You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Mafiz ef. Rustemi

Hytbe nga Mafiz ef. Rustemi

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
Allahu xh.sh. në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:
بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم
“O ju që besuat, hyni tërësisht në Islam (paqe)! Mos ndiqni gjurmët e djallit! Ai është, pa dyshim, armiku juaj i hapur.” (Bekare, 208)
Eshtë e njohur nga të gjithë ne, se fjala Islam rrjedh nga rrënja e fjalës “selam”, që do të thotë paqe, siguri, dhe afërsi në mes njerëzve.
Islam do të thotë nënshtrim me vetëdije dhe vullnet të plotë ndaj vullnetit të Allahut xh.sh. Pra, Islami është fe e paqes, të cilën besimtari e përqafon vetëm atëherë kur i nënshtrohet ligjeve të Krijuesit.
Krijuesi i gjithësisë u drejtohet besimtarëve si vijon: “O ju që besuat, hyni tërësisht në Islam (paqe)! Mos ndiqni gjurmët e djallit! Ai është, pa dyshim, armiku juaj i hapur.” (Bekare, 208) Nga ky ajet kuranor na bëhet e qartë se paqja dhe siguria mund të vendosen vetëm përmes “hyrjes në Islam”, pra, përmes të jetuarit me vlerat e Islamit, sepse këto vlera janë të përcaktuara nga ana e Krijuesit dhe praktikuesit e këtyre bëhen të përgjegjshëm për t’i trajtuar të gjithë njerëzit me mirësjellje e drejtësi, për të mbrojtur njerëzit , si dhe për të parandaluar përhapjen e mizorisë.
Në përputhje me Islamin, parimi “peshku i madh e ha të voglin” u zëvendësua me “duaje fqinjin tënd” sepse sipas Islamit jeta nuk është një luftë por një proces bashkëpunimi; “shtypja” u zëvendësua me “drejtësinë”, “mungesa e humanizmit” i la vendin “mëshirës”; parimi “e drejta është me të fortin” që ishte para Islamit u çrrënjos dhe në vend të tij u vendos parimi “fuqia është me të drejtin”,ose “i drejti është më i fuqishmi” .
Islami është fe që Allahu me të i mbrojti shpirtrat dhe pasuritë, mendjet dhe nderin, ndaloi vrasjen e një shpirti. E bëri të ndaluar cenimin e nderit të ndokujt, e ndaloi ngrënien e pasurisë së tjetrit me pa të drejtë, dhe ia mbrojti çdo njeriu të drejtën e vet.
Feja Islame gjithmonë i edukon pjesëtarët e vetë që të jenë paqedashës, sepse vet Allahu që ne e besojmë, e ka emëruar vetën e Tij me emrin “Es Selam-Paqedhënësi”. Në Kur’anin famëlartë në 140 vende përmendet fjala “Selam-Paqe”, ndërsa fjala “Harb- Luftë”, përmendet vetëm 6 herë, për të treguar se paqja është rregull, ndërsa lufta është përjashtim.
Paqja është përshëndetja e besimtarëve. Sa herë që besimtarët takohen, e përshëndesin njëri-tjetrin duke i thënë: “Es selamu alejkum- Paqja qoftë mbi ju”, kjo përshëndetje në esencë është lutje për të jetuar në paqe dhe të lumturi.
Edhe ibadetet me të cilat na ka obliguar Allahu xh.sh, na edukojnë që të jetojmë në paqe. namazi, që është prej ibadeteve më të rëndësishme në Islam, i cili përsëritët pesë herë në ditë, përfundimi i çdo namazi bëhet me, “Eselamu alejkum–paqja qoftë mbi ju”. Prandaj, nuk mund të mendohet një adhurues vetë se si një person paqedashës.
Në anën tjetër, xhenetin, që ne të gjithë e synojmë, Allahu xh.sh. e quajti “Darus Selam – Shtëpi e paqes”, si rrjedhojë për te kuptuar se nëse duam të hymë në Shtëpinë e Paqes në botën tjetër duhet që të jetojmë në paqe në këtë botë.
Për të jetuar në paqe me të tjerët duhet që në radhë të parë të jetojmë në paqe me vetën tonë, e kjo arrihet duke pastruar zemrën tonë nga urrejtja, zilia, smira, zemërimi dhe çdo ves tjetër negative. Kjo konsiderohet lufta më e madhe e njeriut. Për ta kuptuar më mirë do ta sjelli një ngjarje nga jeta e të Dërguarit të Allahut kur një ditë duke u kthyer nga një ekspeditë në të cilën myslimanët kishin luftuar me mushrikët tha: “Tash po kthehemi prej një lufte të vogël në një luftë të madhe, e që është përpjekja me vetveten dhe lufta me nefsin-egon.”
Të ndryshosh brendësinë tënde, të qetësosh zemrën duke qenë mirënjohës ndaj Krijuesit e duke bërë vazhdimisht vepra humane e bujare, të duash drejtësinë e të jetosh në dritë, ky pra është kuptimi i shpirtërisë islame. Ai i cili e fiton luftën me vetën e tij, ai është fitimtar i vërtetë. Një ditë Muhamedi a.s pyeti: “Kush është më i forti prej juve?” Shokët e tij u përgjigjën: “Ai i cili e mund armikun e tij”. Pejgamberi a.s tha: “Jo,më i forti është ai që sundon zemërimin e tij”
O Allah, na jep paqe në vetën tonë, në familjen tonë, në vendin tonë, dhe në gjithë botën anembanë.

Artikuj të ngjajshëm

error: