You are here
Home > Kolumna > SHKRUAN MYFTIU I TETOVËS PROF. DR. QANI EF. NESIMI: AMANETI

SHKRUAN MYFTIU I TETOVËS PROF. DR. QANI EF. NESIMI: AMANETI

Prof. Dr. Qani ef. Nesimi

Myfti i Tetovës

 

Amaneti

Ty s’të bënë keq Zoti kurë

S’ka si ti m’i mirë burë.

Ti që gostit mysafirët

Derth fjalën si xhevahirët.

Si trathëton Amanetit

I mbaron hallin miletit.

Për jetimin kujdesohesh

Për të huajt interesohesh.

Asnjeri nuk lëndon kurë

Pra të them ta dish o burë.

(Hafiz Ali Korça, Historia e shenjtë edhe të katër halifetë, f. 600-601)

Amaneti (besnikëria, besueshmëria, diçka e dhënë në besë) është një fjalë e shenjtë, si dhe shpreh një gjë, fjalë, vepër, etj.,‘të shenjtë’. Ai tregon se gjërat kanë vlerë. Në një njeri ose në një shoqëri ku thuhet se ka amanet, mendohet se ata janë të mirë, të respektshëm, të besueshëm, të vlefshëm.

Amaneti është konstant, është i përhershëm, nuk është relativ. Ai nuk ndryshon sipas rrethanave. Amaneti gjithmonë është amanet. Amaneti, gjegjësisht besueshmëria, është i njëjtë për cilëndo moshë, për cilindo nacionalitet, për cilindo profesion, në cilindo vend dhe në cilëndo kohë.

Amaneti e mbron njerëzinë e njeriut. Nëse ne posedojmë një histori të lavdishme sot, ajo është në sajë të paraardhësve tanë që kanë ditur të ruajnë amanetin, kanë ditur të jenë të besueshëm ndaj Allahut fuqiplotë, ndaj vetes dhe ndaj shoqërisë në përgjithësi.

Njeriu që mban/ruan amanet, është fitimtar në dunja dhe në ahiret. Ai person ka shumë shokë, madje edhe i keqi bëhet shok me të, pasi e ndjen veten të sigurt pranë tij. Ai nuk tradhëton askend. ‘I tradhëtuar’ nga ai mund ta llogarit veten vetëm ai që e tradhëton amanetin. Amanetçiun, që të mos futet në mashtrim dhe në tradhëti, e mbron Allahu xh. sh..

Amaneti nuk lejon që të tradhëtohet. Njeriut mund ti duket se ia ka lagur amanetit. Kjo mund të jetë vetëm një vetëmashtrim. Amanetin e mbron Allahu fuqiplotë. Ai që mendon se ka fituar nga anashkalimi që ia ka bërë amanetit, ka frikë se mos merret vesh, mos publikohet ky veprim i tij. Nëse ai veprim negativ i tij publikohet, ai do të shqetësohet, nuk do të mund që të tjerët ti shikojë në sy, do të skuqet, do të zverdhet, do të djersitet, do të fillojë të arsyetohet apo edhe të lavdërohet për të nxjerrë veten të larë. Mungesa e amanetit të bën me marre, të bën të ndjehesh i turpëruar në dunja dhe në ahiret.

Njeriut që ruan amanet i besohen shumë çështje, madje edhe shumë të rëndësishme. Punët e mëdha mund t’i bëjnë vetëm njerëzit që ruajnë amanet. Amaneti nuk planifikohet për në të ardhmen. Ai nuk lejon të thuash, unë tash do të fillojë të jem amanetçi (besnik). Ai që dje nuk ka punuar me amanet, sot dhe nesër assesi nuk mund të jetë amanetçi. Njeriu që deri dje ka vjedhur, ka gënjyer, ka ngrënë mallin e huaj, ka vepruar në të zezë, ka tradhëtuar niqahin e tij, ka shpifur etj., nuk mund në asnjë mënyrë të jetë amanetçi.

Amaneti kërkon sakrificë. Sakrifica dëshmon prezencën e amanetit. Sakrifica kërkon edhe guxim. Guxim ky, që njeriut do t’i jep mundësi që për hir të ruajtjes së amanetit, ai të mund të sakrifikojë shumëçka për të. Amaneti është një gjë që njeriut i mundëson që ai në momentin dhe në vendin e duhur të sakrifikojë gjënë e duhur, që ai e posedon, qoftë të jetë një pjesë e kohës, pasuri, profesion, pozitë, me një fjalë t’i sakrifikojë të gjitha ato gjëra që janë relative, me qëllim që të afrohet tek e mira, e bukura, estetikja, etikja, njerëzorja etj., gjegjësisht tek Allahu fuqiplotë.

Amanet nuk është të punosh vetëm për vete, familjen tënde. Amanet nuk është njerëzit t’i lavdërosh para syve e t’i shashë, shpifësh dhe t’i marrësh nëpër gojë mbas shpine. Por, amaneti është ideal i jetës, që të nxjerë faqebardhë në dunja dhe në ahiret.

Amanet nuk është të mos e bësh punën tënde, të mos e respektosh orarin e punës që të është dhënë, të mos respektosh përgjegjësinë që të është dhënë. Amaneti kërkon që në orë mësuesi, arsimtari dhe profesori të merret më lëndën e tij shumë profesionalisht, e jo të merr nëpër gojë kolegët e tjerë. Amaneti nuk toleron që tjetrit për punët e tij t’i shesish mend, kurse obligimin tënd se ke askund. Amanet nuk është që ligjëruesi të flas kot dhe i papërgatitur, e kur të jetë në bisedë me disa njerëz që nuk janë në rrjedha t’u shes mend sikur të tjerët, përveç atij, s’dinë kurgjë, por, vetëm rrejnë dhe vjedhin.

Amaneti nuk është i lidhur me atë se a të konvenon ty apo jo. Amaneti nuk të bën qejf, ai ta prish rahatllëkun atëherë kur t’i mendon se je më mirë, pasi ai kërkon ta ruash atë dhe të jesh aktiv rregullisht për të. Njeriu jeton për të qenë amanetçi (besnik, i besueshëm). Amaneti nuk ta jep komoditetin që njerëzit t’i vlerësosh të mirë vetëm kur të konvenon ty, e t’i shpallësh jo të mirë, të papërshtatshëm, pengues, tradhëtar e të pabesë vetëm se nuk të konvenon ty. Pasi kjo nuk mund të quhet ndryshe, vetëm se munafikllëk i mbështjellur me “amanet”. Pra, askush nuk është imun ndaj amanetit. Njeriu ose është besnik ose është i pabesë.

Amaneti është i mbështjellur me fisnikëri. Aty ku ka amanet, aty ka Zot. Pejgamberët e Allahut papërjshtim kanë qenë amanetçi (besnik) edhe në rrafshin vertikal, gjegjësisht në dimensionin metafizik, transcendental, edhe në rrafshin horizontal, gjegjësisht në dimensionin social, duke përfshirë besimtarët dhe jobesimtarët. Ata asnjëherë nuk kanë tradhëtuar, por shumë herë, madje, kanë qenë edhe të tradhëtuar. Pasi të gjithë ata që nuk iu kanë besuar pejgamberëve, nuk iu kanë besuar jo nga ajo që kanë patur argumente më të forta, po vetëm nga ajo që nuk iu ka konvenuar të jenë me Pejgamberin e Allahut. Ata kanë preferuar “mbrojtjen” e pozitës, pasurisë, epshit dhe të “pashallëkut” të tyre.

Kur kësaj vlere të quajtur amanet i humbë fisnikëria, i humbë pesha tek individi ose tek shoqëria, atëherë vjen në shprehje e kundërta e saj, e ajo është dyfytyrësia. Pejgamberi a.s., për këtë shprehet shumë qartë: Shenjat e dyfytyrëshit/munafikit janë tri: “Ai kur flet, gënjen; Ai kur premton, mashtron; Atij kur i besohet, tradhëton”.

Më kujtohet kur isha në medrese, si nxënës, dolëm të shëtisim në Shkup. Duke kaluar rrugës pamë një grua maqedone në moshë e cila kishte me vete disa qese najlloni të mbushura me artikuj. Unë isha me disa shokë. Ajo na pyeti se ku mësojmë. Ne i treguam se jemi medresantë. Ajo tha se ju pasi që jeni medresant jeni njerëz të besueshëm, mi mbani këto qese sa të futem në duqan dhe të marrë diçka. Ajo nuk na njihte, por mjaftoi që mendonte për shenjtërinë e Medresesë, gjegjësisht për Medresenë si një vend i shenjtë që e ruan amanetin. Pra, duhet të kuptojmë se Medreseja, Bashkësia Fetare Islame, Fakulteti i Shkencave Islame, xhamia, mektebi, hoxhallarët llogariten ‘të shenjtë’ në shoqëri. Mu për këtë, medresantët dhe studentët e teologjisë islame, gjegjësisht, hoxhallarët në përgjithësi, duhet të kenë kujdes se si sillen, si flasin, si veprojnë, si dhe sa e bëjnë detyrën e tyre të dhënë në xhami ose në shkollë. Ata nuk guxojnë të bëjnë veprime që palën përballë do ta detyrojnë të dyshojë në seriozitetin e tyre ndaj amanetit. Ata nuk duhet asnjëherë ta kalojnë nëpër mend që të shpifin për dikend, t’i flasin mbas shpine dikujt, të përgojojnë tjetrin etj.. Pra, nuk duhet të bëjnë veprime me të cilat Allahu fuqiplotë dhe njerëzit në përgjithësi nuk do të ishin të kënaqur.

Amaneti, që në gjuhën arabe etimologjikisht ka kuptimin: të besosh, të jesh i sigurt nga frika dhe brengat, (duke patur parasysh rrënjën e fjalës e cila përbëhet nga elif, mim dhe nun) merr edhe këto trajta të ndryshme në gjuhë si: emene-kam besim, i zë besë, mbështetem; emine-të qenët i sigurt; amene (iman)-mbështetem, besoj; eman-siguri, sigurim, parrezikshmëri, garanci, kujdes; amanetu-besnikëri, besueshmëri, saktësi, përpikëri, seriozitet, ndershmëri, merak; emnun-mbrojtje, sigurim; emin-përkrahës, besimtar, besnik, që meriton besimin, që i mban fjalët; iman-besim, fe, iman; mutemen-i besushëm, i besuar, i sigurt, që meriton besim; memun-i besueshëm, i sigurt, i parrezikshëm; mumin-besimtar,etj. Edhe njëri prej emrave të Allahut fuqiplotë është Mumin, gjegjësisht Ai që i jep siguri atij që mbështetet te Ai, ajo është gjëja që Atë e bën të besueshëm.  (Isa Memishi, Fjalori Arabisht-Shqip).

Në një ajet kuranor ku flitet për borxhin, tregohet edhe për amanetin, duke treguar për peshën e besimit tek njëri tjetri:

Nëse jeni në udhëtim e nuk gjeni shkrues, atëherë merrni peng. Dhe, nëse njëri prej jush ka besim tek tjetri, atëherë borxhliu le ta kthejë atë që i është besuar (Amanetin) dhe le t’i frikësohet Allahut, Zotit të vet. Mos e fshihni dëshminë, se, kush e fsheh atë, zemra e tij është gjynahqare. Allahu di çdo gjë që punoni ju.” (Bekare 2/283)

Ndërkaq ajeti kerimeja: “Ne ua ofruam përgjegjësinë (Amanetin) qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie).”(Ahzab 33/72), me gjuhë metaforike, respektivisht simbolikisht, fetarisht dhe shpirtërisht tregon, për peshën që ka amaneti. Ky ajet vjen si rezultat i ajeteve të lartëpërmendura, të cilët tregojnë se ata që i shpifin të pafajshmit, janë të privuar nga kjo vlerë e quajtur amanet. Kurse në fund të ajetit përdoret shprehja xhehula, që tregon se njeriu është shumë xhahil. Ndërkaq fjala xhahil nuk do të thotë njeriu që nuk di, por ka kuptimin e njeriut që vepron sipas epsheve dhe kapricieve të tij. Në këtë rast njeriu e di përgjegjësinë që ka, por nuk e ndjen, nuk i jep rëndësi e as peshë asaj. Në një kuptim tjetër, amanet është përgjegjësia/aftësia për të pranuar kompetencë. Abdullah Ibn Mesudi tregon se, Pejgamberi a.s., për të treguar peshën e amanetit, ka thënë: “Lufta në rrugën e Allahut i falë të gjitha gjunahet, përveç amanetit. Në Ahiret atij të cilit i është dhënë amanet, e që nuk e ka realizuar atë deri sa ka qenë në dunja, i thuhet: ktheje amanetin! Njeriu (i pa besë) thotë: O Zot, bota mbaroi, unë si ta kthejë amanetin? Njeriu këtë e thotë tri herë. Pastaj Allahu thotë: merreni këtë dhe dërgojeni në Xhehennem (Havije). E marrin dhe e hudhin në Havije. Ai bie në fund. Aty e gjenë amanetin. E merr amanetin në shpinë dhe e nxjerrë deri në maje të Havijes. Amaneti i bie dhe përsëri shkon në fund. Njeriu kështu vazhdon të veprojë rregullisht”. Abdullah Ibn Amr trensmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse i posedon katër gjëra, mos u mërzit për ato që i ke humbur në botë: Ruajtja e amanetit, të thuash të vërtetën, morali i mirë dhe ushqimi/furnizimi hallall”. (Suleyman Ates, Yuce Kur’an’in Cagdas Tefsiri, V. 7, f. 208-210). Ebu Hurejre tregon, ishim me Pejgamberin a.s. e ai fliste në një mexhlis. Erdhi një beduin dhe e pyeti: Kur do të ndodh kijameti? Pejgamberi a.s. vazhdoi të flas. Në fund Pejgamberi a.s. pyeti: ku është ai që pyeti për kijametin? Njeriu tha: këtu jam. Pejgamberi a.s. tha: Kur të humbë amaneti, prite kijametin. Njeriu tha: po si humbë amaneti, o Pejgamberi i Allahut? Pejgamberi a.s. tha: Kur puna ti jepet jo kompetentit, prite kijametin. Në një transmetim tjetër, Pejgamberi a.s. tha: Ti jepja amanetin atij që të ka lënë amanet, mos e tradhëto atë që të ka tradhëtuar”. (Buhârî, İlim).

Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejtë.”(Nisâ 4/58). Ky ajet ka zbritur në ditën e çlirimit të Mekkes. Pejgamberi a.s. pasi e mbaroi tavafin, dëshiroi që të futet brenda në Qabe, çelësat e të cilës i kishte gjysh mbas gjyshi Othman Ibn Talha. Xhaxhai i Pejgamberit a.s., Abbasi, tha se pastaj çelësi i Qabes duhet të më jepet mua. Në këtë moment Othmani, pasi e zgjati çelësin, e tërhoqi dorën dhe nuk e dha. Kur për herë të tretë Pejgamberi i Allahut e kërkoi çelësin, Othmani i tha: ta jap si Amanet i Allahut. Pejgamberi a.s., hyri brenda e pastroi Qaben nga idhujtë dhe doli. E thirri Othman Ibn Talhanë dhe i tha: Othman, urdhëro çelësin, sot është dita e besës dhe e mirësisë”. Poashtu Pejgamberi a.s. në një hadith tjetër thotë: “Ai që është përgjegjës për punët e muslimanëve, nëse ia jep dikujt tjetër atë, duke patur njeri tjetër më kompetent, ai ka tradhëtuar Allahun, Pejgamberin dhe të gjithë besimtarët”. Ajeti në fjala, ashtu siç shpjegohet në tefsire të ndryshme, me amanet nënkupton nderin, pasurinë, të drejtën e tjetrit dhe kërkon kujdes të madh në këtë drejtim, ashtu që askush të mos e keqpërdor amanetin që i është dhënë. Ai që nuk e keqpërdor është ai i cili i frikësohet Alahut fuqiplotë që të mos pranojë gjëra/kompetenca që nuk mund ti realizojë. Për ndryshe ajeti i lartpërmendur vë dy parime bazë për të patur sukses në realizimin e përgjegjësisë: amanetin dhe drejtësinë. (Shih, Tefsiru et-Taberij, V. 2, f. 491; Ates, Yuce Kur’an’in Cagdas Tefsiri, V. 2, f. 304-308)

