You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Hfz. Omer ef. Dauti

Hytbe nga Hfz. Omer ef. Dauti

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedita.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:
بِسْــــــــــــــــمِاﷲِالرَّحْمَنِاارَّحِيم
“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilët kur përmendet All-llahu u rrënqethen zemrat e tyre, kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.” (Enfal, 2)
Zemra është ena në të cilën vendosen veprat, ajo është udhëheqësi, planifikuesi dhe vepruesi, ajo është vendi i njohurive dhe dijeve. Me anë të zemrës njeriu e njeh Zotin e tij, i njeh cilësitë dhe emrat e Tij, me anë të saj njeriu thellohet në argumentet e Krijuesit të tij. Zemra është bartësi i njeriut që me të udhëton për ahiret dhe zemra është gjëja me anë të cilës vlerësohet robi. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Allahu nuk shikon trupin dhe fizionominë tuaj, por shikon zemrat tuaja.” Pra, rregullimi i zemrës dhe dëlirësia e saj është esenca e çdo të mire dhe shkak i çdo shpëtimi në këtë botë dhe në botën tjetër. E, në anën tjetër prishja dhe ngurtësia e saj është esenca e çdo të keqe dhe humbje.
Zemra është sikur trupi, sëmuret dhe shërohet, uritet dhe ngopet, bëhet e lumtur dhe ngurtësohet, vishet dhe zhvishet. E gjithë kjo, duke u ndikuar nga gjërat që e rrethojnë. Prandaj, zemra është tri lloje: Lloji i parë është -Zemra e shëndoshë. Është ai lloj i zemrës që në te ka iman (besim) dhe është ujitur me dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, është ajo zemër që ka shpëtuar nga çdo epsh që kundërshton urdhrin dhe ndalesën e Allahut, nuk i shikon dyshimet që kundërshtojnë thëniet e Tij. Është zemër e cila është çdoherë më Allahun në çdo vend dhe zemër e cila falë namazin. Në Ditën e Gjykimit do të shpëtojnë vetëm ata të cilët para Allahut dalin me këtë lloj të zemrës, siç thotë Allahu: “Atë ditë kur nuk do t`u ndihmoj juve pasuria e as fëmijët përveç atyre që vijnë te Allahu me zemër të pastër.” (Shura, 89)
Lloj i dytë është-Zemra e vdekur. Është e kundërta e të parës, ajo zemër që nuk ka jetë, është e ngurtë, pronari i saj nuk e njeh Zotin e tij, nuk e adhuron Atë, duke i kryer urdhrat dhe larguar nga ndalesat, por ai i është nënshtruar epshit të tij dhe udhëhiqet nga ajo është i verbër dhe i humbur në rrugën e devijimit, nëse do apo urren ajo është për shkak të epshit të tij, nëse jep apo ndalon ajo është për hir të epshit të tij, pra epshi i tij tek ai ka shumë më shumë përparësi se Zoti i Tij.
Zemra e tretë- Zemra e sëmurë. Është ai lloj i zemrës që e kanë sulmuar epshet dhe dyshimet, derisa e kanë penguar nga dashuria ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, prandaj është bërë e sëmurë dhe e prishur, pra është ajo zemër që në të ka jetë, mirëpo është me sëmundje, nëse ia mund atij sëmundja, atëherë ai i bashkohet llojit të zemrave të vdekura nëse ia mund shëndeti, atëherë shkon me llojin e zemrave të shëndosha. Ushqimi i vetëm i zemrës është dhikri përkujtimi i Allahut, Allahu në Kuran thotë: “Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun, zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen. (Rad 28)
Pra, përkujtimi më i mirë i Allahut ne mënyrë më të plotë bëhet në namaz, sepse namazi i ngërthen të gjitha dhikret dhe format e ibadetit, në namaz kemi TEKBIR-madhërim, HAMD-falënderim, TESBIH-Lavdërim, KIJAM-adhurim në formë e cila bëhet në këmbë ku përfaqëson malet, kodrat sepse ata e madhërojnë Allahun në këmbë, Kemi RUKU- madhërim të cilët bëjnë kafshët, dhe SEXHDE- madhërim të cilët bëjnë Bimët. Prandaj ai që e le namazin ose nuk fal namaz ai duhet ti bëj një kontroll zemrës së tij a mos valë e ka të sëmurë apo të vdekur,
O Allah na e mundëso që zemrat tona të jenë të shëndoshë të jenë të mbushur me iman të jen prej atyre zemrave që kur do të përmendet emri i Allahut do të rrëqethen dhe kur do të shohin ajetet e Allahut t’u shtohet imani, na i bën zemrat tona që do të kenë respekt ndaj Allahut pejgamberit dhe njerëzve. O Allah mos lejo që epshi jonë bashkë me shejtanin ta lajthitin zemrën tonë nga rruga e Allahut.

Artikuj të ngjajshëm

error: