Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të
përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:
بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në
shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur
shumë shpesh Allahun.” (Ahzab, 21)
Muhamedi a.s nuk ishte vetëm një i dërguar si shumë të dërguar të tjerë para tij. Ai ishte
profeti me të cilin Zoti i dha fund zinxhirit të profetëve. Ai ishe një njeri, me të cilin Zoti
nderoi dhe gradoi njerëzimin. Nëse drejtësia do të mishërohej dhe merrte formë, ajo do
të merrte formën dhe pamjen e Muhamedit a.s.. Mund të themi që dhembshuria e
mëshira kanë qenë pjesë e krijimit dhe e natyrës së Muhammedit tonë të dashur. Kjo
është një dhuratë e Zotit ndaj tij. Me këtë dhuratë të Zotit ai ndjen dhembshuri e
mëshirë ndaj mbarë njerëzimit.
Delikatesa, fisnikëria ishin cilësi të pandara të tij në jetën e tij shoqërore. Për ta kuptuar
më mirë delikatesën, fisnikërinë dhe dërgimin e tij si mëshirë për njerëzit në vazhdim do
ta prezantojmë një moment nga jeta e tij.
Një ditë një njeri i varfër i solli një kalavesh rrushi Muhammedit a.s. si dhuratë. Ai ishte
shumë i emocionuar që ishte në gjendje të sjellë dhuratë Pejgamberit E vendosi rrushin
pranë të Dërguarit të Allahut, dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, të lutem pranoje këtë
dhuratë të vogël nga unë” Ai ishte njeri i varfër i cili nuk kishte mundësi për më shumë.
Fytyra e tij ndriçonte nga lumturia pasi që ia ofroi atë dhuratë të vogël. Ishte e qartë se
ai e donte Pejgamberin shumë.
Pejgamberi, as., e falënderoi atë me mirësjellje për dhuratën. Përderisa burri shikonte
në të me shpresë, Pejgamberi a.s. hëngri një kokërr rrushi. Pastaj hëngri një tjetër.
Ngadalë Pejgamberi e mbaroi tërë kalaveshin e rrushit vetë. Ai nuk i ofroi rrush asnjërit
nga ata që ishin present, as’habëve. Njeriu i varfër i cili e solli atë rrush u kënaq shumë
dhe u largua. Shokët e Pejgamberit, a.s., të cilët ishin përreth ishin të befasuar.
Zakonisht Pejgamberi, a.s., ndante me ata çdo gjë që merrte. Ai gjithmonë do t’ju
ofronte atyre çdo gjë që i ishte dhënë dhe do të hanin së bashku. Zakonisht ai fillonte i
pari për shkak të respektit ndaj personit i cili ia kishte dhënë dhuratën. Por, çdo herë ai
u ofronte të tjerëve. Këtë herë ishte ndryshe. Pa ia ofruar askujt, Pejgamberi, a.s., e
mbaroi gjithë kalaveshin e rrushit vetë.
Njëri nga shokët e pyeti me respekt: “O Pejgamber i Allahut! Si e hëngre të gjithë
rrushin vetë dhe nuk ia ofrove asnjërit nga ne që jemi prezent?” Pejgamberi, a.s.,
buzëqeshi dhe tha: “E hëngra gjithë rrushin vetë sepse rrushi ishte i thartë. Nëse do
t’ua kisha ofruar, ju ndoshta do të bënit fytyra qesharake dhe do ta tregonit neverinë
tuaj për rrushin. Ajo do t’ia kishte lënduar ndjenjat e njeriut të varfër. Mendova me
vete se më mirë është që unë t’i ha të gjitha prej tyre me gëzim dhe ta kënaq njeriun e
varfër. Nuk dëshirova t’i lëndojë ndjenjat e tij”.
O Allah na bën neve umet i vërtetë i tij. O Allah na pajis edhe neve me urtësinë,
moralin, diturinë, zemërgjerësi në, delikatesën dhe bujarin e tij. Të falënderohemi Allah
për çdo gjë por më tepër që na ke bërë mysliman dhe ummeti i një Pejgamberi që ishte
dhe do të jetë mostër për tërë njerëzimin.