You are here
Home > Kolumna > Shkruan Doc. Dr. Husein Rizai: Dhikri-Përmendja e Allahut dhe vlera e tij

Shkruan Doc. Dr. Husein Rizai: Dhikri-Përmendja e Allahut dhe vlera e tij

Fjala DHIKR kuptimi etimologjik do të thotë: Përkujtim, Përmendje, përgatitje e diçkaje në mendjen tonë, ose përmendja e diçkaje me gjuhë. Ndërsa kuptimi terminologjik: Përmendja e Allahut Fuqiplotë e cila mund të bëhet në forma të ndryshme sikur që është Falënderimi, lavdërimi, madhërimi, duaja, namazi. Nga ana, tjetër Insan (njeri) vjen nga e njëjta rrënjë me fjalën “Nisjan” (haresë). Nisjani është e kundërta e dhikrit (përkujtimit) dhe shpreh harresën që është njëra nga dobësitë më të mëdha të njeriut. 

Dhikri-përkujtimi- nuk është thjesht vetëm përmendja e Allahut, por është ankth, ankthi për Allahun, derti yt të jetë Allahu. Dhikri-përkujtimi e rikujton esencën njerëzore prej nga vjen, gjegjësisht   ankthin për Krijuesin-Allahun, ose Shpirtin të cilën Allahu ia dhuroi njeriut. Dhikri njeriut duhet që t’ia përkujtojë largimin e tij prej xhenneti, dhikri është të jesh bashkë me të dashuruarin, Allahun në çdo vend.

Në Kur’anin Fisnik fjala dhikër-përkujtim përdoret në këto kuptime: këshillë, thirrje, falja e namazit, leximi i  Kur’anit  përmendje  e Zotit, etj. Ja pra dhikri-përkujtimi me të gjitha llojet e veta, është shërim i zemrës, ushqim i shpirtit, shërim i sëmundjes së mëkateve, prehje e zemrës, dritë e syrit, bela e djallit, falënderim dhe besnikëri e robit ndaj të madhit Zot. Dhikri- përkujtimi është gjuha e përbashkët e të gjitha krijesave: e farës dhe qiejve e mikrokozmosit dhe makrokozmosit, e atomeve dhe gjithësisë, e qelizës dhe njeriut, e të gjallës dhe të vdekurës.

Çdo gjë e përmend Zotin me gjuhën e vet, e tregon Atë, shkon drejt Tij. Përkujtimi i Allahut bëhet në çdo formë ose në çdo mënyrë shpirtërore dhe fizike, kur je në këmbë, ulur, i shtirë duke pushuar duke punuar. Allahu u Madhëruar thotë: “Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!”  (Ali-Imran, 191)

Nuk është e njëjtë zemra e cila e përmend Allahun dhe që nuk e përmend, sepse zemra që e përmend Zotin çdo herë është nën kontrollin e Allahut dhe nëse diçka bën kundër atëherë e ndjen veten hipokrit-munafik, ja mu për këtë dhikri-përmendja i mundëson ta largohet nga çdo punë e keqe. Pa dyshim se zemra e cila  ushqehet me përmendjen e Allahut i tërë trupi i tij funksionon si duhet,  të gjitha rrugët ose me fjalë tjera kabllot-telat funksionojnë mirë, dora, syri,  veshi, këmba, etj.

S’do mend se njeriu është krijesë e dobët i cili kërkon strehim, ja pra dhikri mundëson të strehohesh vetëm tek Allahu xh.sh.  sepse ai është kujdestari më i mirë, nëse jeton me emër të Allahut dhe çdo vend e përmend Atë, atëherë kujdestari yt bëhet Allahu, a ka kujdestar më të mirë se Allahu? I Dërguari i Allahut thotë:  “Shembulli i atij që përmend Allahun me atë që nuk e përmend është si i gjalli dhe i vdekuri.

Njeriu i cili përmend Allahun dmth. E ka dert Allahun, ai i cili e ka dert Allahun Zoti ia blenë dertet tjera, ai i cili nuk e ka dert Allahun ia shton dertet tjera. Ja pra, nëse e përmend Allahun, si kundërvlerë Ai do të përmend ty, Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Pra më kujtoni Mua,  Unë ju kujtoj juve, Më falënderoni e mos Më mohoni.” (Bekare, 151). Në një hadith  Kudsi thuhet: “Unë jam ashtu siç më parafytyron robi Im. Jam me të kur më përkujton. Nëse më kujton në vete, edhe Unë e kujtoj në veten Time; nëse më kujton në tubime, Unë e kujtoj në tubime edhe më të mira, nëse më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një krah, nëse më afrohet një krah, i afrohem një pash, dhe nëse më afrohet me ecje, i afrohem me shpejtësi.”

E kundërta e mospërmendjes shpie në largim nga Allahu dhe në humbje të dashurisë. Për këtë Allahu na tërheq vëmendjen duke thënë: “O ju që keni besuar keni kujdes, as pasuria juaj dhe as fëmijët tuaj të mos iu shmangin prej përkujtimit të Allahut! Kush vepron kështu ata do të jenë prej të humburve” (Munafikun, 9). Pra ne duhet ta kemi dert Allahun sepse nëqoftë se nuk e ke dert Allahun do të vijnë dertet tjera. I Lartëmadhëruari Allah thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër.” (Taha, 124) Mospërmendja e Allahut të shpie në një ngushti fizike, materiale por edhe shpirtërore dhe ngurtësi të zemrës, në lidhje me këtë i Dërguari i Allahut thotë: “Mos u humbni në biseda të padobishme duke harruar Allahun, sepse shumë biseda që bëhen duke harruar Allahun, e ngurtësojnë zemrën. Më larg Allahut është ai që e ka zemrën e ngurtë.” Një herë një sahabi qante në shtëpi të vet, më pas doli dhe shkoi te Muhammedi a.s. dhe i tha O i Dërguar i Allahut! Un të dua shumë dhe kur më bie malli un vi të shoh dhe çmallem me ty. Por mendoja si do të jetë gjendja ime pasi të vdesësh ti. Si do të shohë ty? Por më tepër si do të jetë gjendja ime kur ti do të jesh në xhennet e unë nuk e di se ku do të jem! Muhammedi a.s. i tha: “Atëherë ndihmo veten tënde me ibadet, sexhde dhe dhikër sepse ajo të lartëson lart tek un.

Koha e Përkujtimit-Dhikrit , Pejgamberi a.s. dhe dhikret që i praktikonte

Përkujtimi i Allahut nuk ka vend dhe kohë, Allahu në Kur’nin Fisnik thotë:  “O ju që besuat, përkujtoni Allahun sa më shpesh. Dhe madhëronie Atë mëngjes e mbrëmje.” (Ahzab, 41-42) Ibn Abbasi këtë ajet Kuranor e komenton kështu: Allahu xh.sh. çdo adhurimi që i ka bërë farz i ka caktuar një kufi, dhe i ka pranuar arsyet e tyre. Psh. ka urdhëruar 5 kohë namaz në xhami, nëse nuk e  falësh në xhami mundet në shpi ose në qoftë se të ik namazi ke kaza. Por me dhikrin- përkujtimin nuk ka caktuar ndonjë kufi dhe nuk ka asnjë arsye për lënien e dhiarit. Edhe nêna e besimtarëve Hz Aisheja na tregon se i Dërguari i Allahut përkujtonte në çdo rast Allahun. Në shumë praktika dhe hadithe të Muhammedit a.s. është potencuar përmendja-përkujtimi i Zotit në anën tjetër edhe vendet-mexhliset ku përmendet Allahu i ka vlerësuar shumë, në një hadith thotë: “Të ulesh bashkë me një xhemat që i bën dhikër Allahut nga koha e namazit të sabahut deri sa të lind dielli ose në transmetim tjetër nga koha  e namazit të ikindisë deri sa të perëndojë dielli, për mua është më e dashur se sa ti lirosh katër robër.” Aisheja r.a. na tregon se Muhammedi a.s. ngrihej natën bënte dhikër, gjatë dhikrit thoshte: dhjetë herë: “Allahu ekber, elhamdulilah, subhanallahi ve bihamdihi e më pas bënte lutje në këtë mënyrë: ‘(Allahumme inni eudhu bike min dijki dunja ve dijki jeumil kijameti) O Allah kërkoj mbrojtje nga Ti prej vështirësive dhe vuajtjeve të kësaj Bote dhe të botës tjetër.’”

I Dërguari i Allahut i donte shumë dhikret dhe lutjet që ishin me fjalë të shkurtra dhe me kuptim të gjerë, ai thoshte: “Ka dy fjali që  për gjuhën janë të lehta, por në peshojë janë të rënda dhe Allahu kënaqet me to: (Subhanallahi ve bihamdihi subhanallahil adhim)- E lartësoj dhe e falënderoj Allahun i cili është i madhërishëm.

Një ditë dy beduin erdhën tek i Dërguari i Allahut  që ta pyesin për diçka, njëri prej tyre tha: “O i dërguar i Allahut! Cili është më i miri prej njerëzve? Muhammedi a.s. i tha: ‘Ai i cili e ka jetën e gjatë dhe bën vepra të mira’”. Tjetri tha: ‘O i Dërguar i Allahut, ligjet e islamit janë të shumtë, më thuaj një vepër që të mos ta lë asnjëherë’! Pejgamberi tha: ‘Gjuha jote le të jetë e lagur gjithmonë me dhikrin e Allahut.’” Një sahabi e pyeti pejgamberin a.s. Cili xhihad e ka shpërblimin më të madh? Pejgaberi i tha: “ Xhihadi i atij që e përkujton më shumë Allahun, pastaj burri e përsëriti të njëjtën pyetje duke vazhduar edhe për ata që falin namaz, që japin zekat, që shkojnë në haxh dhe që japin lëmoshë? Pejgamberi për të gjithë këto pyetje u përgjigj: ‘I atij që e përkujton më shumë Allahun’, aty ishte prezent edhe Ebu Bekri dhe hz Omeri, Ebu Bekri tha: ‘O Omer! Ata që e përmendin Allahun e morën mirësinë!’ Pejgamberi a.s. e dëgjoi këtë u kthye ka ata dhe tha: ‘Po! Është e vërtetë.’”

Muaz bin Xhebeli thotë i thashë të Dërguarit të Allahut! O i Dërguar i Allahut më këshillo mua! Ai më tha: “Ji i devotshëm ndaj Allahut sa të kesh mundësi, Përkujtoje Allahun pranë çdo guri dhe çdo peme. Pendohu fshehtas për shkak të çdo lloj të keqeje që e bën fshehtas dhe për atë që e bën haptas.” Një ditë Muhammedi a.s. duke u shprehur për mirësitë e mexhliseve të dhikrit tha: “’Përfitoni shumë kur të shkoni në kopshtet e xhennetit’ Ashabët e pyetën çfarë duhet të kuptojmë me kopshtet e xhennetit, Ai tha: ‘Mexhliset e dhikrit.’

Dobitë e Dhikrit-Përkujtimit

Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun, zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen.” (Rad, 28)

Disa nga dobitë e dhikrit-përkujtimit:

  1. I jep fytyrës shkëlqim në këtë botë dhe dritë në botën tjetër.
  2. Është siguri nga dyfytyrësia, ngase hipokritët e përmendin shumë pak Allahun.
  3. Është ushqim për zemrën dhe shpirtin.
  4. Dhikri i shpeshtë largon nga përgojimi, bartja e fjalëve, gënjeshtra, gjërat e fëlliqura dhe ato të kota.
  5. E bën njeriun të lumtur.
  6. Ka një kënaqësi të veçantë në mesin e të gjitha veprave të tjera, që nuk i përngjan asgjë.
  7. Shlyen gabimet (mëkatet) ngase është nga veprat më të mira, ndërsa të mirat i shlyejnë të këqijat.
  8. Sjell riskun (furnizimin).
  9.  Ndriçon fytyrën dhe zemrën.
  10. Mbjell afërsinë me Allahun e Madhëruar.
  11. Është mur (pengesë) mes njeriut dhe xhehenemit.
  12. Është dritë për njeriun në këtë botë, në varr, dhe në botën tjetër. Nuk ka diçka që i ndriçon zemrat dhe varret më mirë sesa dhikri.

Sot bota ballafaqohet me depresione dhe trauma të llojllojshme të cilat shpien edhe drejt vetëvrasjeve. Që të kalojmë një jetë sa më të lumtur, ne kemi nevojë të kemi lidhje të forta me hyjnoren, me Zotin dhe me Krijuesin tonë. Ne kemi nevojë ta adhurojmë Atë dhe t’i lutemi të na ndihmoj. Dhikri si çdo herë por edhe sot luan rol të jashtëzakonshëm për ta kontrolluar dhe për ta tërhequr vërejtjen para traumave dhe depresioneve të jetës moderne.  Nëse ne i përmbushim të gjitha nevojat tona, i plotësojmë elementet paraardhës të lumturisë, por neglizhojmë nevojat e shpirtit, nuk mund të jetojmë të lumtur. Për ta kuptuar se cilin e duam më së shumti në këtë botë atëherë duhet të shikojmë se kënd e përmendim më shumë. Të duash dhe mos ta përmendësh është gënjeshtër-rënë, ndërsa të përmendësh e mos të duash është Hipokrizi- dyfytyrësi.

Një dit kur do të ballafaqohesh me një dert-problem të madh të kësaj bote, mos u kthe kah Zoti dhe të thuash: O Zot! kam një problem të madh. Por kthehu tek Problemi dhe thuaj: “O problem! Unë kam një Allah i cili është më i madhi dhe kur e përmendi më bëhet Vekil (kujdestari) i im në çdo punë.”

Artikuj të ngjajshëm

error: