Të përmendet emri i Allahut dhe të mos dridhesh, thuaja se është e pamundur… Po, edhe unë në këtë çast dridhem, dridhem jo nga frika por nga ajo që do t’i shkruaj disa fjalë në lidhje me madhërinë e Allahut ose për Cilësitë e të Madhëruarit. Asnjë imagjinatë nuk mund ta zbulojë se si duket dhe si është Allahu, asnjë mendje nuk mund ta kuptojë plotësisht Absolutizmin e Tij dhe të perceptojë formën e Tij, asnjë gjuhë nuk mund ta përshkruaj dhe ta definojë plotësisht Allahun. Para Madhërisë së Tij mendja bllokohet, logjika shkurtohet, gjuhët ndërpresin të folurit dhe gjithçka ndalet, stepet… Duke i pasur parasysh këto realitete, unë e marr guximin të shkruaj për një temë e cila është shumë me rëndësi për muslimanët dhe e cila është baza e Islamit.
Mosnjohja dhe neglizhenca për të Madhëruarin sjell:
1. Largimin nga perceptimi se kush është Allahu dhe cilët janë urdhrat dhe ndalesat e Allahut, kjo me fjalë tjera është e ndërlidhur ngushtë me largimin nga Kur’ani Fisnik;
2. Mosnjohja e të vërtetave rreth Allahut ndikon në mos përpikërinë gjatë adhurimeve; dhe:
3. Humbja e kuptimit të jetës së kësaj bote por edhe të tjetrës.
Ç’është e vërteta, Allah do të thotë kuptim. Mendësia bashkëkohore duke u larguar nga Allahu, ajo në thelb është larguar nga kuptimi, një jetë pa Zot – është sikur një jetë pa kuptim, një njeri pa Zot është një hiç.
Kur’ani në epiqendër të vet e ka Allahun dhe në atë vend ku qendra është Allahu aty ka dy segmente kryesore: Tevhidi (Njëshmëria) dhe Adaleti (Drejtësia). E para ka të bëjë me Krijuesin dhe krijesat; ndërsa e dyta me njeriun dhe krijesat tjera, në fakt nëse këto dy fleta funksionojnë mirë – atëherë ke mundësinë të fluturosh pa kurrfarë problemi
Rruga më e mirë që mundëson njohjen e Allahut është rruga e atributeve/cilësive (sifateve) të Allahut. Njohja e Allahut do të na mundësojë ta njohim mirë ekzistencën e Tij dhe si rrjedhojë besimi ynë do të jetë i drejtë.
Cilësitë e Allahut të Madhëruar janë katërmbëdhjetë. Gjashtë prej tyre quhen Sifati Dhatije ose me fjalë tjera (atribute/cilësi të ekzistencës thelbësore të Allahut) dhe tetë të tjerat Sifati Thubutije (atribute/cilësi të qëndrueshme të përhershme të Allahut).
SIFATI DHATIJE – Cilësitë e ekzistencës thelbësore të Allahut të Madhëruar:
1. VUXHUD- Ekzistencë, Zot ka, ekziston. Ekzistenca e Tij nuk varet prej asgjëje ose me fjalë tjera është Qenie e Domosdoshme. Vaxhibul Vuxhud- domethënë ekzistenca e Tij është domosdoshmëri. Ekzistenca e tij është e përhershme. Mosqenia e Tij është e pamundur. Të gjitha qeniet tjera janë krijesat e Tij dhe qenie të mundshme (mumkinul-vuxhud). Në Kur’aninFisnik thuhet:
اللّهُلاَإِلَـهَإِلاَّهُوَالْحَيُّالْقَيُّومُ
“Allahu, nuk ka zot pos Tij. I Gjalli, dhe ekziston në vetvete.” (El-Bekare, 255)
Vet ekzistimi i kësaj bote dhe të gjitha krijesave tjera është argument për ekzistimin e Allahut. Prania e një mekanizmi llogarie kaq të mrekullueshme dhe shumë të hollë është një tregues i lartë i ekzistencës dhe madhështisë së Tij. Kur një herë një dijetar pa disa njerëz që po vraponin plot kureshtje e shqetësim, i pyeti? Ku po shkoni? Ata thanë në filan vend paska ardhur një dijetar që e shpjegon qenien dhe Njëshmërinë e Allahut dhe ekzistimin e Tij me mijëra prova, shkojmë ta shohim, po deshe urdhëro edhe ti. Aibuzëqeshi, dhe tha: Për sytë që shohin, për veshët që dëgjojnë dhe për zemrat që ndjejnë, në Gjithësi ka prova të panumërta që dëshmojnë për Zotin. Te kush ekziston dyshimi le të shkojë.
Ndërsa disa mistikë ekzistencën e Allahut e shpjegojnë me intuitë/marifet, në këtë mënyrë duke e shpjeguar kështu: Zoti assesi nuk është i padukshëm, vetëm nga këndvështrimi i kapacitetit tonë njerëzor mund të thuhet se rri i fshehur e i padukshëm për shkak të forcës shkatërruese të së shfaqjes së Tij.
2. KIDEM- Para-qenie- Ekzistenca e Allahut të Madhëruar është pa fillim, Ai është i Përjetshëm, është një domosdoshmëri, Ai nuk është në përputhje me domosdoshmërinë logjike, marrëdhëniet shkak-pasojë, të qenieve, ekzistenca e Tij nuk varet nga asgjë. Ky është Zoti, Allahu, ekzistenca e Tij nuk ka fillim dhe është fillim i gjithçkaje. Në Kur’anin Fisnik thuhet:
هُوَالْأَوَّلُوَالْآخِرُوَالظَّاهِرُوَالْبَاطِنُوَهُوَبِكُلِّشَيْءٍعَلِيمٌ
“Ai është I Pari që s’ka mbarim, i Dukshmi dhe i Padukshmi, dhe Ai është më i Dijshmi për çdo gjë.” (El-Hadid, 3).
3. BEKA- Pas-qenie, i përhershëm. Ekzistenca e Allahut të Madhëruar është pa mbarim, s’ka fund. Allahu në Kur’nin Fisnik thotë:
وَيَبْقَىوَجْهُرَبِّكَذُوالْجَلَالِوَالْإِكْرَامِكُلُّمَنْعَلَيْهَافَانٍ
“Çdo gjë që është në të (në tokë) është zhdukur. E do të mbetet vetëm Zoti yt, që është i Madhëruar e i Nderuar!” (Er-Rrahman, 26-27).
Kjo është cilësia e Allahut e cila assesi nuk shfaqet në këtë botë, për atë shkak të gjithë gjërat tjera ndodhin pos Bekasë, dhe kjo e bën që të gjithë të jenë kalimtarë ndërsa i vetmi Allahu i Përhershëm. Një poet në disa vargje të tij, mes tjerash thotë :
Një ndërtesë më trego mua që fundin të mos ta ketë gërmadhë,
ti fitoje këtë mall që pas teje do të derdhet prapë.
4. VAHDANIJET- Njësi. Është Një. Allahu i Madhëruar është Një. Në Qenien, Cilësitë dhe në veprimet e Allahut të Madhëruar nuk ka të ngjashëm me Të. Është e mjaftueshme për ta treguar (pohuar) dhe shpjeguar se nga çasti kur u krijua Gjithësia me bukurinë e saj është një ndër argumentet se Ai është Një, po të ishin më shumë nuk do të kishim mundësi të shohim këtë çfarë shohim sot. Vetë ekzistenca jonë është dëshmi se Ai ekziston.
Argument më i prerë është surja El-Ihlas, ku Allahu i Madhëruar thotë:
“Thuaj: Ai, Allahu është Një! Allahu është mbështetja (Atij i mbështetet çdo krijesë). As nuk ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.” (El-Ihlas, 1-4).
5. MUHALEFETUN LIL HAVADITHI – (pangjashmëri me Krijesat). Nuk i përngjet askujt dhe nuk ka ndonjë person apo ndonjë gjësend që t’i ngjajë Atij. Në Kur’anin Fisnik thuhet:
لَيْسَكَمِثْلِهِشَيْءٌوَهُوَالسَّمِيعُالبَصِيرُ
“Asnjë send nuk është si Ai; Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” (Esh-Shura, 11).
Allahu është tërësisht i ndryshëm prej krijesave të krijuara të përkohshme dhe që kanë fund. Nuk ka asnjë karakterizim me atribute antropomorfike njerëzore. Sot ne shohim besime të ndryshme që janë devijuar, kanë bërë përngjashmëri mes Zotit dhe njerëzve, kjo është një imagjinatë njerëzore e cila është shumë materialiste dhe aspak nuk ka shpirtërore.
Një herë Profeti Muhammed (s.a.v.s.) dëgjoi një njeri që teksa lutej thoshte: “Allahu im që je Një, që s’ke nevojë për askënd e asgjë, çdokush e çdo gjë ka nevojë për Ty, që nuk ke lindur kënd e nuk je i lindur e që asgjë nuk të përngjet Ty, të lutem mi fal mëkatet! Ti je Falës (gafur) dhe Bmirës (rahim)!”; I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) tha: “U fal! U fal! U fal!”
6. KIJAM BI NEFSIHI- Ekzistencë në Vetvete. Ekziston vetvetiu. Nuk ka nevojë për vend. Edhe kur nuk ekzistonin materia dhe vendi, Ai ekzistonte. Bile nuk ka nevojë për asgjë. Ai ekziston jashtë koncepteve të vendit, të kohës dhe hapësirës ashtu siç percepton njeriu. Allahu i Madhëruar thotë:
إِنَّاللَّهَلَغَنِيٌّعَنِالْعَالَمِينَ
“Allahu vërtet nuk ka nevojë për askënd në tërë botën.” (El-Ankebut, 6).
Njëri prej shokëve të Muhammedit (s.a.v.s.) u lut kështu: “Allahu im! Falënderimet e mia janë për Ty, Ti je që jep të mira, veç Teje zot tjetër nuk ka. Ti je Krijuesi i Madhdhe Bujar i tokës dhe i qiejve, Ti je I Gjallë (hajj) dhe eksiton vetvetiu (Kajjum). Zoti im për hir të këtyre dy emrave të Tu – më fal mua!”; Profeti (s.a.v.s.) e dëgjoi dhe i pyeti të pranishmit: “A e dini se ç’bëri ky njeri duke u lutur?”; Ata thanë: “Jo! Allahu dhe I Dërguari i Tij e dinë më së miri!”; Atëherë Profeti (s.a.v.s.) tha: “Betohem në Allahun që ka në Dorë frymën time, se ai iu lut Allahut me një emër hyjnor, me atë emër hyjnor, me të cilin po të bëhet lutja, Allahu i përgjigjet asaj lutjeje dhe e plotëson atë që i kërkohet.”
SIFATI THUBUTIJE – Cilësitë e qëndrueshme, të përhershme të Allahut të Madhëruar
1. HAJAT – Jetë. Allahu i Madhëruar ka jetë, Ai jeton. Jeta e Tij nuk i përngjet jetës së krijesave dhe është një jetë e denjë dhe e posaçme vetëm për Të, e përhershme dhe e amshueshme. Kjo cilësi e Allahut përfaqësohet me cilësinë Hajj që do të thotë i Gjallë. Në Kur’anin Fisnik thuhet:
وَتَوَكَّلْعَلَىالْحَيِّالَّذِيلَايَمُوتُ
“Ti mbështetu Atij të përjetshmit që nuk vdes kurrë.” (El-Furkan, 58).
Muhammedi (s.a.v.s.) në një hadith thotë: “Kushdo që para se të bjerë në shtrat, kërkon falje duke thënë: ‘Kërkoj falje nga Allahu përveç të Cilit nuk ka zot tjetër dhe i Cili është i Gjallë (Hajj).’”
2. ILM- Dituri. Allahu i Madhëruar di gjithçka. Dituria e Tij përfshin gjithçka, Dija e Tij nuk është si dija e krijesave. Në natën e errët Ai sheh dhe di të ecurit e milingonës mbi një gur të zi. I di mendimet, qëllimet që kalojnë nëpër zemrat e njerëzve. Dija e Tij është e përhershme dhe e gjithmonshme. Allahu në Kur’anin Fisnik thotë:
إِنَّاللّهَلاَيَخْفَىَعَلَيْهِشَيْءٌفِيالأَرْضِوَلاَفِيالسَّمَاء
“S`ka dyshim se Allahu nuk mund t`i fshihet asgjë në tokë e as në qiell.” (Ali-Imran, 5). Prandaj dhe para shumë të vërtetave të pakuptueshme ose të panjohura, thuhet Allahu Alem! (Allahu e di!).
3. SEM – Dëgjimi. Allahu i Madhëruar dëgjon gjithçka. Të dëgjuarit e Tij është pa mjet e pa drejtim. Të dëgjuarit e Tij nuk i përngjet të dëgjuarit të njerëzve. Si të gjitha Cilësitë e Tij edhe kjo cilësi është e përhershme. Allahu në Kur’an në të shumtën e rasteve përdor këtë term ose cilësi të Tij bashkë me cilësinë tjetër e cila është Besar/ Sheh.
Në Kur’anin Fisnik thuhet:
“Krijimi dhe ringjallja juaj nuk është më e rëndë se krijimi i një qenieje (një njeriu); Vërtet, Allahu është që i dëgjon e i sheh veprat e njerëzve.” (Lukman, 28)
4. BESAR- Shikimi. Allahu i Madhëruar sheh gjithçka. Sheh pa mjet e pa kusht. Të parit e Tij nuk është me sy. Nuk ka diçka e cila mbetet e fshehur për shikimin e Tij. Allahu në Ku’ranin Fisnik thotë:
“Vërtet, Allahu dëgjoi fjalët e asaj e cila bisedoi me ty lidhur më burrin e vet, që u ankua te Allahu; prandaj Allahu e dëgjon bisedën tuaj, Allahu dëgjon çdo bisedë dhe sheh çdo punë.” (El-Muxhadele, 1).
Poeti i famshëm Rumiu në vargjet e tij e shpreh kështu këto tri cilësi të Zotit: Diturinë, Dëgjimin dhe Shikimin:
“Zoti të tregoi se është i Ditur (‘Alim), domethënë se “di çdo gjë me hollësi”, që të kesh frikë, të mos shkaktosh grindje e të mos ngrihesh për të shkatërruar. Të tregoi se është Dëgjues (Semi) domethënë se dëgjon çdo gjë me hollësi që të mbyllësh gojën për të mos thënë fjalë të këqija. Të tregoi se është Shikues (Basir) domethënë se sheh çdo gjë me hollësi që të ruhesh nga gjërat e këqija të dukshme e të padukshme.”
5. IRADE-Vullnet. Allahu i Madhëruar ka vullnetin e Vet. Atë që dëshiron, e krijon. Gjithçka bëhet me vullnetin e Tij. Nuk ka kurrfarë force që do të mund t’i bëhet pengesë vullnetit të Tij, dhe kur dëshiron të bëj diçka, Ai vetëm thotë “Behu dhe ajo bëhet!” Në Kur’an në lidhje me këtë thuhet:
بَدِيعُالسَّمَاوَاتِوَالأَرْضِوَإِذَاقَضَىأَمْراًفَإِنَّمَايَقُولُلَهُكُنفَيَكُونُ
“Ai është Shpikës i qiejve e i tokës (pa kurrfarë modeli të mëparshëm) e kur dëshiron diçka, Ai vetëm i thotë: Bëhu! Në atë moment bëhet.” (El-Bekare, 117).
6. KUDRE- Fuqi. Allahu i madhëruar është i Plotfuqishëm; gjithçka mund të bëjë dhe asgjë nuk mund ta pengojë. Allahu zotëron Fuqi të pafund, për Të nuk ekziston asnjë farë lloj vështirësie. Këtë në Kur’an, Allahu e shpreh kështu:
“….vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (El-Bekare, 20).
Aq e madhe është fuqia e Allahut të Madhëruar, sa që mund ta bëjë që edhe zjarri mos të djeg sikur që nuk e dogji Ibrahimin (a.s.) dhe thika të mos presë, siç ishte rasti me Ismailin (a.s.).
7. KELAM- Fjalë. Allahu i Madhëruar flet me të folurit e Vet hyjnor. Të folurit e Tij, pra, nuk bëhet me ndonjë mjet, me tinguj e as me zëra e gjuhë. Me anë të cilësisë Kelam, Allahu iu bëri të ditur urdhrat dhe ndalimet dhe dëshirat tjera të veta engjëjve, profetëve dhe njerëzve, si dhe të gjithë qenieve tjera.
Të gjitha librat e shpallura kanë dalë në shesh në sajë të cilësisë Kelam dhe komunikimi në mes të profetëve dhe Allahutështë bërë me ndërmjetësimin e engjëjve. Në Kur’an në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar thotë:
وَمَاكَانَلِبَشَرٍأَنيُكَلِّمَهُاللَّهُإِلَّاوَحْيًاأَوْمِنوَرَاءحِجَابٍأَوْيُرْسِلَرَسُولًافَيُوحِيَبِإِذْنِهِمَايَشَاءإِنَّهُعَلِيٌّحَكِيمٌ
“Nuk ka asnjë njeri që t’i ketë folur Allahut ndryshe, vetëm se me anën e frymëzimit, ose pas ndonjë perdeje, ose t’i dërgojë të dërguar (engjëll), e ai t’i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Vërtet, Ai është më i Larti, më i Urti.” (Esh-Shura, 51).
8. TEKVIN- Krijim. Allahu i Madhëruar është Krijuesi i gjithçkaje dhe nuk ka Krijues tjetër përveç Tij. Çdo gjë e krijon vetëm Ai. Përveç Allahut të Madhëruar – askujt tjetër nuk duhet t’i thuhet krijues. Allahu në Kur’anin Fisnik shprehet me këto fjalë:
هُوَالَّذِيخَلَقَلَكُممَّافِيالأَرْضِجَمِيعاًثُمَّاسْتَوَىإِلَىالسَّمَاءفَسَوَّاهُنَّسَبْعَسَمَاوَاتٍوَهُوَبِكُلِّشَيْءٍعَلِيمٌ
“Ai (Allahu) është që për juve krijoi gjithçka ka në tokë, pastaj vullnetin e Vet ia drejtoi qiellit dhe i bëri ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëdijshmi për çdo gjë.” (El-Bekare, 29).
Si rrjedhojë njohja e Zotit nga ana e robërve është e mundur kryesisht përmes këtyre atributeve/cilësive. Me njohjen e këtyre cilësive të Allahut, kemi mundësi ti afrohemi Kur’anit, do të kemi mundësi të jemi të përpiktë në adhurimet që i bëjmë për hir të Allahut të Madhëruar dhe do të kemi bindjen e plotë se kjo botë është kalimtare, është një vend ku do të mbjellim, ndërsa bota tjetër (ahireti) është e përgjithmonshme dhe aty do të jemi të shpërblyer për veprat e mira të bëra ose do të jemi të dënuar për thyerjen e urdhrave të Allahut të Madhëruar.
Ne si muslimanë pretendojmë se e duam Allahun e Madhëruar, për ta kuptuar se cilin dhe çka duam më së tepërmi në këtë botë duhet të shikojmë se çka më së shumti e përdorim dhe e shfaqim me gjuhën dhe punët tona. Njohja e Allahut bëhet me njohjen e atributeve/cilësive të Tij. Sa më shumë kemi njohje mbi Cilësitë e Tij – aq më tepër kemi besim (iman) dhe do të bëhemi më të përkushtuar në çdo punë që do të bëjmë në këtë jetë.