Manifestimi me rastin e hyrjes së Muajit të Bekuar të Ramazani Sherifit, në Xhaminë e Pashës.
Me rastin e hyrjes së muajit të bekuar Ramazani Sherifit, më 23.04.2020 (e enjte), BFI – Myftinia e Tetovës pas namazit të drekës, organizoi manifestim fetar online-drejtpërdrejt në Xhaminë e Larme/Pashës. Në manifestim morën pjesë: Myftiu i Tetovës, Prof. Dr. Qani ef. Nesimi, Imami i xhamisë së Pashës, hfz. Abdulbaki ef. Kasami, Imami i xhamisë së fshatit Kamjan, Hamdi ef. Izairi, Imam i xhamisë së fshatit Përshevcë, Shaban ef. Asani, Imam i xhamisë së fshatit Llërcë, Besim ef. Memedi, Imam i xhamisë Saatit, hfz. Havzi ef. Ramadani, studenti hfz. Mujdin Limani, dy nxënës nga medreseja “Isa Beu”, hfz. Xhelil Havziu dhe hfz. Bekim Havziu dhe anëtarët e këshillit të xhamisë.
Në manifestimin i cili u realizua Oline-drejtpërdrejt na faqja e Myftinisë së Tetovës, u prezantua një program fetaro-kulturor. Programi filloi me lexim të Kur’anit Famëlartë dhe vazhdoi me mevlud, ilahi dhe kaside të kënduar nga nxënësit.
Myftiu i Tetovës për hir të fillim të muajit të bekuar të Ramazani Sherifit, mbajti fjalën e rastit ku foli mbi vlerën dhe rëndësinë e Ramazanit dhe ibadeteve që do t’i bëjmë gjatë këtij muaji. Në fund të fjalimit të tij të gjithëve ua bëri për hajr fillimin e Ramazanit, duke e lutur Allahun Fuqiplotë që sa më shpejt të kalojë kjo gjendje që përsëri t’i kthehemi xhamive dhe jetës normale. Pas këndimit të asheres nga ana e Shaban ef. Asani, duanë e këtij manifestimi e bëri Hamdi ef. Izairi.
BFI-Myftinia e Tetovës