You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Hfz. Ekrem ef. Hasani

Hytbe nga Hfz. Ekrem ef. Hasani

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
Allahu xh.sh. në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar: “Atëherë pra, pranoni Allahun, të dërguarin e Tij dhe dritën që e zbritëm.” (Et-Tegabun. 8
Muslimani është i nderuar nga Allahu sepse ai jeton mes tri dritave madhështore dhe assesi nuk i takon të qëndrojë në terr, për arsye se ka patur fatin të jetë musliman dhe i rrethuar me këto drita. Të jetosh në dritë do të thotë të shohësh atë që të rrethon. Kemi disa lloje të dritës:
1. Drita natyrore si rezultat i ndriçimit të diellit, i cili na mundëson të shohim botën fizike që na rrethon.
2. Drita artificiale, e cila para vetes një pjesë të vogël na e ndriçon. Por kemi edhe drita në kuptimin metaforik të saj.
3. Drita e zemrës, drita e shpirtit dhe drita e mendjes.
Ne këtu kemi për qëllim dritën në kuptimin e saj metaforik. Një dijetarë islam me emrin Abdul-Hamid Kishki ka thënë: “Habitem me muslimanët kur me vete kanë tri drita ndërsa ata rinë në terr! Kanë Allahun dritë, Kur’anin dritë dhe Muhamedin dritë ndërsa ata, akoma kërkojnë dritë nga tjetërkush!!!
Allahu thotë: “Allahu është dritë (ndriçues, udhëzues), i qiejve e i tokës. (En-Nur, 35)
Për Kur’anin si dritë Allahu xh.sh. thotë: “Atëherë pra, pranoni Allahun, të dërguarin e Tij dhe dritën që e zbritëm Ne”. (Et-Tegabun. 8).
Ndërsa për Muhamedin si dritë thotë Allahu xh.sh.: “…Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër I qartë. (El-Maide, 15)
Ne duhet të dimë se i tërë islami është i lidhur ngushtë me tri çështje kryesore, të cilat ndryshe mund t’i quajmë edhe treshi i domosdoshëm i fasë islame. Nëse njëra prej këtyre tre çështjeve mungon, atëherë i tërë ai tresh do ta humbte efektin dhe vlerën e tij. Ai tresh pra është:
1. Besimi në Allahun xh.sh. bindshëm pa ndonjë dyshim apo luhatje.
2. Besimi në Muhamedin a.s. si pejgamber i Allahut i dërguar për tërë njerëzimin.
3. Besimi në Kur’anin si libër i shpallur nga Allahu xh.sh. si udhërrëfyes për njerëzit deri në ditën e Kiametit.
Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: “Kush thotë, jam i kënaqur me Allahun për Zot, me islamin për fe dhe me Muhamedin s.a.v.s. për të dërguar pejgamber, ai do ta meritoj xhenetin.”
Edhe pse shkencëtarët me anë të teknologjisë bashkëkohore, duke studiuar natyrën me bukurinë e saj, me rendin në natyrë dhe harmoninë që ka, detërat dhe gjallesat e tyre, qiellin dhe galaktikat e tij, shtazët dhe përshtatshmëritë e tyre, njeriun me formën e bukur të tij, ka arritur të kuptoj se të gjitha këto nuk mund të jenë krijuar rastësisht ose vetvetiu, por pa tjetër të ketë Krijuesin absolut i Cili i ka krijuar me vullnetin dhe fuqinë e Tij të pafundme, ashtu siç thotë Allahu në Kur’anin famëlartë: “Ne, në qiell kemi krijuar galaksione yjesh dhe atë (qiellin) e kemi zbukuruar për ata që e shikojnë me vëmendje”. El-Hixhr. 16. “Edhe në tokë ka argument për ata të bindurit. Po në veten tuaj. A nuk jeni kah e shihni?” (Edh-Dharijat. 20, 21.) dhe, “A nuk menduan ata me veten e tyre se Allahu nuk i krijoi qiejt e tokën dhe çdo gjë që gjendet ndërmjet tyre pa ndonjë qëllim të caktuar dhe kohë të kufizuar…” (Er-Rum, 8.). “Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që lëshon Allahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhap në të nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente.” (El-Bekare: 164)
Mirëpo me anë të kësaj teknologjie nuk mund të vijnë në përfundim se ky Krijues si e ka emrin? Pse e ka krijuar njeriun? Çka kërkon nga njeriu? Cilat janë urdhëresat apo ndalesat e Tija? Të gjitha këto, njeriu vetvetiu nuk do të mundte t’i kuptoj pa patur një ndërmjetësues i cili do t’ia shpjegonte këto njerëzve.
Por, kush është ai ndërmjetësues i cili do t’i shpjegon njeriut atë që kërkon Allahu nga ai? Sikur të thonim se do të duhej që ndërmjetësuesi të ishte një melek, sa ne do të ishim në gjendje ta përballonim prezencën e melekut kur dihet se melekët janë të krijuara nga drita dhe për ne janë metafizikë. Por edhe nëse do të ishte melek pa tjetër që meleku t’i përshtatej natyrës tonë që ne të mundnim ta kuptojmë atë.
Allahu në Kur’anin famëlartë thotë: “Sikur ta bënim Ne atë (të dërguarin) engjëll, atë do ta bënim (në formë) njeriu e do tua përzienim (ngatërronim ) atyre atë që i përzien ata vetes së tyre. (El-en’am. 9)
Me siguri nuk do të ishte një njeri i thjeshtë, i rrugës apo i rastit. As ndonjë tjetër që ka dëshirë ta shpall veten si ndërmjetësues i urdhrave të Allahut xh.sh. Por kjo është e drejtë ekskluzive e Allahut i Cili kujt do ia jep shpalljen e Vet. Kush mund të jetë tjetër përpos Muhamedit a.s. për të cilin Allahu thotë: “O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtarë përgëzues e qortues. Dhe me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtarë ndriçues.” (El-Ahzab. 45, 46).
Me siguri nuk do të kishte efekt ndërmjetësimi i Muhamedit a.s. po që se nuk do të kishte me vete ndonjë dokument apo dëshmi se me të vërtetë ai është i Dërguari i Allahut. Dëshmi për këtë është vetë Kur’ani famëlartë i shpallur nga Allahu xh.sh. për të vërtetuar pejgamberinë e Muhamedit a.s. dhe për të treguar dispozitat e Allahut të caktuara për njerëzit. Allahu xh.sh. thotë: “O ti i dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk bën kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (relevatën- risalen). El-Maide. 67.
D.m.th, ne mundë të arrijmë në besim të drejtë vetëm me anë të Dërguarit tone Muhamedit s.a.v.s. i cili është sqarues dhe komunikues i librit të shenjtë Kur’anit i cili është fjalë e Allahut të Madhërishëm.
Nëse muslimani studion Kur’anin, ndjek Muhamedin a.s. në të gjitha çështjet fetare e jetësore, me siguri do të arrinte në besim të mirëfilltë në Allahun dhe së këndejmi do të ishte i lumtur në këtë botë, dhe në botën tjetër do ta meritonte lumturinë më të madhe xhenetin. I lutemi Allahut xh.sh që ta arrijmë këtë mirësi.

Artikuj të ngjajshëm

error: