You are here
Home > Kolumna > Shkruan:  Doc.Dr. Selver Xhemaili – Unikë përpara Njëshit

Shkruan:  Doc.Dr. Selver Xhemaili – Unikë përpara Njëshit

Xhemati i formuar thjesht vetëm për të falur namaz, ku nuk bëhet fjalë për asnjë lloj interesi material apo të përbotshëm, është një komunitet madhështor dhe ideali i tij është të fitojë vetëm pëlqimin e Allahut (xh. sh.).

Shkruan:  Doc.Dr. Selver Xhemaili

Namazi është një adhurim unifikues/përmbledhës. Ai përfshin të gjitha dimensionet praktike të fesë. Në vete ngërthen të gjitha llojet e adhurimeve, të cilat në mënyrë të pavarur janë të porositura të veprohen, duke filluar nga tekbiri (kebbirhu), leximi i pjesëve kuranor-tertili (rattil), qëndrimi në këmbë-kijam (ekimu), lutjet e ndryshme-duatë (ud’unî), madhërimi i Allahut- tesbihu (sebbih), përmendja e Zotit apo dhikri (fedhkurunî), përkulja në ruku (verke’u), përkulja/rënia në sexhde (vesxhud), falënderimi ndaj Allahut (en-ishkurli), të cilat janë disa nga ibadetet që përfshihen brenda namazit.

Njëkohësisht,  namazi luan rolin kryesor në unifikimin dhe tubimin e besimtarëve në një vend. Kështu, edhe xhamia e ka marrë emrin pikërisht për shkak të rolit që luan, pra tubuese e besimtarëve në një vend. Xhamia është institucioni i parë i Islamit,  madje i Dërguari i Allahut (a. s.) pas migrimit në Medinë,  para se të ndërtonte shtëpinë e vet,  e ndërtoi xhaminë,  pra qendrën unifikuese të myslimanëve. Madje, namazi,  për më tepër,  është unifikues i jetës së shkapërderdhur. Ai është një formë e harmonisë kozmike shndërruar në adhurim. Harmonia është baza e gjithçkaje. Disharmonia është kaos. Kaosi, ndërkaq, është sistem i djallit. Namazi, që është një formë e harmonisë kozmike shndërruar në adhurim, jo vetëm që afron fushat e përafërta të njeriut, por ai afron edhe fushat e jetës që janë në pole të kundërta të njëra-tjetrës. Për shembull,  në festa (bajrame), kur gëzimi është në kulmin e tij dhe në raste mortore,  kur pikëllimi është në kulmin më të lartë, është namazi ai që vë harmoninë. Namazet e bajrameve dhe namazi i xhenazes kanë të përbashkët tekbiret shtesë. Pra,  ai na mëson që në momentet më të gëzuara dhe në ato më të pikëlluara të themi Allahu Ekber. Në këtë mënyrë namazi e pengon dhe e mbron  njeriun që mos arratiset dhe që mos t’i shkëput lidhjet nga Allahu (xh. sh.) edhe në momente gëzimi,  edhe në momente pikëllimi. Ai (namazi) e unifikon njeriun në aspektin e ndjenjave, mendimeve dhe veprimeve dhe në praninë e NJËSHIT gjithnjë e mban unik dhe vital.(M.Islamoglu).

Sigurisht që Islami nuk dëshiron një masë të thatë,  që përbëhet vetëm prej turmave të ndryshme. Ai synon të ndërtojë një shoqëri cilësore, nga njerëz me vetëdije të lartë dhe me besimtarë që përndajnë të njëjtat qëllime. Mu për këtë arsye, për namazin,  i cili ndoshta pas imanit është adhurimi më kryesor, është vënëparimi i faljes me xhemat,  si një element që do ta mbjellë dhe zhvillojë këtë vetëdije të lartë. Në këtë mënyrë, namazit, që është një adhurim si detyrim individual, i shtohet edhe një dimension tjetër,  ai i natyrës shoqërore.

Xhemati,  të cilin e përbëjnë myslimanët e tubuar nëpër xhami dhe mesxhide, është emri i një shoqërie shpirtërore, ku në mesin e këtyre individëve shkrihet dhe zhduket egoja dhe në emër të idealeve sublime mendimet individuale hidhen në plan të dytë. Ai(xhemati) është një shoqëri e veçantë,  ku vetëdija, shpirti dhe ndjenjat e përbashkëta janë mbështjellë në një trup të vetëm shoqëror. Prandaj, xhemati i formuar thjesht vetëm për të falur namaz, ku nuk bëhet fjalë për asnjë lloj interesi material apo të përbotshëm, është një komunitet madhështor, ideali i të cilit është të fitojë vetëm pëlqimin e Allahut (xh. sh.). Kjo shoqëri,  e përbërë nga individët besimtarë, njëkohësisht e luan rolin edhe të edukimit dhe të  përsosurisë së anëtarëve të vet nga aspekti shpirtëror; besimtari ndahet nga xhamia i ringjallur dhe i rinovuar shpirtërisht. I Dërguari Fisnik (a. s.) bukuritë të cilat namazi me xhemat ia dhuron individit i përmend në këtë mënyrë: “Kush merr avdes në mënyrë të bukur për të falur namaz, pastaj shkon për të falur namazin farz dhe nëse atë e fal me njerëz të tjerë ose xhemat, apo në ndonjë mesxhid, Allahu atij ia fal mëkatet.”

Myslimani, duke qenë i rregullt në namazin me xhemat, synon mëshirën dhe ndihmën hyjnore. Edhe duatë që bëhen me xhemat shpresohet të jenë më të pranueshme tek Allahu (xh.xh.). Ashtu siç thekson edhe Pejgamberi(a. s.):“Namazi i falur me xhemat për njëzet e shtatë shkallë është më i vlefshëm se namazi i falur në mënyrë individuale.”Krahas të gjitha këtyre mirësive, falja e namazit me xhemat e luan rolin e mbrojtësit,  ngase e largon individin nga mjediset apo shoqëritë ku kryhen veprime të padobishme dhe ku bëhen mëkate,  duke e mbrojtur atë nga çdo lloj devijimi dhe tjetërsimi. Pejgamberi ynë i dashur nuk pajtohej që ummeti i tij të privohet nga namazi me xhemat,  i cili ngërthen në vete shumë të mira dhe sevape. Mu për këtë arsye në çdo moment,  duke diskutuar në lidhje me vlerat e faljes së namazit me xhemat,  i këshillonte dhe i nxiste as’habët të përfitojnë nga kjo mirësi. Ai thoshte:“Një personiqë del nga shtëpia,  me qëllimin që të shkojë në xhami, në njërin hap që hedh i shkruhet një sevap, ndërsa në tjetrin i shlyhet një mëkat.” Kështu që, ka potencuar se ‘kush e ka shtëpinë më larg xhamisë,  do ta fitojë sevapin më të madh’. Gjithashtu,  Pejgamberi (a. s.) ka theksuar se ai që e fal namazin e jacisë me xhemat do të shpërblehet sikur ta kishte kaluar gjysmën e natës duke u falur, ndërsa atij që e fal me xhemat edhe jacinë edhe sabahun do t’i jepen sevape sikur ta kishte kaluar tërë natën duke u falur. Në fakt, nxitjet dhe inkurajimet e Pejgamberit (a. s.) për faljen e namazeve me xhemat kanë të bëjnë me namazet farze. Përveç këtyre, që në kohën e Pejgamberit (a. s.) me xhemat janë falur edhe namazet specifikë e të cilëve është pjesëmarrja masive e besimtarëve, siç janë namazet e bajrameve, të xhenazes, teravisëetj.

I dërguari i Allahut  (a. s.)  na ka mësuar mënyrën e faljes me xhemat,  duke këshilluar që kur të jenë dy veta bashkë, duhet ta falin namazin me xhemat,  duke e kënduar ezanin dhe më i moshuari prej tyre bëhet imam. Nëse janë bashkë tre persona, ai që lexon Kuran më së miri nga mesi i tyre i prin namazit-ai është imam. Për shembull, sipas një shpjegimi të Ibn Abbasit,  i cili si fëmijë i vogël në një natë ka qenë mysafir te Pejgamberi (a. s.), kur Muhamedi (a. s.) fillon të falet,  ai kishte qëndruar në anën e majtë. I dërguari i Allahut  (a. s.) e heton radhitjen e tij në namaz dhe duke e kapur për dore,  e tërheq në anën e djathtë dhe në këtë mënyrë e fal namazin.

Kushti kryesor dhe më i rëndësishëm për faljen e namazit me xhemat është radhitja e safave. Pejgamberi ynë i dashur ka theksuar se drejtimi dhe rregullimi i radhëve e zbukuron namazin, madje potencon se ky është një element që ndikon në plotësimin dhe përsosjen e namazit. Kështu që në një rast,  duke dhënë si shembull radhitjen e melaqeve përpara Allahut (xh. sh.), kishte kërkuar nga as’habët që edhe ata të veprojnë në atë mënyrë dhe kishte këshilluar: “(Melaqet) e plotësojnë safin  e parë dhe në safa qëndrojnë ngjeshur me njëri-tjetrën.” I dërguari i Allahut       (a. s.) rregullimit të safave ashtu i kushtonte rëndësi,  saqë para se të lidhej në namaz, personalisht i rregullonte radhët e xhematit dhe duke i prekur në supe të krahëve u thoshte: “Qëndroni drejt; mos u ngatërroni,  që mos të ngatërrohen edhe zemrat tuaja!…”

Rregullimi dhe drejtimi i safave ka për qëllim bashkimin dhe unifikimin e myslimanëve edhe fizikisht edhe shpirtërisht. Kështu që, ky sistem, që formohet duke u radhitur krah për krahu, pa marrë parasysh klasën, autoritetin apo pozitën shoqërore, është reflektimi më i bukur i gjallërisë dhe unitetit të shoqërisë. Në lidhje me mosrregullimin e radhëve të besimtarëve në namaz Pejgamberi (a. s.) është shprehur në këtë mënyrë: ‘Shejtanët shëtitin si delet e zeza, të vogla, ndërmjet safave të parregulluara.’   Mu për këtë arsye, në një rast kur e pa një person që falej duke e përcjellë imamin në namaz,  por  veçmas pa u rreshtuar në saf, i tha që ta përsërit namazin,  ngase në atë mënyrë nuk e ka të plotë namazin. Qeliza e parë e strukturës sociale/shoqërore, pra, është ky rregullim,  që formohet gjatë faljes së namazit dhe safat e plotësuar mirë. Një zbrazëtirë dhe një neglizhencë që do të tolerohet në plotësimin e safave, radhë-radhë do të ndikojë në të gjitha rreshtat dhe uniteti shoqëror do të marrë plagë. Gjithashtu,  rregullimi dhe drejtimi i safave është shkalla e parë e kërkimit të mëshirës në namaz me xhemat. Për këtë arsye idërguari i Allahut (a. s.) ka theksuar që Allahu i madhërishëm do t’i afrohet me mëshirë atij që e plotëson safin, ndërsa do ta privojë nga mëshira atë që lë zbrazëtira në radhët e besimtarëve në namaz.

Në mesin  parimeve tjera që i dërguari i Allahut (a. s.) kërkon të respektohen disa parime nga ata të cilët marrin pjesë në xhematjanë dhe pastërtia dhe kujdesi ndaj rregullave që ndërtojnë raportet sociale. Në bazë të mundësive, para se të shkohet në xhami të vishen tesha të bukura dhe të pastra, duke u kujdesur më parë dhe për higjienën e përgjithshme trupore. Më së paku një herë në javë, pra ditën e xhuma, të lahet i tërë trupi para se të shkohet në xhemat, me qëllim që të arrihet pastërtia sistematike,si dhe të pastrohen dhëmbët. Krahas këtyre, Pejgamberi (a. s.) ka përkujtuar besimtarët që të mos shkojnë në xhami në rast se hanë diçka, aroma e të cilave mund t’i shqetësojë të tjerët,  siç është hudhrat apo qepët. Të gjitha këto porosi dhe vërejtje të Pejgamberit (a. s.) synojnë shmangien e çdo situate që mund ta shkatërrojë ambientin shpirtëror, të krijuar nga falja e namazit me xhemat. Me një fjalë, ato mund ta shqetësojnë xhematin,  apo ta dëmtojnë atë. Duke u nisur nga këto fakte,  është shumë me rëndësi që të theksohet se edhe në ditët e sotme, ata të cilët marrin pjesë në xhemat duhet të kenë kujdes që mos t’i shqetësojnë të tjerët me kundërmimin e duhanit dhe papastërtinë e çorapëve apo me cingërimat e celularëve.

I dërguari i Allahut (a. s.)  deri në momentin e fundit të jetës i ka kushtuar rëndësi të veçantë faljes së namazit me xhemat. Të njëjtën ua ka porositur edhe as’habëve dhe i ka përgëzuar se si këmbim të kësaj, do të fitojnë sevape të mëdha. Pasi që namazi me xhemat është hapi i parë i cili turmën e thatë mund ta shndërrojë në një shoqëri cilësore, të shfaq barazinë e njerëzve dhe të tregojë se vëllazëria e besimit është mbi të gjitha.

Namazi me xhemat, krahas asaj që mbjellë dashurinë dhe solidaritetin mes individëve, është një mundësi solide që të diturit t’i mësojnë të paditurit, si dhe është një rast ku komunikimi social përjetohet në mënyrën më të bukur. Ai është mjeti më i mirë për socializimin e njeriut,  i cili për shkak të preokupimeve ditore vazhdimisht shkon duke u vetmuar. Gjithashtu,  falja e namazit me xhemat është një element shumë i rëndësishëm, shikuar nga këndvështrimi i informimit të myslimanëve me njëri-tjetrin në lidhje me vështirësitë, me gëzimet, si dhe me aktualitetet e tyre ditore. Në një shoqëri ku ekzistojnë këto vlera,  siç është xhemati dhe xhamia, pra përderisa këto gjallërohen dhe përjetohen, shpresohet që mos të ndodhë ndonjë shkëputje e komunikimit dhe paraqitjes së shqetësimeve të ndryshme. Namazi me xhemat pothuajse është një emigrim nga shtëpia, nga puna dhe dynjallëku në Shtëpinë e të Vërtetës, është strehim në mëshirën e  Allahut mëshirëplotë. “Andaj, ikni (prej dënimit) drejt (shpërblimit të) Allahut, se unë vërtet që jam dërguar te ju prej Tij, si paralajmërues i qartë! (Dharijat, 50).

 

E botuar në revistën “Hëna e re” nr. 316-2018

Artikuj të ngjajshëm

error: