Sonte, i ulur në dhomën e ndejës, në vendin ku gjej çaste për pushim dhe qetësi, në memorien time fillova të sjell disa nga momentet më frymëzuese të qyteteve të Ballkanit, vizitën e të cilëve sapo e mbarova. Natyrshëm, janë kujtime të freskëta, të prekura e të ndjera thellë në shpirt, si një dëshmitar real, shpesh edhe si personazh, në një prej shfaqjeve më të fuqishme të përjetimit, emocionit dhe të nostalgjisë.
S’ka dyshim se kushdo që udhëton drejt këtyre vendeve-qyteteve, duhet të ketë parasysh se do të shohë dhe do të përjetojë momente të bukura, emocionuese, por edhe dëshpëruese. Dhe e vërteta është se, që nga momenti i parë, duke filluar prej qytetit të parë, secili fillon t’i përjetojë këto emocione të cilat janë të bashkuara me bukuri, entuziazëm dhe me dëshpërime.
Ndonëse të lodhur, të gjithë kanë ruajtur pak energji sa për t’i parë dhe për t’i rikujtuar memoriet e mëparshme, nga vizitat që i kanë bërë më parë nëpër këto vende, ndërsa kishte edhe prej tyre që për herë të parë do ta përjetojnë atë bukuri dhe ato emocione që do t’i bartë herë pas herë në gëzim dhe dëshpërim.
Në kuadër të aktiviteteve të shumta që ka realizuar Myftinia e Tetovës, aktiviteti i radhës ishte vizita e komuniteteve të vendeve të Ballkanit për të hartuar strategji bashkëpunimi me të gjitha bashkësitë fetare të shteteve fqinje. Në kuadër të sektorit të kulturës pranë Myftinisë së Tetovës u organizua ekskursion me këto destinacione: Novi Pazar, Sarajevë, Mostar, Ulqin, Shkodër dhe Prizren.
Vendi i parë që u vizitua ishte Sanxhaku, një territor i veçantë administrativ. Në aspektin ushtarak emri “Sanxhak” do të thotë ” Flamur”. Gjatë sundimit osman emri Sanxhak ka nënkuptuar territor ushtarak. Më vonë ka qenë territor i shkallës së dytë pas vilajetit apo pashallëkut. Qyteti kryesor i Sanxhakut është Novi Pazari, i cili në kohën e Perandorisë Osmane është quajtur Jeni Pazar. Arkitektura, stili i qytetit, objektet fetare të këtij qyteti janë të ngjashme me ato të Shkupit, sepse janë ndërtuar nga njerëzit e njëjtë, si Isa Beu dhe Is-hak Beu. Gjatë qëndrimit në Novi Pazar patëm rastin të takojmë dekanin e Fakultetit të Shkencave Islame të Novi Pazarit, i cili na e sqaroi në detaje punën e këtij institucioni. Pas fakultetit e vizituam Myftininë, bashkë me medresenë e Novi Pazarit. Sekretari i këtij institucioni, Ferid Buliq, na e prezantoi punën e palodhshme të këtij institucioni, i cili tashmë kishte jetësuar disa projekte të rëndësishme.
Rrugëtimi ynë vazhdoi për në Bosnje dhe Hercegovinë drejt kryeqytetit të saj Sarajevës, qytetit ku ndërthuret arkitektura e lashtë e Ballkanit me atë të Perandorisë Osmane dhe asaj austro-hungareze. Sarajeva është një qytet me histori të pasur dhe një ndër qytetet e rralla të multi-religjiozitetit, ku në çarshinë e vjetër të saj, përpos xhamive dhe medresesë gjenden edhe katedralja dhe sinagoga, që flet për një tolerancë ndërfetare, që ia ka dhënë Sarajevës nofkën “Jerusalemi evropian”, për shkak të numrit të madh objekteve fetare në një hapësirë mjaft të ngushtë.
Pas vizitave që iu bënë xhamive të rëndësishme siç janë: xhamia e Gazi Husrev Beut, xhamia e Mbretit dhe xhamia e Ferhadisë, u vizitua edhe Biblioteka e Gazi Husrev Beut, që përmban shumë histori dhe që ishte në shënjestër të agresionit serb gjatë luftës së Bosnjës.
Në Sarajevë u vizitua edhe Fakulteti i Shkencave Islame, ku prodekani prof. dr. Mustafa Hasani na informoi për punën e këtij institucioni, prej themelimit të saj viti 1977 deri më sot, me ç’rast e përshkroi objektin i cili ishte ndërtuar në kohën e perandorisë austro-hungareze, kur kishte shërbyer si Shkollë e lartë gjyqësore e sheriatit.
Moment tjetër shumë emocionues ishte edhe vizita e tunelit të shpëtimit, ku tani është shndërruar në muze, i cili është hapur në kohë të luftës dhe deri diku e ka e zbutur gjendjen e vështirë gjatë gjenocidit që u është bërë boshnjakëve nga ana e serbëve. Ky tunel ka qenë një shpresë për shpëtimin e shumë jetëve që ishin nën flakën e artilerisë agresore serbe dhe ua ka lehtësuar sadopak jetën banorëve të Sarajevës, sepse nëpërmjet tij ka filluar të depërtojë ushqimi dhe janë nxjerrë të sëmurët dhe të plagosurit për t’u shëruar në qytetet e tjera që ishin nën kontrollin e muslimanëve.
Vizita në Sarajevë nuk do ishte e plotë pa e vizituar parkun Kovaçi, te varrezat e shehidëve të vrarë në luftë, park ky që ishte shndërruar në varrezat të qytetit ku gjendet edhe varri i themeluesit të Bosnjës moderne, Alija Izetbegoviqit, i cili ishte një politikan i devotshëm, një burrështetas i cili aspak nuk u largua nga ky qytet dhe gjatë gjithë luftës ishte bashkë me popullin dhe qytetarët e këtij vendi. Pranë varrit të tij iu dorëzuam erës së furishme që filloi simfoninë e saj brenda shpirtit tonë duke trazuar çdo skutë të kujtesës e duke ngjallur çdo çast e përjetim që ishte e lidhur me këtë lider dhe me këtë qytet. Gjatë vizitës sonë në parkun Kovaçi te varrezat e shehidëve të vrarë në luftë u emocionuam aq shumë sa na u rikujtua gjenocidi të cilin e përjetuan banorët e Sarajevës 3 vite me radhë.
Rrugëtimi ynë vazhdoi në qytetin e Mostarit, një qytet historik i Bosnje-Hercegovinës që ndodhet në luginën e lumit Neretva, dhe që është një nga qendrat më të popullarizuara. Posaçërisht pjesa e vjetër e qytetit, ku ndodhet edhe ura e vjetër e Mostarit, tërheq interesimin e madh të turistëve. Ura e vjetër e Mostarit është zemra dhe shpirti i këtij qyteti dhe është ndërtuar në mesin e shekullit të 16-të. Një urë harkore prej guri, gati 30 metra e gjatë, pa shtylla mbajtëse në mes, 20 metra mbi lumin e vrullshëm të Neretvës me ngjyrë të kaltër në të gjelbër. Gjatë luftës së Bosnjës, në vitin 1993 ura ishte qëlluar pa asnjë arsye nga njësitë e artilerisë së ushtrisë kroate, me ç’rast ajo u shkatërrua krejtësisht. Kjo urë u rindërtua sërish në vitin 2000 dhe u përfshi në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.
Rrugës prej Mostarit drejt Shkodrës kaluam në disa qytete të bregdetit Adriatik, edhe atë në Herceg Novi, Kotor, mirëpo në Ulqin u ndalëm që t’i vizitojmë xhamitë dhe monumentet historike të këtij qyteti.
Më pas kaluam në Shkodër, qytet që shtrihet në brigjet e liqenit me të njëjtin emër dhe poshtë kodrës së Kështjellës së Rozafës. Sot, ai është një ndër qytetet me kulturën dhe historinë më të spikatur në veriun e Shqipërisë. Në një rreze prej pak kilometrash mund të vizitohen zona me një bukuri të veçantë natyrore dhe me vlera të rralla historike. Në Shkodër u vendosëm në medresenë Sheh Shamia, ku patëm rastin t’i takojmë nxënësit e kësaj medreseje, disa prej të cilëve ishin edhe nga Tetova. Në shoqërimin e disa profesorëve e vizituam edhe medresenë e vajzave.
Më pas vazhduam për në Prizren, ku edhe në këtë qytet të vjetër vizituam xhamitë dhe çarshinë e vjetër të qytetit. Të shkosh në Prizren e të mos e vizitosh njërin nga monumentet më të rëndësishme kulturore dhe historike, ndërtesën e “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, e cila gjendet në kuadër të kompleksit të “Gazi Mehmet Pashës” është e paparamendueshme.
Monumentet e shumta të kulturës së lashtë të Prizrenit janë kulturë e pastër e këtij qyteti. Prizreni, në fakt njihet si “qyteti i muzeut”, dhe ai u është nënshtruar lëvizjeve të ndryshme shoqërore gjatë periudhave kohore. Prizreni ishte stacioni i fundit i këtij udhëtimi dhe më pas u nisëm drejt vendlindjes. Gjatë rrugëtimit nëpër këto vende, duke kaluar prej stacioneve fizike, por me përmasa tejfizike, kishim rastin të shohim lloj-lloj adetesh, vendesh, qendrash kulturore-historike dhe gjurmë të kulturave, të qyteteve, të xhamive, të hamameve, të medreseve, të teqeve, të tyrbeve. Ky udhëtim sikur e shprehu nostalgjinë tonë.
Për fund, të gjithë imamët, Husein Rizai, Basri Iljazi, Mafiz Rustemi, Omer Dauti, Junuz Husejni, Bekim Demiri, Havzi Ramadani, Jusuf Zylbehari, Izair Ibrahimi, Islam Aallani, Hamdiarif Xhemi, Nuhi Ganija, Rexhep Veseli, Irfan Emrullahi, Gafur Selman, Xhelal Xhemaili, e falënderojnë myftiun e Tetovës, Dr. Qani ef. Nesimin dhe stafin pranë Myftinisë së Tetovës që ndihmuan në realizimin e këtij ekskursioni, dhe urojmë që aktivitetet të vazhdojnë të barten edhe në planin e punës dhe sadopak të ruajmë lidhjet tona me këto vende me të cilat kemi shumë pika të përbashkëta.