You are here
Home > Kolumna > Morali në Islam – Beqir Memeti

Morali në Islam – Beqir Memeti

Beqir Memeti
Morali në Islam

Çdo rend juridik dhe shoqëror do të humbte rëndësinë dhe vlerën e vet praktike pa njerëz të formuar moralisht, pa njerëz të sinqertë dhe të drejtë, pa njerëz të ndërgjegjshëm dhe qëllimmirë, të sjellshëm dhe të kujdesshëm. Kulturat më të mëdha botërore, në kohën e moralit të shëndoshë, në paqe dhe luftë, me mjete të vogla materiale qenë të afta për vepra të mira, kurse në kohën e degjenerimit moral, me mjete të mëdha materiale nuk qenë të gjendje të plotësojnë nevojat normale.
Pajisja me moral dhe edukatë të mirë ka qenë dhe vazhdon të jetë një temë e rëndësishme në jetën e njeriut. Gjatë historisë kanë ekzistuar njerëz të shumtë të cilët kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme në rrugën e përhapjes së edukatës dhe moralit në mesin e njerëzve tjerë. Shumë të dhëna dhe eksperienca aktuale na bëjnë me dije për domosdoshmërinë e përforcimit të mësimeve morale në shoqëri. Për arsye se shumëllojshmëria e kombeve, etnive dhe kulturave kërkon një qasje më serioze ndaj rregullave dhe parimeve morale me qëllim parandalimin e kaosit dhe shthurjes së gjeneratave të reja. Shthurja dhe amoraliteti i shoqërisë shkakton probleme të paevitueshme në shoqëri dhe në këtë mënyrë mund të bie edhe vlera e jetës së njeriut dhe ajo mund të shndërrohet në sulme nga të gjitha anët. Në këtë mes, roli i edukatës dhe moralit në fetë hyjnore, sidomos në fenë islame është shumë i lartë sa që përshkruhet edhe si sigurues i lumturisë së njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër. Misioni parësor i të dërguarve të Zotit, ndër ta edhe i. Muhammedit s.a.v.s. ishte përsosja e moralit dhe edukatës në shoqëri, të cilin Zoti e quan ‘shkallë të larë morali’[ dhe atë njerëzve ua prezanton si ‘shembullin’ më të mirë.
Etika islame, si sistem fetaro-moral, ka parimet e veta permanente, të qëndrueshme, të cilat i japin stabilitet dhe parimet suplementare, të cilat i japin elasticitetin e nevojshëm dhe e harmonizojnë me kushtet konkrete dhe rrethanat e çdo vepre. Parimet e përhershme bazohen në dispozitat kur’anore dhe sunnetike, kurse ato suplementare në arsyen dhe ndërgjegjen, të cilat në veprimin unik rrisin vitalitetin e sistemit, që në raport me sistemet e tjera, vjen në shprehje sidomos në parimin e universalitetit dhe të solidaritetit, tolerancës dhe qëllimit të mirë, si kriter më i lartë i moralit dhe i veprimit njerëzor. Ahlaku është jashtëzakonisht i rëndësishëm për fenë. Muhammedi a.s. për ahlakun në një hadith thotë: “Shumica e njerëzve do të hyjnë në xhennet nga devotshmëria (takvallëku) dhe ahlaku i mirë.”
Morali pa fe: Feja pa moral do të mbetej pa vlerën e vet reale dhe do të paraqiste vetëm një varfërim, një aplikim mekanik i ritualeve fetare, pa lidhje me jetën praktike, derisa morali pa fe do ta humbiste sanksionin e nevojshëm për jetën, sanksionin absolut. Morali dhe feja plotësohen në rrugëtimin e tyre deri te individi dhe shoqëria në përgjithësi. Problemi i moralit pa Zot do të mbetet vetëm problem teorik, pa mundësi të verifikimit praktik, sepse historia njerëzore nuk ka shënuar asnjë bashkësi absolutisht joreligjioze. Madje edhe ateistët më të mëdhenj nuk mund të lavdërohen me ateizëm të pastër, sepse nga ndërgjegjja e tyre bartin një dozë religjioni nga e kaluara.
Morali pranë fesë: Mendimi se feja dhe morali janë vlera të më vetësishme, të izoluara dhe të ndara, porse ata duhet të koekzistojnë në mënyrë tolerante dhe jokontraverze, janë të paqëndrueshme, siç është i paqëndrueshëm morali pa fe. Në kundërshtim me tendencat dhe pretendimet e kohëpaskohshme të sistemeve të ndryshme filozofike dhe relikteve të mbetura të feve të shpallura, ka dominuar mendimi se feja dhe morali duhet të ecin tok njëri me tjetrin, e jo njëri pranë tjetrit. Edhe Volteri në fund të jetës së tij, edhe Kanti, por edhe filozofë të tjerë kanë mbështetur ecjen e moralit dhe të fesë së bashku. Morali është te njeriu, por nuk është nga njeriu, sepse po të ishte morali nga njeriu, nuk do të mund të flisnim për të mirën dhe të keqen, por vetëm për dobinë dhe dëmin, interesin dhe jointeresin, pëlqimin dhe mospëlqimin. Nga parimi i moralit fetar, njeriu jofetar nuk bën mirë, por bën vepra kalimtare momentalisht të dobishme.
Morali në fe: feja dhe morali i japin zemër dhe e motivojnë individin për vepra të mira edhe kur këto vlera ai nuk i pranon as në rrafshin teorik as në aplikim praktik. Feja dhe morali pengojnë nga e keqja dhe e liga edhe atëherë kur askush nuk ndëshkohet. Hasan El-Benna, e quante moralin strumbullar të ndryshimeve shoqërore dhe shkop reformator, duke aluduar në shkopin që ndërron drejtimin, për t’u shprehur me gojën e poetit “Ji i sigurt se atdheu nuk është ngushtuar nga banorët e vet, por morali i banorëve të vet është ngushtuar.” Morali në fe nënkupton që marrëdhëniet e njeriut me Zotin të manifestojnë dashurinë dhe nënshtrimin, besimin e plotë dhe ndershmërinë, paqen, rehatinë dhe aktivitetin. Këto marrëdhënie duhet të manifestojnë edhe përzemërsi ndaj të afërmit, kujdes ndaj fqinjit, respekt ndaj pleqve dhe mirëkuptim e mëshirë ndaj të rinjve, përkujdesje ndaj të sëmurëve, të varfërve, simpati ndaj të dëshpëruarve dhe shpresë e lumturi ndaj të pashpresëve etj.
Morali dhe feja: Nuk ekziston asnjë trajtë religjioni që do të privonte lidhjet me pikëpamje të caktuara morale. Kjo lidhje morale është më intensive në disa religjione, kurse në disa të tjera më e zbehtë, e megjithatë ekziston në të gjitha trajtat religjioze. Mësimi islam thotë se feja/besimi (ed-dinu/el-imanu) dhe morali (el-ahlaku) janë dy segmente të një raporti unikal të njeriut ndaj botës dhe jetës. Kjo lidhshmëri e fesë dhe e moralit në Islam manifestohet në maksimën aq karakteristike kur’anore që “të besohet dhe të bëhen vepra të mira”.Me fjalë të tjera, morali është i mundur vetëm nëse ekziston domethënia më e lartë, domethënia tjetër e jetës njerëzore nga ajo e mbyllura në kufijtë e materies, hapësirës dhe kohës, nga ajo që manifestohet në dimensionin natyror, biologjik të jetës njerëzore. Kjo do të thotë se morali islam, si ide dhe si sistem vlerash, mund të zë fill vetëm në botëkuptimin fetar.
Morali dhe dituria: Morali dhe dituria nuk janë në raporte të ngushta, madje përjashtohen ndërmjet tyre. Derisa morali vepron në sferën e lirisë njerëzore, në horizontet intime të shpirtit, në shkaqet dhe mundësitë e pakapshme të vullnetit, në rrafshin e vetëdijes, të personalitetit, në hapësirën e raporteve ndërmjet njerëzve, në botën e brendshme të qëllimeve, dëshirave dhe përpjekjeve, shkenca, respektivisht dituria, vepron, preokupohet me hulumtimin teorik dhe empirik të fakteve në rrafsh të materialitetit, sasisë, kauzalitetit dhe entropisë së botës. Kjo do të thotë se dituria, pra shkenca nuk mund të argumentojë shkencërisht se diçka është e mirë apo e keqe, se diçka bën të flitet e të veprohet e diçka jo. Ndryshe nga dituria në fetë dhe sistemet e tjera, dituria në islam duhet të zhvillohet në pajtim me parimet morale. Këtë Allahu i madhëruar e konfirmon me fjalët e tij “Lexo në emër të Krijuesit tënd. …” (El-Alek,1-5). Me këto pesë ajete të sures El-Kalem është vendosur themeli i raporteve ndërmjet njeriut, natyrës, diturisë dhe Krijuesit, duke ofruar zgjidhjen në konceptin e raporteve njeri-shkencë me futjen e cakut dhe kuptimit, pikëmbështetja e të cilave qëndron jashtë njeriut dhe jashtë shkencës. Shkenca në vetvete nuk është cak, por instrument i tevhidit dhe i njohjes. Gjatë historisë së mendimit njerëzor janë spikatur veçanërisht dy tema: Zoti dhe njeriu. Pretendimi që dituria të flasë dhe të preokupohet me temën për Zotin dhe njeriun do të rezultojë negativisht, sepse të vërtetat më të mëdha për Zotin, por edhe për njeriun, nuk do t’i gjejmë në biologji, fizikë, astronomi, psikologji, madje as në teologji. Këto të vërteta do t’i gjejmë në librat e shenjtë të feve qiellore
Dituria pa religjion dhe etikë është synim në vetvete dhe vë në rrezik jetën e njerëzve. Dituria dhe morali ne islam janë dy synime dhe themi se edhe fjalët e para te Kur’anit famëlartë që zbriten po ne këtë muaj janë :اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ “ Lexo ne emrin e Krijuesit qe te krijoi”….” (El-Alek,1-2). Duke be një lidhje ne mes njeriut, shkencës dhe krijuesit , dhe me këtë kuptohet se shkenca ne vete nuk është cak apo qellim por është mjet për te arritur deri tek e vërteta-qëllimi. Alija Izetbegoviqi Zoti e mëshiroftë ne librin e tije “ Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit thotë: Kultura apo civilizimi është rezultat i të arriturave të dorës së njeriut, civilizimi e bënë me efikas jetën e njerëzve. P.sh. mjetet e udhëtimit, mjetet e komunikimit, etj , nese ne ta nuk ka moral atëherë ata nuk do të jenë të dobishme për shoqërinë por do të jenë shkatërrim për njerëzimin. Ne këtë prizëm edhe profesor Ahmed Davutoglu thotë: Shkatërrimi i qytetërimit vjen si pasojë e çoroditjes së besimit dhe moralit, në këtë rast humbin ndjenjat e përgjegjësisë.
Morali i Muhamedit a.s: Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun” (Ahzab:21). Përmes këtij ajeti Allahu i lartëmadhërishëm i drejtohet besimtarëve islam me një mesazh dhe porosi të qartë, se besimtarët islam për model dhe shembull të jetës së tyre gjithnjë duhet ta kenë të dërguarin e Allahut (s.a.v.s). Shokët e Pejgamberit (s.av.s.) kësaj çështje i përkushtonin kujdes të madh, andaj edhe ishin të interesuar që të dinin çdo detaj nga jeta e Pejgamberit a.s., dhe për këtë arsye ata kishin pyetur edhe Aishen r.a., bashkëshorten e Pejgamberit a.s. për jetën e tij, sjelljet dhe edukatën e tij brenda në familje, ajo ka thënë:Edukata e tij ishte Kur’ani. Pejgamberi s.a.v.s ishte dhe do të jetë pasqyrë e atyre muslimanëve që besuan në Allahun xh.sh., në të dërguarin e Tij, besojnë në botën tjetër dhe shpresojnë në mëshirën e tij, dhe janë të vetëdijshëm se përgjegjësinë e të gjitha veprave dhe sjelljeve që i kanë bërë në këtë botë. Se cilat ishin sjelljet dhe veprimet e të dërguarit të Allahut (s.a.v.s) gjatë muajit të Kur’anit, muajit të Ramazanit, më së miri na tregon një hadith i transmetuar nga Ibni Abasi r.a. i cili thotë : ”Pejgamberi a.s. gjithherë ishte më dhuruesi (bujar-shpirtmadh) prej njerëzve, por, edhe më dhurues, më bujar ishte gjatë muajit të Ramazanit, kur takohej me Xhibrilin a.s . Me të takohej për çdo natë gjatë Ramazanit dhe mësonte Kur’an, e Pejgamberi a.s. ishte më dhurues në mirësia sesa era (fryma ) e dërguar.” Për shpirtgjerësinë, bujarinë, moralin dhe humanizmin e Muhamedit a.s. gjatë tërë jetës së tij e veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit, diskutuan dhe e përshkruan shumë dijetarë, porse në këtë rast do të ishte interesant të potencojmë se si një një poet arab e përshkruan Muhamedin a.s. në poezinë e tij me këto fjalë : “Nuk tha JO asnjëherë, përveç në dëshminë e tij Sikur të mos ishte dëshmia, atëherë shprehja JO do të ishte PO.”
Virtyt (el-fadileh – arab./virtus, lat.) – burrëria, në kuptimin terminologjik do të thotë “tipar pozitiv i karakterit dhe i vullnetit të njeriut”, prirje konstante drejt së mirës, së drejtës dhe së moralshmes, prirje konstante e vullnetit të individit drejt së mirës, së drejtës dhe së vullnetshmes … prirje kjo që brendapërbrenda një morali të caktuar, çmohet, respektohet, lavdërohet dhe dëshirohet.”Dijetarët ndajnë mendimin rreth perceptimit të virtyteve. Por, tri kategori janë më të theksueshme: 1. Virtytet fetare, 2. Virtytet individuale dhe, 3. Virtytet shoqërore. Në mesin e virtyteve më të rëndësishme për të cilat flitet në Kur’an dhe në Hadith, virtyte këto që në masën më të madhe e kanë karakterizuar Pejgamberin Muhammedin a. s., por edhe shokët e tij dhe të gjithë besimtarët e mirë, bëjnë pjesë: drejtësia, mirësia, modestia, mëshira, durimi, këmbëngulja, falënderimi, shpresa, kënaqësia, mbështetja në Zotin, bujaria, gatishmëria që të fitohen miq të rinj dhe të ruhen miqtë e vjetër, mirësia dhe dhembshuria ndaj qenieve të gjalla, sinqeriteti, falja, përgjegjësia për kohën, për detyrimet e marra, shëndeti, pasuria, dashuria ndaj familjes, farefisit, diturisë, punës, xhematit, vendlindjes dhe pastërtisë etj.

Artikuj të ngjajshëm

error: