You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Myftiu në Xhaminë e f. Çellopek (20.03.2015)

Hytbe nga Myftiu në Xhaminë e f. Çellopek (20.03.2015)

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..

I nderuari xhemaat,

I Madhi Allah në Kur’anin e Famëmadh ka urdhëruar:
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا ادْخُلُوا فِي السِّلْمِ كَافَّةً وَلَا تَتَّبِعُوا خُطُوَاتِ الشَّيْطَانِ ۚ إِنَّهُ لَكُمْ عَدُوٌّ مُبِينٌ
“O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (përqafojeni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik juaji i hapët”.( Bekare 208)

Hutben e sodit e kam titulluar “Islami, jo për t’u ngatërruar”.

“Jo për tu ngatërruar” është njëri prej nëntitujve të librit Der Wanderer und sein Schatten (Udhëtari dhe hija e tij), të Nietzsche-s, ku a flet për mosujdinë e subjekt-objektit te moralistët. Shpeshherë edhe njerëzit të cilët dëshirojnë të shpëtojnë nga psikologjia e rrezikshme e turmës dhe të ecin vijës së dritës që rrezaton brenda në shpellën e Platonit, e përjetojnë këtë krizë të pakuptimësisë dhe çorroditjes së vlerave. Ja çka thotë Nietzsche: “Moralistët, që i trajtojnë si probleme të vështira të njohjes ndjenjat madhështore, të fuqishme, të painteres, për shembull heronjtë e Plutarkut, ose gjendjen shpirtërore të pastër, të ndritshme, të zjarrtë të burrave e grave realisht të mirë dhe gjurmojnë origjinën e këtyre ndjenjave, duke treguar kompleksivitetin në thjeshtësinë e dukshme dhe duke kthyer syrin te bashkëlidhja e motiveve, te iluzionet delikate ideale që gërshetohen mes tyre dhe te ndijimet individuale e kolektive të trashëguara nga lashtësia, të zhvilluara ngadalë, këta moralistë janë mbi të gjitha të ndryshëm nga ata me të cilët ngatërrohen më shpesh, nga ata shpirtëra meskinë që nuk besojnë në ato mënyra të menduari dhe në ato gjendje shpirtërore në përgjithësi dhe besojnë se fshehin poshtërsinë e tyre pas shkëlqimit të madhështisë dhe pastërtisë. Moralistët thonë: ‘këtu ka probleme’, meskinët thonë: ‘këtu ka mashtrues dhe mashtrime’ – kështu mohojnë pikërisht ekzistencën e asaj që ata të tjerët studiojnë dhe shpjegojnë”.

Islami nuk është ideologji plolitike, por kjo nuk do të thotë se ai duhet të jetë mospërfillës ndaj ngjarjeve që ndodhin sot. Ai në brendi pandërprerë e ndien zërin e Fjalës Hyjnore, e cila garanton sigurinë e paqes dhe të qytetërimit. Inkuadrimi i Islamit në qarqet botërore duhet të jetë konstruktiv dhe ndërtues, siç ishte edhe metoda e Muhammedit a.s., e assesi shkatërrues dhe rrënues. Një numër i madh i revolucioneve botërore, edhe pse disa herë me të drejtë, me vete kanë sjellur shkatërrimin, rrënimin, barbarinë ndaj ithtarëve të sistemit të mëparshëm. Por Muhammedi a.s. vendosjen e vlerave të shpallura nuk e ka bërë mbi shkatërrimin, tiraninë dhe parregullsinë. Shembull më i mirë për këtë është çlirimi i Mekkes dhe sjellja e Pejgamberit a.s. me banorët e këtij qyteti.
Është tejet e rëndësishme që të bëhet dallim mes porosisë universale islame dhe disa pasqyrimeve tradicionale dhe lokale.
Imperativet kur’anore për:
– mirësjelljen;
وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَىٰ ۖ وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ ۚ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۖ إِنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ
“Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e në armiqësi, kini dro dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë”. (El-Maide, 2).
– drejtësinë;
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُونُوا قَوَّامِينَ لِلَّهِ شُهَدَاءَ بِالْقِسْطِ ۖ وَلَا يَجْرِمَنَّكُمْ شَنَآنُ قَوْمٍ عَلَىٰ أَلَّا تَعْدِلُوا ۚ اعْدِلُوا هُوَ أَقْرَبُ لِلتَّقْوَىٰ ۖ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۚ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ

“O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hirë të Allahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kinie dro Allahun se Allahu di hollësisht për atë që veproni”. (Maide, 8).

– sinqeritetin;
فَاسْتَقِمْ كَمَا أُمِرْتَ وَمَنْ تَابَ مَعَكَ وَلَا تَطْغَوْا ۚ إِنَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ

“Ti përqëndrohu vendosmërisht ashtu si je i urdhëruar, e bashkë me ty edhe ata që u penduan e mos tejkaloni, se me të vërtetë Ai është shikues i asaj që veproni”. (Hud, 112).
– faljen dhe mëshirën;

فَبِمَا رَحْمَةٍ مِنَ اللَّهِ لِنْتَ لَهُمْ ۖ وَلَوْ كُنْتَ فَظًّا غَلِيظَ الْقَلْبِ لَانْفَضُّوا مِنْ حَوْلِكَ ۖ فَاعْفُ عَنْهُمْ وَاسْتَغْفِرْ لَهُمْ وَشَاوِرْهُمْ فِي الْأَمْرِ ۖ فَإِذَا عَزَمْتَ فَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ ۚ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُتَوَكِّلِينَ
“Ti ishe i butë ndaj tyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemrëfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që i mbështeten”. (Ali Imran, 159).

– veprat e mira;
وَبَشِّرِ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ أَنَّ لَهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِنْ تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ ۖ كُلَّمَا رُزِقُوا مِنْهَا مِنْ ثَمَرَةٍ رِزْقًا ۙ قَالُوا هَٰذَا الَّذِي رُزِقْنَا مِنْ قَبْلُ ۖ وَأُتُوا بِهِ مُتَشَابِهًا ۖ وَلَهُمْ فِيهَا أَزْوَاجٌ مُطَهَّرَةٌ ۖ وَهُمْ فِيهَا خَالِدُونَ

“E përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në xhennete, në të cilat rrjedhin lumenj. Saherë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: ‘Ky është që me te u ushqyem edhe më parë’. Ngase, u sillet ushqim i ngjashëm. Aty do të keni ata bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë”. (El-Bekare, 25).
– parapëlqimin e drejtësisë dhe durimit;
وَالْعَصْرِإِنَّ الْإِنْسَانَ لَفِي خُسْرٍإِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ
“Pasha kohën. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri tjetrin të jenë të durueshëm”.( El-Asr, 1-3).

paqen, ( siç u tha në ajetin e parë që e lexova në fillim të hutbes) dhe të gjitha këta elemente kanë ndikuar që muslimanët të jenë më të suksesshëm në situata paqësore sesa luftarake – sa për ilustrim mund të thuhet se në kohën e Muhammedit a.s. më tepër njerëz e kanë pranuar Islamin pas marrëveshjes së Hudejbisë sesa para saj në periudhën e luftërave-, sepse në periudhën e paqes mënjanohen pengesat që inkuadrohen në mesin e përfaqësimit të Islamit dhe arsyes; emocionet dhe urrejtja vendin ia lenë vetëdijes dhe mençurisë. Ndjekja e traditës profetike nuk duhet kuptuar vetëm si formë e ngurrtë dhe norma të palëvizshme, përkundrazi si një ngjarje e cila është e hapur për ripasqyrim dhe e bart në praktikë frymën dhe bërthamën kur’anore.
Pejgamberi a.s. ka urdhëruar:
عَنْ أَبِى هُرَيْرَةَ قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ :
“لاَ تَدْخُلُونَ الْجَنَّةَ حَتَّى تُؤْمِنُوا، وَلاَ تُؤْمِنُوا حَتَّى تَحَابُّوا، أَوَلاَ أَدُلُّكُمْ عَلَى شَيْءٍ إِذَا فَعَلْتُمُوهُ تَحَابَبْتُمْ؟ أَفْشُوا السَّلاَمَ بَيْنَكُمْ.”
Ebu Hurejre rrëfen se Pejgamberi a. s. ka thënë:
“S’do të hyni në xhenet përderisa nuk besoni, nuk do të besoni përderisa nuk e doni njëri-tjetrin. T’u them diç që nëse e bëni do ta doni njëri-tjetrin? Përhapeni selamin!” (Muslim, Iman, 93);

عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ عَمْرٍو : أَنَّ رَجُلاً سَأَلَ النَّبِيَّ :
أَيُّ الإِسْلاَمِ خَيْرٌ؟ فَقَالَ: “تُطْعِمُ الطَّعَامَ، وَتَقْرَأُ السَّلاَمَ عَلَى مَنْ عَرَفْتَ وَمَنْ لَمْ تَعْرِفْ
Siç transmetohet nga Abdullah b. Amri, një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe pyeti se cila punë në Islam është më e mira. Pejgamberi a. s. u përgjigj: “Të ushqesh një njeri, t’i japësh selam atij që e njeh dhe atij që s’e njeh.”
(Buhari, Iman, 6)

Ka tre detyrime të rëndësishme, pa të cilat njeriu nuk mund ta ruajë baraspeshën në këtë botë, me plotë të drejtë pohon Adler. Ato e krijojnë realitetin dhe mbi bazën e tyre ngrihen çështjet me të cilat përballet njeriu. Pandërprerë jemi të detyruar të merremi me to, sepse ato vazhdimisht përballen me ne.
Detyrimi i parë është se jetojmë mbi sipërfaqen e Tokës, e jo diku tjetër. Duhet të jetojmë me burimet dhe kufizimet e tokës në mënyrën më të mirë të mundshme. Që të mund të mbijetojmë duhet ta zhvillojmë trupin dhe mendjen dhe të kontribuojmë për mbarëvajtjen e njerëzimit. Ky është një problem i pashmangshëm që sfidon këdo, sfidon edhe religjionin dhe ithtarët e tij. Çkado që të bëjmë, ajo do të ishte një përgjigje ndaj situatave të ndryshme të jetës. Pikërisht për këtë çdo përgjigje duhet të marrë parasysh se ne jemi anëtarë të racës njerëzore dhe që thirrja kur’anore prej nesh kërkon që pozitivisht të mendojmë për rendin në këtë planetë të vogël, brendakohor dhe hapësinor, nëse dëshirojmë ta përfitojmë lumturinë e amshueshmërisë. Përgjigjet për sfidat duhet të jenë largpamëse dhe koherente, për të mirën e jetës tonë dhe të mbarëvajtjes së jetës së njerëzimit. Për më tepër, duhet të përpiqemi vazhdimisht për të gjetur një përgjigje më të mirë dhe të gjitha përgjigjet duhet të marrin parasysh se ne jemi të kësaj toke, me të gjitha avantazhet dhe disavantazhet që kërkon pozicioni ynë.
Detyrimi i dytë prej nesh kërkon të kuptojmë se ne nuk jemi të vetmit anëtarë të racës njerëzore; ka të tjerë përreth nesh dhe ne ekzistojmë në lidhje me ta. Kontributi më i madh për një mirëqenie individuale dhe atë të njerëzimit është shoqëria. Prandaj, çdo përgjigje për problemet e jetës duhet marrë parasysh këtë kërkesë; ajo duhet të formulohet në dritën e faktit që ne jetojmë në shoqëri me njerëzit e tjerë.
Detyrimi i tretë është se ne jemi të krijuar në dy gjini. Ruajtja e individit dhe qenies njerëzore kërkon që të merret parasysh edhe ky fakt
Përkapja dhe përfaqësimi fetar si dukuri që kanë të bëjnë me planetin e tokës, me gjininë njerëzore dhe me mashkullin e femrën gjithsesi duhet t’i kenë parasysh këto detyrime të llojit njerëzor. Në të kundërtën, paraqitet disharmoni në mendimet dhe sjelljet. “As dora as këmba”, thotë Marco Aurelio, “nuk kryejnë një punë në kundërshtim me natyrën, përderisa këmba kryen detyrën e këmbës dhe dora detyrën e duarve. Po kështu, pra edhe për njeriun si i tillë puna nuk është në kundërshtim me natyrën, përderisa ai kryen veprimtari që i përshtaten njeriut. E nëse për atë nuk është në kundërshtim me natyrën, atëherë nuk është as e dëmshme”.
Sistemi metafizik i Islamit mundëson një kënaqësi, e cila formulohet në organizimin e brendshëm shpirtëror dhe e cila përfaqësohet nëpërmjet një paraqitjeje logjikisht të rrumbullakësuar. E njëjta harmoninë e ka në esencë dhe gjithnjë është e trajtës më të lartë estetike; ajo ka rrjedhën e njëjtë si edhe kënaqja; është transcendente dhe tejet e freskët; ajo e formëson dhe e bën të dukshëm ndërlikimin e jetës. E vërteta dhe e bukura gjithsesi duhet të jenë në marrëdhënie të nduarnduartë; në të gjitha aspektet ku ato futen të ndara, që të dyja ngelin si vlera skeptike. Bukuria që me vete nuk e ka të vërtetën, gjegjësisht shpalljen, e cila nuk ka guxim të thirret në të vërtetën, e cila nuk do të jetonte në bazat dhe nga ndihma e saj, do të ishte një humnerë boshe.
Në qendrën e diskursit të ri filozofik dhe fetar qëndron terapeutika e vetëdijshme pas-metafizike, e cila kërkon të parashtrojmë pyetjen: A mund të mësojmë? A mundemi? Nëse po, atëherë janë të mundshme bisedat filozofike dhe fetare, është i mundshëm sinqeriteti dhe objektiviteti filozofik i botës. Në mendimin dhe përvojën vetjake kemi mundësi ta bëjmë edhe më të rëndësishmen: në trajtë ideore t’i stilizojmë kërkesat e jetës shoqërore dhe politike, ta ruajmë lirinë e çuditshme të gjykimit shpirtëror, siç thotë Gadameri, dhe të mësojmë ta shohim rrezikun e devijimeve dhe katrahurës vetjake.

Qani Nesimi ne f. Cellopek

Artikuj të ngjajshëm

error: