Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin e Famëmadh ka urdhëruar:
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيم
فَأَمَّا مَنْ أَعْطَىٰ وَاتَّقَىٰوَصَدَّقَ بِالْحُسْنَىٰفَسَنُيَسِّرُهُ لِلْيُسْرَىٰوَأَمَّا مَنْ بَخِلَ وَاسْتَغْنَىٰوَكَذَّبَ بِالْحُسْنَىٰفَسَنُيَسِّرُهُ لِلْعُسْرَىٰوَمَا يُغْنِي عَنْهُ مَالُهُ إِذَا تَرَدَّىٰ
“Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai)
dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit),
Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.
Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm,
dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin),
Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit,
e, kur të hidhet (në zjarr), pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi.” (Lejl, 92/5-11)
Të respektuar vëllezër musliman,
Javën e kaluar të gjithë ishim të trishtuar për shkak të ngjarjeve të cilat ndodhën në Kumanovë, në realitet jo vetëm në Kumanovë por edhe në shpirtin e të gjithë neve muslimanëve të këtyre trojeve. Plumbat që rrënuan jetët dhe vatanet e njerëzve nuk ka dyshim se e rrënuan edhe zemrën tonë dhe na tërhoqën që në vete të mendojmë edhe njëherë a e merritojmë vallë të quhemi njerëz.
Është fakt se të gjithë jemi përgjegjës për çdo ngjarje që ndodh në mjedisin tonë pikërisht për këtë duhet të jemi me dinjitet dhe të ndihmojmë në triumfin e të mirës në nënqiellin tonë. Jo vetëm për ne por edhe për gjeneratat e ardhshme dhe për hirë të të vërtetës, nuk guxojmë të lejojmë që jeta jonë të kthehet në mistere dhe në çdo moment të sqarohet me “urti” dhe hiqmete të njerëzve si në përralla. Patjetër e kemi të vetëdijësohemi dhe të përpiqemi për triumfin e të mirës.
Për këtë Myftinia e Tetovës vendosi që sado pak ta ndajë dhimbjen me vëllezërit tanë në Kumanovë në lagjen e trimave dhe këtë të xhuma e shpalli si ditë solidariteti me Kumanovën dhe si rrjedhojë e kësaj do të mblidhen ndihma për të dëmtuarit në këtë pjesë të shpirtit tonë.
Një ditë i Dërguari i Allahut s. a. v. tha: ”Çdo musliman duhet të japë sadaka.” Ata që e dëgjuan, për një moment u habitën, pasi mes tyre kishte edhe prej atyre që nuk jepnin dot sadaka ngaqë nuk ishin të pasur. Menjëherë e pyetën: “Po ai që nuk ka (pasuri për të dhënë sadaka)?” I Dërguari i Allahut s. a. v. tha: “Ai punon (mundohet, përpiqet) me duart e tij. Kështu që edhe vetë përfiton, edhe do të jetë në gjendje të japë sadaka.”Sahabët vazhduan ta pyesnin: “Po nëse s’mund ta bëjë as këtë?” Atëherë, “Le t’i ndihmojë nevojtarët, ata që kanë rënë në vështirësi dhe ata të cilëve u është bërë padrejtësi.”Sahabët përsëri e pyetën: “Po nëse as këtë nuk mund ta bëjë?” I Dërguari i Allahut u përgjigj: “Le të urdhërojë për punë të mira e bamirësi.” Kur e pyetën për të katërtën herë: “Po nëse as këtë nuk e bën dot?” atëherë Pejgamberi s. a. v. urdhëroi: “Le të qëndrojë larg punëve të këqija. Edhe kjo është sadaka.”
