Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:
بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes-Jerusalem), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëvëzhguesi”, (Isra, 1)
Me një ngjarje e përjetim jo të zakonshëm, All-llahu xh.sh. i bëri nder Pejgamberit të Tij të fundit – Muhmmedit a.s. duke ia mundësuar të bëjë Isran -Udhëtimin dhe Mi’raxhin – ngritjen në çastet më të vështira të jetës së tij. I Dërguar i Allahut në një pjesë të natës bëri një udhëtim horizontal fillimisht prej Mekës për në Jerusalem, (mesxhidi Haramit në mesxhidi Aksa) që njihet me emrin Isra, e prej atje pastaj ngjitjen e tij për vertikale në qiej, për te prania e Allahut xh. sh., e cila njihet me emrin Mi’raxh. Për udhëtimin e parë flet ajeti i parë i sures el-Isra, kurse për ngjitjen në qiej flasin ajetet 5-15 të sures en-Nexhm. Për këtë ngjarje, sigurisht që ka folur edhe vetë Muhammedi a. s., i cili në detaje e ka shprehur atë që e ka përjetuar gjatë kësaj nate. Këtë gjithashtu e kanë konfirmuar edhe muslimanët e asaj kohe, shokët e Pejgamberit a. s. Kjo ndoshta do të quhej muxhizja (mrekullia) e dytë e madhe e Muhammedit a.s. pas Kur’anit, i cili ka qenë, është dhe do të mbetet mrekullia e gjithë kohërave.
Israja dhe miraxhi, besimtarëve të vërtetë e të sinqertë ua shton imanin dhe bindjen në fuqinë e pakufishme të Allahut xh. sh. dhe në muxhizet e Pejgamberit a. s., ndërsa të luhaturve e jobesimtarëve ua shton akoma mosbindjen dhe mosbesimin. Kështu ka ndodhur jo vetëm me Isranë dhe Miraxhin, porse me të gjitha muxhizet e të gjithë pejgamberëve që i kanë ardhur njerëzimit. Nuk ka dyshim se këto janë ngjarje që realizohen me dëshirën, vullnetin dhe fuqinë e Krijuesit të gjithësisë, të Cilin s’e lodh asgjë dhe për të Cilin asgjë nuk është e pamundshme. E gjithë kjo bëhet vetëm me një qëllim të vetëm, që njerëzimin ta bindë për vërtetësinë e mësimeve të pejgamberëve, me një fjalë për ta vërtetuar dërgimin e pejgamberëve, ndaj edhe të fjalëve të Veta që ua shpallte atyre pejgamberëve.
Për mundësinë e ndodhjes së kësaj ngjarjeje ndoshta nuk duhet të ketë kurrfarë dyshimi, sot, kur njeriu me aftësitë e veta të kufizuara, që sërish edhe këto atij ia ka dhuruar Zoti, po depërton thellë e më thellë në hapësirë, larg e më larg planetit tonë, për ta hulumtuar e njohur këtë të panjohur të madhe. Mbasi njeriu me aftësi të kufizuara ka arritur t’i realizojë gjithë këto udhëtime kozmike, çka mbetet të thuhet për udhëtimet kozmike të Muhammedit a. s. nëpër sferat e larta qiellore që i ka kryer me ndihmën dhe fuqinë e Krijuesit, i Cili ka fuqi e forcë të pakufizuar, të Cilit i mbetet t’i thotë një gjëje apo sendi vetëm “Bëhu!” e ajo të bëhet?!
Miraxhi është i rëndësishëm për ne si ummet i Muhammedit a. s., edhe nga arsyeja se në këtë takim që Muhammedi a.s. e ka patur me Allahun xh.sh. është bërë farz (obligim) falja e pesë kohëve të namazit, si për Muhammedin a.s. ashtu edhe për gjithë muslimanët deri në ditën e Kijametit. Namazi është shtylla e Islamit, e përkulshmërisë që njeriu duhet ta tregojë karshi Krijuesit të vet, është detyrë shumë me rëndësi. Rëndësia e tij kuptohet edhe nga vetë vendi e rrethanat se ku është bërë obligim. Përderisa të gjitha obligimet e tjera fetare i janë shpallur Muhammedit a.s. e bërë obligim për muslimanët kur Pejgamberi a.s. gjendej në tokë, në mesin e rrëmujës së jetës, namazi është bërë në vetë praninë ose, nëse mund të shprehemi, në rezidencën e Allahut.
Kur një kryetar shteti dëshiron t’i kumtojë një vendim shumë me rëndësi një shteti tjetër, ai e fton në rezidencën e vet ambasadorin e shtetit gjegjës dhe ia kumton atë, e nuk e bën këtë nëpërmjet postës ose faksit, për shkak të rëndësisë e peshës që ka ai vendim.Pejgamberi a.s. thotë se “Namazi është miraxhi i muslimanit”. Besimtari, në namaz bisedon me Allahun xh.sh., e bën miraxhin e vet, kurse pas dhënies së selamit djathtas e majtas, ai sërish kthehet në mesin e njerëzve, në jetën normale duke e ruajtur energjinë e fituar në namaz.
I Lutemi Allahut xh.sh. që Miraxhi të jetë inspirim për ne që të vetëdijesohemi dhe ta dimë se kudo që të jemi Allahu është me ne. O Allah na e mundëso që të lartësohemi tek ty me anë të miraxhit.