Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin Famëmadh ka urdhëruar:
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيم
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُلُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا رَزَقْنَاكُمْ وَاشْكُرُوا لِلَّهِ إِنْ كُنْتُمْ إِيَّاهُ تَعْبُدُونَ
“O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.” ( Bekare, 2/172)
Në një hadith thuhet:
عَنْ زِيَادٍ قَالَ: سَمِعْتُ الْمُغِيرَةَ يَقُولُ: إِنْ كَانَ النَّبِيُّ s لَيَقُومُ أَوْ لِيُصَلِّىَ حَتَّى تَرِمَ قَدَمَاهُ أَوْ سَاقَاهُ: فَيُقَالُ لَهُ، فَيَقُولُ: “أَفَلاَ أَكُونُ عَبْدًا شَكُورًا؟”
Zijadi e ka dëgjuar Mugiren r. a. të thotë kështu: “Pejgamberi s. a. v. falte namaz (natën) derisa i janë enjtur këmbët. Kur i thuhej diçka në lidhje me këtë çështje, ai thoshte: ‘A të mos bëhem rob falënderues?’”
(Buhariu, Tehexhxhud, 6)
Në një hadith tjetër thuhet:
عَنْ أَبِى هُرَيْرَةَ عَنِ النَّبِيِّ s قَالَ:
“الطَّاعِمُ الشَّاكِرُ بِمَنْزِلَةِ الصَّائِمِ الصَّابِرِ.”
Sipas asaj që transmeton Ebu Hurejre, Pejgamberi s. a. v. ka thënë kështu: “Ai që falënderon për ushqimin e ngrënë, është si ai që agjëron duke duruar.”
(Tirmizi, Sifatu’l-kijame, 43;Ibni Maxhe, Sijam, 55)
Nxënësit e sahabëve të njohur dhe dijetarët e asaj kohe, Ata b. Ebu Rebah dhe Ubejd b. Umejri, një ditë vijnë te bashkëshortja e Muhammedit s. a. v., Aisheja r. a., e cila e ka njohur më për së afërmi të Dërguarin e Allahut. Ubejd. b. Umejri i thotë, “Nëna jonë e dashur! A ka mundësi të na tregosh për sjelljen më të çuditshme/mrekullueshme të të Dërguarit të Allahut?” Aisheja hesht për një moment dhe pastaj vazhdon duke treguar: “Një natë më tha, ‘O Aishe! A më jep leje sonte të ngrihem e ta adhuroj Zotin tim?’ Unë i thashë, ‘Pasha Allahun, unë dua të jem pranë teje por e dua edhe atë që do të të gëzojë ty. Ai u çua dhe mori abdest. Pastaj filloi të falte namaz. Gjatë faljes së namazit qau aq sa pikat e lotit i pikonin në gjoks, mjekër dhe në vendin ku bënte sexhde. Pastaj erdhi Bilal Habeshiu për të thirrur ezanin e sabahut. Kur pa se Pejgamberi s. a. v. qante, i tha, ‘O i Dërguari i Allahut! Pse qan përderisa Allahu i madhëruar t’i ka falur të gjitha gjynahet e të kaluarës dhe të së ardhmes?’ I Dërguari i Allahut iu përgjigj në këtë mënyrë: ‘A të mos jem unë rob që falënderon Allahun?’”
Ndjenja e cila e shtynte Muhammedin s. a. v. të bënte ibadet derisa t’i ënjteshin këmbët, ishte ndjenja e falënderimit, duke qenë se sapo i kishte zbritur ajeti kur’anor i cili thoshte se, “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët,.” Pas këtij realiteti, një pejgamber i cili ishte meditues/soditës i thellë, sigurisht që do të kishte zgjedhur falënderimin ndaj Tij.
Njeriut i janë treguar dy rrugë, rruga e “falënderimit” (shukr) dhe rruga e “mosmirënjohjes” (kufr). Krijuesi i madhërishëm i ka falur atij intelekt dhe vullnet të lirë; prandaj në dashtë le të zgjedhë që të jetë falënderues, në dashtë le të jetë përbuzës i mirësive! Qoftë nëse parapëlqen mirënjohjen, pra të dijë vlerën e mirësisë, apo qoftë nëse tregohet mosmirënjohës, ai është i lirë!
Falënderim/shukër do të thotë, t’i pranosh me respekt mirësitë e Allahut xh. sh. dhe për to të jesh mirënjohës dhe falënderues me zemër, gjuhë dhe trup. Falënderim i zemrës do të thotë të besosh se dhuruesi i mirësive është Allahu xh. sh; falënderim i gjuhës do të thotë ta falënderosh Allahun për mirësitë e dhuruara; falënderim i trupit do të thotë të vazhdosh ekzistencën tënde në përputhje me pëlqimin e Allahut, pra të zbatosh adhurimet ndaj Zotit siç janë falja e namazit apo agjërimi i Ramazanit si dhe të largohesh nga të gjitha ndalesat e Tij; ndërsa falënderim i pasurisë është të japësh sadaka dhe zekat.
Në fakt, falënderimi është vetëdije e robërisë ndaj Zotit, është një mënyrë jetese. Thënë me shprehjen kur’anore, falënderimi është nevoja për të qenë rob i Allahut. Njëri prej emrave të bukur të Zotit është “Shekur”, që do të thotë se Allahu është Ai i cili pranon falënderimet e robërve të tij. Prandaj Ai dëshiron që njerëzit ta falënderojnë dhe të mos tregohen mosmirënjohës. Gjithashtu Ai nuk e lë pa shpërblyer falënderimin që i bëhet, madje karshi falënderimit edhe më tepër dhuron. “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë; por, nëse i mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë!” Vërtet, “Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues.” Sidoqoftë, shumica e njerëzve nuk janë falënderues! Një pjesë shumë e vogël prej tyre janë falënderues!
Pejgamberët, të cilët janë model për njerëzinë, gjithnjë kanë qenë falënderues ndaj Zotit të tyre. Kur’ani Fisnik kur flet për Nuhun s. a. v., thotë, “Ai ishte rob shumë falënderues.” Pastaj gjithnjë e përmend Ibrahimin s. a. v. si mirënjohës dhe falënderues për mirësitë e dhuruara; edhe Davudin s. a. v. e Sulejmanin s. a. v. si mirënjohës dhe falënderues për diturinë e dhuruar.
Në krye të urtësive që vërehen në adhurime qëndron ndjenja e falënderimit. Agjërimet në muaj të Ramazanit, kurbanet e therrura në kohën e haxhit e veçanërisht adhurimet që realizohen me mjete financiare siç janë zekati, sadakaja dhe dhurimi në rrugë të Allahut xh. sh., të gjitha këto mbështeten në urtësinë e falënderimit të Allahut për mirësitë e dhuruara. Nevoja (ndjenja) e falënderimit te njeriu është kërkesë e natyrës së tij të krijuar. Çdo njeri që e ka ruajtur natyrën e tij të pastër, nëse nga ndërgjegjja e ndjen për borxh të falënderojë madje edhe atë që i ka bërë një mirësi të vogël, nuk mund të mendohet të mos jetë mirënjohës dhe të mos e falënderojë Krijuesin i cili është dhuruesi i të gjitha mirësive. Ky qëndrim është një rezultat i natyrshëm që buron nga edukimi islam dhe adhurimi. Njeriu nuk duhet të ngelet vetëm me falënderimin ndaj Allahut i cili i ka falur mirësi të pakufishme, por ai duhet të jetë falënderues edhe ndaj njerëzve që i bëjnë mirë. I Dërguari i Allahut në një rast tha: “Ai që nuk falënderon njerëzit, nuk falënderon as Allahun.”
Për çdo besimtar që e njeh Krijuesin e vet, është detyrë e vetëdijes së robërisë ndaj Tij që të jetë mirënjohës dhe ta dijë vlerën e mirësive që i ka falur Ai, si dhe ta përkujtojë Atë që ia dhuroi këto mirësi pa ndonjë çmim. Kështu që, detyra që i takon çdo individi besimtar është që, për mirësitë e dhuruara, gjithmonë ta zbatojë obligimin e falënderimit dhe të lavdërimit ndaj Allahut të madhërishëm. Omeri r. a., në prezencë të Muhammedit s. a. v., u shpreh se dëshironte të fitonte pasuri të dobishme, andaj kërkoi prej tij që t’i tregonte cila pasuri është më e dobishme. Por i Dërguari i Allahut, në vend të pasurisë, e këshilloi Omerin që të mundohet të fitojë: “Një zemër që falënderon, një gjuhë që e përmend Allahun dhe një bashkëshorte besimtare e cila do ta ndihmojë në çështje të ahiretit.”
Falënderimi e ruan njeriun që të mos largohet nga qëllimi i krijimit të tij duke qenë se njeriu, kur pasurohet apo forcohet, ka prirje që të kalojë në mizori, të bëhet i padrejtë apo i pandërgjegjshëm. Dhuntitë dhe mundësitë që i janë falur, në vend që t’i konsiderojë si mirësi nga Allahu xh. sh., fillon të mendojë se i ka fituar vetë. Në këtë fazë, në vend të falënderimit bëhet mosmirënjohës, madje merr edhe qëndrim prej mohuesi. Kur njeriut, i cili në shpirt ka dashurinë ndaj kapitalit dhe dynjasë, i lartësohet pozita e kësaj bote, kur i shtohet pasuria, në vend që t’i shtohet falënderimi ndaj Krijuesit, përkundrazi, i shtohet mosmirënjohja. “Se njeriu është vërtet mosmirënjohës ndaj Zotit të vet.” Pasikonsideron se është i vetëmjaftueshëm, ai kalon në teprim/ekstremizëm. Prandaj të gjitha format e përmbushura të falënderimit e ruajnë vetëdijen e robërisë ndaj Allahut xh. sh..
Muhammedi s. a. v., duke na mësuar se, “Ai që falënderon për ushqimin e ngrënë, është si ai që agjëron duke duruar,” na përkujton se besimtari, duke falënderuar kur është i pasur dhe duke duruar në vështirësi, do të dalë fitimtar. Besimtarët të cilët durojnë kur përballen me fatkeqësi, falënderojnë kur u dhurohet mirësi, falin kur u bëhet padrejtësi dhe kërkojnë falje kur i bëjnë dikujt padrejtësi, Pejgamberi s. a. v. i ka përgëzuar se janë prej të udhëzuarve dhe prej atyre që s’duhet të frikësohen.
Njeriu, të cilit i janë dhuruar mirësi të pakufishme, në çdo frymëmarrje, në çdo zë që dëgjon, në çdo send që sheh, në çdo shije që shijon, në çdo objekt që prek, në çdo të vërtetë që arrin ta njohë e ta kuptojë, duhet të përkujtojë Allahun i cili i fali mundësinë e përjetimit të këtyre. Duhet të jetë i vetëdijshëm për paaftësinë e vet dhe gjithnjë të mbartë ndjenjën e falënderimit ndaj Krijuesit të madhërishëm i cili i fali jetë njeriut. Nuk duhet harruar që, jo vetëm njeriu, por lavdërimet dhe mirënjohjet ndaj Allahut i shpreh gjithçka në qiej e në tokë, pra të gjitha krijesat, duke përfshirë edhe engjëjt. Prandaj, të jesh rob që e falënderon dhe e lavdëron Allahun, do të thotë të jesh pjesë e rëndësishme e të gjithë universit.
Mirëpo, krahas të gjitha këtyre, Allahu fuqiplotë në Kur’anin Fisnik thotë: “Megjithatë, pak nga robërit e Mi janë falënderues.” Kjo situatë tregon lumturinë e falënderuesve dhe mjerimin e atyre që nuk falënderojnë. Ata që nuk falënderojnë, duke i parë ata që posedojnë më tepër mirësi se ata, mund të mendojnë se vetë atyre u është dhuruar shumë pak mirësi. Por e vërteta është ashtu siç ka këshilluar i Dërguari i Allahut s. a. v., që thelbësore është që njeriu, në vend që t’i shohë me pezm ata që janë më lart se vetja në pasuri dhe krijim, më mirë të shohë ata që janë më poshtë se ai dhe të jetë i vetëdijshëm për vlerën e asaj që posedon. Faleminderit!