You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Myftiu në Xhaminë e f. Brodec (10.04.2015)

Hytbe nga Myftiu në Xhaminë e f. Brodec (10.04.2015)

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..

 I nderuari xhemaat,

 I Madhi Allah në Kur’anin e Famëmadh ka urdhëruar:

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيم

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنْسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” ( Dharijat, 51:56)

Ibadeti është koncepti që robi/njeriu mund të vendosë lidhje komunikimi me Zotin. Është shprehje/prezantim i gjendjes së njeriut, pa ndonjë mjet apo ndërmjetësim, te Krijuesi i madhëruar, për çka njeriu gjithnjë ka nevojë. Mu për këtë shkak robi, në çdo paraqitje para Zotit (në namaz) lexon ajetet: “Çdo lavdërim/hamd i përket Allahut, Zotit të gjithësisë. Mëshirues dhe Përdëllimtar i Madh. Sundues i Ditës së Gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Udhëzona në rrugë të drejtë. Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi. E jo në rrugën e atyre që kanë shkaktuar pezmin Tënd, as në rrugën e atyre që janë të humbur.( Fatiha,1:1-7).  Në këtë mënyrë ai e fillon punën duke lavdëruar Krijuesin. Pranon pafuqinë e vet. I përulet Zotit të vet. Kërkon ndihmë prej Tij dhe i lutet Atij që në vazhdimësi ta përforcojë në udhëzimin dhe adhurimin ndaj Tij. Pikërisht kjo është vetëdija e ibadetit, ndërgjegjshmëria e robërisë.

Islami kërkon nga çdo adhurues i Allahut që më së paku ndaj farzeve të posedojë vetëdije ibadeti. Mu për këtë arsye i Dërguari i Allahut ka urdhëruar:  “Islami është i ndërtuar mbi pesë baza: Dëshmimi se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi a.s është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i muajit të Ramazanit.” Në këtë hadith i Dërguari i Allahut ka numëruar minimumin e detyrimeve/farzet në fushën e ibadetit, pra ka përmendur ibadetet e rregullta me zbatimin e të cilave është i obliguar çdo individ që e pranon Islamin dhe që ka mundësi t’i realizojë ato. Pika më e rëndësishme në këtë hadith, që tërheq vëmendjen i Dërguari i Allahut, është ajo se katër themelet kryesore të adhurimit janë ndërtuar mbi bazën “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.” Që do të thotë se këto ibadete që zbatohen me trup, kanë kuptim bashkë me imanin në zemër. Ibadetet të cilave u mungon imani nuk kanë ndonjë kuptim tjetër përveç se janë lëvizje formale. Në këtë kontekst, në njërën anë ibadeti fiton kuptim dhe nga ana tjetër edhe imani forcohet nëpërmjet ibadetit dhe reflektohet në jetën e përditshme. Kur të analizohen kapitujt e librave të hadithit mbi imanin dhe ibadetin, do të shihet se Pejgamberi s. a. v. i ka trajtuar në mënyrë intensive raportet iman-ibadet.

Në një hadith të Pejgamberit a.s. thuhet:

عَنْ مُعَاذ قَالَ كُنْتُ رِدْفَ النَّبِيِّ عَلَى حِمَارٍ يُقَالُ لَهُ عُفَيْرٌ، فَقَال: “يَا مُعَاذُ، هَلْ تَدْرِى حَقَّ اللَّهِ عَلَى عِبَادِهِ وَمَا حَقُّ الْعِبَادِ عَلَى اللَّهِ.” قُلْتُ اللَّهُ وَرَسُولُهُ أَعْلَمُ. قَالَ: “فَإِنَّ حَقَّ اللَّهِ عَلَى الْعِبَادِ أَنْ يَعْبُدُوهُ وَلاَ يُشْرِكُوا بِهِ شَيْئًا، وَحَقَّ الْعِبَادِ عَلَى اللَّهِ أَنْ لاَ يُعَذِّبَ مَنْ لاَ يُشْرِكُ بِهِ شَيْئًا.” فَقُلْتُ يَا رَسُولَ اللَّهِ، أَفَلاَ أُبَشِّرُ بِهِ النَّاسَ قَالَ: “لاَ تُبَشِّرْهُمْ فَيَتَّكِلُوا.”

Muadhi r. a. tregon: Po udhëtoja hipur mbi gomarin e quajtur Ufejr, duke qëndruar pas Pejgamberit s. a. v.. I Dërguari i Allahut më pyeti: “O Muadh! A e di të drejtën e Allahut mbi robërit e Tij dhe të drejtën e robërve ndaj Allahut?” Unë i thashë: “Këtë më së miri e di Allahu dhe i Dërguari i Tij.” Atëherë Pejgamberi s. a. v. urdhëroi: “E drejta e Allahut mbi robërit e Tij është që ata ta adhurojnë/t’i bëjnë ibadet dhe të mos i përshkruajnë shok asnjë send. Kurse e drejta e robërve ndaj Allahut është që Ai të mos i dënojë ata të cilët nuk i përshkruajnë shok.” Kur e pyeta, “O i Dërguari i Allahut, a t’i përgëzoj njerëzit për këtë lajm?” i dërguari fisnik u përgjigj: “Jo, mos i përgëzo, sepse (duke i besuar kësaj myzhdeje) mund të lirohen (neglizhohen).

Muadh b. Xhebeli r. a. i cili bëhet musliman në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, merr pjesë në Besëlidhjen e Akabesë dhe bashkë me të Dërguarin e Allahut merr pjesë në të gjitha betejat, përfshirë edhe betejat e Bedrit dhe të Uhudit. Ka qenë një nga sahabët e shquar. Disa herë është nderuar me komplimentet e Pejgamberit s. a. v.. Me diturinë e tij mbi Kur’anin Fisnik dhe rreth asaj se çka është hallall dhe haram (fikhun), ka qenë ndër më të spikaturit në mesin e sahabevë. Pra në periudhën e të Dërguarit të Allahut ka qenë një ndër sahabët që mund të jepte fetva në lidhje me çështjet fetare. Pikërisht për shkak të këtyre veçorive, i Dërguari i Allahut s. a. v. e emëron atë në Jemen si administrator/udhëheqës. Muadhi ka marrë pjesë në disa ekspedita bashkë me të Dërguarin e Allahut, shumë herë ka udhëtuar bashkë me të. Në një rast gjatë një prej këtyre udhëtimeve qëndronte në ulësen e prapme të shalës së kafshës së të Dërguarit të Allahut s. a. v.. Ky rast ishte një ndër momentet kur Muadhi fizikisht ishte më afër të Dërguarit të Allahut. Mes tyre gjendej vetëm pjesa e prapme (vetulla) e shalës. Muadhin i cili qëndronte pas tij, i Dërguari i Allahut e thirri: “O Muadh!” Ai u përgjigj: “Urdhëro o Dërguari i Allahut!” Pas pak i Dërguari i Allahut e thirri edhe një herë në të njëjtën mënyrë. Edhe Muadhi iu përgjigj njësoj: “Urdhëro o i Dërguari i Allahut!” Pasi ecën edhe pak i Dërguari i Allahut sikur dëshironte t’ia tërhiqte vëmendjen bashkëbiseduesit në një temë të rëndësishme, edhe një herë e thirri: “O Muadh!” Përsëri përgjigja nga Muadhi ishte: “Urdhëro o i Dërguari i Allahut!” Me këtë rast i Dërguari i Allahut e pyeti: “A e di të drejtën e Allahut mbi robërit e Tij?” Kur Muadhi i përgjigjet: “Këtë më së miri e di Allahu dhe i Dërguari i Tij”, Pejgamberi s. a. v. urdhëron: “E drejta e Allahut mbi robërit e Tij është që ata ta adhurojnë/t’i bëjnë ibadet dhe të mos i përshkruajnë shok asnjë send.” Pas një kohe të shkurtër përsëri thirri: “O Muadh!” Nuk e kishte përfunduar atë që kishte për të thënë. Por Muadhi iu përgjigj njësoj: “Urdhëro o i Dërguari i Allahut!” I Dërguari i Allahut vazhdoi: “Nëse veprojnë kështu a e di të drejtën e robërve ndaj Allahut?” Muadhi i përgjigjet: “Këtë më së miri e di Allahu dhe i Dërguari i Tij.” Atëherë ai urdhëron: “E drejta e robërve ndaj Allahut është që Ai të mos i dënojë ata.” Muadhi u emocionua nga këto që dëgjon dhe pyet: “O i Dërguari i Allahut, a t’i përgëzoj njerëzit për këtë lajm?” Kurse i Dërguari Fisnik i përgjigjet: “Jo, mos i përgëzo, sepse (duke i besuar kësaj myzhdeje) mundë të lirohen (neglizhohen).Ibadeti” i cili përcaktohet si e drejta e Krijuesit të madhëruar mbi robërit e tij, shpreh qëllimin e krijimit të njeriut. Ibadeti është një e vërtetë/fakt që i jep vlerë njeriut para Krijuesit. Allahu xh. sh. e ka krijuar njeriun në formën më të bukur dhe gjithçka në gjithësi e ka ofruar në shërbim të tij. Njeriun të cilin e ka caktuar si udhëheqës në tokë, në Kur’an thuhet:

وَهُوَ الَّذِي جَعَلَكُمْ خَلَائِفَ الْأَرْضِ وَرَفَعَ بَعْضَكُمْ فَوْقَ بَعْضٍ دَرَجَاتٍ لِيَبْلُوَكُمْ فِي مَا آتَاكُمْ ۗ إِنَّ رَبَّكَ سَرِيعُ الْعِقَابِ وَإِنَّهُ لَغَفُورٌ رَحِيمٌ

“Ai është që ju bëri sundues (zëvendësues) në tokë (pas shkatërrimit të atyre që ishin më parë) dhe lartësoi në një shkallë më të lartë disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju sprovuar në atë që ju dha. All-llahu është ndëshkues i shpejtë, është që falë e Mëshirues.” ( En’am, 6/165)

e ka pajisur me aftësi të larta të cilat nuk i janë dhënë asnjë krijese tjetër, siç është shfrytëzimi/përdorimi i mendjes, logjika, meditimi dhe vullneti i lirë. Nga njeriu të cilit i janë dhënë këto veti ka kërkuar vetëm t’i robërohet Atij. Në lidhje me këtë duhet thënë se robëria ndaj Allahut nuk duhet kuptuar me logjikën e zotërisë dhe të skllavit, pra ta adhurosh Atë pa pasur të drejtën e lirë të zgjedhjes. Përkundrazi robëria ndaj Allahut do të thotë që, duke shfrytëzuar lirinë e zgjedhjes, pra në bazë të dëshirës së lirë, të respektosh vullnetin/urdhrat e Allahut; të braktisësh dëshirat dhe kërkesat e epshit (nefsit) dhe të jetosh në përputhje me porositë e Allahut xh. xh..

I dashuri Pejgamberi ynë, sa herë që i kërkonin njohuri/dituri mbi Islamin dhe imanin, gjithnjë më së pari ua numëronte ibadetet farze. Islamin dhe imanin pothuajse i ka konsideruar identikë me ibadetet themelore farz. Në librat e haditheve gjenden shumë shembuj të këtillë. Një ditë, pas një rruge të gjatë dhe të vështirë nga Bahrejni, vjen në Medinë një delegacion prej trembëdhjetë vetash të fisit Rabia, pjesëtarë të degës Abdulkajs. I thonë Pejgamberit: “Na mëso (këshillo) diçka thelbësore/koncize dhe ne t’ia mësojmë popullit tonë e në këtë mënyrë të hyjmë në xhennet.” Ndaj kësaj kërkese i Dërguari i Allahut i urdhëron ata që t’i besojnë Allahut që është i një i vetëm. Dhe pas kësaj i pyet: “A e dini ç’do të thotë t’i besoni Allahut që është një i vetëm?” Ata i përgjigjen: “Këtë më së miri e di Allahu dhe i Dërguari i Tij.” Atëherë Pejgamberi urdhëron: “Kjo do të thotë të besosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Tij, të falësh namaz, të japësh zekat dhe të agjërosh muajin e Ramazanit.” Pastaj i përcjell ata duke u thënë: “Mësojini mirë përmendësh këshillat e mia dhe ua shpjegoni edhe pjesëtarëve të fisit tuaj.

Ashtu si në çdo çështje, edhe në adhurime kriteri ynë, shëmbëlltyra jonë është  Pejgamberi, gjegjësisht sunneti i tij. Ai ka urdhëruar kështu: “Faleni namazin ashtu siç më shihni mua duke u falur!” dhe “Dispozitat e haxhit mësojini prej meje!” As’habët të gjitha ibadetet farze apo nafile i kanë mësuar nga i Dërguari i Allahut. Koha, vendi dhe mënyra e realizimit të këtyre ibadeteve gjithnjë është konstatuar nëpërmjet sunnetit të tij. Në lidhje me këtë temë, shumë kuptimplote është fjala e sahabiut-fakihut Abdullah b. Mesudit r. a. i cili thotë: “Të bësh ibadet në mënyrë të moderuar (matur) sipas sunnetit, është më e dobishme se sa të veprosh me gjithë fuqinë që ke në bazë të parimeve jashtë sunnetit.

I Dërguari i Allahut, kur shprehet se ibadeti duhet të jetë i vazhdueshëm qoftë edhe i pakët, në një aspekt tërheq vëmendjen që personi në asnjë mënyrë nuk duhet t’i anashkalojë farzet, dhe nga ana tjetër thekson që vetëdija e të qenit besimtar adhurues duhet të mbahet gjithnjë e freskët si dhe që kjo vetëdijë të mbushë çdo pore të jetës. Prandaj në këtë kontekst urdhëron: “Çdo ditë, për çdo nyje të trupit duhet të jepet sadakë. Ta ndihmosh atë që dëshiron të hipë apo të ngarkojë barrën mbi kafshë është sadakë. Fjala e bukur dhe çdo hap që hidhet për të shkuar në namaz është sadakë. T’i tregosh rrugën dikujt është sadakë.” Në këtë mënyrë i Dërguari i Allahut thekson se çdo punë që bëhet me qëllim të mirë dhe sinqeritet konsiderohet sadakë dhe adhurim.

Sjelljet dhe qëndrimet që Pejgamberi i numëron si sadakë, të cilat reflektohen në dimensione të ndryshme të jetës, mund të vlerësohen si adhurime. Siç është, gjykimi me drejtësi mes njerëzve, urdhërimi për punë të mira dhe ndalimi nga të këqijat, përshëndetja me selam e atij që takon, largimi nga rruga i pengesave që i pengojnë kalimtarët, kënaqja e epshit me bashkëshorten/në rrugë të hallallit si dhe puna për të siguruar furnizimin/nafakën për anëtarët e familjes. Në këtë kontekst ibadet konsiderohet edhe bamirësia ndaj prindërve, fshirja e lotëve nga sytë e një të ngrati, përkëdhelja e kokës së një jetimi, mbulimi i shpenzimeve të një nxënësi, respekti ndaj një të moshuari apo lirimi i vendit/karriges në autobus një gruaje shtatzënë. Gjithashtu adhurim vlerësohet edhe shpërndarja e diturisë, të përpiqesh që punën që bën ta realizosh në formën më të bukur, të harxhosh energji për shpëtimin e rinisë nga kthetrat e shprehive të këqija dhe nxitimi për të kontribuar sado pak për shpëtimin e fëmijëve që janë duke dhënë shpirt nën bombardime. Gjithashtu, të përpiqesh të qëndrosh larg nga veset e këqija dhe të mundohesh të pajisesh me vlera të larta morale, të ruash/hulumtosh momentin për bamirësi, t’i buzëqeshësh besimtarit që e takon, të kujdesesh maksimalisht që të bëhesh një anëtar jo vështirësues por lehtësues i shoqërisë, këto dhe shumë parime tjera që ndoshta nuk mund as të numërohen, konsiderohen adhurime dhe mundësojnë që tërë jetën ta kalojmë me ibadete. Pikërisht pra, Allahu i madhëruar dëshiron që robërit e Tij ta kalojnë jetën me një vetëdije/ndërgjegjshmëri të këtillë të adhurimit, prandaj edhe urdhëron kështu: “O biri i Ademit! Në çdo situatë më adhuro mua që të ta pasuroj shpirtin dhe të t’i largoj nevojat! Nëse nuk vepron kështu, të preokupoj me gjëra të tjera dhe nuk t’i largoj nevojat.”.

Ibadeti, duke qenë se ngërthen cilësitë me të cilat e pastron njeriun nga dobësitë e tij njerëzore, i mëson atij përdorimin e vullnetit të lirë dhe durimin, pra në një farë mënyre e disiplinon njeriun, ka një rol të patjetërsueshëm në formimin e personalitet të besimtarit. Adhurimet, sado që të duken se përbëhen prej disa sjelljeve formale, në formën e tyre fshehin esencën e respektit dhe të besnikërisë. Ibadeti e pastron individin nga uni, kryelartësia, egoizmi, nga çdo lloj dyshimi që e pengon njeriun të bëhet rob i Zotit, nga zilia, shkapërderdhja materiale (israf), lakmia, koprracia dhe të ngjashme me këto, nga të gjitha ndjenjat dhe mendimet e këqija. Ibadeti është një mburojë që e mbron njeriun nga mendimi dhe veprimi i çdo gjëje të keqe. Ai është simboli, shenja apo treguesi i besimtarit.

Në fakt njeriu i cili është krijuar për t’iu robëruar Allahut të madhëruar, gjithmonë duhet të lëvizë/veprojë me këtë vetëdije dhe Zotit xh. sh. duhet t’i drejtohet me dua në këtë mënyrë: “Zoti im! Na ndihmo që të të përmendim, të të falënderojmë dhe në një mënyrë të bukur të të adhurojmë!

Artikuj të ngjajshëm

error: