Njeriu nuk është një krijesë që ekziston për një moment të shkurtër, e pastaj të zhduket e të humbet. Njeriu është një krijesë e nderuar, kandidat për jetën më të lartë dhe të amshuar. Ai është udhëtarë i denjë për në botën e amshuar. Kjo botë është si një stacion në rrugën që shkon për në botën tjetër. Njeriu pasi të qëndrojë një kohë këtu do të vazhdojë rrugën dhe do të arrijë në atdheun e tij të vërtetë. Lumturinë në botën e amshuar ka mundësi ta sigurojë që nga stacioni i përkohshëm, pra nga jeta të cilën e jeton në këtë botë. Rruga më e sigurt drejt amshueshmërisë është të jetuarit në përputhshmëri me qëllimin e krijimit. Ndonëse pa kurfarë mëdyshje qëllimi i krijimit është njohja dhe adhurimi i Krijuesit.
Allahu madhëriplotë e ka krijuar njeriun në formën më të bukur, gjithçka në gjithësi e ka ofruar në shërbim të tij. Njeriun të cilin e ka caktuar si udhëheqës në tokë e ka pajisur me aftësi të larta të cilat nuk i janë dhënë asnjë krijese tjetër siç është përdorimi i mendjes, logjika, meditimi dhe vullneti i lirë. Nga njeriu të cilit i janë dhënë këto veçori vetëm ka kërkuar t’i bëjë robëri Atij. Robëria ndaj Allahut do të thotë, duke shfrytëzuar lirinë e zgjedhjes, pra në bazë të dëshirës së lirë, të respektosh vullnetin/urdhrat e Allahut. Të braktisësh dëshirat dhe kërkesat e epshit (nefsit) dhe të jetosh në përputhshmëri me porositë e Allahut (xh.sh.).Të qenët e ibadetit e drejta e Allahut mbi robërit e Tij, kërkon që njeriu të jetojë gjithnjë me vetëdijen e falënderimit ndaj Allahut i cili ia fali njeriut gjithçka që posedon.
Ibadeti është koncepti që njeriu mundë të vendosë lidhje komunikimi me Zotin. Është prezantim i gjendjes së njeriut pa ndonjë mjet apo ndërmjetësim te Krijuesi i madhëruar për të cilin njeriu gjithnjë ka nevojë. Mu për këtë shkak robi, në çdo paraqitje në prezencën e Zotit (në namaz) i shpreh ajetet, “Çdo lavdërim/hamd i përket Allahut Zotit të gjithësisë. Mëshirues dhe Përdëllimtarë i Madh. Sunduesit të ditës së gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Udhëzona në rrugë të drejtë. Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi. E jo në rrugën e atyre që kanë shkaktuar pezmin Tënd, as në rrugën e atyre që janë të humbur” (Fatiha, 1/1-7). Në këtë mënyrë ai, e fillon punën duke lavdëruar Krijuesin. Pranon pafuqinë e vet. I përkulet Zotit të vet. Kërkon ndihmë nga Ai dhe i lutet Atij që në vazhdimësi ta përforcojë në udhëzimin dhe adhurimin ndaj Tij. Pikërisht kjo është vetëdija e ibadetit, ndërgjegjëshmëria e robërisë.
I Dërguari i Allahut duke folur për themelet e Islamit ka urdhëruar, “Islami është i ndërtuar mbi pesë baza: Dëshmimi se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi a.s është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i muajit të Ramazanit.” Në këtë hadith i Dërguari i Allahut, në fushën e ibadetit, i ka numëruar minimumin e obligueshmërive pra farzet, pra i ka përmendur ibadetet e rregullta me të cilat është i obliguar t’i zbatoj çdo individ që i beson Islamit dhe ka mundësi t’i realizojë ato. Pika më e rëndësishme në këtë hadith që tërheq vëmendjen, është ajo se katër themelet kryesore të adhurimit janë ndërtuar mbi bazën, “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij”. Që do të thotë, këto ibadete që zbatohen me trup, kanë kuptim bashkërisht me imanin në zemër. Ibadeteve që u mungon imani nuk kanë ndonjë kuptim tjetër përveç se janë lëvizje formale. Në këtë kontekst, robi për ta ruajtur imanin dhe për ta reflektuar atë në jetën e përditshme duhet të vazhdojë me ibadete. Allahu i madhëruar e ka urdhëruar Hz. Pejgamberin të bëjë ibadet deri në vdekje. “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja”! (Hixhr,15/99). Edhe i Dërguari i Allahut shpeshherë e ka përsëritur fjalën, “…Te Allahu vepra më e dashur është ajo që është e vazhdueshme qoftë edhe pak.”
Në kuadër të kësaj edhe një sahabiut që i parashtron kërkesën, “dëshiroj të mësoj diçka që do të më mbroje nga xhehennemi dhe do të më mundësoje të fitojë xhennetin,” e këshillon në këtë mënyrë: “Vazhdo ta adhurosh Allahun pa bërë shirk ndaj Tij, fali namazet farze, jepe zekatin që e ke farz, agjëroje muajin e Ramazanit, sillu me njerëzit ashtu siç dëshiron ata të sillen me ty dhe largohu nga sjelljet me të cilat nuk dëshiron që njerëzit e tjerë të sillen ndaj teje.”
Ashtu si në çdo çështje edhe në adhurime kriteri jonë, shëmbëlltyra jonë është Hz. Pejgamberi, gjegjësisht sunneti i tij. Ai ka urdhëruar kështu, “faleni namazin ashtu siç më shihni mua duke u falur” dhe “dispozitat e haxhit mësoni prej meje”. As’habët të gjitha ibadetet farze apo nafile i kanë mësuar nga i Dërguari i Allahut. Koha, vendi dhe mënyra e këtyre ibadeteve se si do të realizohet gjithnjë është konstatuar nëpërmjet sunnetit të tij.
I Dërguari i Allahut kur shpreh që ibadeti duhet të jetë i vazhdueshëm po edhe në qoftë se është i pakët, në një aspekt tërheq vëmendjen që personi në asnjë mënyrë nuk duhet t’i anashkalojë adhurimet, pra vetëdija e të qenit besimtar adhurues gjithnjë duhet të mbahet e freskët dhe kjo ndërgjegjshmëri ta përfshijë çdo pore të jetës. Prandaj në këtë kontekst urdhëron,“Çdo ditë, për çdo nyje të trupit duhet të jepet sadaka, t’i ndihmosh atij që dëshiron të hipë apo të ngarkojë barrën mbi kafshë është sadaka. Fjala e bukur dhe çdo hap që hidhet për të shkuar në namaz është sadaka. T’i tregosh rrugën dikujt është sadaka.” Në këtë mënyrë i Dërguari i Allahut thekson se çdo punë që bëhet me qëllim të mirë dhe sinqeritet konsiderohet sadaka dhe adhurim.
Sjelljet dhe qëndrimet të cilat Pejgamberit a.s. i numëron si sadaka, të cilat reflektohen në dimensione të ndryshme të jetës, mundë të vlerësohen si adhurime. Siç është, gjykimi me drejtësi në mesin e njerëzve, urdhërimi në punë të mira dhe ndalimi nga të këqijat, përshëndetja me selam atë që e takon, largimi i pengesave nga rruga që i pengon kalimtarët, si dhe puna për të siguruar furnizimin/nafakën për anëtarët e familjes. Në kontekst të kësaj ibadet konsiderohet edhe bamirësia ndaj prindërve, fshirja e lotëve nga sytë e një të ngrati, përkëdhelja e kokës së një bonjaku apo jetimi, mbulimi i shpenzimeve të një nxënësit, respekti ndaj një të moshuarit apo lirimi i vendit/karriges në autobus një gruaje shtatzënë. Gjithashtu adhurim vlerësohet edhe shpërndarja e diturisë, të përpiqesh për punën që bën ta realizosh në formën më të bukur, të harxhosh energji për shpëtimin e rinisë nga kthetrat e shprehive të këqija dhe nxitimi për të kontribuar sa do pak për shpëtimin e fëmijëve që janë duke dhënë shpirt nën sulmin bombardimeve. Njëkohësisht, të përpiqesh të qëndrosh larg nga veset e këqija morale dhe të mundohesh të pajisesh me vlera të larta morale, ta presësh/hulumtosh momentin për bamirësi, t’i buzëqeshësh besimtarit që e takon, të kujdesesh maksimalisht që të bëhesh një anëtarë i shoqërisë jo vështirësues por lehtësues, këto edhe shumë parime tjera që ndoshta nuk mundë edhe të numërohen, konsiderohen adhurime dhe mundësojnë që tërë jetën ta kalojmë me ibadetete. Pikërisht pra, Allahu i madhëruar dëshiron që robërit e Tij ta kalojnë jetën me një vetëdije/ndërgjegjshmëri të këtillë të adhurimit.
Në qoftë se fushat e përgjegjësisë së besimtarit ndaj Allahut do t’i kishim radhitur mundë të bëhet një klasifikim i kësaj natyre: Imani, Islami/ibadeti dhe shkalla më e lartë ihsani. Pra njeriu që beson dhe vazhdon me adhurime pika e tij kulmore është bamirësia (ihsani). Që sipas definicionit të Pejgamberit tonë të dashur “…Ihsan (bamirësi) do të thotë ta adhurosh Allahun sikur ti ta shohësh Atë. Megjithëse ti nuk e sheh Ai të sheh ty…” Robi i cili në saje të imanit i jep kuptim jetës dhe del nga errësira në dritë, nëpërmjet ibadeteve tregon nderimin, dashurinë, respektin, besnikërinë dhe bindjen e tij ndaj Krijuesit të madhëruar. Dhe kur të arrijë në shkallën e ihsanit, çdo hapë që hedhë, çdo veprim që bën, çdo adhurim e realizon me vetëdijen se Allahu e shikon atë dhe se është nën vëzhgimin e Tij. Njeriu që vepron me këtë ndërgjegjshmëri më është një personalitet që edhe engjëjt ia kanë lakminë.
Ibadeti, ka një rol të patjetërsueshëm në formimin e personalitet të besimtarit. Meqë adhurimi posedon cilësitë me të cilat e pastron njeriun nga dobësitë e tija njerëzore, ia mëson atij përdorimin e vullnetit të lirë dhe durimin pra në një farë mënyre e disiplinon njeriun. Adhurimet sa do që të duken se përbëhen prej disa sjelljeve formale, mirëpo në format e tij është e fshehur esenca/maja e respektit dhe besnikërisë. Ibadeti e pastron individin nga uni, kryelartësia, egoizmi, nga çdo lloj dyshimi që pengon njeriun të bëhet rob i Zotit, nga zilia, shkapërderdhja materiale (israf), lakmia,koprraci dhe të ngjashme me këto, nga të gjitha ndjenjat dhe mendimet e këqija. Ibadeti është një mburojë që e mbron njeriu nga mendimi dhe veprimi i çdo gjëje të keqe. Ai është simboli, shenja apo treguesi i besimtarit.
Bërja e ibadetit megjithëse është përgjegjësi individuale, shikuar nga rezultati përfundimtar, adhurimi posedon një funksionalitet në formësimin e shoqërisë. Prandaj, urdhri i fesë që disa nga adhurimet bazë të realizohen bashkërisht/me xhematë, siç janë falja e namazit apo kryerja e haxhit gjithqysh që duhet të vlerësohen duke marrë parasysh efektin e tyre social. Gjithashtu edhe për ibadetet që konsiderohen të natyrës me përgjegjësi individuale siç është zekati dhe sadakaja, gjegjësisht funksioni dhe roli i tyre në ndihmesën mes njerëzve, zhvillimin e solidaritetit si dhe kontributi i tyre për arritjen e shpirtit të unitetit dhe barazisë, nuk ka nevojë për koment. Të gjitha adhurimet si dhe të gjitha veprimet dhe sjelljet e tjera që bëhen me qëllim të adhurimit nuk ngelin vetëm se me rregullimin e raporteve mes Allahut dhe robit të Tij, por ata përcaktojnë qëndrimet psiko-sociale të individit si dhe ndërtojnë strukturën e shoqërisë.
Do ta përfundojmë këtë temë me një tregim që na qartëson rëndësin e adhurimit në jetën e njeriut.
Një njeri që jetonte në shkretëtirë dhe që ishte shumë i varfër, kishte ngelur në mjerim. Për të shpëtuar nga kjo situatë, bashkë me gruan menduan një çare. Të shkojnë në Bagdat dhe t’ia paraqesin gjendjen e vet sundimtarit të asaj kohe me shpresë se ai do t’u ndihmojë.
Mirëpo nuk e panë të arsyeshme në Bagdat të shkojnë duar thatë. Vendosën që sundimtarit t’i dërgojnë, sipas tyre, gjënë më të vlefshme në shkretëtirë, një shtambë me ujë shiu, duke menduar se në Bagdat ka mungesë të ujit. Njeriu mori një shtambë me ujë shiu, udhëtoi me ditë të tëra dhe arriti në Bagdat. Shërbyesit në oborrin mbretëror e pritën shumë mirë.
Njeriu u tha: “Dërgojani këtë dhuratë mbretit. Ky ujë i ëmbël është marrë nga uji i shiut, e ndoshta mbreti kujtohet dhe ia plotëson nevojat këtij nevojtari”.
Shërbëtorët ia dhuruan mbretit ujin që solli njeriu. Mbreti këtë e pranon me plot kënaqësi dhe si shpërblim shtambën që e solli me ujë ia mbushi me ar, i dhuroi tesha, e shumë dhurata të tjera dhe kështu e shpëtoi nga nevojat që kishte.
Gjithashtu shërbëtorët e vet i porositi: “Ky njeri duke ardhur në këmbë, është lodhur, andaj kur të kthehet dërgojeni në rrugën që shkon drejt lumit Tigër”. Ata ashtu vepruan. Njeriu, duke u kthyer, hipi në anije. Deri atëherë s’kishte njohuri për lumin Tigër. Kur e pa lumin, u përkul nga turpi dhe tha:
“Sa bamirës paska qenë mbreti, edhe pse ka kaq shumë ujë në pronën e vet, ai përsëri e pranoi një shtambë ujë që solla unë dhe si shpërblim më dha kaq shum dhurata”.
Ja pra ibadetet tona janë sikur dhurata e këtij njeriu që ia solli mbretit. Allahu ibadetet tona i pranon nga bamirësia që ka dhe si përgjigje na ofron shpërblime të shumta.
Në fakt njeriu i cili është krijuar për t’i bërë robëri Allahut të madhëruar, gjithmonë duhet të veprojë me këtë vetëdije dhe Zotit xh.sh. duhet t’i drejtohet me dua në këtë mënyrë: O Zoti im! Na bën neve të vazhdueshëm në adhurime, përmendje dhe, falënderime. O Zotim ynë na i prano adhurimet tona.