You are here
Home > Kolumna > Shkruan Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi: Sfidat e Bashkësisë Fetare Islame

Shkruan Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi: Sfidat e Bashkësisë Fetare Islame

Prof. Dr. Qani ef. Nesimi

Myfti i Tetovës

Sfidat e Bashkësisë Fetare Islame

Bashkësia Fetare Islame është një institucion shumë i madh, shumë serioz, shumë i rëndësishëm, shumë me peshë. Poashtu relevanca e saj është e padiskutueshme si brenda Republikës së Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe në rajon e më gjërë. Kështu që, me cilindo problem që të ballafaqohet shteti, qoftë ai edhe një problem politik, pasi që për atë ekonomik dhe social, sidomos për të mbrojtur shumënacionalitetin, shumëgjuhësinë dhe shumëetnicitetin e saj as që diskutohet, roli dhe pesha e katëgorisë së parë e BFI-së është e padiskutueshme.

Ky vit, gjegjësisht viti 2020, që nga fillimi, një herë si diskutim serioz e pastaj edhe duke e përjetuar shumë rëndë, po kalon me përballje shumë serioze me një virus që i është bërë halë në sy tërë botës, konkretisht fjala është për pandeminë, gjegjësisht për Virusin Korona, Covid-19. Kjo pandemi, përveç që panikosi njerëzimin, ajo mori shumë jetë njerëzish, ku ende po vazhdon me të njëjtin avaz, mbylli xhami, kisha, instituticione lokale dhe shtetëtore, mbylli qytete, shtete etj. Thënë shkurt e mbylli tërë botën në një kafaz. Nuk dua të futem në diskutimin se atë a e krijoi Zoti dhe njeriu u habit, apo me qëllim ose pa qëllim gaboi njeriu. E rëndësishmja është se ne ende jemi duke luftuar me këtë, dhe si duket pasojat e rënda që vazhdojnë të bëhen dita ditës edhe më të rënda, do të na ndjekin pas një periudhë kohore edhe në të ardhmen.

Bashkësia Fetare Islame decenie me radhë është duke u ballafaquar me sfida të ndryshme, të cilat nuk dinë të marrin fund. Kështu që, gjatë viteve 1989-1991, në periudhën e rënies së sistemit monist, gjegjësisht të bllokut lindor, si dhe pas coptimit së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë u shpërbën edhe institucionet fetare që ishin nën ombrellën e regjimit të atëhershëm jugosllav. Pas viteve 90’ta Republika e Maqedonisë nga pala maqedone u shpall e pavarur. Kurse shqiptarët nuk e votuan. Tendenca dhe synimi i krijimit të këtij shteti nuk ishte që ai të jetë një shtet me platformë multikulturore, multireligjioze dhe jo monoetnike. Deklarata e pavarësisë së Maqedonisë ishte pikënisje për themelimin e një shteti të ri, të pavarur në hapësirat e Gadishullit Ballkanik, por pa shqiptarët/pa besimtarët muslimanë. Përcaktimet bazë të deklaratës për pavarësi e shtrembëronin realitetin historik dhe etnik mbi të cilat duhej të themelohej shteti i ri në Ballkan. Sipas këtyre përcaktimeve, projekti për shtetin e pavarur të Maqedonisë mbështetej mbi “integritetin territorial të shtetit maqedonas” dhe mbi “të drejtën e popullit maqedonas për vetëpërcaktim”. Ky formulim në mënyrë shumë të qartë do të përcaktojë karakterin e shtetit të ri si shtet nacional maqedonas, duke përjashtuar mundësinë e themelimit të një shteti multietnik, multikulturorë dhe multireligjioz, ku do të përfshiheshin të gjithë popujt tjerë që jetonin në Maqedoni, e në veçanti shqipëtarët. Ky lloj monopolizmi i politikës nga udhëheqësia e atëhershme e Maqedonisë do të vërehet edhe në trajtimin e saj me dy arshin ndaj organizatave fetare apo komuniteteve fetare që gravitojnë në këtë shtet, duke e vlerësuar njërën (KOM) më tepër se tjetra (BFI).

Sipas kushtetutës aktuale të Republikës së Maqedonisë së Veriut kemi pesë komunitete fetare edhe atë: Kisha Ortodokse Maqedone, Bashkësia Fetare Islame, Kisha Katolike, Komuniteti Hebraik dhe Kisha Metodiste-Evangjeliste. Deri sa të gjitha komunitet fetare përdorin vetëm gjuhën maqedone, BFI përdor gjuhën shqipe, maqedone, boshnjake, turke, rome etj. Në anën tjetër, vetëm BFI ngërthen në vete besimtarë me përkatësi të ndryshme nacionale, si shqiptarë, turqë, boshnjakë, romë, torbeshë etj. Kurse shteti i Maqedonisë nuk ishte i barabartë në këtë drejtim. Ai nuk e përfillte këtë realitet multikonfesional. Ai BFI-në jo që nuk e trajtonte si të veten, por herë herë vepronte sikur ajo të jetë ‘armike’ e saj. Këtë e vërtetojnë tendencat për puç në BFI (4 maj 2015 dhe 20 prill 2019), të cilët, fatkeqësisht, bëhen me mbështetje institucionale shtetërore. Feja Islame dhe institucioni i saj në Maqedoni asnjëherë nuk janë trajtuar dhe ende nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me institucionet e tjera. Në këtë vend përdoret një ‘drejtësi selektive’, që “thellon hendekun e ndasive etnike dhe fetare” dhe e pamundëson ndërtimin e “një shoqërie të sigurt dhe demokratike në përputhje me standardet e vendeve të zhvilluara demokratike. Rasti më i mirë për të kuptuar këtë qëndrim selektiv është qasja e shtetit ndaj Kishës Ortodokse Maqedone (KOM), e cila vlerësohet më shumë nga të gjitha institucionet tjera fetare në vend, si në kthimin e pronave, në mbështetjen financiare në forma të ndryshme etj.

Si rrjedhojë, Republika e Maqedonisë më herët ballafaqohej me dy gabime kruciale. E para, Maqedonia në opinionin regjional dhe atë global mundohej ta paraqes veten si multireligjioze, multikonfesionale, multietnike dhe multikulturore. Kurse në fakt brenda në shtet jo vetëm që nuk tentohej për një shoqëri multietnike dhe multireligjioze , por as që investohej në këtë drejtim, dhe të gjitha forcat e shtetit ishin të orientuara në krijimin e një shteti monoetnik, monokulturor dhe monoreligjioz.

E dyta, Maqedonia, me politikën e saj kishte një tendencë ekstreme në krishterizimin/ortodoksizimin e vendit, e cila ishte në dëm të të tjerëve, konkretisht kundër muslimanëve. Këtë e vërejmë posaçërisht në vendosjen/ndërtimin e kryqeve dhe  të kishave nëpër tërë teritorin e vendit, madje edhe në ato vende ku myslimanët janë shumicë ose bashkëjetojnë me të krishterët.

Ndërkaq, shteti me neglizhencën e vet haptas e shfaqi qëndrimin se është kundër BFI-së. Përpos që e neglizhonte këtë institucion të rëndësishëm fetar, në asnjë farë mënyre nuk i ndihmonte atij. Mosinteresimin dhe anashkalimin e BFI-së nga ana e shtetit mund ta shprehim me sa vijon:

-BFI nuk mbështetet financiarisht nga ana e shtetit. Në Gadishullin Ballkanik vetëm Maqedonia zyrtarisht nuk investon në komunitetet fetare.

-BFI-së nuk i kthehen pronat/vakëfi. Kurse Kisha Ortodokse Maqedone i ka kthyer të gjitha, madje pranon edhe investime nga shteti dhe merr në pronësi edhe vende të reja.

-Shkolla e mesme islame “Medreseja Isa Beu”, nuk pranohet si shkollë zyrtare shtetërore, nuk vlerësohet në vendin e duhur. Shteti nuk ka qëndrim të qartë ndaj saj, madje ajo trajtohet si kategori e dytë në shtet.

-Nuk lejohet ndërtimi ose rindërtimi i xhamive të prishura dhe të  rrënuara, qoftë më herët ose në kohën më të re, si në vitin 2001, etj. (psh., xhamitë në Prilep, Shtip, Manastir, Strumicë etj.)

Faktori politik shqiptar që nga fillimi i demokracisë dhe ai i pas vitit 2001 e këndej, në veçanti, gjithmonë është shprehur për një Maqedoni të përbashkët. Ndërkaq edhe ndryshimet e reja politike, sidomos pas 27 prillit të vitit 2017, në palën maqedone janë shpresëdhënëse. Sidomos pas futjes së RMV-së në NATO dhe hapjes së derës për anëtarësim në BE, shpresat janë edhe më të mëdha.

Moment tjetër i rëndësishëm që duhet theksuar në mesin e sfidave të BFI-së është edhe ajo se pas viteve ‘90 që kur u bënë ndryshimet politike, përpos këtyre do të hasim edhe në ndryshime dhe tendenca në diskursin fetar gjegjësisht në doktrinat fetare. Kësaj radhe, do të kemi paraqitje të rrymave me ngjyrime të reja fetare islame. Fillimisht do të paraqiten organizata/shoqata kulturore dhe humanitare, që do të jenë të financuara nga vendet jashtë dhe brenda shtetit. Kjo vërehet me paraqitjen e predikuesve fetarë dhe përkthimeve të veprave në të cilat do të promovohen botëkuptimet dhe doktrinat e tyre. Këto lëvizje do të paraqesin sfidë të re për BFI-në në Maqedoni, e cila do të jetë e irrituar nga praktikat dhe simbolet e reja fetare që do të promovohen nga aktorët e rinj.

Nëse, në rrethanat e sotshme, e gjithë kjo analizohet mirë, do të vijmë në konkludim se shoqatat dhe lëvizjet me karakter fetar kryesisht kanë qenë promotorë për:

– Tentimin për të krijuar huti dhe probleme aty ku nuk ka.

– Kthimin e vëmendjes së muslimanëve drejt çështjeve sporadike dhe jo të rëndësishme, dhe në vend që ata të merren me çështje esenciale dhe aktuale të harxhojnë energji dhe kohë për formalitete.

– Kthimin pas, në vend që të mendohet për zgjidhjen e çështjeve të cilat janë parësore dhe vendimtare për fatin e Islamit dhe muslimanëve në këto treva.

– Vendosjen e fatit të shpjegimit dhe praktikimit të Islamit në duar të individëve apo grupeve jo kompetente dhe jo profesionale.

– Mohimin dhe zhdukjen e një tradite shumë shekullore Islame mbi të cilën është ndërtuar e kaluara jonë dhe e cila paraqet bazë për sigurimin e të tashmes dhe të ardhmes sonë.

– Pengimin i kontinuitetit të kultivimit dhe zhvillimit të Islamit nga subjektet kompetente legjitime.

– Tentimin për t’u mënjanuar, shmangur dhe degraduar subjektet profesionale teologjike të cilët unanimisht kanë vendosur që në jurisprudencë të ndiqet shkolla hanefite kurse në atë doktrinor shkolla maturidite.

– Veprime në dëm të BFI-së duke theksuar se vetëm ata janë duke bërë punë efikase dhe janë duke e mbuluar sektorin që duhet ta mbulojë BFI-ja.

– Grumbullimin e mjeteve financiare me të cilat mbijeton  BFI-ja: zekatin, fitrat, kurbanet, lëkurat dhe ndihmat e tjera vullnetare.

– Hapja e qendrave të ndryshme si: kurse, konvikte, shkolla, kolegje, shtëpi botuese të ndryshme, në një farë mënyre do ta përcjellin doktrinën e tyre fetare tek shoqëria myslimane në RMV.

Bashkësia Fetare Islame në RMV, si institucion shumë shekullor dhe i vetmi kompetent në organizimin e jetës fetare dhe si shprehje e forcave intelektuale-teologjike që janë produkt i këtij populli dhe i kësaj tradite islame shumë shekullore, me përgjegjësinë e nivelit më të lartë mban timonin drejtë rrugës për mbrojtjen, zhvillimin dhe kontinuitetin e islamit në këto treva dhe më gjerë. Njëherit me një strategji dhe metodologji të karakterit bashkëkohor dhe një veprimtari të kualitetit më të lartë, jo vetëm që ju përgjigjet nevojave dhe kërkesave që i paraqet koha dhe vendi, por zgjeron ndikimin e vet edhe më gjerë duke shfrytëzuar origjinalitetin e punës së vet, si dhe përvojën që e përfiton si anëtare e shumë organizatave botërore islame. Në anën tjetër, në prag të shek. XXI, shekull ky i cili trashëgoi krahas të mirave edhe të gjitha sëmundjet, peripecitë, deformimet morale, shkatërrimin e asaj që quhet moral shoqëror, desakralizimin e qenies njerëzore dhe të natyrës, BFI ballafaqohet me sfida të llojeve të ndryshme, të cilat duhet t’i tejkalojë me anë të rolit dhe të misionit që ka në shoqëri. Në këtë botë të modernizuar, të globalizuar dhe me këto tipare që i përmendëm më lartë, BFI ka një pozitë sa të qartë aq edhe të paqartë. E qartë sepse në esencë dihet ç’është misioni dhe ideali i saj. E paqartë sepse shumë njerëz mendojnë se ky është një institucion pasiv dhe i fosilizuar.  

Hapësira vepruese më e rëndësishme nëpërmjet së cilës Bashkësitë Islame në trojet shqiptare, gjegjësisht Bashkësia Fetare Islame në RMV e realizon misionin e saj themelor dhe obligimin e saj kushtetues për edukimin dhe për arsimimin e ithtarëve të saj, është hapësira vepruese e teologut. Kjo edhe për kohën moderne është një kusht i domosdoshëm për jetën dhe për të jetuarit në këtë kohë, qoftë këtu tek ne, qoftë kudo në botë. Prandaj BFI është e obliguar dhe përgjegjëse që teologut t’i ndihmojë në kapërcimin e këtyre sfidave, pasi ai individualisht është i pamundshëm të jetë i suksesshëm në punën e tij. Kështu që institucioni i lartpërmendur duhet t’i  ndihmojë teologut edhe atë në: momentin e punësimit të tij, realizimin e misionit, përgatitjen e ligjëratave të përshtatshme për kohën, financimin e tij. Pra, nëse dëshirojmë jetë fetare të fortë na duhet bashkësi islame e fortë, a nëse dëshirojmë bashkësi islame të fortë, na duhet autoritet i fortë i teologëve/imamëve, e ajo bëhet me ndihmesën reciproke që do të jepet në tejkalimin e sfidave të lartpërmendura.

Poashtu do të kisha thënë se reagimi i BFI ndaj kritikave që i bëhen nuk duhet të jetë: Ne jemi duke punuar për rizanë e Zotit-ne ndihmojmë, ne kështu e kemi gjetur këtë institucion dhe kështu do ta vazhdojmë dhe se ne më tepër s’kemi mundësi. Por duhet përgjigjur si një institucion tejet serioz dhe rigoroz, me bindjen se kemi opcione të reja dhe me dëshirën për t’i kërkuar ata që kanë më tepër mundësi veprimi në këtë drejtim. Prandaj, është e një rëndësie të veçantë që shteti dhe të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare, secila në formën e vet, të kontribuojë sinqerisht dhe realisht e në mënyrë vazhdueshme në këtë drejtim. Pra të mundësojë që njerëzit, kulturat, fetë etj., të pranojnë njëra tjetrën sinqerisht dhe realisht. Institucionet këtë mund ta bëjnë vetëm duke u dhënë atyre mundësi më të mëdha që ata ta njohin njëra tjetrën më mirë dhe më për së afërmi, dhe në fund të shpëtojnë nga vetizolimi, i cili sjell vetëm mundësi urrejtje-mbjellëse. Për këtë çdo udhëheqësi, qoftë shtetërore apo joqeveritare, duhet të ketë parasysh edhe atë me sa vijon:

-Vetëdijesimin për periudhën postmoderne që jemi duke e jetuar dhe për përgjegjësitë që mban mbi supe ai ose ajo.

-Duhet mbjellë ndjenjën e rëndësisë së fesë në riparimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore, dialogut, tolerancës etj. 

-Duhet dhënë shumë rëndësi njohjes së historisë, gjuhës, kulturës, fesë së vet, po edhe të historisë, gjuhës, kulturës e fesë së tjetrit, me të cilën jepet mundësia e njohjes reciproke mes njëri tjetrit. Sa më tepër njohje aq edhe më tepër respekt reciprok.

Në fund mund të potencoj se, BFI që të jetë e suksesshme në këtë drejtim duhet të ketë parasyshë:

-Ngritjen e nivelit intelektual të nëpunësve fetarë, në veçanti, e të teologëve në përgjithësi,

-Ruajtjen e vlerave morale në relacion me Allahun Fuqiplotë, me xhematin pa dallim gjinie, race dhe gjuhe, në relacion me hoxhallarët, studentët/et, nxënësit/et, midis të punësuarve brenda institucionit, komunitetin në përgjithësi,

-Rritjen e ndjenjës së përgjegjësisë,

-Ngritjen e nivelit kulturor të shërbyesit në BFI, pa marrë parasysh se cilën detyrë e ushtron brenda saj,

-Ngritjen e nivelit profesional,

-Duhet të avancojë sektorin e gjinisë femërore,

-Duhet të flas puna e BFI-së, e jo fjalët e saj,

-Duhet të jetë nënë për të gjithë,

-Duhet patur një trajtim të barabartë profesional,

-Duhet të jetë frymëzim për të gjithë, etj.

Artikuj të ngjajshëm