You are here
Home > Kolumna > Shkruan Dr. Husein ef. Rizai: Të jesh myezin!

Shkruan Dr. Husein ef. Rizai: Të jesh myezin!

Të jesh myezin!
​Ç’do të thotë të jesh myezin? Ç’kuptim ka kjo fjalë? Ç’vlerë ka ky njeri?
​​Kuptimi leksikor i myezinit do të thotë: njoftim, të njoftuarit, të thirrurit apo të informuarit për diçka. Ndërsa në kuptimin terminologjik, myezini është personi i cili njofton, informon, thërret në namaz, në kohën e lutjes, të cilat janë 5 herë në ditë.
​Pra, myezini është personi që thërret ezanin dhe bën ikametin, është zëri i myezinit që thërret në namaz dhe namazi siguron tubimin dhe afrimin e myslimanëve brenda shoqërisë islame. Thirrja e myezinit, është thirrja e ezanit, që me një fuqi të shenjtë ndal gjithçka.
​…Dëgjohet vetëm ezani.
​Dhe duke dëgjuar ezanin, myslimani shpreson në shefaatin (ndërmjetësimin) e Pejgamberit a.s., në Ahiret.
​Ezani nuk është vetëm thirrje për namaz, por në të vërtetë, ai është sekreti i lartësimit dhe ngritjes së myslimanëve.
​Ezani është një ftesë e hapur, që u bëhet pesë herë në ditë myslimanëve të devotshëm, në çdo vend të botës për të përmbushur detyrimet ndaj fesë islame.
​Dhe është pikërisht ai zë kumbues i myezinit, që ngre lart zërin e së vërtetës dhe të gjitha krijesat që e dëgjojnë këtë zë do të dëshmojnë për besimin e tij ditën e gjykimit.
​Myezini është një njeri i zakonshëm, që jeton pranë nesh dhe ndoshta njerëzit nuk e vlerësojnë e nuk i japin rëndësinë e duhur, por është pikërisht ai, që ka për detyrë t’i udhëzojë njerëzit në çështjet e besimit dhe të adhurimit. Pra, njerëzit në asnjë çast nuk duhet të harrojnë misionin e myezinit, profesionin e tij…
​Koha që jetojmë është aq dinamike, ditët vrapojnë me shpejtësi marramendëse. Ne jemi aq të ngarkuar me lloj-lloj punësh dhe obligimesh, aq sa shpesh na duhet të mbajmë agjendë për të shënuar programin tonë, takimet, obligimet. Falë teknologjisë, tani kemi mjete të ndryshme, që na rikujtojnë se çfarë duhet të bëjmë. Njerëz me poste të ndryshme kanë njerëz të posaçëm të punësuar, pikërisht për t’iu kryer këto punë. Ne ju jemi gjithmonë mirënjohës këtyre njerëzve apo mjeteve që na rikujtojnë për morinë e punëve njerëzore të përditshmërisë sonë, po a kujtohemi ndonjëherë ta falënderojmë myezinin tonë?
​Është ai, që pesë herë në ditë, që nga mëngjesi i hershëm deri në mbrëmjen e vonë, në kohën e saktë, na rikujton detyrat tona ndaj Krijuesit, na fton në namaz, duke bërë që ne t’i harrojmë punët dhe hallet e kësaj bote dhe të pastrojmë shpirtin tonë me adhurim ndaj të madhit Zot.
​Momenti i thirrjes së ezanit nga myezini është koha, kur në trurin tonë bie një zile, është zilja e ndërgjegjësimit, kur ne i themi vetes: O njeri, mjaft punove për trupin, për punët e pafundme të kësaj bote! Mendo pak për shpirtin tënd, për qetësinë e tij!
​Myezini thërret ezanin dhe ti hyn në një botë tjetër, është bota e adhurimit, është momenti i përkushtimit, i paqes, i reflektimit.
​Është momenti kur shpirti i njeriut përjeton një dimension tjetër, ai do të kryejë namazin, do të jetë në praninë e më të Lartit, do të bashkojë duart e do të përkulet para Tij në shenjë mirënjohje e falënderimi për të gjitha të mirat që Ai i ka dhuruar. Njeriu do të përkulet para të madhit Zot dhe do t’i kërkojë ndihmë, mbështetje, qetësi…
​Myezini i thërret njerëzit, robërit e Zotit në namaz, në shpëtim, në dëshmi, me zërin e tij.
Pejgamberi a.s., thotë: “Çdo xhin, njeri dhe çdo send, që dëgjon zërin e myezinit e dëshmon Ditën e Gjykimit.”
​Myezini duhet të jetë një person, që i njeh mirë rregullat e fesë dhe të jetë njeri i devotshëm. Përgjithësisht, myezinët që kam njohur si: haxhi Emin abia, haxhi Bari efendiu, hfz. Ejup efendiu, hfz. Ferat efendiu, hfz. Rexhep efendiu dhe shumë të tjerë, të cilët tashmë janë bërë për rahmet, Allahu i pastë mëshiruar, kanë qenë prej atyre myezinëve, që i kanë pasur të gjitha këto karakteristika. Kjo ma kujton hz. Bilallin r.a., duke e thirrur ezanin me atë zë të këndshëm. Kur e thërriste ezanin Bilalli r.a., burrat e linin punën e tyre, gratë dilnin nga shtëpitë e tyre, fëmijët e ndalonin lojën – të gjithë këta, për t’u mbledhur në xhami, për të qëndruar krah për krah, për ta adhuruar Allahun.
​Të jesh myezin i denjë nuk është lehtë. Myezinët duhet të jenë të përpiktë në punën që e bëjnë. Ata nuk kanë një jetë të lirë dhe nuk e harxhojnë kohën ashtu shkel e shko. Myezinët duhet ta menaxhojnë ditën e tyre sipas kohës së pesë namazeve. Para se ta thërrasin ezanin ata duhet të meditojnë, të pastrohen fizikisht dhe shpirtërisht, sepse kanë një detyrë shumë të rëndësishme. Ata janë planifikues të kohës. Në shoqëritë islame, namazi është baza dhe strumbullari kryesor i jetës fetare, sociale dhe kulturore. Ne, çdo manifestim fetar, kulturor apo shoqëror, e kemi të lidhur me kohët e namazit. Emërimin e fëmijëve e bëjmë pas ndonjë namazi, poashtu edhe dasmat, siç janë synetimi, martesa, niqahu, ahengjet e tjera, janë të orientuar që të bëhen pas ndonjë namazi, qoftë ai i drekës, iqindisë, akshamit apo të jacisë. Takimet që i kemi me shok, miq dhe dashamirë, bëhen pas kohës së kryerjes të ndonjë namazi.
​Pa dyshim që këtë orientim në mënyrën më perfekte e bëjnë myezinët, duke e menaxhuar më së miri kohën dhe jetën shoqërore. Pra, e shihni se myezini është saktësisht i programuar. Ai është njeri, por duke qenë i devotshëm dhe tërësisht i përkushtuar në profesionin që ka zgjedhur, ai nuk ka kohë të vrapojë pas qejfeve dhe argëtimeve. Ai edhe gjumin e ka të programuar, sepse “Es – salatu hajrum minen neum.” (Namazi është më i mirë se gjumi).
​Zëri i bukur i një myezini, u jep gjallëri shpirtërore të gjithëve, edhe atyre që shkojnë në xhami, edhe atyre që falen nëpër shtëpitë e tyre, por edhe atyre që kanë ndërruar jetë.
​Ndërsa për jobesimtarët ky zë mund të jetë thjesht një orë e zëshme, që mund t’iu kujtojë ndonjë takim apo punë që duhet bërë.
​Por ndodh të jetë edhe ndryshe.
​​Më kujtohen fjalët që thoshin jomyslimanët për ezanin që e thërriste myezini i xhamisë së Eskit, Emin abia. Kur dëgjoj këtë zë të bukur ndalem dhe e dëgjoj deri në fund. Ka pasur prej tyre që kanë qëndruar para xhamisë e disa kanë dalë nëpër ballkonet e tyre, që ta dëgjojnë ezanin e tij. Pra, edhe pse nuk i kanë përkitur fesë sonë, magjia e zërit të myezinit i ka tërhequr, i ka bërë ta dëgjojnë dhe të emocionohen. Pavarësisht përkatësisë fetare, besimit, bindjeve, me ëndje e dëgjonin ezanin që e thërriste Emin abia.
​Melodia që vjen me ezanin, e ngre peshë shpirtin e njeriut, duke e bartur ashtu siç e bartin erërat e mira aromën e këndshme dhe për një çast bota të duket më e lumtur, më e gëzuar.
​Zërin e bukur të myezinit nuk mund ta kompensojnë as minarja, as muret, as ndërtimet e as arkitektura e xhamisë, sepse myezini me një zë të tillë, është shtylla kryesore që i jep karizmin një xhamie dhe atyre që e dëgjojnë.
​Myezini me zërin e tij të bukur dhe të ëmbël zgjon çdo kujtim, çdo ndjenjë, çdo emocion, duke kënduar dhe përsëritur kodin e thirrjes islame:
​”Allahu është më i Madhi.
​Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër pos Allahut.
​Dëshmoj se Muhamedi a.s., është i dërguar i Tij.
​Eja në namaz! Eja në shpëtim.!”

Artikuj të ngjajshëm

error: