Përkujtimi i 81 vjetorit të leximit të hatmes ditore në xhaminë e Saatit Me rastin e 81 vjetorit të leximit të hatmes ditore në xhaminë e Saatit, për shkak të situatës së krijuar dhe gjendjes së jashtëzakonshme u realizua një program modest, me karakter përkujtimi. Në këtë përkujtim morën pjesë: Myftiu i Tetovës me kolegët e tij nga Myftinia, hoxhallarët e xhamisë, mutevelliu dhe disa xhematë të xhamisë së Saatit. Programi filloi me leximin e disa pjesëve të Kur’anit nga ana e hoxhës së nderuar gjegjësisht, referentit për arsim fetar pranë Myftinisë së Tetovës, hfz. Abdurahim ef. Murati. Në vazhdim nga ana e referentit për kulturë, Dr. Husein ef. Rizai u lexua historiku i hatmes ditore në dy gjuhë: shqip dhe turqisht. Ndërsa para se të bëhet duaja e hatmes u lexuan suret e shkurtra nga imami i xhamisë, hfz. Havzi ef. Ramadani dhe mualimi-muezini i xhamisë Ali ef. Abdullai. Në fund të programit u bë duaja e hatmes nga referenti për arsim pranë Myftinisë së Tetovës, Mr. Xhemil ef. Memedi.