Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin e Lartë ka urdhëruar:
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ
وَعَلَّمَ آدَمَ الْأَسْمَاءَ كُلَّهَا ثُمَّ عَرَضَهُمْ عَلَى الْمَلَائِكَةِ فَقَالَ أَنْبِئُونِي بِأَسْمَاءِ هَٰؤُلَاءِ إِنْ كُنْتُمْ صَادِقِينَ
قَالَ يَا آدَمُ أَنْبِئْهُمْ بِأَسْمَائِهِمْ ۖ فَلَمَّا أَنْبَأَهُمْ بِأَسْمَائِهِمْ قَالَ أَلَمْ أَقُلْ لَكُمْ إِنِّي أَعْلَمُ غَيْبَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَأَعْلَمُ مَا تُبْدُونَ وَمَا كُنْتُمْ تَكْتُمُونَ
“ E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjitha emrat, pastaj ata ua prezentoi engjëjve dhe u tha: “ Më tregoni për emrat e këtyre, nëse jeni të drejtë. (Engjëjt) Thanë: “ Ti je pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na mësove Ti. Vërtetë, Ti je i Gjithdijshmi, i Urti. (Zoti) Tha: “O Adem, njoftojë ata (engjëjt) me emrat e atyre (sendeve)!” E kur u rrëfeu atyre për emrat e tyre, (Zoti) tha: “A nuk ju kam thënë juve se Unë më së miri e di fshehtësinë e qiejve e të tokës dhe më së miri e di atë, që ju e publikoni dhe atë që e mbani fshehtë” . (Bekare, 2:31-32)
Allahu xh.sh. e ka lartësuar njeriun mbi të gjitha krijesat në Gjithësi duke ia dhënë shifrat për ndryshim dhe zhvillim në kuadër të jetës së tij individuale dhe shoqërore. Ajeti i sipërpërmendur e diskuton Ademin a.s. jo vetëm në trajtë të një individi por edhe në përmasë të trungut të njerëzimit, që do të thotë, se edhe pasardhësit e Ademit të pajisur me atë që u dhurua Ademi a.s. do të jenë të respektuar dhe të çmuar.
Vëllezër të ndershëm,
Vlerat që lartësuan njeriun e parë në arenën e qenësisë dhe të cilat janë të prezentuara në forma të ndryshme në të gjitha tekstet hyjnore dhe ato njerëzore duke filluar prej ditëve të para të aktualizimit të njeriut në platformën krijesore dita ditës janë më pak prezente në strukturën e njeriut dhe shoqërisë në të cilën ai jeton. Vlerat e amshueshme të trashëguara që prej njeriut të parë të ngarkuar me porosinë hyjnore janë hudhur në turmën e udhëhequr nga një tufan i paparë i cili pandërprerë i shkëput ata prej esencës së tyre metafizike dhe pa vetëdije i drejton drejtë një humnere të pafundtë dhe të pakuptimtë. Ndërsa pas vetes le ide dhe mendime të çrrënjosura prej themeleve të paratrajtës së tyre primare dhe këto i servon si pikë uji që e shuan etjen e buzëve të thara.
Nuk ka dyshim se njeriu i kohës sonë ka një interesim të posaçëm për shkencën. Ai vetëm nëpërmjet të saj mundohet t’i jep një kuptim rrethit në të cilin është. Po, është e vërtetë se shkenca si arritje e gjinisë njerëzore është shkalla e fundit në kierarkinë e zhvillimit intelektual të njeriut. Ne mund të diskutojmë për rezultatet e shkencës mirëpo asnjëherë nuk mund të diskutohet stabiliteti dhe funksioni i përgjithshëm i saj në qenësi. Ajo në një mënyrë na e funksionalizon idenë për ekzistencën tonë dhe rrethin. Edhe vet etimologjia e fjalës episteme është nxjerrur prej rrënjës së fjalës greke që d.t.th. stabilitet dhe forcë. Proçesi shkencor na çon deri te një barazpeshë stabile dhe konsolidim të perceptimeve dhe mendimeve tona. Mirëpo në këtë konstatim të cilin e pranojmë si të vërtetë na paraqiten dy probleme me rëndësi:
a) Botëkuptimi modern për autonominë absolute të shkencës.
Sot pothuajse çdo gjë është në idenë e e një autonomie absolute prej gjërave tjera. Feja, shqetësohet prej analizave shkencore, arti krye në vehte është duke i proklamuar postulatet e veta, ndërsa shkenca pandërprerë bën reklamën se vetëm ajo ka mundësi të konkludojë në lidhje me qenësinë. Në mesin e të gjitha këtyre opcioneve vendi më i vogël i ka ngelur ahlakut (etikës) dhe aspak nuk i ndihet zëri. Autonomia e pjesëve përbërëse të përvojës njerëzore ka lindur ndarësinë e eksperiencës njerëzore. Ndërsa, ndarësia e eksperiencës njerëzore është problem koxha i madh dhe ai paraqitet si problem duke filluar prej ndërtimit të personalitetit e deri në vendimet e rëndësishme politike të institucioneve me peshë botërore. Ndarësia e inicuar me idenë e absolutizmit shkencor e hodhi poshtë mitologjinë, teologjinë herë herë edhe metafizikën dhe siç thonë disa psikologë bashkëkohorë ia hapi derën e një shizofrenie kulturore.
b) A është shkenca e vetmja fuqi e cila shërben për kryerjen e këtij obligimi?
Filozofia e kulturës njerëzore problemin duhet ta analizojë duke filluar prej më herët dhe prej burimeve më të hershme. Njeriu jetonte në botën objektive shumë më parë se sa të jetonte në botën shkencore. Ai edhe para se ta gjejë kontaktin e tij me shkencën eksperienca e tij nuk ishte vetëm lëndë amorfe e shprehjeve shqisore. Përkundrazi ishte eksperiencë e organizuar dhe e artikuluar. Ata ndoshta nuk ishin koncepte identike me konceptet shkencore mirëpo aspak nuk mund të pohojmë se ata ishin primitive. Klasifikimet e para të fenomeneve të cilat i hasim në gjuhën e shpalljes ose mitit në një mënyrë janë shumë më të komplikuara dhe më të sofistikuara se klasifikimet shkencore.
Kuptimi i të afërmes si fillim i konceptit mbi qenësinë e humbi lidhjen dhe kontinuitetin në eksperiencën njerëzore dhe me këtë lindi kriza e etikës shoqërore dhe individuale në shoqërinë njerëzore.
Ajetet e përmendura në fillim të tekstit e tregojnë rrugën e lëvizjes së njeriut dhe atij i mundësojnë që të qëndrojë larg prej skizofrenisë kulturore dhe krizës etike shoqërore e individuale. Bartja e burimit të dijes dhe fillimi i epistemologjisë me të Gjithdijshmin dhe transferimi i edukatës dhe sjelljes engjullore pas prezentimit të koncepteve nga ana e Ademit a.s. në përvojën individuale dhe shoqërore të njeriut është një sintezë e cila është treguar e suksesshme në eksperiencën njerëzore . Kur’ani këta dy momente “dijen dhe terbijen” i sheh si dy komponenta reale të ndërtimit të njeriut, gjë që është pamur edhe në “Kritikën e arsyes së pastër” të Kant’it, si e vërtetë pikënisëse e ndërtmit shoqëror të njeriut.
Pejgamberi a. s. i ka mësuar sahabët e tij për të gjitha çështjet e jetës dhe i ka edukuar nëpërmjet një procesi edukativo-arsimor të ngjeshur. Ai ua ka mësuar tevhidin – “njëshmërinë e Allahut”, i ka pastruar nga të gjitha llojet e idhujtarisë, ua ka nxjerrë të gjithë idhujt lëndorë e kuptimorë dhe i ka edukuar që të besojnë Allahun, ta njohin Atë, ta dashurojnë dhe të kenë drojë prej Tij. U ka mësuar ibadetet; mënyrën e zbatimit të tyre, përkushtimin, respektin dhe nënshtrimin para Allahut; vetëdijen e të qenurit rob i Tij dhe përgjegjësinë.
Ai ua ka mësuar etikën, edukatën, turpin, nderin, bamirësinë, dashurinë, mëshirën, zemërgjerësinë, sinqeritetin, drejtësinë, besën, altruizmin, mëshirën etj. I ka mësuar që çdo punë të mirë ta fillojnë me emrin e Allahut; ushqimin ta hanë me dorën e djathtë dhe të hanë para vetes; të mos frymojnë brenda gotës; të mos hyjnë në shtëpinë e tjetrit pa leje; të mëshirojnë të vegjëlit, të respektojnë të mëdhenjtë; të mos merren me të metat e njerëzve, por t’i mbulojnë ato; të braktisin fjalët dhe veprat e këqija.
Gjithashtu, ai i ka mësuar se si të ndërtojnë familjen; si të zgjedhin bashkëshortin ideal /bashkëshorten ideale; si të bëhesh një baba dhe një nënë e mirë.; edukimin e fëmijëve; detyrat ndaj prindërve; shoqërimin, miqësinë, përshëndetjen; shkëmbimin e dhuratave; vizitën te të afërmit; vizitën te të sëmurët; solidaritetin shoqëror; tregtinë, shitblerjen, ortakërinë, pazarin; dhënien e borxhit dhe marrjen e tij, pasurinë publike; marrëdhënien midis punëdhënësit dhe punëmarrësit; përkujdesjen për veshmbathjen, për ngrënien, pirjen, festën, gëzimin, dashurinë, të qenurit i dashur e shumëçka tjetër.
Në një hadith të Pejgamberit a.s. thuhet:
عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ عَمْرِو بْنِ الْعَاصِ قَالَ: سَمِعْتُ رَسُولَ اللَّهِ s يَقُولُ: “إِنَّ اللَّهَ لاَ يَقْبِضُ الْعِلْمَ انْتِزَاعًا، يَنْتَزِعُهُ مِنَ الْعِبَادِ، وَلَكِنْ يَقْبِضُ الْعِلْمَ بِقَبْضِ الْعُلَمَاءِ، حَتَّى إِذَا لَمْ يَبْقَ عَالِمٌ، اتَّخَذَ النَّاسُ رُءُوسًا جُهَّالاً فَسُئِلُوا، فَأَفْتَوْا بِغَيْرِ عِلْمٍ، فَضَلُّوا وَأَضَلُّوا.”
Përcillet nga Abdullah ibn Amr ibn El-Asi se Pejgamberi a. s. ka urdhëruar: “Nuk ka dyshim se Allahu nuk e merr dijen drejtpërdrejt nga njerëzit, por me vdekjen e dijetarëve; dhe në fund nuk lë asnjë dijetar. Njerëzit marrin si udhëheqës injorantët, të cilëve u shtrojnë pyetje dhe ata përgjigjen me injorancë. Si rrjedhojë, devijojnë vetë dhe devijojnë edhe të tjerët.” (Buhari, Ilm, 34)
Pejgamberi a. s. ka theksuar se kuptimi i qëllimit të thellë të fesë/fikhut dhe etika e mirë janë dy cilësi themelore të muslimanit të mirë, dhe këto dy cilësi nuk mund të jenë asnjëherë karakteristikë e dyfytyrëshve/munafikëve. Gjithashtu ka thënë: “Turpi, nderi, kujdesi, në mos në zemër së paku në gjuhë, si dhe kuptimhollësia fetare, janë pjesë e besimit. Këto ka mundësi t’i zvogëlojnë fitimet e njeriut në këtë botë, por e pasurojnë në ahiret. Fitimi prej tyre në ahiret është shumë i madh. Fjala e keqe, arroganca dhe koprracia janë shenja të dyftyrësisë fetare (nifak). Edhe nëse në këtë botë e pasurojnë njeriun, në botën tjetër e bëjnë të varfër. Humbjet e tij në ahiret janë më të mëdha.” (Darimi, Mukaddimeh, 43.) Me këto fjalë ka theksuar se krahas të qenit i ndershëm, edhe përpjekja për kuptimhollësi është nga pasuritë e ahiretit. Krahas zgjuarësisë intelektuale dhe shpirtërore, edhe pjekuria etike dhe kujdesi në marrëdhëniet me njerëzit, edhe aftësia e mendimit të thellë janë në lidhje të ngushtë me besimin. Këto karakteristika e ushqejnë dhe e forcojnë besimin njëkohësisht.
Veprimtaria e dijes dhe terbijes ose thënë ndryshe arsimit dhe edukatës përbëjnë një nga temat që në botën islame janë trajtuar me kujdes të veçantë duke filluar prej kohës së Pejgamberit a.s.. Ajetet e Kur’anit në kontekst të dijes dhe edukatës duke filluar prej ditëve të para të shpalljes kanë stolisur personalitetin e muslimanëve të parë e më vonë edhe të shoqërisë muslimane . Gjithashtu edhe thëniet direkte të Pejgamberit a.s. “ Allahu më ka dërguar mua si mësues” dhe “Mua më edukoi Zoti im. Sa bukur më ka edukuar” kanë kontribuar që muslimanët në të gjitha institucionet e tyre të themeluara më vonë, paralelisht ta zhvillojnë edukimin dhe arsimimin.
Pa marrë parasysh ne këtë proçes do ta quajmë dije dhe terbije ose arsimim dhe edukim një gjë është më se e qartë se aq sa ka rol në ndërtimin e personalitetit njerëzor dituria dhe shkenca aq ka edhe edukata e shpirtit dhe ahlaku . Kur’ani si obligime të pejgamberëve me sintagmën “ t’ua mësojë librin” ka potencuar dijen, ndërsa me termin “tezkije” (pastrim kuptimor)edukatën.
Bashkëvajtja e dijes dhe terbijes në ngritjen kulturore të individit është e nevojshme në të gjitha lëmitë por në atë fetare është e domosdoshme. Dituria dhe shkenca e thatë nuk është e mjaftueshme për ndërtimin e personalitetit. Njerëzit kanë nevojë të tretin diturinë dhe të vendosin atë në zemër me ndihmën e shembujve të mirë. Edukata e mirë do të mundësojë që dituritë e përfituara në proçesin arsimor nëpërmjet të përjetimit (hal) të barten në ndërtimin e individit të shëndoshë.
Feja aq sa ka të bëjë me diturinë aq ka të bëjë edhe me dashurinë dhe ndiesinë e asaj që besohet. Pikërisht për këtë qasja ndaj fesë pa dituri e lind fanatizmin e pakuptimtë ndërsa dituria për fenë pa dimensionin e dashurisë e lind fetarësinë pa shpirt. Njeriu nuk ka nevojë për asnjërën prej tyre. Nuk ka nevojë as për një qasje fetare injorante të vobektë nga aspekti shkencor e as për dituri të thatë pa emocionim dhe dashuri. Ai ka nevojë për një personalitet ku dashuria, edukata dhe dija kanë vendet e veta dhe të dyja së bashku e orientojnë individin në ndërtimin e shoqërisë së pastër islame.
Dija e zbukuruar me edukatën e vërtetë fetare njeriut modern e posaçërisht muslimanit i mundëson një numër të madh të dobive :
1. Së pari njeriun e njohton me vehten e më vonë edhe me Krijuesin. Ajetet e para të zbritura të Kur’anit përmbajnë diturinë, Krijuesin dhe njeriun e krijuar. Në mesin e këtyre termeve ekziston një marrëdhënie e pashkëputur. Kjo marrëdhënie e sqaron vendin e njeriut në gjithësi.
2. E rregullon dhe e sistematizon jetën individuale, i qetëson zemrat dhe e bën të kuptimtë jetën në përgjithësi. Individi nëpërmjet të kësaj edukate fetare furnizohet me botëkuptimin ku do të ketë konsideratë për marrëdhëniet e tija me Krijuesin, me njerëzit tjerë dhe me krejt atë që ekziston.
3. Edukata e mirrëfilltë fetare njeriut ia sugjeron të mirën, të drejtën dhe të bukurën dhe ia lehtëson rrugët e arritjes deri te ajo. E mëson se interesat personale nuk dalin para atyre shoqërore dhe se interesat shoqërore nuk duhet të degradojnë individin. Në të kundërtën lumturia e njërës palë mund të hudhë hije në lumturinë e tjetrës.
4. Sinteza e dijes dhe edukatës së vërtetë mundëson tërësinë e të gjitha institucioneve shoqërore dhe funksionimin e drejtësisë sociale në to.
5. Jeta e njeriut bashkëkohor është tejet dinamike dhe përplot me probleme të gjithanshme. Edukata fetare atij do t’ia mundësojë tejkalimin e këtyre problemeve duke i konsulltuar ata në qetësi dhe me mendje e zemër të pastër.
Duke patur parasysh këta dhe shumë dobi tjera të dijes dhe edukatës njeriu gjithmonë duhet të ketë parasysh bashkëvajtjen e të dyjave nëse dëshiron të jetë i lumtur në këtë dhe në botën tjetër.
06.03.2015