You are here
Home > Kolumna > Shkruan: Dr. Husein Rizai – Si ta kuptojmë Hixhretin?

Shkruan: Dr. Husein Rizai – Si ta kuptojmë Hixhretin?

Fjala hixhret, etimologjikisht, rrjedh nga folja “hexhere”, e cila ka kuptime të ndryshme, varësisht nga konteksti i fjalisë. “Braktisje të hiç-it”, “largim nga dikush”, “shkëputje marrëdhëniesh”, “largim nga mëkatet”, “emigrim”, “e kundërta e lidhjes (familjare, miqësore, etj)”, “kalim nga një vend në tjetrin, ose: lënia e të parës për hir të së dytës”, “Nuk e flet të vërtetën” “Braktisje e gjërave që nuk vlejnë”, janë disa prej kuptimeve të kësaj fjale.
Ndërsa në kuptim terminologjik hixhr d0mëthenë shpërngulja e Muhammedit a.s. bashkë me as’habët e tij prej Mekës në Medine. Në një hadith Muhammedi a.s. thotë: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim. Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për hire të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, shpërngulja e tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndërsa kush shpërngulet të fitojë disa të mira të kësaj bote ose të martohet me ndonjë femër, shpërngulja e tij vlerësohet për atë që është shpërngulur”, me këtë nënkuptojmë se hixhr nuk ka vetëm kuptimin e shpërnguljes fizike të Muhammedit a.s.
Kemi disa lloje të Hixhretit, edhe atë:
1. Migrimi nga vendi në vend. Kjo i ngjan shembullit të atij, i cili për ta mbrojtur fenë e tij, largohet nga vendi ku janë shpeshtuar mëkatet dhe shkon në një vend të qetë. Nëse njeriu ka mundësi që në rastet e tilla ta ruajë dhe ta shprehë qartazi fenë e tij, nuk e ka obligim ta lëshojë atë vend edhe pse lëshimi ose migrimi prej atij vendi është shumë i pëlqyer.
2. Migrimi (braktisja) e veprës. Kjo realizohet me braktisjen e ndalesave të Allahut te Madhëruar, siç thotë Pejgamberi a.s. : “Musliman (i mirëfilltë) është ai nga gjuha dhe dora e të cilit janë të qetë muslimanët. Kurse muhaxhir (i mirëfilltë) është ai që i brak-tisë plotësisht ndalimet e Allahut”.
3. Migrimi (braktisja) i shkakut, i cili të shpie në haram. Sqarimin më të mirë për këtë e kemi ajetet kur’anore ku thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.(Isra, 32)
4. Hixhreti si kthimi në Islam ose ndryshimi i gjendjes në të cilin gjendet shoqëria, kjo bëhet me teube-pendim. Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “O ju që keni besuar, pendohuni te All-llahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’u shpie në Xhennete, nën të cilat rrjedhin lumenj ditën kur All-llahu nuk e turpëron Pejgamberin e së bashku me të as atta që kanë besuar. Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të të tyre, e ata thonë: “Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, falna neve. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send”. (Tahrim, 8)
Pendimi prej mëkateve është ndryshim i parë që është shtytës dhe lëvizës i një shoqërie drejt ndryshimit, në qoftë se nuk merret iniciativa nga vet personi në asnjë farë mënyre nuk do të këtë ndryshim në shoqëri. Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, deri sa ata ta ndryshojnë veten e tyre”. (Rad, 10).
Ndërsa Muhammedi a.s. ka thënë: “Besimi nuk është vetëm duke shpresuar dhe ëndërruar, por ajo që zemra beson dhe vepra e vërteton”. Në një transmetim tjetër thuhet: “Një popull përpara jush e mashtroi shpresa duke ëndërruar në falje, derisa dolën nga dynjaja pa punuar asnjë të mirë duke thënë: Ne mendojmë mirë për Allahun. Në fakt, ata gënjyen, sepse po të kishin pasur mendim të mirë për Të (Allahun) do të kishin punuar mirë”.
Në ajetin: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete”. Kemi dy lloj ndryshimesh: atë të Zotit, në pjesën e parë të ajetit (Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli) dhe atë të njeriut, në pjesën e dytë (derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete). Pra, kemi një ndryshim që bëhet nga Zoti dhe një tjetër që bëhet nga njeriu. Ne duhet të ndryshojmë veten, pastaj të presim ndryshimin e Zotit. Të presësh që Zoti do e ndryshojë gjendjen e këtij ummeti, pa ndryshuar secili prej nesh veten, do të thotë të nëpërkëmbësh mesazhin e këtij ajeti.
Muhammedi a. s. thotë: “Shembulli i atij që i respekton dispozitat e Zotit (njeriu pozitiv) dhe atij që i shkel ato është si shembulli i disa njerëzve të cilët udhëtojnë me anije. Disa prej tyre banojnë në kuvertën e anijes, kurse të tjerët poshtë. Sa herë që donin të furnizoheshin me ujë, udhëtarët që ndodheshin poshtë detyroheshin të ngjiteshin sipër, të shqetësonin të tjerët dhe më pas të zbrisnin sërish. Të ndjerë në siklet, disa thanë: “Do të ishte më mirë nëse do të hapnim një vrimë në anije, do të furnizoheshim më kollaj me ujë dhe nuk do i shqetësonim ata që janë në kuvertë.
Nëse ata që janë në kuvertë i lejojnë ta bëjnë këtë, do të mbyten të gjithë. Por nëse i ndalojnë, do të shpëtojnë të gjithë.”
A nuk i ngjan gjendja e myslimanëve të sotëm këtij hadithi të Pejgamberit (a.s)?. Muslimanët shpresojnë dhe ëndërrojnë duke menduar se ndryshimi dhe përmirësimi do të vijë pa punuar për të dhe pa derdhur djersën dhe mundin e duhur. Ummeti Islam në të kaluarën ishte i kapur për Librin e Allahut, punonte me traditën e shpallur pejgamberike, kishte besim të shëndoshë, vepra të mira e të pranuara, sjellje dhe zakone (adete) të hijshme, moral fisnik, prestigj të madh dhe udhëheqës që kujdeseshin për çështjet e punët e popullit. Kurse sot ka ndryshuar gjendja e ummetit, si nga aspekti i besimit e bindjes, moralit e adeteve e sjelljeve, po ashtu çështjet e fesë injorohen nga vet ithtarët e tij, të prapambetur në çdo aspekt, të zhytur në injorancë dhe errësira, në përralla e hamendësi.
Përgjigjja e pyetjes se duhet ndryshuar është në atë se duhet ti të ndryshosh. Dhe të mos bëhemi si ai që ëndërron rrëzë pemës duke lutur Zotin t’i japë prej saj fruta, por vet nuk lëviz për t’i vjelë ato. Kush dëshiron fruta le t’i mbjellë ato. Transmetohet se një ditë Pejgamberi (a.s) hyri në xhami dhe gjeti Ebu Umamen të cilin e pyeti: “Çfarë të ka shtyrë të qëndrosh këtu jashtë orarit të faljes? I tha: Borxhet dhe telashet. Atëherë Pejgamberi (a.s) ia mësoi këtë lutje: O Zoti im! Mbrohem me Ty nga telashet dhe mërzia dhe mbrohem me Ty nga pafuqia dhe përtacia. Mbrohem me Ty nga frika dhe kopracia, mbrohem me Ty nga borxhet e shumta dhe dhuna e njerëzve. Tha: E bëra këtë lutje dhe Allahu ma largoi hallin dhe ma lehtësoi borxhin).Sigurisht, që sahabiu nuk ka qëndruar vetëm në xhami duke bërë lutje dhe dua, por pas lutjes ai ka dalë dhe ka kërkuar përmes punës që Zoti (xh.sh) t’ia lehtësojë telashe dhe hallet, të cilat e kishin rënduar. O Zot na mundëso edhe neve që të angazhohemi sa më tepër që të kemi mundësi ta ndërrojmë gjendjen tonë.
Hixhri filloi që me krijimin njeriut të parë dhe vazhdon. Ademi a.s. ishte i pari i cili ishte në xhennet, pasi që kishte mend dhe përgjegjësi duhej që ta fitoj xhennetin dhe bëri hixhret në tokë. Ademi a.s. ishte shpirti i botës, bota pa Adem ishte si e pa shpirt.
Iblisi prej kokëfortësisë dhe kryeneçësisë u bë shejtan (i larguar, i përzënë), ndërsa Ademi a.s. prej pishmanllëku u bë burrë (njeri) dhe fitoj botën, tevbeja ishte një shpërblim për Ademin në këtë botë.
Nuhi a.s. e ndërtoi anijen e hixhretit, në vend ku nuk kishte ujë, tufani u bë dënim për kundërshtarët ndërsa për ata që kishin iman ishte hixhret. Ibrahimi a.s. është babai i hixhretit, ai ia mësoi njerëzimit se si mund të bëhet hixhret, sepse ai bëri disa hixhrete, prej kufrit në besim, prej shirkut në besim, prej zullumit në mirësi dhe njerzishmëri. Ai u largua prej Nemrudit bëri hixhret vetëm që të jetë i lirë në besimin e tij dhe i tha Nemrudit : “Unë bëj hixhret tek Zoti im”. Haxherja ishte nusja e hixhretit, ndërsa Ismaili a.s. foshnja e hixhretit. Ismaili a.s, me anë të hixhretit erdhi prej thikes në fyt deri në pejgamberi. Jakubi a.s. bëri hixhret tek djali i tij Jusufi, ku iu hapën sytë e tij, ndërsa hixhreti i Jusufit a.s. ishte shkuarja në Egjipt ku u bë sulltan. Musai a.s. bëri hixhret prej princit të oborrit në çoban, prej saraji në shkretëtirë, prej pasurisë në skamje. Zekirjai dhe Jahja a.s. sakrifikuan jetën e tyre duke bërë hixhret prej kësaj bote në tjetrën vetëm për të na treguar se si duhet sakrifikuar. Isai a.s. thirri në hixhret, nga ndjenjat e papëlqyera si zullumi, amoraliteti në merhamet dhe fisnikëri.
Hixhreti është ndodhi që ndërroi rrjedhën e historisë njerëzore. Hixhreti është kthesë vendimtare e zhvillimit të njerëzimit. Hixhreti është madhërim i Allahut e jo ikje prej problemeve, largim prej asaj që Allahu nuk e donë dhe përpjekja me atë që kënaqet. Hixhreti është frymëzim dhe fuqi e madhe për besimtarin. Hixhreti e bartë idenë e veprimit, ndryshimit, sendërtimit të porosive të Kur’anit dhe sunnetit. Hixhreti është revolucion i madh shpirtëror, material ekonomik, intelektual, social. Hixhreti është mësim nga e kaluara, meditim në tashmen, dhe shikim në të ardhshmen. Hixhreti e liroi njeriun nga eksploatimi, primitivizmi, robërimi i epsheve, politeizmi, dhe xhahilijeti. Hixhreti sfidoi dhe luftoi diskriminimi racor, klasor, kombëtar dhe ekstremitetet e ndryshme. Po mos të ishte hixhreti, thirrja e Muhammedit a.s. do të ishte e mbyllur vetëm për atë shoqëri. Dallimi ndërmjet ikjes dhe shpërnguljes-hixhrit është në atë se: ai çka ik i lë vlerat dhe ik, ndërsa ai çka shpërngulet i bartë me vete vlerat.

Artikuj të ngjajshëm

error: