Fjala ”Dhikr” në kuptimin etimologjik do të thotë: përkujtim, përmendje, përgatitje e një gjëje në mendjen tonë, ose përmendje e një gjëje me gjuhë. Ndërsa, në kuptimin terminologjik do të thotë: përmendje e Allahut Fuqiplotë, që mund të bëhet në forma të ndryshme, siç është falënderimi, lavdërimi, madhërimi, duaja, namazi, etj. Nga ana tjetër, fjala “insan” (njeri) e ka rrënjën e njëjtë me fjalën “nisjan” (harresë). Nisjani është e kundërta e dhikrit (përkujtimit) dhe nënkupton harresën që është një nga dobësitë më të mëdha të njeriut.
Dhikri-përkujtimi nuk është thjesht vetëm përmendje e Allahut, por është mall, mall për Allahun, apo ndryshe thënë brenga, shqetësimi, halli, derti yt për Allahun. Dhikri-përkujtimi ia rikujton esencës njerëzore se prej ku vjen, gjegjësisht mallin për Krijuesin-Allahun, ose Shpirtin të cilën Allahu ia dhuroi njeriut. Dhikri duhet t’ia përkujtojë njeriut largimin e tij prej xhennetit, dhikri është të jesh bashkë me të dashuruarin, me Allahun në çdo vend.
Në Kur’anin fisnik, fjala dhikër-përkujtim përdoret në këto kuptime: këshillë, thirrje, falje e namazit, lexim i Kur’anit, përmendje e Zotit, etj. Si rrjedhojë, dhikri-përkujtimi me të gjitha llojet e veta, është shërim i zemrës, ushqim i shpirtit, shërim i sëmundjes së mëkateve, prehje e zemrës, dritë e syrit, bela e djallit, falënderim dhe besnikëri e robit ndaj të madhit Zot. Dhikri- përkujtimi është gjuha e përbashkët e të gjitha krijesave: mikro-kosmosit dhe makro-kosmosit e farës dhe e qiejve, e atomeve dhe e gjithësisë, e qelizës dhe e njeriut, e të gjallës dhe të vdekurës.
Çdo gjë e përmend Zotin me gjuhën e vet, e tregon Atë, shkon drejt Tij. Dhikri-përkujtimi i Allahut mund bëhet në çdo formë ose në çdo mënyrë shpirtërore dhe fizike – kur je në këmbë, ulur, i shtrirë, duke pushuar apo duke punuar, etj. Allahu i Madhëruar thotë: “Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!” (Ali-Imran, 191)
Nuk është e njëjtë zemra e cila e përmend Allahun dhe sikurse ajo që nuk e përmend Atë, sepse zemra që e përmend Zotin çdo herë është nën kontrollin e Tij, dhe nëse bën ndonjë punë që është në kundërshtim me ligjet e tij, atëherë njeriu-robi e ndjen veten hipokrit-munafik, dhe në këtë mënyrë dhikri-përmendja e Allahut i mundëson atij të largohet nga çdo punë e keqe. Në një trup, zemra e të cilit ushqehet me përmendjen e Allahut, e gjithë qenia e tij funksionon si duhet, të gjitha gjymtyrët e trupit, dora, syri, veshi, këmba funksionojnë mirë etj.
S’do mend se njeriu është krijesë e dobët, dhe ka nevojë për strehim, e dhikri i mundëson të strehohet vetëm tek Allahu xh.sh. sepse Ai është kujdestari më i mirë. Nëse jeton me emrin e Allahut dhe në çdo vend e përmend Atë, atëherë je i gjallë dhe cilësohesh me emrin e tij “Haj” – i Gjalli, dhe si rrjedhojë, kujdestari yt bëhet Allahu, e a ka kujdestar më të mirë se Allahu? I Dërguari i Allahut thotë: “Shembulli i atij që e përmend Allahun me atë që nuk e përmend është si i gjalli dhe i vdekuri.”
Njeriu i cili e përmend Allahun, d.m.th. e ka brengë, dert Allahun, Ai ia largon brengat, shqetësimet, hallet, gajlet dhe ia blen dertet e tjera, ndërsa ai i cili nuk e ka brengë, dert Allahun, Ai ia shton brengat, shqetësimet, hallet, dertet e tjera në jetën e tij. Ja pra, nëse e përmend Allahun, si kundërvlerë Ai do të të përmend ty. Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Pra më kujtoni Mua, Unë ju kujtoj juve, Më falënderoni e mos Më mohoni.” (Bekare, 151). Në një hadith-kudsi thuhet: “Unë jam ashtu siç më parafytyron robi Im. Jam me të kur më përkujton. Nëse më kujton në vete, edhe Unë e kujtoj në veten Time; nëse më kujton në tubime, Unë e kujtoj në tubime edhe më të mira, nëse më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një krah, nëse më afrohet një krah, i afrohem një pash, dhe nëse më afrohet me ecje, i afrohem me shpejtësi.”
Ndërsa e kundërta, mospërmendja e Allahut shpie në largim prej Tij dhe në humbje të dashurisë së Tij. Për këtë, Allahu na e tërheq vëmendjen duke thënë: “O ju që keni besuar, kini kujdes, as pasuria juaj dhe as fëmijët tuaj të mos iu shmangin prej përkujtimit të Allahut! Kush vepron kështu do të jetë prej të humburve” (Munafikun, 9). Pra, ne duhet ta kemi brengë, dert Allahun, sepse nëse nuk e ke brengë, dert Allahun do të të shtohen brengat – do të vijnë derte të tjera. I Lartëmadhëruari Allah thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër.” (Taha, 124) Mospërmendja e Allahut të shpie në ngushti fizike, materiale, por edhe shpirtërore dhe ngurtësi të zemrës, e në lidhje me këtë i Dërguari i Allahut thotë: “Mos u humbni në biseda të padobishme duke e harruar Allahun, sepse shumë biseda që bëhen duke e harruar Allahun, e ngurtësojnë zemrën. Më larg Allahut është ai që e ka zemrën e ngurtë.” Një herë një sahabi qante në shtëpi të vet, më pas doli dhe shkoi te Muhammedi a.s. dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Unë të dua shumë, dhe kur përmallohem për ty, vi të shoh dhe çmallem me ty. Por, mendoja si do të jetë gjendja ime pasi të vdesësh ti. Si do të të shohë ty? Për më tepër, si do të jetë gjendja ime kur ti do të jesh në xhennet e unë nuk e di se ku do të jem!” Muhammedi a.s. i tha: “Atëherë ndihmoje veten tënde me ibadet, sexhde dhe dhikër, sepse ajo të lartëson lart tek unë.”
Koha e përkujtimit-dhikrit, dhe dhikret që i praktikonte Pejgamberi a.s.
Përkujtimi i Allahut nuk ka vend dhe kohë, e për këtë Allahu në Kura’nin Fisnik thotë: “O ju që besuat, përkujtoni Allahun sa më shpesh. Dhe madhëronie Atë mëngjes e mbrëmje.” (Ahzab, 41-42) Ibn Abbasi këtë ajet kur’anor e komenton kështu: “Allahu xh.sh. çdo adhurim që e ka bërë farz i ka caktuar një kufi, dhe i ka pranuar arsyet e tyre. Ka urdhëruar 5 kohë namaz në xhami, nëse nuk e falësh atë në xhami me xhemat, mundet ta falësh vetë në shtëpi apo në vendin ku gjendesh, ose në qoftë se të ik namazi e kompenson me kaza. Por, për dhikrin-përkujtimin nuk ka caktuar ndonjë kufi dhe nuk ka asnjë arsye për lënien e dhikrit. Nëna e besimtarëve, hz. Aisheja r.a. na tregon se i Dërguari i Allahut e përkujtonte në çdo rast Allahun. Në shumë praktika dhe hadithe të Muhammedit a.s. është potencuar përmendja-përkujtimi i Zotit, e poashtu ai i ka vlerësuar shumë edhe vendet-mexhliset ku përmendet Allahu, dhe për këtë në një hadith thotë: “Të ulesh bashkë me një xhemat që i bën dhikër Allahut nga koha e namazit të sabahut deri sa të lind dielli (ose në një transmetim tjetër, nga koha e namazit të ikindisë deri sa të perëndojë dielli), për mua është më e dashur se sa ti lirosh katër robër.” Përsëri, Aisheja r.a. na tregon se Muhammedi a.s. ngrihej natën dhe bënte dhikër, e gjatë dhikrit thoshte dhjetë herë “Allahu ekber, elhamdulilah, subhanallahi ve bihamdihi”, e më pas bënte lutje në këtë mënyrë: ”Allahumme inni eudhu bike min dijki dunja ve dijki jeumil kijameti” (O Allah kërkoj mbrojtje nga Ti prej vështirësive dhe vuajtjeve të kësaj Bote dhe të botës tjetër).
I Dërguari i Allahut i donte shumë dhikret dhe lutjet që ishin me fjalë të shkurta dhe me kuptim të gjerë, dhe thoshte: “Ka dy fjali që për gjuhën janë të lehta, por në peshojë janë të rënda dhe Allahu kënaqet me to: Subhanallahi ve bihamdihi subhanallahil adhim – E lartësoj dhe e falënderoj Allahun i cili është i madhërishëm.”
Një ditë dy beduinë erdhën tek i Dërguari i Allahut që ta pyesin diçka, dhe njëri prej tyre tha: “O i dërguar i Allahut! Cili është më i miri prej njerëzve?” Muhammedi a.s. i tha: “Ai i cili e ka jetën e gjatë dhe bën vepra të mira”. Tjetri tha: “O i Dërguar i Allahut, ligjet e islamit janë të shumta, më thuaj një vepër që të mos e lë asnjëherë!” Pejgamberi tha: ”Gjuha jote le të jetë e lagur gjithmonë me dhikrin e Allahut.” Një sahabi e pyeti pejgamberin a.s.: “Cili xhihad e ka shpërblimin më të madh?” Pejgamberi i tha: “Xhihadi i atij që e përkujton më shumë Allahun”. Pastaj burri e përsëriti të njëjtën pyetje, duke vazhduar edhe për ata që falin namaz, që japin zekat, që shkojnë në haxh dhe që japin lëmoshë. Pejgamberi në të gjitha këto pyetje u përgjigj: “I atij që e përkujton më shumë Allahun”. Aty ishin prezentë edhe Ebu Bekri r.a dhe Omeri r.a, e Ebu Bekri tha: “O Omer! Ata që e përmendin Allahun e morën mirësinë!” Pejgamberi a.s. e dëgjoi këtë, u kthye nga ata dhe tha: “Po! Është e vërtetë.”
Muadh bin Xhebeli thotë: “I thashë të Dërguarit të Allahut! O i Dërguar i Allahut më këshillo mua!” Ai më tha: “Ji i devotshëm ndaj Allahut sa të kesh mundësi, përkujtoje Allahun pranë çdo guri dhe çdo peme. Pendohu fshehtas për çdo lloj të keqe që e bën fshehtas dhe për atë që e bën haptas.” Një ditë Muhammedi a.s. duke u shprehur për mirësitë e mexhliseve të dhikrit tha: “Përfitoni shumë kur të shkoni në kopshtet e xhenneti”. Ashabët e pyetën çfarë duhet të kuptojmë me kopshtet e xhennetit, e ai tha: “Mexhliset e dhikrit.”
Dobitë e dhikrit-përkujtimit
Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun, zemrat e tyre qetësohen. Pra ta dini se me të përmendurit e Allahut zemrat stabilizohen.” (Rad, 28)
Disa nga dobitë e dhikrit-përkujtimit janë:
- I jep fytyrës shkëlqim në këtë botë dhe dritë në botën tjetër.
- Është siguri nga dyfytyrësia, ngase hipokritët e përmendin shumë pak Allahun.
- Është ushqim për zemrën dhe shpirtin.
- Dhikri i shpeshtë largon nga përgojimi, bartja e fjalëve, gënjeshtra, gjërat e fëlliqura dhe ato të kota.
- E bën njeriun të lumtur.
- Ka një kënaqësi të veçantë nga të gjitha vepra e të tjera, që nuk i përngjan asgjëje.
- Shlyen gabimet (mëkatet) ngase është nga veprat më të mira, ndërsa të mirat i shlyejnë të këqijat.
- Sjell riskun (furnizimin).
- Ndriçon fytyrën dhe zemrën.
- Mbjell afërsinë me Allahun e Madhëruar.
- Është mur (pengesë) në mes të njeriut dhe xhehenemit.
- Është dritë për njeriun në këtë botë, në varr, dhe në botën tjetër. Nuk ka diçka që i ndriçon zemrat dhe varret më mirë sesa dhikri.
Sot bota ballafaqohet me depresione dhe strese të llojllojshme, të cilat shpiejnë edhe drejt vetëvrasjeve. Që të kalojmë një jetë sa më të lumtur, kemi nevojë për lidhje të forta me hyjnoren, me Zotin – me Krijuesin tonë. Ne kemi nevojë ta adhurojmë Atë dhe t’i lutemi të na ndihmojë. Si gjithmonë, edhe sot dhikri luan rol të jashtëzakonshëm për ta kontrolluar njeriun dhe për ta tërhequr atij vërejtjen para streseve dhe depresioneve të jetës moderne. Nëse ne i përmbushim të gjitha nevojat tona materiale, i plotësojmë parakushtet e lumturisë, por i neglizhojmë nevojat e shpirtit, nuk do të mund të jetojmë të lumtur. Që ta kuptojmë se kë e duam më shumë në këtë botë, duhet ta shohim se kë e përmendim më shumë. Ta duash dikë dhe të mos e përmendësh është gënjeshtër-rrenë, ndërsa ta përmendësh e të mos e duash është hipokrizi-dyfytyrësi.
Kur një ditë të ballafaqohesh me ndonjë brengë, dert, problem të madh të kësaj bote, mos u kthe nga Zoti dhe të thuash: “O Zot! Kam një problem të madh. Por, kthehu nga problemi dhe thuaj: “O problem! Unë kam një Allah, i cili është më i madhi dhe kur e përmendi më bëhet Vekil (kujdestar) i im në çdo punë.”