyre megalomane dhe të paraqitjes së vetvetes si më të “mëdhenj” dhe “agallarë” të Ballkanit. Populli shqiptar në atë kohë kishte nevojë, mendoj se edhe sot është e njëjta gjë, të ushqehet edhe ezoterikisht edhe egzoterikisht.
Përveç kësaj Zani i Naltë na tregon edhe për vlerat që populli ynë i ka poseduar edhe në atë kohë, të cilat e ruajnë freskinë e tyre edhe sot, mu ashtu sikur ato njerëz me sytë e tyre shohin edhe të sotmen.
“Duhet me u perpjekë tëpregatitemi për nji kohë t’ardhshme, e cila do të jetë shum ma ndryshe se kjo e jona, sa qi, ndoshta sod ne, nuk mund t’a imagjinojmë.” (Zani I Naltë, v. 3, f.1121).
Zani i Naltë shpreh gjuhën e shpirtit të intelektualëve shqiptar të asaj kohe, të cilët edhe kanë folur, edhe kanë shkruar, por edhe e kanë përjetuar/praktikuar atë. Për këtë kjo revistë është shumë me peshë pasi atë e kanë ngritur dhe realizuar ata të cilët kanë sakrifikuar shumë për të. Lirisht mund të themi se si individi ashtu edhe shoqëria vlen po aq, sa ai për atë sakrifikon apo po aq sa sakrifikohet për të. Sa më e madhe të jetë sakrifica edhe vlera e veprimit është më e madhe. Nëse nuk ka sakrificë nuk ka vlerë. Edhe nëse duket se ka ndonjë vlerë pa sakrificë, duhet ditur se ajo është sikur shkuma, sikur që përmendet në Kur’an, kur të ndalet uji shkuma nuk ekziston më. Në “Parathanë e qellim” të numrit të parë të revistës thuhet: “Barra që i kei ngarkuem vehtes asht përnjmend e randë. Duhet vullndet, energji, guzim e flije për me i a arrijtun qellimit të shejtnueshëm.”
Është një e vërtetë kjo që trashëgimia dhe hapërimi intelektual fetar i nënqiellit shqiptar është një platformë që në pjesë të madhe është i tëhuajësuar që gjithsesi duhet ta rrokim. Ka nevojë që kultura fetare në këtë nënqiell të reprivatizohet. Si rrjedhojë është e patjetërsueshme që tradita shpirtërore, kulturore dhe arsimore e nënqiellit shqiptar, gjegjësisht tradita e shpirtit dhe arsyes, të mos mbetet e konzervuar dhe e sterilizuar, por ky realitet të bartet në përditshmërinë tonë.
Zani i Naltë aktualizon edhe diskutimin kritik të mendimit klasik islam, gjë e cila edhe sot, për bartjen reale të transhcedencës dhe fjalës hyjnore në imanencën njerëzore, ka nevojë për këtë diskutim i cili do të shërbejë si paradigmë në relacionin me kohën dhe historinë, gjegjësisht në përgjigjet e mundshme të nduarnduarësisë fe-kulturë, teologji dhe filozofi. Rëndësia e saj nuk është vetëm në problemet dhe çështjet me të cilat ajo është marrur (substanca, aksidenca, dinamika, statika), por në qëndrimet metodologjike të saj. Thënë ndryshe, akaidi ka vlerë paradigmatike, pasi në te janë të formësuara shëmbëllesat e para të epistemologjisë islame ose të teorisë kritike
teologjike. Gjithashtu në mendimin klasik islam përveç tradicionalizmit dhe retrospektivitetit, kemi edhe didaktikën, gjegjësisht mësimdhënien dhe këshillën. Pothuajse të gjithë dijetarët klasik musliman teorinë e tyre teologjike dhe njohjen religjioze e kanë bartur në kufizimet jetësore. Njeriu në veprat e akaidologëve tonë klasikë nuk është qenie komfore, por qenie e brengës dhe përgjegjësisë në kontekst të ekuilibrimit të botës materiale dhe asaj shpirtërirore. Pra këtë gjë ne e mësojmë nga shkrimet e botuara në Zanin e Naltë.
Temat të cilat përpunohen dhe diskutohen në këtë revistë fetare, e cila merret me filozofi, moral, literaturë kombëtare e sociologji, janë edhe postulatet themelore të dërgueshmërisë së Pejgamberit a.s. të cilat ishin përsosja morale e ndjekësve të tij. Islami lumturinë e jetës e sheh në trekëndëshin besim- vepërmirësi-moral. Shpallja hyjnore në asnjë moment nuk lëkundet në domosdoshmërinë edukative etike të njeriut, së pari për individualitetin e tij e më vonë edhe për përmasën shoqërore të qenshmërisë së tij. Kur’ani dhe Pejgamberi a.s. në platformën shtytëse të të gjitha normave dhe konkluzave besimore dhe juridike i vendos normat etike. Allahu xh.sh. njeriut i tregon se është më afër damarit të qafës, që d.t.th. se pa marrë parasysh reflektimet lëndore, punët në esencë duhet të jenë të mira. Njeriu si ndjekës i shpalljes assesi nuk duhet të vendos kontakt joreal me të mirën dhe të bëhet shkas për paraqitjen e të keqes.
Historia e mendimit, filozofia dhe bartja e tyre në aktualitetin kohor dhe hapësinor të shqiptarëve, mësime këto që na i japin shkrimet në Zanin e Naltë, është e rëndësishme, në plan të pare, për konceptimin real të religjionit, për hapërimin pragmatik me kohën, si dhe për largimin e inferioritetit filozofik për shkak të ekzistimit të shumë rrymave filozofike. Ajo avangardizmin bashkëkohor do të mundohet ta shtjellojë në piedestalin e fuqishëm të traditës primordiale dhe pereniale fetare. Ata që do ti lexojnë shkrimet në këtë revistë, do ta shohin në faqet e saj shtjellimin e këtyre mendimeve.
Për pasojë, kujdes të veçantë duhet patur për të jetuarit e Islamit e jo për religjiozitetin normativ, sikur që sot në shumë meridiane të rruzullit tokësor
muslimanët e përfshijnë në jetën e tyre të përditshme, e jo se si paraqitet në burimet normative islame. Mësimit tonë shqiptar për fenomenin religjioz i mungon qasja e tërësishme fenomenologjike islamit, të cilës mes tjerash mund t’ia shtojmë edhe disiplinat si antropologjinë, etnologjinë, gjeografinë e religjionit (subdisiplina shkencore, gjeografia kulturore e së cilës ka filluar të zhvillohet në fillim të shekullit të njëzetë, dhe që merret me përhapjen e religjionit dhe ndikimin e këtij fenomeni në jetën dhe punën e njeriut në një territor të caktuar). Ky është problem më vete dhe kjo ndoshta duhet trajtuar me sy kritik posaçërisht.
Një vlerësim që i bëhet pozitës së hoxhallarëve në atë kohë, të cilët kanë luajtur rol kyç në bartjen e misionit fetar dhe kombëtar si intelektualisht, ashtu edhe praktikisht dhe moralisht, përkon edhe me këto të sodit:
“Mjerisht, sod për sod Hoxha ka dy pengime qi ja ndalojnë energjin:
1.Se besnikët nuk e çmojnë vlerën morale të tij dhe si japin vendin e meritueshëm.
2. Se disa intelektualë, qi shofin ndonjë të mëtë në personin e Hoxhës, (pse si njri edhe ky mund të rreshqesë), nguten në gjytkim dhe i napin fuqi pendës tue kritikue e tue i veshë kto kritika me nji gjuhë të stolisun per bukuri”. (Zani i Naltë, v. 3, f. 1123)
Për mendimin tim, ajo që neve na inspiron Zani i Naltë është që, ne shqiptarët, për deri sa dëshirojmë që në mënyrë të barabartë të marrin pjesë në ndodhitë e botës, e kemi detyrë të edukojmë teologë, intelektualë dhe ekspertë të tillë, të cilët do të dinë që në mendimet e tyre të integrojnë gjithë atë që është pozitive në përvojën e sotme botërore, në të cilën, megjithatë, bën pjesë personaliteti dhe individualiteti kryesor i njeriut modern. Me fjalë të tjera, patjetër të kihet kujdes për konceptin pluralist të kulturës bashkëkohore postmoderne në të cilën durueshëm dhe këmbëngulshëm duhet të barten vlerat etike, estetike dhe aksiologjike të Islamit, për të cilat njeriu modern vuan një kohë të gjatë. Pra, përmes Zanit të Naltë ne duhet të përtërijmë ndjenjën e bukurisë karshi shëmtisë që na rrethon, pasi shija e keqe, e cekët dhe mediokre nuk mund ta zëvendësojnë bukurinë e vërtetë dhe përmbushjen estetike. Përçmimi i artit dhe
estetikës në emër të fesë është një humbje e madhe e botës së sotme islame. Disa grupe ekstremiste shkojnë edhe më larg, sa e hedhin tërësisht poshtë atë në emër të fetarisë e estetikës. Ndërkaq, për një ballafaqim të tillë serioz me të shëmtuarën dhe të keqen duhet përgatitur shumë seriozisht dhe në mënyrë të gjithanshme.
Për fund, nga revista Zani i Naltë mësojmë se për të qenë një besimtar apo hoxhë, një profesionist i mirë, si shqiptar e si musliman, duhet që ai të posedojë një edukatë/sjellje të mirë, njohje profesionale të duhur, praktikim të asaj që shprehet me fjalë, që fjala dhe vepra të mos bijnë ndesh, të mos etiketohet dhe të mos nënçmohet tjetri, të mos ketë imitim verbal të kulturave tjera, të mos ketë radikalizëm dhe terrorizim të koncepteve dhe të sjelljeve në jetën e përditshme.
Pra tre komunitetet fetare islame, KMSH, BIK dhe BFIM, me iniciativën dhe këmbëngulshmërinë që të botojnë në një përmbledhje të gjitha numrat e Zanit të Naltë, kanë bërë një rikujtim dhe vlerësim të së kaluarës, ndihmesë aktuales dhe kanë dhënë mundësi që gjeneratat e reja të jenë më të përgatitura për të ardhmen.