You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Selver ef. Xhemaili (31.07.2015)

Hytbe nga Selver ef. Xhemaili (31.07.2015)

Dasmat
Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:

بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم
الْمَالُ وَالْبَنُونَ زِينَةُ الْحَيَاةِ الدُّنْيَاۖ وَالْبَاقِيَاتُ الصَّالِحَاتُ خَيْرٌ‌ عِندَ رَ‌بِّكَ ثَوَابًا وَخَيْرٌ‌ أَمَلًا
“Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” (Kehf 60)

Meqë ditëve të fundit gjendemi në valën e dasmave, sigurisht që shumëkush mendon po edhe parashtron pyetje, vallë si është mënyra islame e bërjes së dasmës. Është fakt që mësimi i fesë islame për çdo pore të jetës nga lindja e deri në vdekje ka rregullat e veta fetare, andaj edhe për dasmat ka paraparë principe të shëndosha me qëllim që njeriun ta mbajë në korniza të normales.

Nuk ka dyshim që dasma është sunnet, pra traditë e Pejgamberit a.s. i Dërguari i Allahut në një hadith urdhëron e thotë: “Bëj dasmë, bën gosti qoftë edhe me një dele (duke e prerë atë për ti gostitur mysafirët). Me që dasmën e përshkon gëzimi dhe hareja këtu lind pyetja e re – deri ku janë kufijtë e dëfrimit gjatë bërjes së një dasme. Fetarisht dëfrimi nuk është gjë e ndaluar përderisa është në harmoni, gjegjësisht në pajtueshmëri me normat e moralit islam dhe parimet fetare islame. Madje i Dërguari i Allahut urdhëron kështu: “Dallimi midis lejimit (martesës) dhe ndalimit (zinasë) është lidhja e kurorës (niqahi) gëzimi-hareja dhe rënia e defit, dajres”. Pra shihet qartë Islami nuk ju bëhet pengesë dëfrimeve normale në ditë gëzimi e festash.

Mirëpo kur themi kështu nuk do të thotë se dëfrimi dhe hareja janë fetarisht të pranuara edhe atëherë kur me të, shqetëson një mëhallë të tërë, apo dasmën tënde e rasë dhe stërmbush me harame.
Madje organizon harame edhe për miqtë e tu. Andaj vëlla i nderuar të pyes? Përse duhet ta fillosh jetën tënde bashkëshortore me gjynahe? Veç kësaj, përse duhet të mbash edhe gjynahet e të tjerëve. Të ftosh njerëzit në dasmë, t’u krijosh kushtet për të konsumuar alkool dhe vepruar gjëra të ulëta, do të thotë t’u krijosh kushte për gjynahe. Këto gjynahe, do të vendosen në supet e tua Ditën e Kiametit. Dita e dasmës është dera e jetës familjare. Vallë si do e hapësh këtë derë, duke fituar kënaqësinë e Zotit, apo duke fituar hidhërimin dhe zemërimin e Tij?

Dita e dasmës është një ditë e shenjtë, pasi atë ditë do të hapet një familje dhe shtëpi e re muslimane. Ajo duhet të jetë një ditë e shënuar, ditë në të cilën arrihet dhe realizohet kënaqësia e Zotit të madhëruar. Përse të kthehet nga një ditë e kënaqësisë së Zotit, në ditë të kënaqësisë së shejtanit?! Për se duhet ta hapni derën e jetës bashkëshortore, me zemërimin e Zotit? Vallë si mund të jetohet i lumtur, nëse Zoti është i zemëruar me ty, që ditën e parë të martesës? Përse u bën qejfin miqve dhe shoqërisë, në llogari të nëpërkëmbjes së urdhrave të Zotit? Prandaj dëfrehu deri ku nuk shkelen urdhëresat e Zotit. Edhe në dëfrim e gëzim mos e harro Zotin sepse në të kundërtën mundë të harrohesh, kur ti je në pikëllim.

O Zot na ndihmo që të jemi të matur në çdo punë që do ta bëjmë. O Allah na ndihmo në përballimin me të gjitha dukuritë negative që i kemi në shoqëri.

Artikuj të ngjajshëm

error: