You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Myftiu në Xhaminë “E Madhe” 27.02.2015

Hytbe nga Myftiu në Xhaminë “E Madhe” 27.02.2015

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..

I nderuari xhemaat,

I Madhi Allah në Kur’anin e Lartë ka urdhëruar:

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ

 

وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ وَيُقِيمُوا الصَّلَاةَ وَيُؤْتُوا الزَّكَاةَ ۚ وَذَٰلِكَ دِينُ

الْقَيِّمَةِ

 

“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.” ( Bejjine, 98:1)

 

Shumë shpesh, në fjalorin tonë të përditshëm dëgjojmë fjalën se kohët kanë ndryshuar, nuk është më ajo kohë që ka qenë… Por, në ç’mënyrë duhet kuptuar ky problem? A është Fjala e Zotit e mjaftueshme për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve? Ç’po ndodh me vlerat? A janë ato të ndryshueshme apo të përhershme? A janë ndryshimet problem dhe në ç’mënyrë Fjala e Zotit u përgjigjet atyre?

Vështirësitë që na paraqiten sot si shoqëri, respektivisht si Ummet, na thërrasin që të mendojmë se në ç’mënyrë mund ta kuptojmë domethënien e vlerës në formën e përhershme, që ajo ta marrë ngjyrën e natyrshme të saj. Njeriu nuk e përjeton vetëm, siç thonë filozofët, “krizën e metafizikës”, por e përjeton edhe krizën e vlerave dhe së mirës. Vlerat themelore në bazën e tyre përjetojnë kolaps ose ndryshim.

Nëse feja si fenomen, respektivisht Shpallja ose Fjala e Zotit, mbyllet apo futet brenda historisë, atëherë ajo përjeton shkëputjen me qëllimin e saj natyror, faktikisht ajo nuk komunikon më me shpirtin njerëzor, nuk komunikon me gjuhën metafizike të saj, ashtu që jeta e njeriut ballafaqohet me vështirësi të mëdha. Shpalljet e mëparshme e kanë përjetuar këtë fat, ndaj nuk kanë kaluar mirë, dhe abrogimi ka qenë shpëtim për to. Prandaj, paraqitja e fundit e Shpalljes së Zotit, u bë në formë tjetër, me një natyrë tjetër, për arsye se Shpallja e fundit i tejkaloi kufijtë e shkronjës, ajo u bë Shpallje e përhershme, ripërtëritëse në vetvete me dëshirën e Zotit. Për Shpalljen e fundit në Kur’an thuhet huden li’l-âlemin – “udhëzim për të gjitha botët”, do të thosha dhe shpjegim për të gjitha kohërat. Shpallja e fundit në mënyrë konstante i rivlerëson vlerat dhe i përkufizon ato në formën më të mirë.

Kur’ani është libër i cili, që në faqet e para ia kumton lexuesit kërkesën që të mos dyshohet në diskursin e tij dhe me këtë e paralajmëron qartësinë e vet përkitazi me përcjelljen e idesë të cilën ai vjen ta proklamojë. Kur’anin, në rend të parë, duhet shikuar si vepër e kontekstit. Ai është shpallur në traditë në formën dhe përmbajtjen, me të cilat ka vendosur raporte të ndërlikuara dinamike me traditën në kuptimin më gjithëpërfshirës të kësaj fjale.

Shpallja në zbulimin e së vërtetës njeriut, e ka respektuar në tërësi rendin që sundon në botë. Ka mbajtur llogari të përpiktë për rrethanat dhe mundësitë e të kuptuarit të njeriut dhe nevojat e tija. Gjithmonë ka ardhur deri te përgjigjja për ato nevoja. Edhe pse si qëllim përfundimtar e ka pasur ndryshimin e shoqërisë dhe krijimin e rrethanave të volitshme, megjithatë është dashur që t’u përshtatej deri-diku kushteve të dhëna. Është fakt që Fjala e Zotit është vendosur në kohë dhe hapësirë dhe se zbatohet dhe realizohet në histori. Është fakt, po ashtu, se e vërteta na tregohet dy llojesh: në llojin e botës dhe në llojin e logosit (fjalës). Padyshim, midis këtyre dy llojeve nuk mund të ketë kundërthënie dhe mospajtim, sepse që të dyja janë pasqyrim i Qenies Absolute, që na shfaqet në dy aspekte: në vepër (bota e dukshme) dhe fjalë (Kur’ani). Prandaj, midis njërit dhe tjetrit duhet të ketë harmoni të plotë. (H. Gjozo)

Njeriu në botë dhe bota për njeriun janë në një realitet të dhimbshëm të ekzistimit. Si qenie e arsyeshme, njeriu ka aftësi t’i zbulojë qëllimet në to, ta njohë strukturën e tyre të brendshme, t’i kuptojë ato, t’i krahasojë dhe t’i vlerësojë. Ura konceptore midis të kuptuarit të tij, krahasimit, dëshirave, nevojave dhe veprimtarive të tija është sjellje vlerësuese, që duhet të mbajë njëfarë rendi. Globalizimi, nga njëra anë dhe vetëdija e arnuar, nga ana tjetër, e shënojnë pozitën tonë cilësisht të re. U shuan vatrat shtëpiake. Lëvizshmëria e përgjithshme i prishi shpejt marrëdhëniet njerëzore, duke filluar nga ato familjaret – ku gati nuk ka bashkësi në kuptimin klasik të fjalës, respektivisht, bashkësi të fortë dhe të qëndrueshme, e deri te raportet me të tjerët, madje edhe me natyrën. Programet më të shikuara për tinejxherët, sipas një ankete, i tregojnë prindërit si jo të qëndrueshëm emocionalisht, të paarsimuar, të varur nga alkooli – si ekzistenca të kota (“The Economist”, 28 janar, 1992). Të çorientuar dhe të pamotivuar, shumë të rinj janë të kapur brenda banalitetit, gjenden në jo-kulturën personale dhe shoqërore të pakonsideratës dhe grabitjes. Shumica i dorëzohen ekzistencës së fluturës dhe fluturojnë nga “lulja në lule”, duke kërcyer nga ishulli në ishull, eksperimentojnë me këtë apo atë. I nënshtrohen logjikës: nëse do të kesh vlerë, duhet të posedosh diçka – vetëm atëherë je dikush! Shumica në këtë situatë janë të tërhequr mbi humnerën, të çorientuar, të pamotivuar, të lodhur e të rraskapitur.

Në sfondin e analizës së rrjedhës kohore të edukimit, vërehet se në qendër të të menduarit për vlerat, janë vlerat e individit. Me këtë krijohet një filtër i ri në lidhje me zgjedhjen e vlerave, qëllimeve dhe mënyrave të veprimit. Pranohet ajo që i kontribuon zhvillimit personal, për të cilën përndryshe vështirë do të vendosnit. Vlerat janë në mënyrë manipuluese të varura nga zhvillimet e modës. Vetëzhvillimi i individit në mendësinë “shfrytëzoje rastin” në të vërtetë do të thotë “ecje e kotë”, që e mbështet cinizmin dhe skizofreninë e moralit. Si shembull të atij cinizmi dhe skizofrenie mund të përmendim qëndrimin e njeriut të sotëm ndaj të drejtës dhe normave juridike. E drejta pranohet nëse i jep të drejtë individit – përndryshe kundërshtohet me të madhe.

Teologjia nuk guxon të mbetet vetëm në konstruktet teorike, apo në kërkesat e larta etike, të cilat në realitet vështirë se mund të realizohen. Ajo duhet që në mënyrë besnike, pra praktikisht, t’i kumtojë vlerat e Kur’anit dhe të porosive të Pejgamberit a.s.. Çfarëdo rindërtimi i dobishëm dhe përparim, duhen filluar që brenda, nga vetëdija dhe ndërgjegjja. Sepse, në botën e përzierjes së relativizmit dhe bindjeve fanatike, moraliteti dhe angazhimi për vlerat e përhershme nuk duhet të bëhen të tepërta. Akoma në çdo gjë vendimtar është njeriu me konstantën e tij shpirtërore, në rend të parë me lirinë dhe përgjegjësinë e tij. Do të duhej që vëmendje të madhe, shumë më të madhe se deri më tani, t’i kushtohet mundit, punës dhe kujdesit për njeriun dhe shërimit të tij shpirtëror – shpëtimit. Ardhmëria e institucionit fetar, shikuar nga aspekti njerëzor, varet nga ajo se a do të jenë në këtë kohë mësimi i tij moral dhe vlerësimi mjaft “profetikë” dhe bindës që njeriut të së sotmes, duke ia ofruar vlerat e veta, t’ia japë edhe shpresën dhe t’ia sigurojë shpëtimin. Pasi Islami është në rend të parë fe e Librit, por edhe e Shpirtit.

Duke u bazuar edhe në postullatet e ajetit të sipërpërmendur mund të konstatojmë:

Vetëdija për krizën shpirtërore do të mund të ishte nxitje për rimëkëmbje. Besimtari gjithmonë ka qenë subjekt i dialektikës paradoksale të pozitës së tij: mbështetet në vlerat eskatologjike, ndërsa interesohet për ato të kësaj bote; e tërheq e amshuara, ndërsa i përkushtohet të kohshmes; i hapet qiellit, ndërsa ngel fëmijë i tokës, ashtu që ballafaqohet me paradoksin e vlerave.

Ne besimtarët, si halifetullahi fi’l-erd, nuk guxojmë t’i harrojmë shpresën dhe gëzimin. Këtu duhet ta shqyrtojmë vlerësimin e personit njerëzor, të dinjitetit, drejtësisë, paqes, kujdesit. Na duhet një ritëm më njerëzor për të jetuar – një cilësi e re e kohës dhe vlera humane. Kemi nevojë për furnizim, mirënjohje, mirëkuptim, falje, durim. Është mirë të tregohet në këtë mungesë dhe mjerim në marrëdhëniet tona ndër-njerëzore dhe shikimi të drejtohet nga Pejgamberi a.s., si shpëtimtari ynë. Përderisa sipas Kur’anit nuk mësojmë t’i çmojmë, respektojmë dhe t’i vlerësojmë drejt jetën, veten, njeriun, vlerat dhe Zotin, do të ishte e kotë që t’i zgjidhnim të gjitha krizat tona në mënyrë sipërfaqësore. Krizës së qytetërimit duhet t’i përgjigjemi me angazhimin për njeriun, për qytetërimin e dashurisë, që do të duhej të ishte i themeluar mbi vlerat e përgjithshme të paqes, solidaritetit, drejtësisë dhe lirisë, të cilat sendërtimin e plotë të tyre e gjejnë tek rikthimi në burimin.

Faleminderit!

27.02.2015, Tetovë

Artikuj të ngjajshëm

error: