Të kujtosh nuk është vetëm të mos harrosh, por edhe të kesh përsëri vetëdijen e identitetit që na përcakton në të tashmen, duke na lejuar të hedhim bazat për të ardhmen. Trashëgimia kulturore është dhe duhet të jetë hipoteka e shpirtit për gjithsecilin prej nesh e posaçërisht për intelektualin, ndaj kjo është një ftesë, një thirrje, një brohoritje shpirti që ka për tagër të vetëm kujtesën, pajën fetare e kombëtare që na e lanë të parët, së cilës duhet t’i falemi të gjithë në shqimin e zemrës pa kurrfarë interesi. Në këtë kuptim, Objekti për Shërbime Sociale dhe Fetare nuk është vetëm një veprim për të mbrojtur dhe vlerësuar dëshmitë materiale që i përkasin historisë sonë, por një veprim kulturor që synon ta bëjë njeriun të takohet me një realitet, pasojat e të cilit janë ende të dukshme në të tashmen, për ta kuptuar vlerën dhe rëndësinë e tij që kapërcejnë planin e njohjes së thjeshtë dhe mundëson të depërtosh në botën e dijes, dashurisë, shijes së bukurës etj.
Objekti në fjalë gjithmonë do të jetë në dispozicion popullit, jo fitimprurëse, qëllimi i të cilit është t`i shërbejë sa më mirë shoqërisë dhe zhvillimit të saj. Ai është i hapur për shoqërinë ku do të mund kultivohen vlerat pozitive, shoqërore dhe intelektuale.
Vendosur në një pozitë shumë të bukur Objekti për Shërbime Fetare dhe Sociale paraqet një kompleks, që në të ardhmen do të luaj një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për besimtarët e Tetovës. Ideja për ndërtimin e një objekti si ky ka qenë edhe më parë, mirëpo në nëntor të vitit 2015 me insistimin dhe punën e palodhshme të Myftiut dhe me mbështetjen e parezervë të Reisul -Ulemasë, u vu themeli i këtij objekti të rëndësishëm për të gjithë besimtarët e Myftinisë së Tetovës. Falë angazhimit të tyre dhe ndihmave të xhematit, u arrit që të përfundojë ky objekt. Objekti në podrumin e tij në vete ngërthen vendin për përgatitjen e kufomave/xhenazeve, morgu, depoja për ndihma, depoja e mjeteve të punës, depoja për qefin dhe ponica, vendi për shkrimin e gurëve, vendi për marrje abdes, dhoma për ngushëllime për gjininë femërore me hyrje të veçantë, si dhe parkingu për makinat e kufomave.
Në katin përdhes është paraparë dhoma për ngushëllime për gjininë mashkullore, zyrat e administratës së shërbimit të varrimit dhe të punëtorëve fizik, si dhe një pjesë planifikohet të komercializohet. Të gjitha me hyrje të veçanta. Pjesa e fundit, do të shërbejë për mbledhje, konferenca, seminare, takime të ndryshme dhe aktivitete tjera fetaro-kulturore me kapacitet deri më 300 persona. Në anën tjetër të kësaj salle ekziston pjesa ndihmëse, e cila poashtu me një komoditet të theksuar merr mbi 300 persona. Kjo hapësirë gjithashtu do të shërbejë edhe për takime dhe biseda më të lira dhe jo shumë zyrtare, ku çdo kush ka mundësi që ta shfrytëzojë për ndonjë takim shoqërorë apo vëllazëror.
Si rrjedhojë, njëra prej faqeve më të shkëlqyera të trashëgimisë sonë historike nga pikëpamja njerëzore dhe qytetërimore është edhe ringjallja morale dhe përsosja e njeriut me anë të vakëfeve, dhurimit, mirëbërësisë dhe edukimit shpirtëror, veprimtaritë këto që bëhen pretekst për ta pajisur njeriun me veti morale-shpirtërore që do ta realizonin në mënyrën më të përsosur qëllimin e krijimit të tij. Të zbulosh vlera të paprekshme dhe t’i bësh ato të prekshme është një mision sa fisnik aq dhe i vështirë, ndaj ky objekt është një sprovë e parë për të sjellë në pah atë çka është krijuar ndër shekuj. Me këtë rast, i falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e këtij objekti, që të hollat e tyre të zënë vend në praninë e Allahut dhe shpenzimet që do t’i bëjnë në këtë rrugë, të jenë për ta përfituar pëlqimin Gjithëmëshirshmit.