Ajeti i poshtëtheksuar përqëndrohet mbi një çështje tjetër, që tregon për peshën e ruajtjes së amanetit. Fjala është për një situatë të krijuar me prenë e luftës pas përfundimit të Luftës së Bedrit. Luftëtarët muslimanë pas përfundimit të luftës kanë dashur që të pronësojnë prenë e luftës. Pejgamberi i Allahut ka urdhëruar që prenë e luftës ta sjellë çdo njëri në vendin e caktuar për grumbullim. Disave iu kishte ardhur rëndë ta bëjnë këtë dhe nuk kishin dashur që ta sjellin prenë e luftës në vendin e caktuar. Për këtë Allahu fuqiplotë urdhëron që të mos tradhëtohet Allahu dhe i Dërguari i Tij, si dhe të mos tradhëtohen me vetëdije amanetet: “O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin, e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije.” (Enfal 27).

Ndërkaq ajeti fisnik: “Ka nga ata ithtarë të Librit, që sikur t’u besosh një barrë të tërë ari, do t’jua kthejnë, por ka edhe të atillë që, nëse u jep në besim, qoftë edhe një dinar, nuk ta kthejnë, veçse nëse nuk u ndahesh. Kjo është kështu, ngase ata thonë: “Ne nuk kemi ndonjë detyrim ndaj analfabetëve (arabë)”. Ata flasin gënjeshtra për Allahun me vetëdije.” (Âl-i İmrân 3/75), thekson një  çështje shumë të rëndësishme. Sipas këtij ajeti amaneti është një çështje që i tejkalon kufijtë edhe fetar. Një ithtarë i librit mund të jetë amanetçi/besnik, edhe pse mund të jenë të paktë në numër, por, kjo nuk do të thotë se fetarët e tjerë janë të gjithë besnik.

Në hadithin e mëposhtëm tregohet për kujdesin që duhet treguar në pranimin e amanetit. Pejgamberi a.s., Ebu Dher el-Gifariut, i cili ka kërkuar të jetë taksambledhës, i ka thënë: Ti je i paaftë për këtë, kjo punë është një amanet; amaneti të cilin nuk mund ta bartë njeriu, ditën e kiametit atë njeri ajo e shkatërron.” (Müslim, İmâre, 16). Gjithashtu thuhet se imam Shafiun e kanë pyetur se, si ti njohim ata që janë me të vërtetën, kur paraqitet fitneja? Ai ka thënë: ‘Duhet ti ndiqni shigjetat e armikut, ato ua mësojnë se kush është i vërtetë’.

Si konkluzion, duke u bazuar në atë që u tha deri tash, mund të them se amaneti kalon përmes besueshmërisë, duke u ftalluar me fisnikëri, njerëzi, gjendje konstante, fitim, shumë shokë, sakrificë, guxim, jo egoizëm, jo ekskomunikim, jo nepotizëm, jo përgojim, jo shpifje, jo sharje, jo mashtrim, jo punë koti, jo dyfytyrësi, respekt, ruajtje, disponim, të estetikshmen, të etikshmen, seriozitet, shenjtëri, përgjegjësi, raporte të mira me Allahun, raporte të mira me njerëzit, peshë, vlerë, drejtësi, rrugën drejt Allahut, besë, mirësi, kompetencë, vetëdije, jo kufi midis njerëzve pa dallim feje, profesioni, gjuhe, gjinie, race etj., arrinë deri në faqebardhësinë në dunja dhe në ahiret.

Artikuj të ngjajshëm