You are here
Home > Kolumna > Shkruan: Dr. Husein Rizai – Mësuesi ekuilibër i arsimit dhe i shoqërisë

Shkruan: Dr. Husein Rizai – Mësuesi ekuilibër i arsimit dhe i shoqërisë

S’do mend se ç’do njeri mund të studiojë e të bëhet mësues, por për ta kryer këtë punë të shenjtë nevojitet një personalitet shumë i shëndoshë, i formuar mirë dhe i brumosur me edukatë dhe vlera të larta njerëzore. Mësuesi është ai që na i mësoi shkronjat e para, na mësoi se si duhet të kemi kujdes gjatë të folurit, në të ndenjurit, dhe në arritjen e qëllimeve tona gjatë rrugëtimit tonë edukativo arsimorë. Të jesh mësues i denjë është diçka e shenjtë, është diçka që s’mund ta bëjë çdonjëri, është diçka që kërkon përkushtim, kujdes në të folur, në të dëgjuar, në të vepruar dhe në arritjen e qëllimeve. Të jesh mësues është diçka që kërkon sakrificë dhe durim, sepse mësuesi është drita e cila u jep lëvizje nxënësve të tij, ata e pasojnë atë (mësuesin) si dhe e imitojnë çdo veti të tij ashtu siç imiton fëmija prindin e vet. Personaliteti i mësuesit, në kuadrin e edukimit të suksesshëm, duhet të reflektojë tek ata figurën, jo vetëm të një mësimdhënësi apo edukatori të mirëfilltë, por edhe të një qytetari të ndershëm, përmes sjelljes, komunikimit dhe veshjes. Këtë, mësuesi duhet ta rrezatojë, jo vetëm brenda mjedisit të shkollës, por edhe jashtë saj. Pra, kudo që të ndodhet dhe në çdo kohë, pasi të tilla janë natyra e profesionit, figura dhe misioni i tij.

Si rrjedhojë edhe Islami i jep shumë rëndësi personave që merren me këtë profesion apo më mirë thënë që bartin, edukojnë dhe arsimojnë gjeneratat e reja. Kjo vërehet në shumë ajete por edhe hadithe të profetit Muhamamedit a.s.. Allahu Fuqiplotë për vlerën e dijetarëve thotë: “……Po, Allahut i kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët.”(Fatir 28) “Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë, po vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.”(Zumer 9) “A është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpall ty nga Zoti yt është e vërtetë, si ai që është i verbër? Vetëm njerëzit e arsyeshëm që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën.” (Rad, 19)

Është absurd të përmendet mësuesi e mos ta përmendim Muhamedin a.s. si mësues i parë i myslimanëve. Ai i cili na mësoi që mësuesin ta duam jo një ditë, por ta duam tërë jetën dhe ta respektojmë atë. Muhamedi а.s. ishte mësuesi ynë, i cili nuk nxiti e urdhëroi vetëm për mësimin e shkronjave për lexim të abetares apo librit, por na mësoi edhe shkronjat e leximit të së vërtetës. Ai na mësoi shkronjat që përshkruajnë rrugën e paqes, lumturisë, mirëkuptimit, mirëqenies, shkronjat që përshkruajnë ilaçin e zemrës, shkronjat që flakin errësirën e idhujtarisë dhe injorancës dhe sjellin agimin e monoteizmit dhe diturisë, për këtë shkak në disa hadithe potencon diturinë dhe mësuesit ku thotë: ”Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është sikur vlera ime ndaj jush”; “Dituria është gjë e humbur e besimtarit, kudo që ta gjej le ta merr”, në një hadith tjetër thotë: “Kërkoni diturinë prej djepit deri në varr”; “Vlera, dallimi e merita e dijetarit mbi të devotshmin është si hëna e plotë ndaj planetëve të tjerë. Dijetarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve. Pegamberët nuk kanë lënë trashëgim dinar dhe as dërhem, por kanë lënë trashëgim dijen, e kush merr prej saj ka marrë një pjesë të mirë.” Dobitë që sjellë një mësues i përkushtuar janë të shumta. Ato përfshijnë çdo anë të botës. Këtë e dëshmon më së miri urtësia e cila thotë: “Dy kategori prej njerëzve nëse ndreqen, ndreqet i gjithë njerëzimi, e nëse prishen, prishet i gjithë njerëzimi. Këta janë prijësit dhe dijetarët (mësuesit e denjë).”

Shfrytëzoj nga rasti që të gjithë mësuesëve, pedagogëve dhe profesorëve tanë t’ua uroj këtë datë shumë të rëndësishme, me dëshirën që Allahu Fuqiplotë tu jep shëndet dhe t’i shpërblejë për sakrificat dhe punën e tyre të palodhshme. Paçi shëndet e jete të lumtur me shpresë që ju dhe puna juaj fisnike të kujtohen dhe vlerësohen me respekt e nderim të thellë.

Artikuj të ngjajshëm

error: