You are here
Home > Lajme > Imami amerikan ligjëron në Xhaminë e Pashës në Tetovë

Imami amerikan ligjëron në Xhaminë e Pashës në Tetovë

Ditën e diel, më 8 mars 2015, në ora 10:00 në Xhaminë e Pashës në Tetovë, mbajti ligjeratë Imam Jahja Hendi, themelues dhe kryetar i “Clergy Beyond Borders”, shoqatë joprofitabile që angazhohet për vendosjen e dialogut dhe bashkëpunimit ndërreligjioz. Në fillim, myftiu i Tetovës, Prof.dr. Qani Nesimi përshendeti dhe shprehu falemnderime dhe mirënjohje për Imam Jahja Hendin që në agjendën e tij ballkanike ka vendosur Tetovën dhe pikërisht Xhaminë e Pashës, objektin monumental të fesë dhe qytetërimit islam në këto troje. Myftiu i Tetovës, uroj që kjo vizitë dhe ligjeratë e Imam Jahja Hendit, të mos jetë e para dhe e fundit por të vazhdohet me këto vizita dhe ligjërata të vlefshme dhe të dobishme. Tema e ligjëratës ishte: Bashkëpunimi ose konfrontimi. Imam Jahja Hendi, falemnderoi myftiun e Tetovës, Prof. dr. Qani ef. Nesimin për mikëpritjen dhe shprehjen e gatishmërisë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin e ndërsjelltë. Më pas, mysafiri i nderuar u shpreh shumë i kënaqur dhe i mahnitur nga përbërja e ndjekësve e kësaj ligjërate. Fatkeqësisht, në shumë vende të botës nuk jepet mundësia që në një ligjeratë fetare të prezentojnë në të njëjtin vend hoxhallarë dhe xhematë, djem dhe vajza, mësues dhe nxenës. Toleranca, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjelltë janë vlera të cilat i ka kultivuar shoqëria muslimane në këto troje. Më pas, imam Jahja Hendi filloi prezentimin e ligjëratës së tij. Duke u mbështetur në ajetet e qarta kur’anore, në traditen fisnike të Muhammedit a.s si dhe në historinë islame, imam Jahja Hendi theksoi se Islami i jep përparësi paqes ndaj dhunës dhe bashkëpunimit ndaj konfrontimit. Muhammedi a.s ka qënë shembulli më i mirë i dashurisë, butësisë, dhembshurisë, ndershmërisë dhe jetës familjare. Ai çdoherë ka synuar dhe është përpjekur që të bashkëpunojë me të gjithë pavarësisht dallimeve fetare, fisnore dhe sociale. Në asnjë ajet kur’anor dhe hadith të Muhammedit a.s nuk është porositur dhuna dhe konfrontimi me të tjerët. Zoti i Madhëruar ka krijuar popuj dhe fise të ndryshme me qëllim qe të njihen dhe të bashkëpunojnë dhe jo të konfrontohen dhe të shkaktojnë gjakderdhje. Në fund të ligjëratës, imam Jahja Hendi porositi që, shoqëria muslimane në këto troje të jetë e kujdesshme dhe të mos ndikohet nga opinionet e shtërmbëruara për Islamin dhe muslimanët. Shumica e asaj që sot shfaqet në media dhe masmedia të ndryshme nuk përfaqëson dhe asnjëherë nuk mund ta përfaqësojë Islamin. Islami është fe e paqes dhe kundërshton çdo natyrë të dhunës. Imam Jahja Hendi e përmbylli ligjëratën e tij duke dhënë informacione të rëndësishme dhe të dobishme për muslimanët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lirinë dhe garancitë e tyre fetare, organizimin dhe funksionimin e tyre, bashkëpunimin dhe marrëdheniet e shkëlqyera me të gjithë komunitetet tjera të shoqërisë amerikane etj.

11068803_404948826333909_1319976195_n

10807890_404948823000576_1593841601_n

Artikuj të ngjajshëm

error: