You are here
Home > Kolumna > Shkruan Myftiu Prof.Dr. Qani ef. Nesimi Terrorizmi dhe liria e shprehjes

Shkruan Myftiu Prof.Dr. Qani ef. Nesimi Terrorizmi dhe liria e shprehjes

Si shumë akte terroriste, edhe ky në Francë në Charlie Hebdo, gazetë javore satirike, të shtynë të mendosh më thellë dhe më detajisht se pse ndodhin kësi veprimesh që i bëjnë dëm individit në veçanti, e shoqërisë në përgjithësi.

Ata të cilët fjalët terrorizëm dhe liria e shprehjes i sollën pranë njëra tjetrës janë ose injorant jomuslimanë, nëse të tillët nuk kanë ndonjë qëllim krejtësisht tjetër, ose janë muslimanë shumë naivë, të cekët dhe të thjeshtë të cilët mendojnë se me anë të kësaj mund të arrijnë dikund. Nëse terrorizmi asnjëherë nuk mund të ketë kuptim pozitiv, asnjëherë nuk mund të bëjë mirë dhe dikush të ketë dobi prej tij, edhe liria e shprehjes nuk mund të ketë kuptim negativ, asnjëherë nuk mund ti bëjë keq dhe dikush të ketë dëm prej saj. Nëse terrorizmi është shkelje në hapësirën fizike, psikike, shpirtërore, metafizike, kulturore, personale, familjare të tjetrit, atëherë liria e shprehjes është mosshkelje në hapësirat e tilla. Por, nëse ndodh që liria e shprehjes të luaj rolin e shkeljes e jo të mosshkeljes në këto sfera, atëherë cili do të ishte dallimi midis saj dhe terrorizmit?

Sa është e rëndë të vrasish një njeri fizikisht dhe të thuash se unë jam musliman po aq e rëndë është të vrasish një njeri shpirtërisht dhe të thuash se unë jam duke e përdorur të drejtën e lirisë së shprehjes. Mua më dhimbsen dhe e dënoj vrasjen e këtyre personave në gazetën Charlie Hebdo-Francë, por më habit fakti se si këta persona e kanë bind veten e tyre se janë duke bërë mirë, duke u tallur apo duke e nëpërkëmbur elementin shpirtëror të një grupi shumë të madh të njerëzve në këtë botë, gjegjësisht të muslimanëve. Këtë habi e rrit edhe më tepër vendimi për rritjen e ekzemplarëve të gazetës në 3 milion kopje, pas aktit terrorist. Edhe më tragjikja dhe më e hidhura është kur shumë njerëz në botë mundohen të tillët ti shpallin si hero të lirisë së shprehjes. Sikur edhe kjo të ishte liri e shprehjes, unë nuk e di se a do të ekzistonte me të vërtetë fjalë e lirë. Nëse kjo është liri e shprehjes, atëherë për ata të cilët janë nëpërkëmbur çfarë kuptimi ka fjala e lirë. Nëse fjalë e lirë ka kuptimin që dikush të ma merr të drejtën që unë të jem i lirë në shrehje, në besim, në moral, në gjuhë dhe të drejtën time njerëzore, atëherë mos qoftë kjo liri e shprehjes! Pasi në kësi rastesh në emër të lirisë së shprehjes, në prapaskenën e fjalës së lirë, lind ideja apo bindja se ekziston një torturë, një kolonizim, një ekskluzivizëm, një ksenofobi apo një dhunë e një lloji krejt të ri.

Është një cekshmëri, një injorancë, një idiotizëm, të mos them një plan i padukshëm që ta marrish për bazë një “incident”, nëse i njëjti edhe nuk është i planifikuar, për ta quajtur terrorist një fe, konkretisht Islamin apo të gjithë muslimanët. Kjo vrasje në Francë, po edhe në shumë vende të tjera nëpër botë, nuk është një akt i kryer si një rezultat i një vendimi të një institucioni legjitim institucional në botë, e që në prapaskenë ka një shtet. Por këto raste janë thjeshtë “incidente” të realizuara nga individë të cilët nuk përfaqësojnë më tepër se sa veten apo një grup të vogël të tyre. Nëse një apo dy-tre individë bëjnë një vepër terroriste, pse duhet që të fajësohet i tërë komuniteti musliman. Çfarë faji ka muslimani i Amerikës, i Japonisë, i Afrikës, i Ballkanit etj., nëse një njeri që ka ndodhur të jetë musliman, ka vrarë disa njerëz në Francë apo dikund tjetër. Po nëse ky rast aq shumë pompozohet dhe reklamohet me anë të mediave lokale dhe globale, atëherë të jep të kuptosh se dikush tjetër qëndron pas këtyre rasteve, i cili me çdo kusht dëshiron të arrijë në cakun e tij, dhe se vrasësit e tillë nuk janë tjetër vetëm se një mjet i futur në një lojë të madhe për momentin të padukshme, e që për fat të keq mendojnë se janë duke bërë një veprim që e quajnë madje edhe xhihad.

Islami është kundër çdo lloji të terrorizmit, i cili nuk ka as fe, as as komb, as racë e as gjuhë të caktuar. Njeriun terrorist e bën shpirti i tij. Kurse shpirti flet vetëm se me gjuhën e shpirtit. Në Islam veprat terroriste janë rreptësisht të ndaluara. Njeriu ose është me Allahun Fuqiplotë ose është terrorist. Këto nuk shkojnë bashkë. Ndërkaq edhe praktika pejgamberiane na paraqet një personalitet që jo vetëm që nuk është terrorist, por as që ka ndonjë pikë të përafërt me të. Muslimani as edhe në betejë nuk guxon me qenë i tillë e jo më në paqe.

Për mua ka disa lloje terroristësh: Terrorist që vret njerëz fizikisht dhe terrorist që vret njerëz shpirtërisht. Edhe ata që mbjellin ksenofobi, urrejtje dhe e përdorin fenë për qëllime të caktuara që ndonjë herë nuk duken, janë terrorist. Poashtu terrorist është edhe ai që me “telekomandë” apo në ndonjë formë tjetër me vetëdije apo pavetëdije ndihmon në daljen në shesh të terrorizmit. Ky ndoshta është edhe terroristi kryesor.

Mendoj se në kësi rastesh terroriste përgjegjësinë nuk duhet kërkuar tek ai që është më i dobët, por tek ai që është më i fortë ekonomikisht, politikisht, shtetarisht, kulturalisht etj., pa marrë parasysh se kush e bën aktin terrorist. Bota globale në vend që të vrapojë të fshijë gjurmët e ujkut është më mirë, më drejtë dhe veprim i qëlluar kundër terrorizmit, që ti turret “ujkut”.

Ne si shqiptarë, në përgjithësi, dhe si shqiptarë muslimanë, në veçanti, e kemi dëshmuar dhe vazhdojmë që ta dëshmojmë se jemi kundër çdo lloji të terrorizmit. Prandaj çdo tendencë për të pretenduar nga cilido shqiptar, duke u bazuar në aktin terrorist në Francë, se ne jemi europian e nuk jemi oriental, e cila mendoj se nuk shprehet për të treguar vetëm vendin gjeografik të shqiptarëve, por në prapaskenë ka për qëllim që shqiptarët mos të jenë musliman, pasi si të tillë janë me terroristët, është e papranueshme. Shqiptarët fizikisht dhe me gjuhë janë europianë, por fetarisht, sikur e tërë Europa, janë oriental, pasi edhe krishterizmi i cili ka lindur në Jerusalem, është oriental e nuk është oksidental.

Pra, unë jam kundër terrorizmit fizik dhe shpirtëror që ndodhi në Francë këto ditë si dhe kundër keqpërdorimit të fesë të çfarëdo forme që të jetë ajo në botë.

Artikuj të ngjajshëm

error: