You are here
Home > Lajme > Ish Myftiu i Tetovës Alifekri ef. Esati pranoi çmimin “Myfti Vehbi Dibra” nga ana e Reisul-Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepi

Ish Myftiu i Tetovës Alifekri ef. Esati pranoi çmimin “Myfti Vehbi Dibra” nga ana e Reisul-Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepi

Bashkësia Fetare Islame e RM dhe figurat e shquara të tij, kanë luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen e vlerave fetare dhe kombëtare të këtij nënqielli. Këto figura me sakrifica të ndryshme me të cilat janë përballur kanë ditur t’u bëjnë ballë furtunave duke mbajtur të ndezur kandilin e dijes për të çuar në vend urdhrin e Allahut xh.sh. për ta ruajt këtë institucion që është shumë i rëndësishëm për besimtarët e këtyre trojeve.
Me rastin e manifestimit tradicional të Hixhretit i organizuar nga BFI-ja ku përpos fjalimeve dhe koncertit me ilahije bëhet edhe ndarja e çmimit “Myfti Vehbi Dibra”, Reisul Ulema i BFI-së H. Sulejman ef. Rexhepi, i dekoron personalitetet e ndryshëm që shquhen si meritorë për avancimin e jetës fetare si dhe në zbutjen e problemeve fetare e shoqërore të myslimanëve të vendit. Njëri prej laureatëve të sivjetëm ishte edhe Myftiu paraprak i Bashkësisë Fetare Islame – Myftinia e Tetovës H. Alifekri ef. Esati.
Alifekri ef. Esati lindi më 23.11.1948 fsh. Përshevcë-Tetovë, kurse shkollën fillore e kreu në fsh. Tearcë-Tetovë. Pas përfundimit të shkollës fillore regjistrohet në shkollën e mesme të Medresesë “Alaudin” në Prishtinë. Me përfundimin e Medresesë regjistrohet në kursin e gjuhës arabe në Siri.


Studimet e larta i vazhdoi në Fakultetin “Bengazi” në Libi – Departamenti Islamik i Sheriatit. Pas përfundimit të fakultetit në vitin 1974 kthehet në vendlindje, ku po në të njëjtin vit angazhohet si vaiz në fsh. Sellcë të Tetovës. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në vitin 1975/6 punësohet si referent për arsim pranë Myftinisë së Tetovës.
Alifekri efendiu prej vitit 1991 deri në vitin 2003 shërbeu si sekretar i Myftinisë, kurse prej vitit 2003 deri në vitin 2015 shërbeu si Myfti i kësaj Myftinie. Gjatë tërë jetës ai ka dhënë kontributin e tij të pakontestueshëm në organizimin dhe afirmimin e vlerave të larta fetare dhe kombëtare në këto vende. Ai ishte i vetëdijshëm për vlerën dhe organizimin e jetës fetare dhe për të arritur sukses u angazhua në disa segmente siç janë:
– këshillimin dhe edukimin e xhematit në përgjithësi,
– edukimin dhe arsimimin e brezit të ri,
– përgatitjen e kuadrit fetar për sfidat e kohës,
– meremetimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve fetare,
– ruajtjen, mbikëqyrjen dhe themelimin e vakëfeve,
– ruajtjen e traditës fetare etj.
Pas 40 vite angazhim në Myftininë e Tetovës, në vitin 2015 Alifekri ef. Esati pensionohet duke lënë pas vete një Myftini të shëndosh me kuadër të mirë dhe objekte të cilat do të jenë në shërbim të shoqërisë.

Artikuj të ngjajshëm

error: