You are here
Home > Lajme > INSTITUCIONALIZIMI I BAMIRËSISË-VAKUFI (Pjesa 1)

INSTITUCIONALIZIMI I BAMIRËSISË-VAKUFI (Pjesa 1)

Doc. Dr. Selver Xhemaili

INSTITUCIONALIZIMI I BAMIRËSISË-VAKUFI
Termi vakuf, i cili përbën njërin ndër konceptet më të rëndësishme të qytetërimit islam dhe që shpreh institucionet e bamirësisë në përgjithësi, rrjedh nga fjala e gjuhës arabe “vakf”, e cila në aspektin  etimologjik do të thotë “me ndalë, me ndaluar, me ndërprerë”, ndërsa në aspektin terminologjik do të thotë, ndërprerja e çfarë do llojit të pasurisë, nga vetë pronari i saj,  prej qarkullimit dhe përfitimit personal dhe  dedikimi apo dhurimi i saj për qëllime bamirësie në dispozicion dhe shfrytëzim të shoqërisë. Imam Muhamedi dhe Ebu Jusufi vakëfin e definojnë si  “pasuri,  pronar i së cilës është Zoti, ndërsa shfrytëzues është shoqëria njerëzore”. (Islam Tarihi, 1993, v. 14, 20-23 )

Në fakt vakëfi është institucionalizimi i bamirësisë me qëllim për t’u dhënë vazhdimësi dhurimit,  ndihmës dhe bamirësisë si shfaqje  të mëshirës, dhembshurisë dhe dashurisë ndaj krijesave për hir të Krijuesit. Institucionalizimi në fjalë është kushtim i një pasurie  Allahut, do me thënë heqja dorë nga pronësia  mbi një pasuri duke siguruar që ajo të përdoret përjetësisht për qëllime shpirtërore. Ky qëllim shpirtëror është  fitimi i pëlqimit të Zotit, duke i trajtuar nevojtarët përkatës me dhembshuri dhe mëshirë. (Topbash, 12)

Në Kuranin famëlart  nuk ekziston ndonjë shprehje që drejtpërsëdrejti do të shpreh termin e vakëfit, megjithatë ekziston një numër bukur i madh i ajeteve kuranore që këshillojnë harxhimin në rrugë të Allahut, dhurimin dhe shpërndarjen e sadakasë ndaj të varfërve, nevojtarëve dhe jetimëve, bamirësinë dhe ndihmën në devotshmëri. Pra një numër i konsiderueshëm i ajeteve këshillon dhe nxitë në punë të dobishme dhe bamirësi. Kështu që në shoqëritë islame, këto ajete kuranore, këto principe islame e kanë përbërë strukturën e botëkuptimeve dhe zhvillimit të vakëfit. Në vazhdim po i theksojmë disa prej tyre:

“…e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfërit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve..” (Bekare/177)

Të pyesin ty çfarë të japin si lëmoshë. Thuaju: “Çfarëdo bamirësie që bëni, ajo le t’u takojë prindërve, farefisit, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarëve. Çfarëdo të mire që bëni, Allahu e di atë”. (Bekare 215).

Të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne” (Bekare /3)

Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kur’an. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore.” (Teube 111)

Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni. Çfarëdo që të ndani, Allahu e di mirë atë.” (Ali Imran 3/92)

Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (Bekare 2/261).

Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” (Bekare/195).

“….Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.” (Maide/2).

Në fjalët dhe praktikën e Pejgamberit a.s. dhe të sahabëve  ekzistojnë plotë shembuj të cilët përbëjnë argumente dhe mbështetje në lidhje me konceptin dhe fillimin  institucionit të vakëfit. Në transmetimet të cilët kanë të bëjnë me temën në fjalë, në vend të termit vakuf, më së tepërmi haset përdorimi i fjalëve sadaka dhe infak. I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kur ndërron jetë njeriu ndërpriten veprimet e tij, për pasoj edhe mirësitë (sevapet) e të gjitha veprimeve, në përjashtim të tre gjërave mirësia e të cilave vazhdon edhe pas vdekjes së tij, e para një sadaka, mirësia e së cilës vazhdon t’iu kontribuojë njerëzve (sadak-i xharije), dituria e lënë pas që iu shërben njerëzve dhe fëmija i dobishëm i cili lutet pas tij për të. (Muslim Vasijje 14).

Dijetarët Islam kanë deklaruar se me sadakanë (lëmoshën, bamirësinë) që vazhdon të veprojë, e cila, në terminologjinë përkatëse, quhet sadakatu’l-xharije (mirësi rrjedhëse), përgjithësisht bëhet fjalë për vakëfin. Sadakatu’l-xharije ose mirësi rrjedhëse quhet lënia, për pëlqim/riza të Allahut, e një vepre që kryen shërbim të vazhdueshëm, të pandërprerë.

Duke i vënë gjithësinë me gjithë çka ka në dispozicion të njeriut, Allahu xh.sh. e ka bërë njeriun përgjegjës. Fëmijët, malli, pasuria, shëndeti janë amanete të lëna njeriut brenda kësaj përmbajtje. Njeriu është i detyruar t’i mbroj këto me rreptësi. Përdorimi i amanetit duke e respektuar atë ashtu siç duhet dhe duke pasur për orientim pëlqimin e Allahut, është nga  pretekstet më me rëndësi për tërheqjen e begatisë hyjnore.

Sipas mësimit islam, përveç Allahut xh.sh. i cili është i amshueshëm (baki),  gjithçka çka është në gjithësi është kalimtare (fani). Allahu është krijuesi i gjithë asaj që është në gjithësi e gjallë qoftë ose jo. Pa dyshim që pronari i vërtetë i të gjitha gjërave të cilët i njohim apo nuk i njohim, i shohim apo nuk i shohim, është Allahu i madhërishëm. Ai është pronar i qiejve dhe tokës. Ashtu siç shprehet poeti Junus Emre në vargjet e mëposhtme, pasuria në kuptim të vërtetë i përket Allahut. Njeriut i është dhënë e drejta e përdorimit dhe administrimit të saj vetëm për një periudhë kohe të caktuar. (Topbash, 16)

“Thonë i zoti mallit, i zoti i pasurisë

Kush është i zoti parë i pasurisë?

Malli, gënjeshtër; pasuria gënjeshtër…

Merru dhe ti pak me to në s’paç punë tjetër!”

Njeriu duhet ta dojë dhe ta adhurojë Allahun xh.sh. shumë, ngase Ai e ka krijuar nga asgjëja dhe i ka dhënë ekzistencë, gjithçka në faqen e dheut e gjallë qoftë apo jo është krijuar nga Allahu i madhërishëm dhe është lënë në shërbim të njeriut. Ata që e duan Krijuesin e lartësuar, i duan edhe krijesat e Tij: njerëzit, krijesat tjera, kafshët dhe bimët. Atributet e bukura në njeriun siç është dhembshuria, mëshira, drejtësia, butësia, bujaria, bamirësia dhe ndjenja e solidarizimit burojnë nga dashuria ndaj Allahut xh.sh. Edhe në thelbin apo themelet e vakëfit qëndron po kjo dashuri. Prandaj vakëfi në një farë mënyre është institucionalizimi i po kësaj dashurie ndaj tjetrit.

Ashtu siç theksuam më lartë përveç Allahut xh.sh. gjithçka është kalimtare në këtë botë, përfshi edhe njeriun. Krahas asaj që njeriu është kalimtarë në këtë botë, në psikologjinë e tij vazhdimisht është e gjallë ndjenja e tij për të jetuar përgjithmonë. Por në këtë botë nuk ka mundësi të jetohet amshueshëm, ngase jeta e kësaj bote është kalimtare. Do të vijë një ditë kur jeta e tij në këtë botë përfundon. Jeta e amshuar është e mundshme vetëm në botën tjetër/ahiret. Prandaj njeriu me mundësitë materiale që posedon në këtë botë duhet të përpiqet dhe të investojë që ta fitojë botën e amshuar. Një dritare e këtillë është vakëfi që vazhdimisht i sjellë sevape/mirësi vakifit (dhuruesit të mallit) madje qoftë edhe nëse ka kaluar në botën tjetër. (Diyanet Ilmi Dergi, 2004, 96)

Një nga kushtet që një besimtar mund të jetë i përkryer, është që ai të jetojë me vetëdijen se “pasuria është amanet”! Nisur nga kjo, përdorimi i pasurisë ose kapitalit jashtë kritereve të dhënies, dhurimit dhe ndihmës konsiderohet tradhti ndaj amanetit. Jo vetëm llogaria e kësaj tradhtie do të jetë e rëndë në jetën tjetër, por është e qartë se kjo edhe në këtë botë do të shkaktojë kriza në planin individual e shoqëror. Ndërkaq zelli dhe bashkëpunimi në fushën e dhënies, dhurimit dhe ndihmës janë shprehje të një falënderimi konkret ndaj Allahut të lartëmadhërishëm për të mirat që na ka dhënë.

Ndoshta nxitja dhe motivimi më i bukur në lidhje me institucionalizimin e bamirësisë gjegjësisht themelimin e vakëfit është hadithi i Pejgamberit a.s i cili thotë: “Më i miri i njerëzve është ai që është më i dobishëm për ta.” (Sujuti, el Xhamiu’s-Sagir, II, 8). Siç tregojnë faktet historike gjatë tërë historisë së qytetërimit Islam, që nga zanafilla e tij e deri më sot, ky mësim i Pejgamberit a.s. është bërë një parim shumë i rëndësishëm në motivimin dhe udhëheqjen e njerëzve drejtë bamirësisë në përgjithësi.

(Vazhdon)

Artikuj të ngjajshëm

error: