Ne suren Maide ajeti 90 Allahu Fuqiplotë thotë: “O ju që keni besuar! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!”
Jemi dëshmitar për marrjen hove të një dukurie shumë te keqe që moti e ka përfshirë qytetin tonë e ato jane lojërat e fatit, e në veçanti Kazinot numri të cilëve është shumë i madh. Bixhozi si një dukuri negative është rrezik për pasurinë, familjen, shoqërinë rrethin dhe qytetin tonë. Bixhozi shkatërron të gjitha virtytet e frytshme dhe çdo gjë që është njerëzore tek njeriu. Ai i robëron njerëzit dhe ndalngadal i largon nga rruga e drejt duke i cuar drejt humneres.
Feja islame shumë herët i ka shpallur luftë kësaj dukurie duke e bërë haram. Bixhozi e pushton njeriun psiqikisht dhe ia merr tërë kujdesin, e dalldis atë dhe në njëfarë mënyre, e deh porsi alkooli. Bixhozi u shkakton njerëzve entuziazëm të tepruar e të dëmshëm, zhgënjim, urrejtje të ndërsjellë, edhe kjo është e ndaluar dhe mëkat i madh (haram). Me fjalën bixhoz nënkuptojmë cdo lojë të fatit (lojërat të cilat luhen me para) që zhvillohet nga ana e partnerëve duke deponuar pasuri, me qëllim të përfitimit në dëm të njëri-tjetrit Çdo lojë që luhet me kusht konsiderohet bixhoz, e kjo në Kur`anin famëlartë rreptësisht ndalohet.
Për fat të keq sot në çdo lagje të qytetit tone si dhe pothuajse nëpër çdo fshat kemi vende të bixhozit gjegjësisht Kazino. (Per te qene tragjedia me e madhe keto Kazino jane hapur pothuajse afer cdo shkolle qofshin ato shkolla fillore te mesme apo fakulltete.)
A nuk do të ishte më mirë që këto para që po harxhohen nëpër këta lokale, të shpërndahen fukarave, jetimëve ose ndonjë nxënësi i cili është talent por nuk ka mundësi financiare për shkollim. Ose të hapim ndonjë bibliotekë ku rinia jonë kohën e lire do ta harxhonte duke lexuar e studiuar libra nga më të ndryshmet. Allahu Fuqiplotë bixhozin e ka ndaluar sepse ajo është në dëm të personit si dhe në dëm të shoqërisë në përgjithësi. Bixhozi është bë shkaktar i armiqësisë ndërmjet njerëzve, shkakton përçarje, idhnime si dhe më në fund edhe vrasje në mes veti.
Bixhozi si mëkati i madh sipas Islamit, përveç fjalëve kur’anore, duket qartë, edhe nga disa hadithe. Kështu, sipas një transmetimi, Muhamedi a.s thotë: “Kush e fton shokun: “Eja të luajmë kumar, duhet të jap sadaka”, Kjo do të thotë: Nëse njeriu ka vendosur, është nisur ose e ka ftuar dikë, për të luajtur bixhoz, duhet të pendohet menjëherë dhe të heqë dorë nga kjo dhe si pjesë përbërëse e pendimit duhet të ndajë sadaka (lëmoshë). Pra Muhamedi a.s nuk thotë se kush luan kumar, por thotë kush i propozon shokut të luaj kumar duhet të jap sadaka e mos të flasim për atë i cili luan kumar.
Çka shpresojnë ata njerëz të cilët fitojnë bukën për mes këtij harami? Le të mos mendojnë se Allahu xh.sh do t`ju jap bereqet në këtë pasuri dhe le ta din se kjo pasuri kurdo kurdo do tju asgjësohet.
Asnjëherë nuk është vonë që ti largohesh këtij vesi të keq që është sikur kanceri e cila e ha përbrenda shoqërinë. Pendohu dhe merr mësim nga ajetet dhe hadithet duke e pastruar veten familjen shoqërinë dhe qytetin në të cilën jeton.
Mendoj se është koha ta ngremë zërin dhe tu themi stop këtyre dukurive negative duke ju bërë apel institucioneve kompetente që të marrin masa për parandalimin e hapjes se ketyre kazinove ne vendbanimet tona ku jetojmë, ose të mundohemi t’ia parandalojmë vetes tonë por edhe të afërmve shkuarjen nëpër vende të këtilla ndoshta së paku edhe kjo do të rezultojë në mbylljen e këtyre vendeve.
Andaj t’i përvishemi punës së ndershme, ta ndihmojmë njëri-tjetrin në të gjitha zhvillimet që na çojnë përpara dhe të bëhemi urë lidhëse dhe bashkëpunimi për të ndërtuar mirëqenie ekonomike larg nga bixhozi.
E lusim Allahun xh.sh që rinin tone ta udhëzoj në dritën e islamit, ta mbroj prej haramit, si dhe prej intrigave të shejtanit.
Shkruan: Bekim ef. Demiri