Hfz. Omer ef. Dauti: Zgjidhni problemet e tanishme duke u përqëndruar në rregullimin e ardhmërisë dhe investimit në shkollimin dhe edukimin e fëmijëve tuaj
Me rastin e fillimit të vitit shkollor prindërit nxitojnë të përgatisin fëmijët e tyre me pajisjet shkollore, veshjet e përshtatshme. Rendi ditor fillon dhe ndryshon: rënia në gjumë herët për t’u zgjuar herët…dhe i gjithë ky proces fokusohet në aspektin e përgatitjes së jashtme. Mirëpo a ka prindër sot të cilët ulen në shesh me fëmijët e tyre për të pasur një bisedë serioze me ta në lidhje me sjelljen, moralin dhe edepin e tyre? A fillojnë të përgatiten dhe vetë prindërit se cila këshilla duhet t’u japin fëmijëve të tyre në këtë aspekt, apo janë tepër të zënë për t’u siguruar atyre materialet e nevojshme dhe mendojnë se e kanë kryer obligimin e tyre si prind?

E kur bëhet fjalë për këshilla prindërore, kush më mirë se i Urti Lukman mund të jetë referencë për ne. Urtësitë që fshihen në këshillat e tij, të përmbledhura në një sure të vetme, nuk do t’i gjeni as në autorët më të famshëm dhe librat bestseller (më të shiturit në botë) në lidhje me edukimin e fëmijëve.
A e keni menduar ndonjëherë se kur në Kuran, flitet për këshilla prindërore ajo vjen gjithmonë prej baballarëve ndaj bijve të tyre?
- Jakubi iu drejtua djemve të tij dhe veçanërisht birit të tij Jusufit a.s
“Ai (Jakubi) tha: “O biri im, mos u trego ëndrrën tënde vëllezërve tu, se po të bëjnë ndonjë dredhi, s’ka dyshim, djalli për njeriun është armik i hapët”
- Nuhu a.s: “e Nuhu e thirri djalin e vet, që ishte në një vend të ndarë: “O djali im, hip bashkë me ne, e mos u bë me mohuesit!”
- Ibrahimi birit të vet Ismail, etj.
A keni parë ndonjë grua, nënë, në Kuran që të këshillojë fëmijët e saj, si psh. nëna e Musait të këshillon të birin apo Merjemi nëna e Isait a.s. të këshillojë të birin? JO! Kjo sepse Allahu me urtësinë e Vetë shpalos idenë se nënat janë të pajisura me dhuratën e mëmësisë që prej momentit që lindin. Instinkti i tyre për të këshilluar fëmijën e vetë vjen natyrshëm dhe është pjesë e fitras ndërsa baballarët e fitojnë këtë dhunti me ardhjen në jetë të fëmijës. Ndaj dhe sot hasim në baballarë të papërgjegjshëm, ose të tillë që duan por nuk dinë si të jenë prindër të mirë.
Thotë Allahu xh.sh në Kuranin fisnik: “Ne i patëm dhënë Lukmanit mençuri të përsosur (e i thamë): Të falënderosh Allahun, e kush falënderon, e mira e atij falënderimi i takon atij, e kush refuzon të vërtetë, Allahu nuk ka nevojë sepse Ai vetë është i lavdishëm”.
Urtësia është një fjalë, që shumë njerëz mund ta përdorin, por pak njerëz ia dinë kuptimin. Urtësi do të thotë që kur të flasësh, të dish se çfarë po flet.
Urtësia është cilësia e Zotit, Ai është i Urti absolut. Allahu e di mirë se çfarë bën, si e bën dhe në ç`moment e bën. Zoti u dha profetëve urtësi, por Zoti u jep urtësi edhe besimtarëve të mençur e të devotshëm.
Në Kuranin fisnik Zoti ka përmendur një njeri, që ka shumë mundësi të mos ketë qenë profet, por ka qenë mjaft i urtë, madje emri i tij është Lukman El Hakim – I urti.
Shumë kush prej jush mund të thotë që unë jam një njeri i thjeshtë, pa shkollë, nuk mund të arrij kurrë nivelin e dijes dhe të urtësisë së Lukmanit. Mirëpo mirësia e Zotit qëndron pikërisht në këtë fakt: është interesante të dihet se Lukmani ka qenë njeri pa shkollë, profesioni i tij ka qenë bari. Ai nuk kishte pushtet por ishte njeri i varfër aq sa shpeshherë ecte këmbëzbathur, se nuk kishte çfarë të mbathte.
Zoti xh.sh. e përmend Lukmanin në Kuran, kur ai i lë disa porosi djalit të tij. Por për çudi Zoti nuk i ka përmendur këto porosi për asnjë profet. Historia është në suren Lukman dhe është gati një faqe dhe gjithsecili prej jush duhet ta lexoj këto ditë dhe t’i mësojë këto këshilla pse jo edhe përmendësh.
është historia model mes prindit dhe fëmijës. Prindi është ai, që e do më shumë se kushdo fëmijën e tij. Pjesa më e madhe prej nesh mund të jenë baballarë dhe nëna, por ndoshta nuk janë prindër. I duam fëmijët, sepse është pasuria më e madhe që kemi, por shpesh dështojmë në edukimin e fëmijëve tanë. Historia e Lukmanit është porosi për prindin dhe për fëmijën, është porosi shpirtërore.
Këtu nuk përmenden këshilla të tipit: “Kujdes mos ta pësosh nga shokët, kur të të godasin goditi! Kujdes se mos ta kalon filani apo filania si dhe hapi sytë mos të mashtrojnë njerëzit”. Në këtë histori nuk përmendet asgjë prej tyre, se njeriu këto i mëson vetë. Por ajo është porosi shpirtërore, porosi që vetëm prindi mund t`ia japë fëmijës së tij.
Kur shohim veprime tek fëmijët tanë që s’na pëlqen ua vëmë fajin shoqërisë, por në fakt fëmijët janë produkt i edukatës së prindit. Ç`të mbjellë njeriu, atë do të korrë. Ne korrim atë që kemi mbjellë tek fëmijët tanë. Ky fillim viti shkollor do të pasqyrojë edhe atë çka do të korret në fund të tij.
Ndoshta dikush përpiqet shumë për fëmijën e tij dhe i duket se fëmija ka dalë komplet jashtë rrugës dhe nuk është aty ku do dëshironte. Të jetë i sigurt ai person, se do të vijë një ditë që Zoti do t`ia kthejë në rrugë të mbarë fëmijën, sepse Ai nuk e humb kurrë mundin e prindit.
Në porosinë e Lukmanit do të shikojmë se çfarë butësie ka prindi me fëmijën e vet. Është porosi e butë. Kur prindi i flet djalit të tij, e sheh në sy atë, e ul afër vetes, i vendos dorën përmbi shpatull dhe ia hap zemrën përpara se t`i flasë.
Zoti thotë në Kuran për këtë:“(përkujtoju popullit tënd) Kur Lukmani duke e këshilluar, birit të vet i tha: “O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësi më e madhe
وَإِذْ قَالَ لُقْمَانُ لِابْنِهِ وَهُوَ يَعِظُهُ يَا بُنَيَّ لَا تُشْرِكْ بِاللَّهِ ۖ إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ
Pra, Lukmani e porosiste djalin e tij, duke e këshilluar dhe jo duke ia shkulur veshin, duke i bërtitur apo duke e rrahur. Mund të mendosh se do ta edukosh fëmijën duke e rrahur, por të jesh i sigurt se mund të të bindet një herë, por herën e dytë nuk do të ta dëgjojë fjalën.
Fëmija ka nevojë për ngrohtësi, prandaj edhe Lukmani e fillon këshillën e tij me fjalët: “Biri im”. Fëmija ka nevojë që të ndjejë, se prindi ia do të mirën dhe prandaj po ia thotë këto fjalë. Pra kështu nis këshilla e Lukmanit, e bazuar mbi fjalën e butë.
Kjo këshillë bazohet mbi katër pika, sesi një prind i urtë e porosit djalin e tij dhe kam dëshirë të secili që i lexon ato, t`i mbajë mend dhe t`ua thotë fëmijëve të tij: Zoti na e shtoftë besimin tek Ai, na bëftë që të jemi fëmijë të respektueshëm ndaj prindërve tanë dhe fëmijët tanë i bëftë të respektueshëm ndaj nesh. Zoti na bëftë që të përfitojmë nga urtësia që Ai i dha Lukmanit.