Mr. Beqir Memeti
Pandemia COVID-19 si shkas për ndërgjegjësimin e besimtarit
“Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë” (Jusuf, 21)
Fillimisht i lutemi Zotit të botërave, me emrat e Tij të bukur që na i ka mësuar që kjo pandemi të kaloj, njerëzimi të çlirohen nga brenga dhe frika dhe të gjithë t’iu rikthehemi punëve dhe angazhimeve tona të përditshme.
Sëmundjet gjatë gjithë historisë kanë qenë shoqërues të jetëve dhe fateve njerëzore, ato kanë pasur pasoja nga më të lehtat deri më të tmerrshmet por çdoherë ato kanë qenë kalimtare, ashtu siç është jeta jonë në këtë botë. Nga çdonjëri prej nesh kërkohet që ti respektojmë udhëzimet shëndetësore, të bëhemi qytetarë të përgjegjshëm dhe shembull i mirë për të tjerët. Padyshim se në kohën e sotme kur dinamizmi i jetës është i shpejtë dhe informimi është masiv, beteja me pandeminë COVID-19 dhe çfarëdo sprovë tjetër është më e vështirë sidomos në aspekt psikologjik.
Natyra e njeriut është imune ndaj çdo sëmundje, duke e shfrytëzuar mendjen, mirësinë më të madhe të Zotit, njeriu di, kupton, kujdeset, mjekohet dhe në fund me ndihmën e Zotit del fitimtar.
Jetojmë me një kohë ku shumë pak njerëz arrijnë që ta përcjellin të vërtetën përgjatë gjithë jetës. Shumë pak njerëz kanë mundur ta ruajnë karakterin, moralin dhe dinjitetin para sfidave dhe sprovave të jetës. Pikërisht këto pak njerëz, janë të vendosur që jetën e tyre ta kalojnë në pajtim me virtytet dhe vlerat që kërkohen nga Zoti, janë ato që ruajnë ekuilibrin e shoqërisë së shëndoshë.
Sot, të gjithë jemi dëshmitar të një sprove të madhe që ka shtrënguar gjithë njerëzimin, duke ia ndërprerë përditshmërinë, veprimtarinë ekonomike dhe prodhuese, duke kufizuar dhe ndërprerë shumë institucione, duke na privuar nga argëtimi dhe rekreacioni, të gjitha këto kufizime dhe ndalesa janë masa parandaluese për të shpëtuar sa me më pak pasoja.
Në pjesën më të madhe të botës janë mbyllur edhe vendet e adhurimit të besimeve të ndryshme, xhamitë, kishat, manastiret dhe sinagogat. Në botën muslimane është mbyllur shtëpia e parë e ndërtuar për adhurimin e Zotit, Qabeja, xhamia të cilën e ndërtoi, u fal dhe ligjëroi vetë Muhammedi a.s., në Medine, xhamia e Israsë dhe Miraxhit, Mesxhidul Aksa në Kuds.
Xhamitë janë mbyllur edhe në vendin tonë, ndoshta për herë të parë në këtë formë, besimtarët çdo ditë luten dhe shpresojnë që t’ju rikthehen atyre, me respekt të shtuar, pasi asnjëherë si këto ditë vlera e xhamisë dhe xhematit nuk është kuptuar më mirë.
Janë mbyllur të gjitha shkollat fillore e të mesme, është mbyllur edhe “ Medreseja Isa Beu”, simboli i edukimit, dijes dhe vatra më e vjetër në Ballkan, pa të cilën nuk mund të mendohet organizimi i jetës fetare islame, pasi prej saj dalin nëpunësit fetar të edukuar, arsimuar dhe të aftë për detyrat që do t’iu besohen.
Janë mbyllur të gjitha universitetet, është mbyllur edhe Fakulteti i Shkencave Islame, një institucion arsimor dhe shkencor me vlerë të veçantë për muslimanët e këtyre trevave, sukseset e të cilit janë meritë e angazhimit të gjithanshëm të mësimdhënësve dhe mbështetjes nga Rijaseti i BFI-së në RMV.
Në gjithë këtë dramë njerëzore, pa dyshim se ka urtësi dhe mirësi, për të cilat njerëzit janë të paaftë e të pafuqishëm që ti shohim dhe për rrjedhojë edhe mund ti urrejnë. Këtë e dëshmon ajeti kur’anor:
“…Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. All-llahu di, e ju nuk dini” (Bekare, 216).
Prandaj, është koha që ta ushqejmë shpirtin dhe zemrën, të shpërndajmë shpresë e përgëzime dhe jo frikë e shqetësim. Në të sotmen ku duket sikur është ndalur koha, ku dinamizmi i jetës ka pushuar, duhet të analizojmë të kaluarën dhe duhet menduar si ta ndërtojmë të ardhmen. Të forcojmë bindjen se fuqia dhe pushteti janë vetëm të Zotit, Ai i sprovon njerëzit duke ua pakësuar dhe shtuar atë. Të jemi të vetëdijshëm se nuk ka asnjë pasuri që mund ta paguaj shëndetin dhe mirësitë e Zotit, se nuk ka kufizim dhe sprovë që mund ta zbeh besimin e njerëzve në Zotin e Madhërishëm dhe se gjithë kjo do të kaloj vetëm me ndihmën e Zotit i cili është Mëshirues.
Të bëjmë atë që duhet dhe jo atë që duam, ta shfletojmë të kaluarën tonë, të shohim gabimet tona dhe të kërkojmë falje nga Zoti për të gjitha lëshimet gjatë jetës tonë. Ti përkushtohemi ushqimit shpirtëror, ti rikthehemi traditës se gjyshërve e stërgjyshërve tonë, të cilët shëndetin dhe kohën e lirë e kanë shfrytëzuar duke ndihmuar familjen, duke u kujdesur për nevojat e përditshme dhe duke mos e ngarkuar veten e tyre me gjëra që nuk ju interesojnë dhe janë të padobishme. Vetëm kështu, do të kemi më pak preokupime të panevojshme, më shumë ngrohtësi familjare dhe më tepër kontribut dhe angazhim shoqëror.
Çështja që i preokupon ndoshta të gjithë njerëzit e botës, është çka do të ndodh pasi të tejkaloj kriza shëndetësore si pasojë e COVID 19?
Pa dyshim, se kjo çështje preokupon edhe besimtarët muslimanë, të cilët duke analizuar me kujdes të kaluarën e tyre, duhet të mendojnë se si ti vazhdojnë, plotësojnë e përsosin punët e mira dhe të mos përsërisin gabimet në jetët e tyre, ti forcojnë lidhjet me Zotin e tyre, ti përmirësojnë marrëdhëniet me njerëzit tjerë dhe të rrisin kujdesin ndaj ambientit.
Dua bëjmë edhe për besimtarët e nënqiellit tonë, që me ndihmën e Zotit të madhërishëm do ta kalojnë sa me më pak pasoja, në veçanti për nëpunësit fetarë, për udhëheqësin e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, të cilët përmes angazhimit të vazhdueshëm kontribojnë në menaxhimin sa më të lehtë dhe të suksesshëm të jetës fetare në këto rrethana të vështira.
“Punoni, se Allahu, i dërguari i Tij dhe besimtarët do ti shohin punët tuaja“ (Teube, 105).