Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin e Famëmadh ka urdhëruar:
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيم
عِدَّةَ الشُّهُورِ عِنْدَ اللَّهِ اثْنَا عَشَرَ شَهْرًا فِي كِتَابِ اللَّهِ يَوْمَ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ مِنْهَا أَرْبَعَةٌ حُرُمٌ ۚ ذَٰلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ ۚ فَلَا تَظْلِمُوا فِيهِنَّ أَنْفُسَكُمْ ۚ وَقَاتِلُوا الْمُشْرِكِينَ كَافَّةً كَمَا يُقَاتِلُونَكُمْ كَافَّةً ۚ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ مَعَ الْمُتَّقِينَ
“Te All-llahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e All-llahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj). Luftoni të gjithë idhujtarët pa dallim, siç ju luftojnë ata juve pa dallim, e dijeni se All-llahu është me ata që ruhen (të këqijave).” ( Tevbe, 36)
Ndër muajt e bekuar, nga aspekti i përgatitjes së besimtarëve fizikisht dhe shpirtërisht për Ramazanin, vlerë të veçantë mbartin edhe muajt Rexheb dhe Shaban. I Dërguari i Allahut a.s.i priste me gëzim tre muajt e bekuar dhe kur hynte muaji Rexheb, lutej kështu,
َنْ أَنَسِ بْنِ مَالِكٍ قَالَ: كَانَ رَسُولُ اللَّهِ s إِذَا دَخَلَ رَجَبٌ، قَالَ: “اَللَّهُمَّ بَارِكْ لَنَا فِي رَجَبٍ، وَشَعْبَانَ، وَبَلِّغْنَا رَمَضَانَ.”
Siç përcjell Enes b. Maliku, kur hynte muaji Rexheb i Dërguari i Allahut a.s.lutej kështu:
“Zoti ynë! Na i beko muajt Rexheb dhe Shaban dhe na mundëso të arrijmë muajin Ramazan!”
E premtja e parë e muajit Rexheb është nata e bekuar e Regaibit. Regaib, në gjuhën arabe është shumësi i fjalës “ragibe”, që do të thotë se kjo është nata e dhuntive, dhuratave, shpërblimeve dhe nxitëse për vepra të mira. Nata e mirë Regaib, sipas kalendarit hënor, bie natën e xhumasë së parë (nata që lidh ditën e enjte dhe të premte) të muajit Rexhep, i cili është edhe muaji i parë i tre muajve të mirë. Çdo natë e xhuma është e bekuar. Kur këto dy net puqen bashkë nata atëherë bëhet akoma më e bekuar dhe më e dobishme. Me vlerat e mëdha që përmban kjo natë, është njëkohësisht sihariqi dhe lajmëtari i parë i muajit të Ramazanit. Në aspektin psikologjik kjo është shumë e rëndësishme, sepse besimtari hyn në një parapërgatije shpirtërore dhe e drejton veten e tij drejt adhurimeve, përgjegjësive individuale dhe familjare duke urdhëruar të mirën e duke ndaluar të keqen. Në këtë natë hazreti Emineja mendohet që ta ketë kuptuar që është shtatzënë më pejgamberin tonë, Muhammedin, a.s.. Gjithashtu sipas mendimeve të dijetarëve islam, në këtë natë Allahu i Madhëruar, e ka begatuar pejgamberin Muhammed, a.s., me dhunti dhe dhurata shpirtërore shumë të çmuara.
.Allahu në natën e Regaibit u jep muslimanëve mirësi dhe begati të panumërta. Kjo është nata kur pranohen lutjet dhe pendesat dhe kur shpërblimet e adhurimeve janë të mëdha e të shumta. Profeti ynë i nderuar në një hadith të transmetuar nga Enesi, r.a., thotë: “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar në natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse melaqet e asaj nate i kanë vënë emrin Regaib!” Ndërsa në disa thënie të tjera , për rëndësinë e kësaj nate, Muhammied, s.a.v.s, thotë: “Ai që e vlerëson natën e Xhumasë së parë të muajit Rexhep (nata e Regaibit), Allahu i Madhëruar nuk e dënon në varr.” “Lutja që bëhet në këto pesë netë nuk kthehet mbrapsht: Në natën e Regaibit, në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Shaban, të Xhumanë, natën e Bajramit të Ramazanit dhe të Kurbanit”. (Ibn Asakir)
Një ngjarje tjetër e rëndësishme që ia rrit vlerën muajit Rexhep është ndodhia e Mi’raxhit. Sipas një mendimi të dijetarëve, Israja nënkupton udhëtimin e Pejgamberit a.s.nga Mesxhid’ul-Harâm në Mekke deri në Mesxhid’ul-Aksâ në Jeruzalem dhe Mi’raxhi që nënkupton ngritjen e Pejgamberit a.s.nga Mesxhid’ul-Aksa deri në lartësitë qiellore, kanë ndodhur pikërisht në muajin Rexhep. Fakti që në Mi’raxh Pejgamberit a.s.i janë dhënë pesë kohët e namazit, ajetet e fundit të sures Bekare të njohura si “Amenerresulu” dhe përgëzimi se “Atyre të cilët nuk i bëjnë shirk Allahut mund t’u falen mëkatet e mëdha,” janë elemente që e bëjnë të bekuar muajin Rexheb.
Muajt Rexheb dhe Shaban janë muaj në të cilët i Dërguari i Allahut a.s.i kushtonte rëndësi të madhe agjërimit. Mirëpo, Pejgamberi ynë i nderuar, ndoshta pse ka dashur që agjërimi i tërë muajit të mbetet specifikë vetëm e Ramazanit, në një hadith ku flet për agjërimin në muajin Rexhep, ka theksuar se nuk e sheh të arsyeshme që ky muaj të kalohet tërësisht me agjërim.
Muhammedi a.s., edhe kur hynte muaji Shaban, tregonte kujdes që agjëronte. Këtë të vërtetë e pati vënë re Usameja, i biri i Zejdit, të cilin ai e donte shumë, dhe e pati pyetur Pejgamberin a.s.për arsyen e agjërimit në muajin Shaban më shumë se në muajt e tjerë. Me këtë rast e pati marrë këtë përgjigje: “Ky është një muaj mes Rexhebit dhe Ramazanit në të cilin njerëzit janë të shkujdesur. Në këtë muaj veprat i paraqiten Allahut, Zotit të botërave. Prandaj edhe unë dëshiroj që veprat e mia t’i paraqiten Allahut duke qenë i agjëruar.” Nuk mund të mendohet se Allahu xh. sh. është i painformuar për veprat e robërve të Tij. Mirëpo, paraqitja e veprave të njeriut te Allahu i lartëmadhërishëm në kohë të caktuara, me siguri nënkupton atë që Allahu i madhërishëm robërve të vet u ofron mundësi dhe shanse që të pendohen.
Pejgamberi ynë a.s. brenda muajit Shaban ka agjëruar në ditë të ndryshme. Madje duke i kaluar ditët e fundit të muajit Shaban me agjërim, ka ndodhur që t’i bashkëngjisë me muajin Ramazan. Megjithatë, Aishja r. a. thotë se, përveç muajit të Ramazanit, nuk e ka parë të Dërguarin e Allahut a.s.ta ketë kaluar ndonjë muaj të tërë me agjërim. Prandaj në vend që këto muaj të kalohen të tërë duke agjëruar, më e udhës do të ishte që të agjërohej disa ditë të caktuara, ashtu që të edukohet vetja dhe të përgatitet për muajin e Ramazanit.
Ndërsa nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban, në kulturën tonë njihet si nata e Beratit. Pejgamberi ynë i nderuar, në këtë natë që përkon me mesin e muajit Shaban, ka këshilluar që të bëhet shumë ibadet kurse dita të kalohet me agjërim dhe na ka përgëzuar që atë natë, prej kur perëndon dielli e deri në agim, Allahu i lartësuar manifeston mëshirën e Tij në botë duke u thirrur robërve të Tij: “A nuk ka ndokush që kërkon falje, e ta fal? A nuk ka ndokush që kërkon furnizim, që ta furnizoj? A nuk ka ndokush që e kanë pushtuar problemet, që t’i jap shëndet e rehati?..”
Pikërisht në një natë të tillë, Aishja r. a. zgjohet nga gjumi dhe kur vë re se të Dërguarin e Allahut a.s.nuk e kishte pranë vetes, del jashtë e fillon ta kërkojë, derisa e gjen në varrezën Baki me kokën të ngritur nga qielli. Pejgamberi, për t’i treguar Aishes r. a. e sa e gjerë është mëshira e Allahut xh. sh. në këtë natë, i thotë asaj: “Në këtë natë që përkon me mesin e muajit Shaban, Allahu i lartëmadhërishëm zbret në qiellin e kësaj bote (manifeston mëshirën e Tij) dhe fal mëkatarë më shumë se numri i qimeve të deleve të fisit Kelb.”
Si përfundim themi që kto net duhet vlerësuar nga besimtarët me namaz, me lexim të Kur’anit, me teube (pendesë), i dërgohen salavatet Pejgamberit, dita e enjte agjërohet dhe në darkë kryhen adhurime të llojeve të ndryshme, gjithashtu kjo natë kalohet edhe me punë të tjera të dobishme dhe sevapprurëse në fenë tonë. Nuk duhet të harrojmë që lutjet tona të fillojnë dhe të mbarojnë me salavate për Pejgamberin, duke ditur që lutja midis dy lutjeve të pranuara tek Zoti, pranohet.