You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Myftiu në Xhaminë e f. Pallaticë (27.03.2015)

Hytbe nga Myftiu në Xhaminë e f. Pallaticë (27.03.2015)

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..

I nderuari xhemaat,

I Madhi Allah në Kur’anin e Famëmadh ka urdhëruar:
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ
أَلَمْ تَرَ كَيْفَ ضَرَبَ اللَّهُ مَثَلًا كَلِمَةً طَيِّبَةً كَشَجَرَةٍ طَيِّبَةٍ أَصْلُهَا ثَابِتٌ وَفَرْعُهَا فِي السَّمَاءِ تُؤْتِي أُكُلَهَا كُلَّ حِينٍ بِإِذْنِ رَبِّهَا ۗ وَيَضْرِبُ اللَّهُ الْأَمْثَالَ لِلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَتَذَكَّرُونَ وَمَثَلُ كَلِمَةٍ خَبِيثَةٍ كَشَجَرَةٍ خَبِيثَةٍ اجْتُثَّتْ مِنْ فَوْقِ الْأَرْضِ مَا لَهَا مِنْ قَرَارٍ
“A nuk ke kuptuar se si All-llahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, e që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frutin e vet në çdo kohë. All-llahu pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë. Dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar.” (Ibrahim, 14:24-26)
Një ditë, Pejgamberi a. s. ishte duke qëndruar bashkë me një grup prej dhjetë njerëzish. Ata e gostitën me një esencë hurme, që bëhej në maje të hurmës dhe që i ngjante qumështit. Pasi e provoi, Pejgamberi a. s. tha: “Më tregoni një pemë që i ngjan muslimanit, që me lejen e Allahut jep vazhdimisht frute dhe nuk i bien gjethet?” Njerëzit filluan të përmendnin pemët që rriteshin në shkretëtirë. Mirëpo asnjë prej tyre nuk ia doli ta gjente pemën që kishte për qëllim Pejgamberi a. s.. Ndërkohë, i riu Abdullah deshi të thoshte se është “hurma”, por i erdhi turp dhe heshti. Ai ishte më i riu mes të pranishmëve. Përveç kësaj, afër tij ishte babai i tij, Umeri r.a. dhe Ebu Bekri r.a., dhe nuk kishin thënë asgjë në lidhje me këtë çështje. Abdullahu nuk e pa të udhës që të fliste për një temë për të cilën nuk kishin folur ata. Si rrjedhojë, kur ata që ishin të pranishëm nuk e gjetën dot përgjigjen, kërkuan prej Pejgamberit a. s. që ta thoshte, dhe ai ua tha: “Ajo pemë është hurma.”
Pasi u shpërndanë njerëzit, Abdullahu i tha babait të vet: “Baba, mua më shkoi në mend që ishte hurma.” Umeri r. a. e pyeti: “Po pse nuk e the? Sikur ta kishe thënë do gëzohesha shumë!” Abdullahu kishte heshtur për shkak të respektit të madh që kishte për të atin dhe shokun e tij të ngushtë, Ebu Bekrin r. a.. Por, ai nuk e harroi asnjëherë këtë përngjasim të besimtarit me hurmën, si dhe as sjelljen e ngrohtë të babait të tij. Ai e përcolli këtë ngjarje te brezat e ardhshëm, duke na dhënë kështu mundësinë që edhe ne ta dëgjojmë këtë thënie të Pejgamberit a. s..
Shprehja krahasuese “është një pemë që frutet e saj i ngjajnë fruteve të besimtarit”, për Pejgamberin a. s. është frymëzim nga Kur’ani famëlartë, ngaqë Allahu xh. sh., besimin dhe deklarimin me gojë të besimit (kelime-i tevhidin), e ka krahasuar me pemën e bukur; ndërsa mohimin dhe deklarimin e mohimit, fjalën e keqe, e ka krahasuar me pemën e shëmtuar: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të forta në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin. Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë.”
Pejgamberi a. s. ka thënë se në këtë ajet, alegoria “pemë e bukur” është përdorur për “pemën e hurmës”, ndërsa “pema e shëmtuar” është pjepri i hidhur (colocynthi). Ashtu siç Allahu xh. sh. e ka krahasuar besimin e sinqertë, të shprehur me fjalën e njëshmërisë, me pemën e hurmës, edhe Pejgamberi a. s. e ka krahasuar besimtarin me të njëjtën pemë. Gjatë krahasimit të hurmës me besimtarin, një theks i veçantë është vendosur te rrënjët. Si rrjedhojë, pema e hurmës i ka rrënjët e futura thellë dhe të sigurta në tokë. Po ashtu, edhe besimtari e ka besimin të vendosur thellë në zemrën e tij.
Rrënjët e hurmës janë burimi i vetëm nga ku ushqehet kërcelli, fruti dhe gjethja. Po ashtu edhe besimi i besimtarit, është burimi i ibadeteve dhe i etikës së mirë. Ashtu sikurse rrënja ia kalon ushqimin drurit, ashtu edhe besimi ia kalon shpirtin dhe emocionin dhe e mban gjithnjë të gjallë atë. Rrënjët e mbajnë të fortë drurin në përballje me erërat e furishme. Po kësisoj, edhe besimi e mban të fortë besimtarin në jetën e tij të kësaj bote dhe të botës tjetër. Dëmi që i bëhet rrënjës ndikon te druri në tërësi. Edhe besimi është i tillë. Ai është larg nga të gjitha fjalët që përmbajnë dyshim, idhujtari dhe mohim. Për pasojë, çdo fjalë që ka kuptimin e mohimit i ngjan një druri që është çrrënjosur. Druri që nuk ka rrënjë thahet, ashtu edhe besimtari që nuk ka besim të fortë është i humbur në këtë botë dhe në botën tjetër. Besimi është një cilësi rrënjësore që mundëson karakteristikën e të qenurit besimtar. Cilësinë e të qenit besimtar ia ka borxh besimit. Besimi është shkaku ekzistencial i të qenit besimtar.
Nga njëra anë, në trajtë të fuqishme, besimtari ushqehet nga rrënja e besimit; ndërsa nga ana tjetër, përpiqet që nëpërmjet të tij t’i afrohet kënaqësisë së Allahut xh. sh. Krahasimi ndërmjet degëve të larta drejt qiellit (dhe hurmës) dhe besimtarit qëndron në këtë pikë. Sa më të fuqishme t’i ketë rrënjët hurma, aq më shumë ka mundësi të zhvillojë kërcellin dhe degët. Trupi i saj rritet drejt qiellit dhe, si pasojë, është larg nga ndotja dhe rreziqet e tokës. Fruti i saj piqet i sigurt. Edhe besimtari, sa më shumë ta përqëndrojë dhe ta forcojë besimin dhe qëllimin, aq më shumë i afrohet Zotit. Në këtë mënyrë ai e ka më të lehtë t’i tejkalojë pengesat që i dalin në rrugë; shpëton nga kërkesat e ulëta dhe ngjitet drejt qëllimeve të larta. Qëllimi dhe orientimi i tij është në kahje të drejtë. Besimi i tij, që i kahëzon të gjitha sjelljet e tij, e lartëson atë drejt Allahut.
Druri që i ka të forta rrënjët dhe degët jep frute të ëmbla dhe të bukura.
Fruti është në pritje të mbështetjes së vërtetë nga druri i hurmës, që rritet me kujdes dhe durim. Gjithashtu, edhe nga besimtari me besim dhe qëllim të sinqertë pritet që të shfaqë vepra të mira; sepse vepra e mirë është pasqyra e besimit të besimtarit dhe fruti i pemës së besimit. Nëse besimi vendoset fort në zemrën e besimtarit, atëherë ai kahëzon të gjitha sjelljet dhe jetën e tij në tërësi. Ndikimi i mirë dhe pozitiv i besimit paraqitet në trajtën e vepërmirësisë në të gjitha fjalët dhe veprat.
Një nga frutet e besimit është edhe ibadeti. Shndërrimi i besimit në vepërmirësi shihet në ibadetet e tij. Muslimani që ka vetëdije përkushtuese ndaj Allahut e kalon jetën me respekt dhe nënshtrim ndaj Tij. Krahas ibadeteve, që përbëhen nga kushtet themelore të Islamit, si namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi, besimtari i vërtetë e kujton (dhikr) Allahun, lexon Kur’anin, pret kurban dhe ndihmon të tjerët për hir të Allahut. Nëpërmejt ibadeteve farz/të domosdoshme dhe nafile/shtesë ai i afrohet Allahut, dhe kësisoj fiton dashurinë e Tij.
Gjithashtu, etika është një nga frutet e pemës së besimit. Në një hadith ku tregohet lidhja e drejtë e besimit me etikën, i Dashuri i Allahut ka thënë: “Besimtari me besimin më të përsosur është ai që ka sjelljen më të bukur.” Edhe përkufizimi i besimtarit nga ana e Pejgamberit a. s. është me epiqendër etike: “Kush gëzohet kur bën një të mirë dhe dëshprohet kur bën një të keqe është besimtar.” Në një përkufizim tjetër për besimtarin, Pejgamberi a. s. ka theksuar karakterin e pastër dhe fisnikërinë shpirtërore: “Besimtari është i drejtë dhe altruist; ndërsa i prishuri është hileqar dhe i poshtër.” I Dashuri i Allahut thotë se besimtari nuk mund të ketë sjellje të keqe: “Besimtari nuk shpif për njerëzit, nuk i mallkon ata, nuk flet me arrogancë dhe nuk është i paturpshëm.”
“Koprracia dhe sjellja e keqe nuk janë cilësi të besimtarit.”
“Ai që merret me thashetheme, shan, fyen dhe lavdërohet me prejardhjen e tij është në xhehennem! Këto cilësi nuk duhet t’i ketë besimtari.”
Nga ana tjetër, për besimtarin që dëgjon këshillat e Pejgamberit dhe e ushqen besimin e tij me sjellje të mira ka shpërblime të mëdha. Këtë shpërblim Pejgamberi a. s. e ka sqaruar si më poshtë: “Besimtari, për shkak të sjelljes së mirë arrin gradën e atij që i kalon (ditët) me agjërim dhe (natën) me namaz.”
Te përngjasimi i hurmës me besimtarin, Pejgamberi a. s. ka theksuar edhe çështjen se “hurma jep frute në çdo kohë”, dhe me këtë ka treguar se pema e hurmës është me bereqet. Krahas kësaj, pema e hurmës është një pemë që nuk i shfrytëzohen vetëm frutet, por edhe hija, druri, gjethet, degët, madje edhe bërthama. Edhe besimtari është i tillë: bereqeti është pika më konkrete e ngjashmërisë midis tyre. Besimtari është ai që ka arritur me fjalët, qëndrimet, sjelljet, besimin, ibadetet, me tërë jetën e tij të bëhet i dobishëm dhe frytëdhënës.
Të qenurit i dobishëm është një veti dalluese e besimtarit. Pejgamberi a. s., për nga aspekti i të qënit të tij i dobishëm për veten, familjen dhe shoqërinë, e ka krahasuar besimtarin me shitësin e parfumeve: “Besimtari i ngjan atij që shet erëra të mira. Nëse rri me të, ke dobi prej tij; nëse ecën me të është i dobishëm për ty; nëse bashkëpunon me të përsëri ke dobi.”
Të qenurit i dobishëm do të thotë që me sjelljet dhe qëndrimet të mos jesh i dëmshëm për njerëzit. Në një përkufizim që Pejgamberi a. s. ka bërë për muslimanin dhe besimtarin (mu’min), te besimtari, në plan të parë e ka nxjerrë të qënit i besueshëm për shoqërinë: “Musliman është ai që prej dorës dhe gjuhës së tij janë të sigurt muslimanët e tjerë. Mumin/besimtar është ai prej të cilit i kanë të sigurta shpirtat dhe pasuritë njerëzit e tjerë.” Enes b. Maliku ka përcjellë një hadith në të cilin është përfshirë “rregulli i artë”, që për shekuj me radhë është bërë pjesë e të gjitha sistemeve fetare dhe etike: “Atë që nuk ke dëshirë të ta bëjnë ty, mos ua bëj të tjerëve!” Ose: “Ashtu siç ke dëshirë që të sillen të tjerët me ty, ashtu sillu edhe ti me tjerët!” Në këtë hadith, Pejgamberi a. s. ka vendosur një lidhje të drejtë midis besimit dhe etikës: “Asnjë prej jush nuk do besojë plotësisht për aq sa nuk do për vëllaun e vet atë që do për veten!”
Duhet pranuar se besimtari mund të tronditet nga fatkeqësitë dhe vështirësitë me të cilat përballet gjatë jetës. Ndonjëherë mund të ngecë për shkak të strukturës së tij njerëzore dhe shqisore; por, edhe në raste të tilla duhet të jetë i vendosur. Për pasojë, në rastet kur besimtari tronditet dhe lëkundet, besimi i tij e kap për dore dhe ai mëkëmbet përsëri. Në një hadith të përcjellë nga Ebu Hurejra, i Dashuri i Allahut ka folur për qëndrimin e besimtarit dhe jobesimtarit përballë fatkeqësisë:
“Besimtari i ngjan drithërave të gjelbërta; lakohet me erën (por nuk thyhet). Kur qetësohet era, ai përsëri drejtohet. Pikërisht i tillë është edhe besimtari. Si pasojë e sprovave dhe fatkeqësive, lakohet (por nuk thyhet). Ndërsa jobesimtari është si druri i selvisë, i cili shkulet me rrënjë (menjëherë) nëse dëshiron Allahu.”
Dhe në fund, nëse e kujtojmë që Pejgamberi a. s. e ka përkufizuar besimtarin si “ai që gëzohet kur bën një vepër të mirë dhe dëshprohet kur bën ndonjë vepër të keqe”, atëherë lutja më e mirë për besimtarin do të ishte kjo lutje e Pejgamberit a. s.:
“Allahu im, më bëj prej robërve të Tu që gëzohet kur bën një vepër të mirë dhe kërkon falje kur bën një të keqe!”

Qani Nesimi ne fshatin pallatice

Artikuj të ngjajshëm

error: