You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Nasir ef. Xhemaili

Hytbe nga Nasir ef. Xhemaili

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,

I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:
بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم
“Ndëshkimi i të keqes, bëhet në të njejtën mas, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është te Allahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët: (Shura, 40)
Kur besimtari i ekspozohet shqetësimeve dhe poshtërimeve, ai ka cilësi të caktuara të cilat shprehin vendosmërinë dhe madhështinë e besimit të tij.
Cilësia e parë është falja (afv), që aludon për pastërti dhe ndershmëri të zemrës. Besimtari ia falë atij që e shqetëson dhe kërkon t’i bëjë ndonjë të mirë, ngase e di që kjo e lartëson në shkallët e devotshmërisë. Në realitet, kryerja e veprave te mira dhe ndihma atyre që na kanë shkaktuar ndonjë të keqe është niveli më i lartë dhe më i çmuar i besimit. Para vetë faljes, besimtari e përmban mllefin dhe zemërimin e vet, nuk ia kthen atij që e shqetëson, pastaj ia falë prapësinë e kryer. Kjo është bamirësi (ihsan), gjegjësisht kthim i të keqes me të mirë. Këtë më së miri e shpjegon rasti i shkuarjes së të Dërguarit të Allahut në Taif.
Trembëdhjetë vite thirrje në Mekë, ai përjetoi vuajtje prej më të ndryshmeve së bashku me besimtarët. Sulmet e pa besimtarëve mbi muslimanët nuk u ndalën, por përkundrazi bëheshin gjithë e më të padurueshëm, sidomos pas vdekjes së mixhës së Muhammedit a.s., Ebu Talibit, i cili e ka mbrojtur deri në vdekje nga pabesimtarët. Të njëjtin vit pak para vdekjes së Ebu Talibit, i vdiq edhe gruaja e parë, hazreti Hatixheja. Për këtë shkak Pejgamberi i Allahut shumë u dëshpërua dhe ky vit u quajt ,viti i dëshpërimit. Kur u ngushtua dhe u ndal thirrja nga idhujtarët, shkoi në Taif për thirrje.
Pejgamberi i dashur (s.a.v.s.), bashkë Zejd bin Harithin, u nis në rrugë për në Taif me qëllim që të merrte përkrahjen e të afërmve të tij atje dhe në njëfarë kuptimi t’i merrte ata si ndihmues në misionin e tij pejgamberik. Kur mbërritën në qytet i tuboi të parët e vendit dhe filloi t’ua sqarojë Islamin. Mirëpo atje u ndeshën me një rezistencë të ashpër dhe u bënë cak i goditjeve me gurë që vinin nga fëmijët e nxitur nga popullata e vendit. Si pasojë e këtyre gjuajtjeve me gurë Pejgamberi i dashur u lëndua në këmbë, kurse Zejdi r.a., i cili u mundua ta mbronte Pejgamberin a.s., u lëndua e u përgjak në kokë. Me zor u strehuan në një kopsht jashtë qytetit. Ishin të lodhur e të rraskapitur. Për më tepër, atij akoma ia përvëlonte zemrën hidhëtia e vdekjes së shoqes (Hatixhes) dhe e xhaxhait të tij (Ebu Talibit). Në këto momente kur po përjetonte dëshpërim mbi dëshpërim, kto ishin moment më të rënda të tija që I përjetoi gjatë jetës së tij. U ul duke u mbështetur në një Hurmë dhe më pas e bëri këtë dua e cila e ndërroi rrjedhën e historisë:

O Zoti im, të lutem të më japish fuqi dhe të më nxjerrësh nga kjo situatë tejet e rëndë në të cilën gjendem. Të lutem të më mbrosh nga poshtërimet njerëzore o më I mëshirshmi. Ti je mbrojtësi i të dobëtëve, ti je mbrojtësi im. Të lutem mos më len në mëshirën e të huajve të cilët më pritën armiqësisht, të lutem mos e e len ndër hipotekë nën duart e tyre thirrjen time. O Krijuesi im nëse Ti nuk je i hidhëruar në mua atëherë nuk mërzitem aspak për të gjitha këto vuajtje. Kujdesi Yt ndaj meje është tejet i madh. I mbështetem dritës së fytyrës tënde, me të cilën e ke shpërndarë errësirën, dhe me ndihmën e të cilës qeveris me këtë botë dhe botën e ardhshme. Të lutem hiqe hidhërimin Tënd nga unë, më pajis me mëshirën tënde gjersa nuk arrijë kënaqësinë Tënde, askush nuk ka fuqi dhe forcë përveç Teje.
Pas duasë që e bëri, Allahu i Lartësuar e ngushëlloi duke dërguar melekun mbikëqyrës të kodrave duke kërkuar nga ai leje për të bashkuar dy kodrat, që do të thoshte zhdukjen nga harta të qytetit të Taifit. Por ai tha fjalët që shënoi historia: “Jo (shkatërrimin e tyre), por shpresoj tek Allahu që pasardhësit e tyre do të thonë La ilahe ilall-llah.”
Pra, thirrja dhe Shehadeti ishte synim primar për të Dërguarin e Allahut të Lartësuar.
O Allah na e mundëso dhe neve që ky besim që e kemi tek Allahu të depërtojë thellë nëpër zemrat tona dhe çdo punë që do ta bëjmë në jetën tonë të jetë vetëm për Allahun. O Allah na ndihmo që ta ndryshojmë gjendjen në të cilën gjendemi.

Artikuj të ngjajshëm

error: