Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:
بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم
هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُوْلُوا الْأَلْبَابِ
“A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.” (Zumer, 9)
Të jesh mësues i denjë është diçka e shenjtë, është diçka që s’mund ta bëjë çdonjëri, është diçka që kërkon përkushtim, kujdes në të folur, në të ndenjur, në të vepruar e në arritjen e qëllimeve. Është diçka që kërkon sakrificë, durim, sepse mësuesi është drita e cila u jep lëvizje nxënësve të tij, ata e pasojnë atë (mësuesin) si dhe e imitojnë çdo veti të tij ashtu siç imiton fëmija prindin e vet. I Dërguari i Allahut , ka thënë:”Vlera, dallimi e merita e dijetarit mbi të devotshmin është si hëna e plotë ndaj planetëve të tjerë. Dijetarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve; pegamberët nuk kanë lënë trashëgim dinar dhe as dirhem, por kanë lënë trashëgim dijen, e kush merr prej saj ka marrë një pjesë të mirë.”
Dobitë që sjellë një mësues i përkushtuar janë të shumta. Ato përfshijnë çdo an të botës. Këtë e dëshmon më së miri urtësia e cila thotë: “Dy kategori prej njerëzve nëse ndreqen, ndreqet i gjithë njerëzimi; e nëse prishen, prishet i gjithë njerëzimi. Këta janë prijësit dhe dijetarët (mësuesit e denjë).”
Nesër është dita e Mësuesit, që për ne, myslimanët, është një ditë ku sado pak të përkujtojmë mësuesit tanë që na mësuan shkronjat e para na mësuan se si duhet të kemi kujdes gjatë të folurit, në të ndenjurit, dhe në arritjen e qëllimeve tona duke mësuar dhe studiuar.
Mësuesit na mësuan se nuk duhet të jetojmë pa qëllime, të jetosh pa qëllime donë të thotë të jesh kandidat për të qenë mbeturinë dhe fundrinë e njerëzimit. Duhet ta lodhim kokën për qëllimin përse jemi të krijuar, duhet menduar fort lidhur me detyrat dhe përgjegjësit tona në kuadër të gjithësisë, të bashkësisë së cilës i përkasim, por edhe personalitetit tonë në kuadër të bashkësisë ku jetojmë. Ne mund të jemi të mirë vetëm atëherë nëse e njohim qëllimin e krijimit tonë, kjo bëhet vetëm me lexim. Mos të harrojmë se leximi ende është metoda më efektive për të përvetësuar dituri. Objektet që duhet lexuar nuk janë vetëm libri, ai është vetëm një nga gjërat që mund të lexohen. Në krye të gjërave që mund të lexohen bëjnë pjesë ngjarjet, sendet, gjithësia, dhe vet njeriu, të cilat po ashtu paraqesin shenja dhe argumente të Zotit.
Të ikim prej injorancës xhahilijetit, sic ikim prej sëmundjes. Dituria është e mira më e madhe në botë që mund të zotërohet, dituria është mbretëri e vërtetë, edhe besimi fillon me dije, me njohjen e Zotit, duhet ti zbulojmë burimet që do t’na shpien drejt dijes së të vërtetës. Ndërsa emri i përgjithshëm i këtij zbulimi është LEXIMI, mos harrojmë se urdhri i parë i Kuranit ishte Lexo, dije mirë se nuk lexon vetëm syri, por edhe veshi, hunda, gjuha, mendja, imagjinata, këto të gjitha janë vegla që lexojnë por mënyrat e leximit janë të ndryshme.
Është absurd të përmendet mësuesi dhe dituria mos ta përmendim Muhammedin a.s. si mësues i parë i muslimanëve. Ai i cili na mësoi që mësuesin ta duam jo një ditë por ta duam tërë jetën dh eta respektojmë atë, Muhammedi а.s. ishte mësuesi ynë, i cili nuk nxiti e urdhëroi vetëm për mësimin e shkronjave për lexim të abetares apo librit, por na mësoi edhe shkronjat e leximit të së vërtetës. Ai na mësoi shkronjat që përshkruajnë rrugën e paqes, lumturisë, mirëkuptimit, mirëqenies, shkronjat që përshkruajnë ilaçin e zemrës, shkronjat që flakin errësirën e idhujtarisë dhe injorancës dhe sjellin agimin e monoteizmit dhe diturisë për këtë shkak në disa hadithe potencon diturinë dhe mësuesit ku thotë: “Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është sikur vlera ime ndaj jush”; “Dituria është gjë e humbur e besimtarit, kudo që ta gjej le ta merr”, në një hadith tjetër; “Kërkoni diturinë prej djepit deri në varr”. këto janë disa shembuj nga fjalët e ndershme të Muhamedit a.s. i cili jep rëndësi të madhe mësuesit dhe dijes. Por edhe as’habët dhe gjenerata e parë e muslimanëve rëndësi të madhe i kanë dhënë mësuesit dhe diturisë. Këtë më së miri mund ta shohim tek thënia e Hz Aliut ku thotë: “Kush ma mëson një shkronjë i bëhem rob i tij”. Nga ana tjetër nuk duhet harruar se çdo njeri do të ketë edhe përgjegjësi për diturinë e poseduar a thua vallë e ka shpërndarë si duhet dhe në rrugën e Zotit apo e ka keqinterpretuar dhe e ka fshehur vetëm në vete..për këtë thotë Pejgamberi a.s: “Nuk do të lëviz asnjë njeri ditën e gjykimit nga vendi derisa të përgjigjet në katër gjëra: Jetën si e ka kaluar, rininë si e ka kaluar, pasurinë se si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar, dhe me diturinë se si ke vepruar”.
Dhe më në fund e lusim Allahun xh.sh. që të na mbjell në zemrat tona dashurinë ndaj diturisë dhe mësuesve tan, Falënderojmë Allahun që na dha mësues të denjë që na mësuan në dritën e islamit dhe në atë që Zoti xh.sh. të ishte i kënaqur me mësimin tonë. Shfrytëzoj rastin ti përshëndes mësuesit dhe mësueset tona Allahu i shpërbleftë me të mirat e kësaj dhe asaj bote.