بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ
إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ
“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” ( Hixhr, 15:9)
I nderuari xhemaat, vëllezër e motra muslimane ju përshëndes me përshëndetjen e ngrohtësisë së zemrës:
Esselamu Alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu.
Vëllezër dhe motra të respektuara,
Ne jetojmë në një kohë në të cilën përballemi me sfida të ndryshme të kohës. Sidomos kjo gjeneratë e re apo moshatarët e këtyre fëmijëve që sot na kënaqën me leximin e Kuranit, recitimin e vjershave dhe këndimin e ilahive të ndryshme, janë ballë për ballë me sfida të ndryshme, duke filluar prej telefonave celularë dhe internetit që i bartin me vete e deri në intrigat e ndryshme të rrugës dhe shoqërisë së shthurur bashkëkohore. Këto sfida mund të tejkalohen vetëm me një identitet të fortë. Prindi nuk ka mundësi që rregullisht ta ndjek fëmijën e tij. Pasi fëmija shkon në shkollë, del në rrugë, shëtit me shokët etj. Por mbushja metafizike e tij mund ta kontrollojë atë. Pra nëse e ka të fortë identitetin e tij fetar-e ka imanin e tij të fortë-, ai mund t’i përballojë sfidat, ti thotë “stop të keqes”. Nëse prindi fëmijës së tij ia blen librat për shkollë, e vesh, e mbath si dhe i jep edhe para për ushqim, kjo është gjysma e punës. Gjysma tjetër ka të bëjë me edukimin e tij fetar dhe shpirtëror dhe lutje ndaj Allahut që ta ruaj atë.
I dashuri xhemaat,
Janë dy komponenta më të rëndësishme që e përbëjnë identitetin e njeriut: gjuha, që domethënë zgjatje kulturire dhe qytetërimore brenda të dukshmes dhe feja, që domethënë dimensioni metafizik shpirtëror. Këtu nuk dua të flas për gjuhën gjërësisht, por vetëm dua të potencoj se gjuha është çështje kombëtare, shoqërore dhe lokale. Ndërkaq unë dua ta tërheq kujdesin e të gjithë neve dhe të përqëndrohem në dimensionin metafizik të identitetit, që ka karakter universal dhe global. Dimensioni metafizik është edhe burimi prej ku buron edhe gjuha e trupit, por prej aty burojnë edhe fjalët e shprehura me zë.
Po ashtu, nuk mund që të mos e them se ndarja e identitetit në fetar dhe kombëtar, nuk më duket në regull. Identiteti është identitet. Nëse unë jam shqiptar me gjuhë, me fe jam musliman. Dhe ky është identiteti im. Dikush tjetër mund të jetë shqiptar me gjuhë me fe ose ideologji tjetër. Dhe ai është identiteti i tij.
Krizat lindin si rezultat i ndotjes shpirtërore, njollosjes së shpirtit, mungesës së identitetit të fortë shpirtëror. Nëse njeriu shpirtërisht është i përlyer, atëherë shumë vështirë e ka të merret me diskursin e krizave tjera. P.sh. tek ne protestohet për krizën e ndotjes së ajrit, që është në regull të protestohet për një gjë të tillë. Por gjithsesi krahas kësaj duhet ta kemi parasysh edhe krizën e shpirit, degjenerimin etik dhe moral dhe humbjen e identitetit human të njeriut. Njeriu që proteston ndaj padrejtësive dhe shkatërrimeve shoqërore dhe fizike duhet të përpiqet ta shpëtojë edhe shpirtin e tij nga kriza shpirtërore. Vërtetë është çekuilibrues fakti që ta margjinalizojmë totalisht shpirtin dhe të përqëndrohemi vetëm në lëndoren, e cila vërtetë është duke na mbuluar në tërësi dhe kemi filluar të mos dukemi fare nga tymi i degjenerimit etik dhe moral.
Shumë i respektuar xhemat,
Njeriu së pari duhet të fillojë me pastrimin shpirtit nga vetja, familja, farefisi përndryshe nuk do të mund ta mënjanojmë të keqen nga të tjerët. Pra nëse e keqja jemi ne atëherë nuk ka dyshim nuk mund ta pastrojmë atë nga të tjerët.
Kjo hatme e këtyre fëmijëve si dhe iniciativa e prindërve të tyre tregon se këta përgatiten të jenë më të pastër metafizikisht, pikërisht ashtu sikur që është përgatitur Hz. Ademi, Hz. Ibrahimi, Hz. Muhamedi a.s. me traditën e tyre primordiale metafizike. Thënia e njohur në historinë e mendimit islam e qartëson shumë mirë këtë: “Asgjë nuk mund të ngritet lartë, nëse e njëjta nuk ka zbritur më herët nga lartë”. Pra që ne të ngritemi lartë duhet të lidhemi me atë që më herët ka zbritur nga lartë. Gjegjësisht ne pa Kuranin e Allahut nuk mund të lartësohemi, pasi ai ka ardhur nga lartë dhe ka mundësi edhe neve të na tërheq drejt lartësisë morale, etike dhe përkryerjes njerëzore.
Ajeti i lartëpërmendur na porosit: “Ne e kemi zbirtur Kuranin dhe Ne do ta ruajmë Atë”. Ky ajet na tregon qartë se ne mbrojtja e fesë është punë e Allahut xh.sh. por ne jemi të obliguar që të ndritemi me fenë, pasi ajo neve na ndriçon dhe na bën njerëz të vërtetë. Fetari jonë gjithsesi është edhe një shteg që e mundëson hapërimin e sigurtë drejt lumturisë në të dyja botrat të gjeneratave pas nesh. Këta fëmijë këtu, bashkë me prindërit e tyre, përmes kësaj hatmeje e kanë bërë këtë. Kjo ju mbetet që ta bëjnë edhe ata prindër që ende nuk kanë menduar ose janë treguar neglizhent në këtë drejtim.
Allahu Fuqiplotë në një ajet tjetër thotë:
لَهُ مُعَقِّبَاتٌ مِنْ بَيْنِ يَدَيْهِ وَمِنْ خَلْفِهِ يَحْفَظُونَهُ مِنْ أَمْرِ اللَّهِ ۗ إِنَّ اللَّهَ لَا يُغَيِّرُ مَا بِقَوْمٍ حَتَّىٰ يُغَيِّرُوا مَا بِأَنْفُسِهِمْ ۗ وَإِذَا أَرَادَ اللَّهُ بِقَوْمٍ سُوءًا فَلَا مَرَدَّ لَهُ ۚ وَمَا لَهُمْ مِنْ دُونِهِ مِنْ وَال
“Ai (njeri) ka përcjellës një pas një, para tij dhe prapa tij, që me urdhrin e All-llahut e ruajnë atë. All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre. Po, kur All-llahu vendos ta ndëshkojë një popull, atë nuk ka kush që ta zbrapsë. Ata, (njerëzit) nuk kanë mbrojtës tjetër pos Tij..” Kjo tregon se ndryshimi i shoqërisë është detyrë e Allahut. Kurse ne kemi për obligim që ta ndërrojmë veten tonë. Ne nëse nuk e ndryshojmë veten tonë, shoqëria nuk mund të ndryshojë asnjëherë. Kjo nuk bëhet me fjalë, por me veprime konkrete. Pikërisht kështu sikur këta fëmjë që kanë bërë hatme sot.
Të nderuar xhemat,
-Edukimi i fëmijëve ne frymën fetare islame, neve nashpëton nga dy borxhe shumë të rëndësishme. I pari është borxhi ndaj shoqërisë në këtë botë. Dhe i dyti është borxhi ndaj Allahut për të cilin do të përgjigjemi para Tij në Ahiret. Pra nëse fëmija jonë është i përgatitur ai mund të jetë një gurë që do të ketë mundësi të luaj rol të rëndësishëm në ndryshimin e shoqërisë, si dhe në ahiret të jetë një i dashur i Allahut.
I lutem Allahut xh.sh. që të na vetëdijësojë të jemi sa më të përqëndruar në rrugën e tij, ta ndjejmë si duhet përgjegjësinë tonë në këtë botë dhe të jemi të përudhur dhe assesi jashtë udhës.
Për hajr ju qoftë kjo dua hatme fëmijëve, prindërve të tyre, juve xhematë, hoxhallarëve të kësaj xhamie dhe myftinisë në përgjihtësi.
Faleminderit.
22.02.2015, Tetovë.