I Dërguari i Allahut s. a. v., me raste dhe pretekste të ndryshme e shpjegonte rëndësinë dhe kuadrin e sadakasë, një ditë u tha kështu shokëve të tij lidhur me këtë: “Çdo ditë në të cilën lind dielli, për çdo nyje të trupit, njeriu duhet të japë sadakë. Të pajtosh dy veta është sadakë. Ta ndihmosh dikë që të hipë në kafshën e tij ose ta ndihmosh për ta ngarkuar atë, është sadakë. Fjala e mirë është sadakë. Çdo hap që hedh për të shkuar në xhami është sadakë. T’i largosh nga rruga pengesat që i shqetësojnë kalimtarët, është sadakë.”“Ajo që shpenzon për të ngopur veten, është sadakë. Ajo me të cilën ushqen fëmijët, është sadakë. Ajo me të cilën ushqen bashkëshorten, është sadakë. Ajo me të cilën ushqen shërbëtorin tënd, është sadakë.” Me këto fjalë, në njëfarë kuptimi i Dërguari i Allahut s. a. v. thotë se kafshata hallall është sadakë. Ai gjithashtu bën të ditur se për muslimanin, të përshëndeturit dikë janë sadakë.
Gjithashtu i Dërguari i Allahut s. a. v. ka përkufizuar si sadakë edhe sjelljen dashamirëse ndaj vëllait musliman, t’i shtiesh dikujt ujë në enë nga fuçia, t’i tregosh rrugën atij që ka humbur, t’i prish atij që nuk sheh mirë, të tregohesh mirëkuptues ndaj borxhliut apo ndaj atij që të ka ndonjë detyrim duke ia zgjatur afatin. Rrethi i sadakasë është aq i gjerë sa edhe ç’hanë gjallesat nga pema apo nga të mbjellat e dikujt, janë sadaka për të.
Sadakaja e cila rrjedh nga e njëjta rrënjë me fjalët sidk (drejtësi, ndershmëri), sadakat(besnikëri, sinqeritet), sadik (i ndershëm e i sinqertë), përfshinë të gjitha sjelljet dhe veprimet që i përmbajnë kuptimet e lartpërmendura. Për shembull, ai që jep sadaka me qëllim adhurimi shfaq besnikërinë, sinqeritetin dhe dashamirësinë e tij ndaj Allahut xh. sh., i pasuri që u dhuron pasuri nevojtarëve e dëshmon këtë ndaj të varfërve dhe ai që plotëson nevojat e shtëpisë, ndaj gruas dhe fëmijëve të tij.
Allahu Madhëriplotë, në Kur’anin Fisnik thotë: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (prej Tij) dhe e konfirmon më të mirën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprrac, arrogant dhe e mohon më të mirën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit.” Eshtë për t’u vënë në dukje lidhja e ngushtë mes sadakasë, drojës nga Krijuesi dhe konfirmimit që shprehet në këto ajete. Sadakaja është provë e besnikërisë dhe e sinqeritetit në besim, kurse konfirmimi i së vërtetës (tasdik) është shprehje e besimit në jetën tjetër. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut s. a. v., duke thënë se, “…Sadakaja është provë…” thekson se sadakaja është provë që vërteton besimin dhe sinqeritetin e autorit të saj.
Sadaka e vërtetë është ndihma në të mira. Por kjo mund të mos jetë e mundur për këdo ose mund të mos e plotësojë gjithmonë nevojën. Sepse nëse sadaka do të thotë ta gëzojmë tjetrin dhe t’i plotësojmë një mungesë, sadaka është të ushqesh të uriturin, por edhe t’i shkosh për vizitë të sëmurit. Në disa raste sadaka është pastrimi i mjedisit ku jetohet, por ndonjëherë një këshillë e mirë mund të jetë një sadaka që shpëton jetë.
I fuqishmi do të japë sadaka me forcën e tij, i pasuri me pasurinë e tij, dhe i dituri me diturinë e tij. Sepse sadakaja është e lidhur ngushtë me mundësitë dhe gjendjen fizike të njerëzve. Kështu që teksa për të pasurin dhurimi i sadakasë në pasuri është gjëja e parë që vjen në mendje, i shëndoshi dhe i forti do të arrijë sevapet e sadakasë në rast se mundin e tij e vë në shërbim të njerëzve. Dhe ndërkohë që për një të moshuar dhe të sëmurë sadaka konsiderohet këshilla e bukur apo thirrja për bamirësi, për të riun me jetë dinamike, respekti dhe shërbimi ndaj të vjetërve dhe të sëmurëve do të ishte një sadaka shumë e qëlluar.
Pejgamberi ynë i nderuar, me fjalën e tij se, “Çdo mirësi është një sadaka,”i jep një kuptim të gjerë sadakasë, duke përfshirë në këtë koncept të gjitha veprimet dhe sjelljet e mira që mund t’i bëjë çdo musliman. Sadakatë që në këtë mënyrë fitojnë një hapësirë shumë të gjerë zbatimi, janë përgatitja më e mirëpër botën e ardhshme-ahiretin. Dijetari nga gjenerata e sahabëve Abdullah b. Mes’udi tregon: “Një ditë Pejgamberi s. a. v. iu drejtua atyre që kishte rreth vetes me pyetjen: ‘Cili prej jush e do pasurinë e trashëgimtarit të vet më shumë se pasurinë e vet?’ Të pranishmit u përgjigjën: ‘Mes nesh nuk ka të tillë që ta duan pasurinë e tyre më shumë se pasurinë e trashëgimtarëve të tyre.’ Atëherë Pejgamberi s. a. v. tha: ‘Dijeni mirë se mes jush nuk ka asnjë që ta dojë pasurinë e trashëgimtarit më shumë se pasurinë e tij. (Sepse) Pasuria jote është ajo që e ke dërguar përpara (në botën tjetër) duke bërë mirë (duke dhënë sadaka). Kurse pasuria e trashëgimtarit tënd është ajo që do ta lësh pas (pasi të vdesësh).’”Një ditë tjetër, i Dërguari i Allahut s. a. v., pasi lexoi ajetin kuranor: “Jua ka marrë mendjen të mburrurit me kamjen,” iu drejtua me këto fjalë kështu shokëve të tij që i kishte pranë: “Njeriu thotë: ‘Pasuria ime, pasuria ime!’ O njeri, a ke pasuri tjetër përveç asaj që e ke ngrënë dhe e ke harxhuar, e ke veshur dhe e ke vjetruar, e ke dhënë sadaka dhe e ke e dërguar në botën tjetër?”Në një ngjarje tjetër të cilën e tregon Aishja r. a., i Dërguari i Allahut s. a. v. pati therrur një dele për nevojat e familjes dhe e pyeti të shoqen ç’kishte ngelur prej saj. Kur Aishja i tha se, “Për ne ka ngelur vetëm një kofshë,” i Dërguari i Allahut s. a. v. tha: “(E kjo do të thotë se) përveç një kofshe ka ngelur e gjitha (për ne).”
Pejgamberi ynë i nderuar, duke theksuar se njëra prej portave të xhennetit që do të hapet për besimtarët është “porta e sadakasë,”vë në dukje se sadakaja e dhënë do të kthehet në shpërblim dhe se bamirësitë nuk do të mbeten pa shpërblim. Të njëjtën gjë shprehin edhe hadithet në vijim:“S’ka dyshim se sadakaja e largon pakënaqësinë e Allahut të lartëmadhërishëm (bëhet shkak që Allahu t’i falë një jetë të paqtë dhuruesit, dhe bëhet shpagim për fatkeqësitë që mund t’i bien për të këqijat e bëra) dhe (me lejen e Allahut xh. sh.) parandalon vdekjen e keqe.”;“Në ditën e kijametit hija e besimtarit (që do ta mbrojë dhe strehojë) është sadakaja e tij.”
Pejgamberi ynë i nderuar, duke iu referuar dobive të sadakasë për psikologjinë e njeriut, u kujton besimtarëve se dhënia e sadakasë mund ta zhvillojë personalitetin e individit. Për shembull, një sahabi që ankohej nga zemërvrazhdësia, për t’u bërë zemërbutë e pati këshilluar të jepte sadaka duke ushqyer nevojtarët dhe duke u përkëdhelur kokën fëmijëve jetimë. Gjithashtu, duke porositur: “Shërojini të sëmurët tuaj me sadaka,”i Dërguari i Allahut s. a. v. vë në dukje se ai që i ndihmon nevojtarët dhe merr duanë e tyre, pa dyshim që do ta gjejë shpërblimin e saj.
Në sunetin e Pejgamberit tonë i cili ka thënë se, “…Ashtu siç e shuan uji zjarrin, ashtu i shlyen (i zhduk) edhe sadakaja gabimet…”dhurimi i sadakasë është një rast i mirë për të korrigjuar gabimet. Dhënia sadaka kundrejt gabimeve të bëra, tregon se njeriu është penduar dhe në njëfarë kuptimi zbaton njëlloj sanksioni ndaj vetes. Po në këtë kuptim, i Dërguari i Allahut s. a. v. ka thënë: “Një person, sprovohet me familjen, pasurinë, veten e tij, fëmijët dhe fqinjët e tij.Ndërsa agjërimi, namazi, sadakaja, urdhërimi për punë të mira dhe ndalimi nga të këqijat, janë shlyerje për këto sprova.” Gjithashtu një ditë, teksa bisedonte me disa tregtarë, i këshilloi ata: “O tregtarë, gjatë shitblerjes patjetër thuhen fjalë të kota dhe betime. Prandaj shitblerjen përzijeni me sadaka (që t’i shlyejë gabimet).”
Në një rast i Dërguari i Allahut s. a. v., në një ligjëratë ku foli për xhehennemin,kërkoi mbrojtje dhe strehim prej tij te Allahu xh. sh. dhe pasi e tundi kokën tri herë, tha: “Mbrohuni prej zjarrit të xhehennemit qoftë edhe me gjysmë hurme (sadaka). Nëse edhe këtë nuk e gjeni dot, atëherë (mbrohuni) me një fjalë të mirë.”Me këto fjalë Muhammedi s. a. v. tregonte se sadakaja duhet dhënë vazhdimisht, qoftë pak apo shumë dhe pa e kufizuar me ndonjë sjellje të caktuar.
Si përfundim mund të themi se sadakaja, si shprehje e lidhjes dhe e sinqeritetit ndaj Allahut madhëriplotë, është një adhurim që mund ta zbatojë çdo njeri sipas mundësive dhe rrethanave të tij. Prandaj muslimanët nxiten dhe motivohen që të bëjnë vepra të mira dhe të fitojnë shpërblime pa u kufizuar në kohë dhe hapësirë. Një person që është i vetëdijshëm se të gjitha punët e mira që lidhen me familjen, shoqërinë e rrethin e tij, madje edhe ato që përfshijnë kafshët. konsiderohen sadaka, me tërë potencialin e tij do të përpiqet në këtë drejtim. Gjithashtu, një kulturë e tillë e sadakasë, duke i ofruar çdokujt hapësirë për të bërë një punë të mirë, të gjithë njerëzve u mundëson që të garojnë në bamirësi. Falë kësaj njerëzit vazhdimisht do të përpiqen të gjejnë më të bukurën, më të dobishmen dhe përfundimisht do të fillojë të mbizotërojë mentaliteti i dobisë e i bamirësisë. Njerëzit do të garojnë në bamirësi në drejtime të ndryshme. Në këtë mënyrë do të arrihet një shoqëri e kënaqur me atë që posedon, ashtu siç e përshkruan Pejgamberi ynë i nderuar: “Jepini sadakatë tuaja (sa më parë). Sepse do të vijë një kohë që personi do ta sjellë sadakanë e tij por nuk do të mund të gjejë dikë që ta pranojë. Ai (të cilit ia sjell sadakanë) do të thotë: ‘Nëse do ta kishe sjellë dje, do ta kisha pranuar, por sot s’kam nevojë për të.’”
Faleminderit.