You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Myftiu në Xhaminë “Eski” 20.02.2015

Hytbe nga Myftiu në Xhaminë “Eski” 20.02.2015

ادْعُ إِلِى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ إِنَّ رَبَّكَ هُوَ أَعْلَمُ بِمَن ضَلَّ عَن سَبِيلِهِ وَهُوَ أَعْلَمُ بِالْمُهْتَدِينَ

“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë”. ( Nahl, 16:125)

 

 

I nderuari xhemaat i Xhamisë Eski,

Të nderuar vëllezër musliman që sot fizikisht u drejtohem prej minberit të kësaj xhamie por shpirtnisht u ndjej të gjithëve si të përkushtuar, në këtë ditë të madhe, në audiencën hyjnore.

Kjo është hytbeja e ime e parë si myfti i Myftinisë së Tetovës pranë jush dhe me qëllim e zgjodha të jem në mesin tuaj për shkak se kjo ka qenë xhamia ku unë e kam ndërtuar karierën time si imam dhe shërbyes fetar në Bashkësinë Islame në Maqedoni.

Shumë të respektuar vëllezër,

Metodologjia e mendimit islamik e përqendruar përreth sqarimeve të Kur’anit  nuk mund të ngurtësohet në kufijtë e polemikës vetëm rreth çështjeve të së kaluarës. Muslimanët jetojnë sot dhe mënyra si do të jetojnë dhe si duhet të jetojnë në të ardhmen është çështje metodologjike që duhet zgjidhur. Deri në fillim të shekullit të 18, shoqëria njerëzore në botë ishte e modifikuar në bazë të normave fetare dhe të traditës. Si rrjedhojë, në një mjedis të tillë feja dhe tradita ishin të unifikuar. Dhe, çdo fushë e jetës ishte nën zotërimin e një paradigme të krijuar prej sintezës fe-traditë. Kjo paradigmë u lëkund mjaftë me paraqitjen e rrymave dhe mendimeve si iluminizmi, pozitivizmi, moderniteti, humanizmi, feminizmi, shekullarizimi, etj. Kohëve të fundit globalizmi me të madhe u përqendrua në vend të traditës. Historitë dhe traditat e vjetra ia lanë vendin teorive të reja, të cilat dukeshin si më tolerante, më të relaksuara, por që në vete përmbanin edhe një numër të konsiderueshëm të kundërtive. Postmodernizmi njeriut i mundësoi që më lehtë të krijojë labirinte ahistorike dhe ta krijojë vizionin për rendin e ri botëror.

Kjo konkurrencë i zgjoi edhe polemikat rreth metodologjisë së mendimit islamik dhe qasjeve të reja ndaj Kuranit dhe Sunnetit. Diskutimi i këtyre çështjeve dhe qasjet jo adekuate dhe jo metodologjike, nga njëra anë e qarqeve fetare “moderniste” dhe nga ana tjetër “tradicionaliste”, në masë të madhe e tollovitën kokën e besimtarit bashkëkohor. Ose thënë figurativisht “e lanë të zhveshur” në mes të rrugës. Kriteret e prezantimit të argumenteve nuk ishin sa duhet të harmonizuara. Përderisa nga njëra anë nuk pranoheshin “hadithet” e prezantuara nga “kundërshtari”, duke u kualifikuar si apokrife ose të dobët, nga ana tjetër në polemika kategoria e njëjtë përdorej për mbrojtjen e qëndrimeve personale.

Si pasojë e kësaj, lirisht mund të thuhet se nëse mendimi islamik bashkëkohor nuk ka një metodologji të caktuar, atëherë mendimet rreth çështjeve të caktuara do të jepen në bazë të hamendjes ose konkluzioneve individuale, që do të thotë se praktika fetare do të jetë rezultat i qasjes individuale, ndërsa nga ana tjetër kokat do të vazhdojnë të tolloviten edhe më.

Nëse dëshirojmë që rezultatet e mendimit islamik bashkëkohor të jenë objektive, të kapshme dhe reale, atëherë duhet të kemi kujdes në dy çështje me rëndësi:

  1. Praktikimin e traditës si fe në strukturën njerëzore të formuar gjatë historisë. Kjo e paraqet rrezikun historik.
  2. Dhunimin dhe prezantimin jo demokratik të vlerave të globalizmit duke e mbështetur fenë dhe traditën për muri. E dyta e paraqet rrezikun e aktualitetit.

Tradita përpiqet të normativizojë përditshmërinë njerëzore, duke u bazuar në forcën e marrë nga e kaluara dhe pranueshmëria historike. Moderniteti si antitezë e traditës paraqitet me përmasën joshëse të idesë së re dhe në të shumtën e rasteve “të re’në” e imponon si “të drejtë”.

Në anën tjetër feja bazohet në normat hyjnore dhe del me idenë se ato janë absolute në çdo lëmi dhe mbi çdo autoritet. Feja assesi nuk mund të pajtohet me traditën ose me modernitetin si konkurrente të saj. Autoriteti hyjnor assesi nuk e pranon ligjshmërinë e çështjeve në bazë të vjetërsisë së tyre historike ose botë-vështrimin e përzier të “së mirës” dhe “së drejtës”. Pikërisht për këtë feja e refuzon edhe traditën, edhe modernitetin që ndeshet me të.

Mirëpo nuk ka asnjë shkak që feja të refuzojë traditën dhe modernitetin që nuk ndeshet me parimet e saj. Kur’ani për çështjet që nuk janë të sqaruara në të thotë që janë “të falura”. Atëherë duhet të pranohet se këto të falurat i janë të lënë në dorëzim iniciativës së njeriut. Esenca e çështjes qëndron në atë që me një metodologji të drejtë të ndahen çështjet e traditës prej fesë dhe duke e bërë këtë ndarje, të kihet kujdes që të mos shkelen vlerat universale botërore. Burimi kryesor i problemit qëndron në tendencën që të gjitha çështjet e përditshmërisë njerëzore, duke filluar prej veshjeve e deri te mënyra e gjumit, të justifikohen me referenca fetare. Pasojat e një iniciative të tillë kanë qenë regresive për fenë e shpallur dhe, për pasojë, në të kanë depërtuar mendimet njerëzore të periudhave të ndryshme. Për rrjedhojë feja është fryrë me koncepte që në realitet nuk e kanë pasur vulën e shpalljes, por gjeneratë pas gjenerate janë praktikuar si të tilla.

Metodologjia bashkëkohore e mendimit islamik gjithsesi duhet të ketë parasysh kategoritë kur’anore dhe haditheve të Pejgambeit a.s. dhe assesi nuk duhet të jetë e kufizuar me mendësinë e periudhës së komenteve, pasi ajo do t’ia ngushtonte në masë të madhe fushëveprimin.

Përkapja metodologjike e përditshmërisë muslimane duhet të analizojë mirë praktikën e gjallë të shoqërive muslimane dhe të bëjë një vështrim kritik ndaj saj.

Në ristruktuimin e tij, mendimi islamik duhet të ketë parasysh katër çështje me rëndësi:

  1. Formimin e institucioneve fetare, duke filluar prej më të lartave, prej ku do të dalin konkluzione të përpunuara mirë.
  2. Autoritetin e kategorive të ndryshme të përcjelljeve fetare.
  3. Përkapjet fetare të formësuar në bazë të paradigmave tradicionale ose moderne.
  4. Deshifrimin e autoriteteve që përpiqen artificialisht të ngushtojnë fushën e lirisë vepruese.

Me lutje nga thellësia e zemrës që Allahu të na ndihmojë dhe të na e lehtësojë rrugën për të bërë vepra mira mbetshi me paqë dhe mirëqenie në të dyja botrat.

E xhuma,

20.02.2015, Tetovë

Artikuj të ngjajshëm

error: