You are here
Home > Kolumna > Ramazani formues personaliteti

Ramazani formues personaliteti

Shkruan: Xhemil ef. Sadiki

O ju që besuat, agjërimi (saum) u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (Bekare, 183).
Ramazani është Muaji i respektimit të kufijve që ka vendosur Allahu Fuqiplotë. Muaji i bekuar i Ramazanit u ofron muslimanëve mundësinë për të arritur vetdëdijen e përgjegjësisë, devotshmërinë ndaj Allahut xh.sh dhe duke ngjizur në shoqëri solidaritetin social dhe vetëdijen e durimit, pra duke “edukuar vullnetin” në njëfarë mënyre, formon personalitetin e besimtarëve dhe u tregon atyre rrugët për t’u bërë besimtarë të mirë.

Termi “Ramadan” rrjedh nga fjala “ er-ramda” që ka kuptimin e “shiut që bie në fund të verës dhe e pastron tokën nga pluhurat”, ose buron nga fjala “er–ramad” me kuptimin “përvëlimi i gurrëve nga rrezet e diellit.” Ashtu si ky shi që e pastron tokën; apo ashtu sic ua djeg këmbët vendi i nxehur atyre që ecin mbi të, po ashtu edhe muaji i Ramazanit i pastron, i djeg dhe i zhduk njollat e mëkateve të besimtarit.

Fjala Ramazan nëpërmjet Islamit ka fituar kuptime krejtësisht të reja. Kur përmendet kjo fjalë, na sjellë në mend një epokë të bekuar dhe një klimë të plotë qetësie dhe paqeje. Gjatë këtij muaji muslimanët si shoqëri përfshihen në dendësinë dhe emocionin e adhurimeve. Sepse Ramazani është një periudhë e bekuar, në të cilën piqet dija, besimi, adhurimi, morali, solidarizimi dhe vllazëria mes tyre. Muslimani në këtë periudhë shqyrton dhe rishikon raportet e tij me Zotin xh.sh, me vllezërit e tij, me vetveten si dhe me djallin e mallkuar. Pas një aktiviteti intensiv edukues që vazhdon një muaj të tërë ditë e natë, ai del nga ky muaj më i fortë dhe më i pastërt.

I dërguari i Allahut s.a.v.s, në lutjet e tij e shprehte hapur dëshirën e tij për të arritur muajin e Ramazanit. Sic përcjell Enes b. Maliku, kur hynte muaji Rexheb, i Dërguari i Allahut lutej kështu: “Zoti ynë! Na i beko muajt Rexhep dhe Shaban dhe na mundëso të arrijmë muajin e Ramazanit.”

Sado që muaji i Ramazanit është përcktuar si muaj i bekuar nga Allahu i lartëmadhërishëm, perfitimet nga bekimet e tij janë lënë në dëshirën dhe vullnetin e muslimanit. Për atë që e shfrytëzon, Ramazani është një stinë e pashoqë korrjesh, një klimë pastrimi material dhe shpirtëror. Kurse për atë që e arrin muajin e Ramazanit dhe nuk ia di vlerën, do të jetë një mundësi e humbur, madje edhe mëkat. Muaji i Ramazanit është bolluk, gosti e shpërblim, është delikatesë, është adhurim, mëshirë, falje. Poashtu ky muaj është devotshmëri, është mbrojtje për shpirtin, mirëqenie, qetësi, paqe, ngopje, pejkuri.

Muaji i Ramazanit është vëllazërim, solidarizim, dhe ndarje e të mirave. Muaji i Ramazanit do të thotë të kuptosh vlerën e mirësive duke qëndruar përkohësisht larg nga ngrënia dhe pirja si dhe përkujtim i detyrës së falënderimit ndaj dhuruesit të këtyre mirësive, ndaj Allahut të lartmadhërishëm. Në këtë muaj të shtrenjtë është mundësia më e mirë për t’u dhënë fund zakoneve të këqija dhe shansi i mirë për të hapur faqe të reja drejt të mirës dhe të bukurës.

Muaj i bekuar i Ramazanit është qytetërim, është një botëkuptim. Nuk është thjesht një muaj në të cilin frenohet epshi ynë, por është një mobilizim intensiv ku kujtohen dhe mbrohen të varfërit, nevojtarët, të pastrehët, të urriturit, bonjakët, të dëshpruarit e të braktisurit.

Dhe si të gjitha ditët e numëruara, edhe këto ditë gëzimi kalojnë shumë shpejtë. Lus Allahun Fuqiplot që të gjithë besimtarët ku do që gjinden t’ua pranojë agjërimet, namazet dhe lutjet me shpresë se janë pastruar, janë mbrojtur nga mëkatet dhe kanë fituar shpëblime nga njëra anë, dhe me shqetësimin se a thua vallë do ta arrijnë Ramazanin tjetër.

Artikuj të ngjajshëm

error: