You are here
Home > Kolumna > Në përkujtim të ditës botërore të Autizmit – Shkruan: Dr. Husein Rizai

Në përkujtim të ditës botërore të Autizmit – Shkruan: Dr. Husein Rizai

“Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, por ti përgëzoji durimtarët.”  (El-Bekare, 155)

Njeriu në këtë botë nuk mund të jetë gjithmonë i lumtur. Përkundrazi një ditë është i gëzuar dhe një ditë tjetër është i hidhëruar. Ai përballet me probleme shpirtërore, fizike, familjare dhe shoqërore. Megjithatë, për besimtarin e gjithë çështja e tij është e mirë, sepse nëse atë e godet ndonjë e keqe, ai bën durim dhe kjo është një e mirë. Gjithashtu edhe nëse i vjen ndonjë e mirë, ai falënderon Allahun dhe kjo është përsëri diçka e mirë për të.

2 prilli njihet si dita botërore e ndërgjegësimit mbi Autizmin,  si rrjedhojë në vazhdim do të bëjë një analizë të këtij grupi të njerëzve për të dhënë një pasqyrë se si islami i trajton këta  njerëz.

Autizmi është çrregullimi bioneurologjik të trurit. Autizmin mund ta njihni te fëmijët te të cilët vërehet që shprehin komunikim dhe ndërveprim të dobësuar me të tjerët. Njerëzit e prekur nga spektri i autizmit shpesh kanë një shtrirje të kufizuar interesimesh, shfaqin mënyra të sjelljeve të përsëritura si dhe reaksione specifike në mjedisin dhe rrethanat e përditshme. Këta persona, për nga pamja e jashtme fizike, nuk kanë pamje më ndryshe se personat e tjerë. Njerëzit me autizëm nuk kanë aftësi të kufizuara fizike dhe pamja e tyre është si çdo person i zakonshëm. Për këtë shkak, është vështirë të krijohet më shumë dijeni dhe mirëkuptim për këtë gjendje.

Sipas shkencëtarëve, njerëzit autistë zakonisht kanë prirje të veçanta në lëmi të ndryshëm, prandaj inkurajimi dhe përkrahja për t’i zhvilluar më tej aftësitë e tyre ndikon pozitivisht në largimin e energjisë negative që mund ta kenë ata.

Islami është fe, programi i së cilës synon gjithëpërfshirjen në çdo aspekt. Nga këtu, kuptojmë se në shoqërinë islame nuk ka njerëz të diskriminuar, shkelur e anashkaluar, pa marrë parasysh se çfarë kategorie përfaqësojnë ata. Në shoqëritë e mëhershme, këta persona konsideroheshin si njerëz të cilët jepnin imazh të keq edhe familjes por edhe shtetit, ndaj, fëmijët me të meta vriteshin që në vegjëlinë e hershme sikurse zhdukeshin ata që ishin të paaftë fizikisht për punë. Arsyet të këtyre veprimeve ishin të përqendruara në një logjikë të prishtë. Ata konsideroheshin se ishin të mbizotëruar nga djalli, se janë të ndyrë dhe se, meqë shoqëria nuk përfiton prej tyre, atëherë ata nuk meritojnë të jenë barrë e saj.

Islami këtë logjikë e quajti besëtytni, këto parime i quajti pashpirtësi, këto vlera i quajti antivlera, dhe si reagim, solli ligje, norma e parime, që barazojnë këtë pjesë të shoqërisë me pjesën tjetër. Njeriu, që veten e konsideron si halife në tokë, paralel me këtë privilegj ka edhe përgjegjësinë e mbarëvajtjes së rendit në tokë. Ndaj, nëse ai është urdhëruar që të ketë mëshirë e kujdes edhe ndaj kafshëve, e ku mbeti kujdesi dhe vlera për njerëzit të cilët All-llahu ka desht që të lindin ose me kalimin e kohës të bëhen ashtu. All-llahu xh.sh. thotë: ”Më afër Allahut është ai që është më i devotshëm”, edhe Muhammedi a.s. thotë: “Vërtetë Allahu nuk shikon në fizionominë tuaj dhe në pasurin tuaj, porse Ai i shikon zemrat dhe veprat tuaja”.. Nëse e shikojmë të dashurin tonë Muhammedin a.s. se si ai e trajtonte këtë problem do të shohim se një ditë ai ftohet nga një grua me të meta, grua që liderët e sotshëm as që do të qanin kokën për të, ndërsa ai i përgjigjet kërkesës së saj dhe ia përmbush nevojat të cilat i kishte. Ajetet dhe tradita e pejgamberit qartë tregojnë se kjo jetë është kalimtare kështu që nëse këtu nuk je i kompletuar, nuk është diç e madhe në krahasim me mungesën në ahiret, Më konkretisht, njeri me të meta këtu e atje është ai që nuk ka besim e moral. Thotë Allahu i Madhëruar: “Pse në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor”. (El Haxh, 46)

Krahas kësaj, njerëzit e sprovuar në këtë bote, i ka garantuar me privilegj në botën e ardhme. Muhammedi a.s. në një hadith kudsi ka thënë: “(Thotë Allahu i Madhëruar) Nëse robit Tim ia marr dy fisniket e tij (dy sytë) e ai bën durim, nëse më falënderon për këtë, Unë nuk pranoj t’i jap shpërblim tjetër përveç Xhennetit” .

Në anën tjetër islami e ka ndaluar talljen me ta duke ua bërë me dije se i tallur dhe i përqeshur është hipokriti e dyfytyrëshi. Thotë Allahu i Madhëruar: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, (El Huxhurat, 11) Pra, i shëmtuar e për tu përqeshur e tallur me të është ai që është hipokrit.

I lutem Allahut xh.sh. që Islami të depërtojë deri në thellësitë e shpirtit tonë, dhe sjelljet tona të reflektojnë atë që është origjinale e burimore e tij.

Artikuj të ngjajshëm

error: