Muhammedi a.s. mëshirë për të gjithë botët
Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemat,
Allahu Fuqiplotë në Kur’anin Fisnik thotë:
“Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur”. (Ali Imran:164)
Dashuria për Muhammedin a.s., rrjedh nga dashuria e Allahut xh.sh. dhe ajo është obligim i yni, sepse Pejgamberi, a.s. është i dashuri i Tij dhe transmetues i Kur’anit që është udhëzim i tërë njerëzimit. Prandaj, kush e do Allahun xh.sh. e do edhe Pejgamberin a.s si dhe atë me të cilën ai erdhi, dhe e pason Sunetin e tij. Allahu xh.sh. besimtarët i ka nderuar duke ua dërguar Muhamedin, a.s. siç thuhet në ajetin e lartpërmendur: “Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur”.
Kjo është një ndihmë e madhe për ne vëllezër të nderuar që jemi pjesëtarë të umetit të Pejgamberit tonë dhe shkojmë rrugëve të qarta të Islamit dhe që Muhammedi, a.s. të ndërmjetësojë për ne në Ditën e Gjykimit. Prandaj Pejgamberi, a.s., për neve është më i dashur se vetvetja e jonë.
Forca dhe sinqeriteti i besimit janë të kushtëzuara me dashurinë e Pejgamberit, a.s., siç thuhet në hadithet: “Asnjë nga ju nuk do të jetë besimtar i vërtetë, përderisa mos të jem unë më i dashur tek ai se fëmijët e tij, prindërit dhe të gjithë njerëzit”; “Kush i ka tri cilësi, do të shijojë ëmbëlsinë e besimit – imanit: Nëse Allahu xh.sh., dhe Pejgamberi, janë më të dashur tek ai se çdo gjë tjetër, ta donë dikë vetëm në emër të Allahut xh.sh,. dhe ta urrejë mosbesimin, ashtu sikur e urren hedhjen e tij në zjarr! ”
Le ta pyesim veten tonë a thua i kemi këto tri cilësi të përmendura në hadith dhe a e kemi ëmbëlsinë e imanit dhe të Islamit, apo jemi duke e përjetuar si pjesë e traditës sonë apo mjet të cilin me shkathtësi e përdorim nga frika dhe për t’u fshehur pas tij!? Muhamedia.s., ka thënë: “Kush bie salavat mbi mua, Allahu xh.sh., do të bjerë dhjetë herë salavate mbi te”
Andaj, të dërgojmë sa më shumë salavate mbi Muhammedin, a.s., sepse për çdo salavat që ne i dërgojmë Allahu xh.sh. do të dërgoj dhjetëfish salavat mbi ne, dhe kjo është një bekim i madh dhe mbrojtje për besimtarët e vërtetë! Dashuria për Pejgamberin, a.s. është paraqitur me respekt ndaj tij, duke i dërguar salavate, duke pasuar Sunetin e tij dhe duke ndihmuar besimin e tij. Me një fjalë, ta duam atë dhe ta pasojmë atë ashtu siç e kanë dashur dhe e kanë pasuar shokët e tij fisnik dhe brezat më të mirë të muslimanëve pas tyre. Pra, le të jemi pasues të vërtetë të Sunetit të Pejgamberit, a.s. dhe të bëjmë gara në punë të mira!
I lutemi Allahut, xh.sh. të na forcojë në rrugën e Islamit dhe që të na bëjë prej atyre që e duan Pejgamberin, a.s. dhe e pasojnë Sunetin e tij, që fëmijët tanë t’i bëjë kënaqësi të syve, shpirtit dhe zemrave tona.