You are here
Home > Kolumna > Shkruan: Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi – Ndikimi i medresantëve në jetën shoqërore, pas diplomimit

Shkruan: Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi – Ndikimi i medresantëve në jetën shoqërore, pas diplomimit

Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqia dhe të besoni në All-llahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, por shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit.” 

(Kur’an, Ali Imran, 110)

Simboli e orienton mendimin

(Paul Ricoeur)

Medreseja është një koncept, që nuk tregon vetëm një shkollë të mesme, por ajo shpreh një gjë që është më e gjërë dhe më e thellë se aq.  Ajo paraqet një botëkuptim të ‘matanshëm’, që duhet të bartet në të sotmen. Populli ynë, sipas mendimit tim, medresenë e sheh si një ‘Shpellë Hira’ shprese, e cila është jashtë kufijve të vendbanimit, por që duhet të luaj rol në ndërrimin e rrjedhës së jetës në të mirë brenda vendbanimeve, e cila është përplotë sfida. Në anën tjetër medreseja është një simbol, i cili mundëson formimin, krijimin dhe orientimin e ideve dhe të botkuptimeve të ndryshme. Ontologjikisht medreseja si simbol orienton në një dashuri dhe një respekt të shenjtë, në një bashkëjetesë, vëllazëri në shoqërinë tonë, në përgjithësi. Vetëm se, medresanti është ai i cili më pastaj këtë kuptim e ruan të tillë, apo i jep një orientim tjetër të të menduarit ndaj medresesë, ndaj fesë, ndaj kulturës fetare tradicionale tonën, kjo varet nga përgatitja profesionale, etike, njerëzore e tij. Medreseja, pasi është burim ku mësohet fjala hyjnore, si Kur’ani famëlartë dhe Sunneti i Pejgamberit a.s., nuk fton vetëm në formimin e një medresanti në kuptimin e ekzistimit të tij individual, por, më tepër fton në formimin e një medresanti me vetëdijen dhe kuptimin e një ekzistence kolektive, rezultat i së cilës më herët kanë qenë kultura, arti, arkitektura, qytetërimi islam etj. Në periudhat e organizimit të jetës shoqërore bazuar në sistemin teocentrik, medreseja ka qenë vend studimi i të gjitha lëmive, të cilat nuk kanë patur mundësi të jenë të zhveshura nga ngjyrosja hyjnore, gjegjësisht nga besimi në Allahut fuqiplotë. Kurse më vonë me paraqitjen e sistemit të shekullarizmit medreseja merr një kuptim më të reduktuar dhe më të thjeshtëzuar, konkretisht ajo më merret vetëm më cështjet fetare dhe teologjike. Kështu është kur sot flitet edhe për një medresant. Ai pranohet si një njeri i fesë, i teologjisë. Edhe pse teologjinë është shumë e vështirë ta ndashë si me thikë nga shkencat sociale si, pedagogjia, antropologjia, filozofia, sociologjia, psikologjia etj. Kjo është rezultat i organizimit të jetës shoqërore bazuar në konceptin antropocentrik. 

Medreseja jonë, gjegjësisht medresetë klasike dhe ato të kohës moderne në vendin tonë, kanë luajtur rol shumë të madh në ruajtjen e fesë, islamit tradicional, profesionit hoxhë, gjuhës kombëtare, në përgjithësi në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar në këto troje. 

Në këtë kontekst, edhe medresanti në përgjihësi, e ai i Medresesë Isa Beu, në vecanti, është një simbol e të mirës, i vlerës, i fesë, i besueshmërisë, i besnikërisë. Kjo shihet në situatat edhe më delikate që mund të ndodhin në shoqëri, si luftëra, fatkeqësi, gëzime, lindje etj.

Profesori dhe mendimtari i shquar i botës islame sot, Burhanettin Tatar, do të shpreheshte me sa vijon: “Në Kur’an thuhet se Allahu e ka krijuar gjithësinë dhe pastaj cdo krijese i ka dhënë një pozicion dhe një rol të caktuar.  Gjithësia në një kontekst shihet si një dramë kozmike, ku cdo krijesë merret si një dekor, aktor apo figurë e kësaj drame kozmike. Njeriu vetëm si një lojtar i kësaj drame kozmike, duke e luajtur rolin e vet, mund të ballafaqohet me realitetin.  Thënë shkurt, realiteti është pjesë e kësaj loje, dhe vetëm gjatë lojës kuptohet realiteti. Mendimi islam i bazuan në Kur’an dhe në Sunnet, krijon një lojë tjetër brenda kësaj loje të madhe, kurse frakcionet janë miniloja (minidrama) në këtë lojë/dramë të madhe të mendimit islam.“ (Tatar, Islam dusuncesine giris, f. 108-110).

Edhe medresanti, kur të ballafaqohet me realitetin duhet të ketë kujdes se, ai do të jetë lojtar i dramës së madhe që quhet mendimi islam i bazuar në Kur’an dhe Sunnet, apo do të bëhet lojtar i lojërave shumë të vogla të grupeve, frakcioneve, apo intereseve të vogla, etj. 

Piktura e piktorit apo aktrimi i një artisti, nuk janë thjeshtë një vizatim apo një aktrim, por ajo është një gjë më shumë se aq. Edhe medresanti nuk është thjeshtë një person që ka kryer vetëm një shkollë të mesme, por ai në shoqëri kuptohet si dic shumë më tepër, shumë më i madh se ajo.  Vetëm se kjo është shumë vështirë për t’u mbajtur dhe ruajtur. Këtë nuk mund ta bëjë cdo njëri. Prandaj kur të vendos familja dhe personi për t’u marr me këtë drejtim, të shkojë në medrese, duhet bërë shumë mirë matematika e kësaj pune.

Medresanti e mëson fenë jo vetëm për ta ditur dhe praktikuar për veten e tij, por ai, njëkohësisht, fenë duhet ta njohë aq bukur sa t’ua tregojë, dhe t’ua bëjë joshëse të tjerëve. Ai është ura bartëse e fjalës së shenjtë dhe e praktikës pejgamberiane. Ai është pasqyra ku njerëzit/shoqëria në përgjithësi shohin shembullin e fesë dhe të njerëzisë, te i cili e lidhin fatin e tyre edhe për në botën e ardhshme. Këtë gjë atij ia bën obligim vetë Kur’ani famëlartë, në të cilin thuhet me sa vijon:

Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqia dhe të besoni në All-llahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, por shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit.” (Kur’an, Ali Imran, 110).

E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.” (Kur’an, Bejjine, 5).

Si dhe për rrugën e suksesit të tij:

Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.” (Kur’an, Nahl, 125).

Gjithashtu, edhe praktika dhe fjalët e Muhamedit a.s. janë mësimdhënëse esenciale për jetën fetare dhe profesionale të medresantit, e cila para së gjithash shquhet për sinqeritet, njerëzi, karakter dhe të gjitha vlerat dhe cilësitë njerëzore. Allahu fuqiplotë kur tregon për Muhmaedin a.s., theksin e vë mu mbi këto cilësi: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali!” (Kur’an, Kalem, 4).

Medresanti nuk guxon të jetë me ‘shpirt të varfur’ dhe me ‘kulturë të cekët’, në njohjen, përvetësimin dhe jetësimin e fesë në përditshmëri. Pasi ndikimi tij në shoqëri është shumë i madh dhe shumëdimensional. 

Ndikimi i medresantit në rrafshin social, së pari, fillon nga parafytyrimet që njerëzit kanë të formuar në ndërdijen e tyre. Ata atë e shohin si një person më të kompletuar, më të besueshëm, si ‘njeri të Zotit’, të fesë, të të shenjtës, të ahiretit, të shpëtimit, njeriu te i cili mund të ndjehen shumë të sigurt. Prandaj cdokush që ka ndonjë dertë, siklet ose vështirësi, qoftë ajo edhe më intimja, së pari vjen te hoxha (medresanti). Hoxha si një ish medresant, përvec në xhami, ai me popullatën është në kontakt të përditshëm, në rrugë, në cajtore e kafene, në dasma, ahengje të ndryshme, në morte dhe pikëllime të ndryshme. Ai pra është i pari që është i gatshëm të sakrifikojë cdo send për idealin dhe qëllimin e fesë dhe të kombit. Prandaj ai duhet të jetë shumë i kujdesshëm, se ky imazh ekzistues do të vazhdojë apo do të ndryshojë për mirë ose për keq. E gjithë kjo varet nga sjellja, kultura, edukimi që ai to të manifestojë në vazhdimësi. Kuptohet se, medresanti, i cili e vë në pah interesin e tij personal para së gjithash, apo ambicien e tij karrieriste, fillon të perceptohet si një person ekskomunikues dhe përjashtues për tjetrin, dhe kjo i bën dëm imaxhit të medresantit, Medresesë Isa Beu dhe Bashkësisë Fetare Islame në RMV, në përgjithësi.

Në rrafshin profesional, medresanti gjithashtu në memorien kolektive dhe në ndërdijen e xhematit njihet si njeri me diapazon më të gjërë, njeri me një ose më shumë gjuhë të huaj, njeri që ka qasje në një botë që të tjerëve në përgjithësi u ka munguar, njeri me profesion të performansuar në qendra të ndryshme ndërkombëtare botërore, njeri me ide të reja. Medresanti në rrafshin politik njihet si një njeri me elan të madh, njeri me vetëdije të lartë për organizimin dhe sistemimin e jetës shqërore, njeri me vetëdije për përgjegjësi. Prandaj cdo subjekt politik në cdo miting të tij ka dëshirë të ketë njerëz të fesë. Në rrafshin ekonomik ai njihet si njeriu të cilit i besohet një pjesë e pasurisë, njeriu te i cili orientohen zeqati, sadakaja, fitra, qefareti, kurbani, lëkura etj.,  njeriu të cilit i besohen fonde të ndryshme.

Thënë shkurt, këto ndikime të medresantit janë gjëra që ndodhin nëpër shtëpitë tona, në shkollat fillore përmes mësimbesimit, në politikë përmes inkuadrimit në parti politike, në administratë shtetërore, në parlament dhe qeveri, në universitete të ndryshme, në media të shkruara dhe elektronike, në biznese të ndryshme, në formimin e fondacioneve të ndryshëm etj.

Ndikimi medresantit në shoqëri, bazuar në deklaratat e disa ish medresantëve që veprojnë në vend dhe jashtë dhe me pozicione të ndryshmë në shoqëri

Ish medresanti Ruzhdi Asipi, i diplomuar në Universitetin e Azharit në Kajro të Egjiptit, i cili vepron si hoxhë dhe posedon një firmë private në Copenhagen të Danimarkës, në lidhje me temën në fjalë shprehet: “Iniciativa e ndërtimit të xhamiave shqiptare në diasporë është e Medresantëve. Edhe medresantët të cilët nuk janë të angazhuar nëpër xhami, gjithashtu kanë një rol shumë të madh në mbrojten e vlerave fetare dhe kombëtare, në ndërrimin e konceptit ndaj fesë islame dhe institucionit hoxhë në përgjithësi. Nuk duhet haruar kontributi i medresantëve dhe i vetë Medresesë në luftërat e vitit 1998-1999 në Kosovë dhe në vitin 2001 në Maqedoni. Ata janë shumë aktiv me pjesëmarrjen e tyre në media të ndryshme-shqip dhe gjuhë të tjera.” (Bisedë e zhvilluar më 20 shtator 2019).

Ish medresanti Mr. Rehan Neziri, i cili pas përfundimit të medresesë i ka vazhduar studimet në Fakultetin Teologjik, e pastaj ka magjistruar në Sociologjinë e Fesë në Bursa të Turqisë, i cili sot vepron si imam dhe mësues i mësimbesimit islam në Kreuzlingen të Zvicrës, shprehet me sa vijon: “Medresanti, hoxha apo teologu i ardhshëm shihet si pasqyrë të jetës fetare, madje te vetë fesë. Përgatitja profesionale e tij në shumë fusha, ka ndikuar që ai të jetë i kapshëm për njerëz të sferave të ndryshme dhe jo vetëm për xhematin e rregullt të xhamisë. Vetëbesimi dhe vetëdisiplina e tij kanë bërë që ai të jetë edhe më i afërt dhe më i përshpirtshëm me xhematin, që rezulton edhe me mbështetjen e madhe që ky xhemat ia ofron pastaj entit për arsimimin e hoxhallarëve, respektivisht medreseve. Për këtë, pa dyshim, kontribut të pamohueshëm kanë dhënë edhe profesorët dhe stafi drejtues i medresesë. Ata kanë qenë jo vetëm arsimdhënës, por në radhë të parë edukatorë, orientues dhe „prinder“ të medresantëve. Si rezultat i gjithë kësaj situate, sot kemi medresantë që janë bërë jo vetëm imamlerë dhe muallimë, por edhe pedagogë në fakultete të ndryshme, përveç vetë medresesë dhe fakultetit teologjik, janë bërë prindër të mirë, janë bërë edhe afaristë të mirë e të edukueshëm. Falë arsimimit dhe edukimit profesional të tyre, ata luajnë një rol shumë të rëndësishëm edhe këtu në diasporë. Madje, mund të mburremi se ne në Zvicër i kemi imamët dhe teologët më të mirë e më të përgatitur të diasporës. Ata, këtu, nuk i shërbejnë vetëm xhematit të xhamisë por janë edhe një fytyrë shumë e njohur, pozitivisht, edhe në shoqërinë perëndimore. Ata janë aktivë si me nxënësit dhe të rinjtë e xhamisë, ashtu edhe në takimet ndërfetare dhe ndërkulturore, ata janë mësues të edukatës fetare edhe në shkollat publike, këshilltarë për çështje familjare, përkujdesës shpirtërorë nëpër spitalet perëndimore, udhëheqës të organizatave islame të niveleve të ndryshme…Edhe pse ata më vonë kanë studiuar nëpër universitete të ndryshme të botës islame, ata i përbashkon përkatësia fillestare ndaj medresesë të cilën e bartin në zemër. Ata, bashkë me xhematet e tyre, sot janë mbështetësit më të medhenj të medresesë ku këta dikur kanë qenë nxënës. Duke qenë se popullata jonë është fetare dhe e do fenë, ata do të ngelin mbështetësit më të mëdhenj, natyrisht bashkë me imamët e tyre ish medresantë, të medresesë Isa Beu dhe të BFI-së. Ruajtja e imazhit pozitiv nga ana e të gjithë të punësuarve brenda BFI-së do të ndikojë që ky mision dhe kjo kauzë të ecë në këmbë të qëndrueshme edhe shumë dekada e shekuj në të ardhmen. Për këtë edhe bëj dua të jetë keshtu përgjithmonë.” (Bisedë e zhvilluar më 20 shtator 2019).

Gjithashtu një ish medresant i Medresesë Isa Beu, që ka kryer teologjinë në Bursa të Turqisë, e që sot vepron si imam i palodhshëm në Essen të Gjermanisë, Halil Dalifi, thekson se, “Medresanti, si imam, në diaspor ballafaqohet me shumë kategori njerëzish, të nationaliteteve të ndryshme dhe të medhhebeve të tjera jashtë medhhebit hanefij. Ai duhet të jetë mirë i përgaditur moralisht, pasi suksesi i tij varet shumë nga sjellja e tij, duhet të jetë më aktiv me xhematin dhe sidomos me rininë në aktivitet të ndryshme, tërheqëse, pasi që të gjithë shikimin e kanë drejt imamit.  Medresanti edhe si puntor, repsektohet edhe si hoxhë dhe ndikon cdo gjest, hap dhe sjellje e tij. Ka raste kur punëtorët e tjerë në prezencë të një medresanti të ndyshojnë bisedën e tyre, nga respekti ndaj një personi fetar. Ndoshta në fillim kanë mendim tjetër, por me kalimin e kohës dhe nëse bazohemi në moralin, drejtesinë dhe sjelljen e një medresanti, vjen deri te ajo që ndryshon edhe mendimi i një jo muslimani që ka ndaj muslimaneve duke u bazuar në të dhënat e mediave etj. Imami nuk duhet të izolohet vetëm në xhami, por duhet që të ketë lidhje edhe me komunën dhe institucionet e tjera në vendin ku jeton. Ndikimi i një medresanti në shoqëri varet nga njohuria profesionale,  edukata që posedon, sjellja me njerëzit pa bërë dallim në racë, kombësi dhe fe. Mendimi im është që, cdo medresant duhet të jetë më aktiv me rininë dhe me organizatat e ndryshne, si dhe me institucionet relevante në vendin ku vepron. Pasi kjo është shkak për përfaqësimin e një muslimani në një shoqëri, pasi për momentin opinion edhe këtu në diasporë ushqehet me gjërat e gabuara, që mediat tregojnë për muslimanët.” (Bisedë e zhvilluar më 20 shtator 2019).

Ish medresanti, Emin Limani, i diplomuar në Universitetin e Tripolit në Libi, i cili vepron si hoxhë dhe si mësues i mësimbesmit në Ëien të Austrisë, potencon: “Medresanti është pasqyrimi i vet Medresesë dhe kapaciteteve të saja. Xhemati e shikojnë atë me përkëdhelje dhe simpati, si dikush që duhet përkrahur dhe mbështetur. Por, meqë numri i të diplomuarve ka shënuar dhe vazhdon të shënojë ritje, duket sikur medresanti ka mbetur paksa nën hije, nga i cili pritet shumëdiçka, vetëm pasi të jenë konsumuar të tjerët. Ai është një urë alternative që e mban lidhur xhematin tonë me BFI-në, në veçanti kur kihet parasysh se financimi i medresesë në MKV vazhdon të jetë xhemati. Në bazë të kushteve financiare për medresetë që i kemi, mendoj se, prezenca e medresantit në forma dhe mënyra të ndryshme në xhemat, sadopak e ka ndikimin e vet në mosshkëputjen e lidhjeve me xhematin.” (Bisedë e zhvilluar më 22 shtator 2019).

Dr. Selver Xhemaili, një ish medresant që ka studiuar në Fakultetin Teologjik në Samsun të Turqisë dhe ka doktoruar në Universitetin Shën Kirili dhe Metodij në Shkup, i cili tash vepron si Drejtor i diasporës pranë BFI-së, për rolin e medresesë në jetën shoqërore potencon se: “Ndikimi i medresantit në shoqërinë tonë gjithnjë është evident, çka do që të punojë dhe kudo që të gjindet. Ai nga shoqëria konsiderohet si hoxhë dhe në praninë e tij shpeshherë njerëzit druajnë, hezitojnë të veprojnë apo flasin pa kontrollë, madje shpshherë edhe duke e shprehur këtë në formën ‘është hoxha këtu se përndryshe…etj.’ Nga ana tjetër medresanti me profesione të tjera “jashta teologut” shpesherë merr iniciativa të aktiviteteve që do i kishte marrë drejtpërsëdrejti një hoxhë që kryen detyra fetare. P.sh. medresant me profesione afariste e biznesesh të ndryshe kanë ndikuar (diaspor) te rrethi i tyre dhe kanë marrë iniciative për themelimin e xhamive dhe qendrave të ndryshme siç është rasti në Veneci, Minhen, Teramo, etj. Madje në puntoritë e veta u ku krijuar kushte puntorëve për kryerjen e obligimeve fetare. Shikuar nga aspekti negativ, në rast se një medresant vepron ndonjë akt të pahijshëm, mendoj se, ndikon shumë tepër negativ te të tjerët, ngase të gjithë ata që janë të luhatshëm në veprimin apo mosveprimin e një gjëje, kur shohin medresantin sikur e legjitimojnë një veprim të tillë negativ.” (Bisedë e zhvilluar më 21 shtator 2019).

Myftiu i Myftinisë së Bashkësisë Fetare Islame të Strugës, Mr. Salim Sulejmani, një ish medresant dhe i diplomuar në Fakultetin e Sheriatit në Universitetin e Xhereshit, kurse ato pasuniversitare në Usuluddin në Universitetin e Jermukut në Jordan, i cili tash ushtron detyrën e Myftiut të Strugës, për rolin e medersantit në shoqëri me theks të vecant potencon: “Të qenit medresant, përkatësisht i pajisur me dije fetare islame është përgjegjësi dhe sfidë, sepse puna, veprimet e çdonjërit gjithmonë duhet të anojnë nga shpirtëroja, devotshmëria, mbi të gjitha besimi në Zot. Medresanti duhet të jetë një person energjik, aktiv në praktikimin e vlerave islame, qoftë me gojë apo me shkrim, në takime, komunikues i rregullt me publikun  etj. Si i tillë, në çdo kohë duhet të promovojë vlera në ndërtimin e personalitetit dhe, mbi të gjitha, duhet vepruar që shpirtërorja, materialja, besimi, mirësia, ndershmëria e optimizmi gjithmonë të gjenden mes nesh. Thelbi i ditëve të sotme është familja, besimi në Zot dhe shoqëria, jo vetëm në konceptin e saj të ngushtë, por për ndërtimin e një bërthame të fortë, që t’u bëjë ballë devijimeve të shumta shoqërore. Sot, medresanti, qoftë hoxhë, xhemat, punëtor apo me ndonjë profesion tjetër në shoqërinë tonë ka një rol edukues në familje, në shkollë dhe në mbarë shoqërinë. Një i ri që ka ndjekur shkollë fetare-medresenë dhe ka mësuar fjalën e Allahut, përkatësisht Kur’anin Famëlartë dhe Hadithin e Muhamedit a.s., mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe toleranca janë imperativ për të. Besimi fetar nxit dhe formon “paqen” brenda vetes, duke shmangur ndasitë, urrejtjen dhe luftën. Urtësia e të gjitha obligimeve fetare përveç që sjellin shpëtimin dhe shpërblimin në përjetësi kanë mirësitë e tyre të mëdha edhe në këtë botë. Medresanti, duhet të bind çdokënd se adaptimi i njeriut me obligimet islame dhe zbatimi i tyre në shoqëri me kënaqësi dhe natyrshëm e bënë njeriun më të dobishëm për rrethin në të cilin jeton. Medresanti luan rol të veçantë në formësimin individual të njeriut dhe krijimin e mjedisit të shëndosh islam. Zbatimi i porosive profetike ndikon dukshëm te një besimtar në përmirësimin e shoqërisë. Islami parandalon degradimin dhe degjenerimit shoqëror. Medresantin, e gjen sot kudo, në institucione publike apo private, ku roli i tij është vetëm unifikues dhe promovues të mirëkuptimit dhe tolerancës shekullore tek shqiptarët. (Bisedë e zhvilluar më 23 shtator 2019).

Naser Rushani, një ish medresant, i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup dhe në Fakultetin e Sociologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore, i cili vepron si professor i sociologjisë në Gjimanzin 7 Marsi në Tetovë, për medresantin shprehet: “Shkolla merr një rëndësi absolute për formimin e çdo individi në jetën e tij. Kështu qenia njerëzore nëpërmjet një edukimi të duhur dhe cilësor bëhet e aftë ta ndërtojë vetë të ardhmen. Kjo gjë do të ndodhë në atë moment ku forcat që vënë në lëvizje mendjen dhe fizikun e këtij individi bashkohen dhe bashkëpunojnë për të nxjerrë në shoqëri njeriun që do t’i përshtatet çdo profesioni që ai do të zgjedhë, marrëdhënieve që ai do të ndërtojë më të tjerët. Individi nuk i nënshtrohet procesit edukativ vetëm në familje, por edhe në shkollë dhe rrethet e ndryshme shoqërore ku ai bën pjesë. Një nga forcat që e shtyn individin drejt formimit intelektual, kulturor dhe social është shkolla dhe gjithë ata të cilët kontribojnë në realizimin e këtyre projekteve arsimuese dhe edukative. Shkolla duhet të shikohet si embrion i jetës shoqërore ndaj një realiteti të përditshëm që ndesh secilin prej nesh kudo që ndodhemi. Unë jam shumë falenderues që pata fatin të ndeshem me një shkollë të jetës siç është Medreseja “Isa Beu”. Ky institucion arsimorë në bazë të kurikulave përgatit gjenerata të cilët do të jenë në gjendje jo vetëm që të ruajnë vlerat tradicionale fetare por edhe të përballen me të gjitha kërkesat e kohës. Nga ky institucion kanë dalë figura të shquara të cilët sot menaxhojnë me institucione të rëndësishme në të gjitha sferat e jetës duke filluar nga institucionet fetare, kulturore, ekonomike, politike, etj. Unë sot si një punonjës në arsim me backgraund medresanti ndjehem shumë i priviligjuar në mjediset arsimore por edhe më gjërë. Atmosfera në institucionet arsimore ku është prezent edhe një edukatorë i cili vjen me medrese të mbaruar është më e përmbajtur, e gjithë biseda është e përqëndruar kah ju, kolegët e punës janë më të rehatshëm kur janë me një i cili ka mbaruar shkollë fetare, por në rastin konkret unë si një profesor i gjimnazit jam shumë i nderuar si nga stafi teknik, kolegët, por edhe nga nxënësit. Për të kuptuar se sa ndikim pozitiv ka prezenca e një medresanti (që ka evoluar ne aspektin akademik) mund të grumbulloni fakte nga të gjithë ata të cilët janë aktiv në jetën publike dhe do të kuptoni seriozitetin, përgjegjësinë, profesionalizmin që është meritë edhe e medresesë. (Bisedë e zhvilluar më 23 shtator 2019).

Një ish medresant tjetër, dr. Husein Rizai, i diplomuar në Universitetin Marmara, Fakulteti Teologjik-Stamboll, kurse doktoraturën e ka mbrojtur në Universitetin Shën Kirili dhe Metodij në Shkup, që vepron si referent për kulturë pranë Myftinië së BFI-së-Tëtovë dhe në të njëjtën kohë ligjëron edhe në Universitetin e Tetovës, për rolin e medresesantit potencon me sa vijon: “Edukimi në medrese angazhohet për arritjen e pjekurisë fetare të të gjithë nxënesve. Ata do të marrin një instruktim të përshtatshëm mbi të vërtetat themelore të fesë islame. Me mënyrat që janë të saj, shkolla u ofron të gjithë nxënësve përvojën konkrete të jetës fetare, nxit pjesmarjen në projektet dhe veprimtaritë e institucioneve fetare. Roli i medresesë ka qenë dhe është që të kontribojë në ngritjen e vetëdijes shoqërore përmes gjeneratave të cilat do të arsimohen në këta institucione dhe me përgjegjësi e profesionalizëm të bartin vlerat qytetëruese në shoqërinë tonë e më gjërë. Medresanti është model që sfidon të gjithë kur janë në pyetje vlerat univerzale. Ai është në gjendje që të integrohet në të gjitha sferat e shoqërisë dhe te jep kontributin e vetë në promovimin e këtyre vlerave univerzale. Historikisht njerëzit që kanë dalë nga medresetë janë munduar të ndërtojnë identitet të sinqertë e jo të rremë, janë munduar të jenë aktiv në jetën fetare dhe në organizimin e komunitetit të tyre, të bartin procese të rrëndësishme si në rrafshin fetarë po edhe kombëtarë. Sot në mënyrë autentike medreseja vazhdon që të luaj rolin e njejtë në mënyrë që nxënësit të cilët mbarrojnë medresenë ta përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze këtë institucion që mundohet të rruajë vlerat tradicionale fetare dhe të kontribojë në ndërtimin e identitetit fetarë. Sot medreseja lirisht mund të krenohet për numrin e nxënësve që kanë dalë nga ky institucion. Por jo vetëm kaq. Medreseja krenohet edhe me nxënësit të cilët e përfaqësojnë në çdo sferë të jetës sociale dhe institucionale duke filluar nga institucionet parashkollore, shkollore, universitare, akademike, kulturore, politike e shumë të tjera.” (Bisedë e zhvilluar më 21 shtator 2019).

Mexhit Emurli, ish medresant  Medresesë Isa Beu, i diplomuar në teologjinë pranë Universitetit 19 Maji në Samsun të Turqisë, punon si imam i përkohshëm në diasporë-Mainc të Gjermanisë, për temën në fjalë thotë: “Medreseja si instuticion fetar ka pasur një ndikim edukativ për sfidat që duhet t’i ketë një thirrës fetar në  vitet në vijim. Qysh në kohën e hershme ballafaqimi me sfidat të rendit edukativo arsimor në medrese, kanë bërë që ne të marrim mësim dhe praktik për t’u ballafaquar me sfidat që do të ballafaqohemi në punën tonë në të ardhmen. Si t’i menaxhojmë të mirat dhe të këqijat që mund të paraqiten në momente të caktuara dhe jetën reale në popullatën tonë. Vërehet disiplina, aktivitetet, idetë, organizimet, praktikat që janë mbjellur tek ne për të qenë me produktiv për shoqërinë tonë. Në diasporë jemi në shërbim të asaj që njerëzit të jenë më të organizuar dhe më të afruar me njëri tjetrin dhe për të dhënë një shembull ndaj të tjerëve se islami është fe e paqes dhe sigurisë, një praktik e fituar shumë herët nga ligjeruesit tanë të medresesë, e mjellur dhe e vulosur mirë në praktikat tona.” (Bisedë e zhvilluar më 22 shtator 2019).

Hfz. Bekim Demiri, një ish medresant, i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, i cili tash vepron si imam në qytetin e Tetovës dhe mësimdhënës i mësimbesimit në shkollë fillore, për rëndësinë dhe rolin e medresantit thekson se: “Roli i mesimdhenesit si medresant në raport me nxënësit është shumë fortë e lidhur me përgjegjësinë para Zotit dhe kjo është referenca kryesore gjatë punës. Të njëjtën  mundohemi ta përcjellim te nxënësit, duke i mësuar që të jenë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm gjatë veprimeve të tyre. Në cilesinë e kujdestarit të klases luajmë rolin e prindërit të dytë. Me sjelljen tone në cdo sferë të jetës mundohemi të jemi model për nxënësit. Me respektimin e orarit të punës i mësojmë si ta menaxhojnë kohën. Me zgjidhjen e problemeve të ndryshme i mësojmë të jenë lider të vetvetes. Në raport me kolegët fillimisht kemi respekt të posacëm si teolog. Me cdo kushtë mundohemi ta ruajmë këtë imazh të medresantit, duke e reflektuar atë në vepër,  bisedë, veshje etj., duke u munduar që të jemi shembull edhe për të tjerët.” (Bisedë e zhvilluar më 22 shtator 2019).

Sfida/kujdesi i medresantit tonë gjatë studimeve, gjegjësisht pas përfundimit të medresesë

Medresanti si një i gatshëm / i ftalluar në Medresenë Isa Beu, për ardhmërinë e tij profesionale teologjike apo të ndonjë drejtimi tjetër, duhet të ketë kujdes se, ku do të studiojë, cili do të jetë universiteti, shteti, qyteti, ku ai do ta përgatis veten për ardhmërinë e tij. Pasi ekzistojnë universitete që më shumë mendojnë për fraksionin se sa për diturinë fetare, apo islamin në përgjithësi. Nuk duhet të jetë primare luksi, bursat e majme apo jeta luksoze studentore. Në fillim duhet të kihet parasysh rruga që ndiqet ku të dërgon, ku të orienton, ku është targeti i atij institucioni. Mu për këtë, medresantët nuk duhet të nguten në vendimmarje për studime, por duhet të konsultohen, para së gjithash me medresenë, me BFI-në, më konkretisht me profesorët e tyre, për orientim më adekuat, në të mirë të tyre, po edhe në të mirë të shoqërisë tonë në përgjithësi. Gjithashtu, medresanti duhet të ketë kujdes se me cilin do të shoqërohet gjatë studimeve. Kjo duhet të mëndohet edhe para edhe pas studimeve. Mos vallë personat që shoqërohet kanë për qëllim shoqërinë e sinqert, apo ata mendojnë për të të përvetësuar në misionin, sektin, medhhebin e tyre etj. Nëse të përvetësojnë në një drejtim të tillë, mendoj se, medresanti është shumë më mirë t’a lëshojë universitetin, t’i lëshojë studimet, pasi që aty fillon të bëhet i rrezikshëm për shoqërinë ku mendon do të kthehet. Një cështje tjetër me rëndësi që medresanti duhet të ketë shumë kujes është edhe se ai ku do të merr bursë, a është ai një institucion serioz shtetëror apo është dicka propaganduese/misionerike. Pasi marrja e bursës nga një grupacion, frakcion, atë e bën të jetë i lidhur dhe i varur, që në ardhëmrinë e tij, ai nuk ka mundëi të mëndojë dhe veprojë lirshëm.  Poashtu, literatura e shfrytëzuar gjatë studimeve është cështje e një rëndësie goxha të madhe. Ai do të lëxojë literaturë të kufizuar të liderëve të caktuar të grupacioneve, apo do të ketë mundësinë që ti lexojë veprat e intelektualëve të rëndësishëm botërorë. Medresanti, gjithashtu, gjuhën e studimeve duhet ta mësojë mirë, gjuhën profesionale duhet ta njohë shumë institucionalisht. E sidomos gjuha amtare, ose thënë ndryshe, gjuha në të cilën do të veprojë, duhet të njihet shumë mirë, pasi prezantimi, predikimi, si dhe mbajtja e nivelit si një intelektual me background medreseje, është shumë e lidhur me të. Nëse medresanti mendon të veprojë në vendlindjen e tij, që mendoj se shumica dërmuese e mendojnë këtë, duhet të përgatit veten me një metodologji adekuate që t’i shërbejë kësaj popullate në mënyrë të denjë, e jo të sjellë gjëra të ‘reja’, kinse ka zbuluar ‘Amerikën’. Pasi për të kontribuar që një shoqëri të pësojë pak ndryshim, duhet një mund shumë i madh, ndoshta edhe tërë jeta kalon, por ndryshimi do të jetë shumë minimal. 

Vetëdijësimi i medresantit tonë për të nesërmen e tij/gjegjësisht për zhvillimin e profesionit të tij

  1. Medresanti ynë që do të vazhdojë dhe do të përfundojë teologjinë, për punën e tij pofesionale duhet të ketë parasysh se ai vepron në një popullatë:
  1. Ku ka një traditë fetare islame,
  2. Ku ka një sistem të xhematit,
  3. Ku ka një medhheb që funksionon,
  4. Ku nuk ka nevojë të mbjellet një frakcion tjetër,
  5. Ku nuk ka nevojë feja të bartet me modele të veshjeve të ndryshme,
  6. Ku nuk ka nevojë të përshpejtohet në rritjen e autoritetit në rrugë artificiale, pasi ky popull di të vlerësojë shumë mirë, edhe pse shumë herë me heshtje,
  7. Ku është shumë e rëndësishme që sjellja, paraqitja të jetë sa më origjinale, pasi mënyrat e tjera janë shumë me afat të shkurtër.
  1. Medresanti ynë që nuk do të vazhdojë dhe nuk do të përfundojë teologjinë, por do merret me ndonjë profesion tjetër, për punën e tij pofesionale duhet të ketë parasysh se ai:
  1. Përfaqëson jo vetëm profesionin e tij, por, edhe medresenë e tij, Bashkësinë Fetare Islame, fenë e tij, kombin e tij, traditën fetare dhe familjare të tij,
  2. Duhet të jetë shumë më tepër i përgatitur në profesion, pasi shikohet ndryshe, (psh, mund ti merrni shembull kolegët e juaj të suksesshëm nëpër institucione të ndryshme para jush),
  3. Duhet të prezantojë etikë, kulturë pun shumë më shumë se të tjerët, se pritja është shumë më e madhe,
  4. Duhet të jetë i vetëdijshëm se edhe ndikimi është më i madh,
  5. Nuk duhet të kërkojë asgjë që të marrë, poseduar në këtë drejtim, edhe nëse ligjërisht i takon,
  6. Në cdo lëvizje të tijën nuk duhet të harrojë se është një medresant.
  7. Duhet të jetë bartës i të bukurës, i të mirës dhe i të shijshmes në fjalë, sjellje, mendime, po pse jo edhe në buzëqeshje dhe në hidhërime.

Për fund, dua të vë theksin mbi disa cështje, që ndoshta në fillim duken se janë siërfaqësore, por, në fakt janë shumë kruciale dhe esenciale. Edhe pse njohuria në fillim të bën të gjesh punë, vazhdimësinë e saj e mundëson gjuha e trupit. Edhe pse njohuria në fillim të ofron shumë njerëz përreth, por, vazhdimësinë e saj e mundëson edukata, sjellja, qëndrimi, pamja, mimikat etj. 

Pra, kur shikojmë fjalën e Allahut Fuqiplotë, gjegjësisht të Kur’anit Fisnik, dhe praktikën e Muhamedit a.s., kuptojmë se karakteri, sinqeriteti, serioziteti, njerëzia, edukata, gjegjësisht gjuha e trupit është ajo që është më e rëndësishmja nga gjithcka për vet njeriun, e cila merr shije dhe kuptim nga Kur’ani, Tradita Pejgamberiane, kurse medresantin, në vecanti, e hoxhën në përgjithësi, e bën me shije, me kuptim, nuk i mundëson të jetë nëncmues, përjashtues, ekskomunikues dhe përbuzës ndaj cdo krijese tjetër, në krye me krijesën më të përsosur-njeriun.

Artikuj të ngjajshëm