You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Hfz. Bekim ef. Demiri (Imam në Xhaminë e Dradanisë – Tetovë)

Hytbe nga Hfz. Bekim ef. Demiri (Imam në Xhaminë e Dradanisë – Tetovë)

HUTBE – MBI DREJTËSINË

 

 All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (En-Nahl. 90)

Njeriu nuk erdhi këtu, i nxitur nga pasionet, të jetojë një kohë të caktuar dhe të zhduket përgjithmonë. Por është planifikuar që ai të veprojë në suaza të urdhrave hyjnore apo me fjalë tjera të jetë njeri apo të ketë njerzillëk. Ky njerzillëku përmbushet duke u kushtuar rëndësi të madhe urdhrave, dhe duke zhvilluar një vetëdije për veten, familjen, rrethin dhe shoqërinë në përgjithësi.

Vetëdija përpos që përmban shumë elemente të tjera në veçanti përmbushet me 3 segmente kryesore e ato janë: Emaneti (përgjegjësia), Ehlijeti (profesionalizmi) dhe Adaleti (drejtësia). Varësisht se si i kupton njeriu këto koncepte hyjnore universale, ashtu do të varet edhe lumturia në këtë dhe në botën e amshuar. Emanetin (përgjegjësinë) të cilin e pranuam nga Zoti nuk kërkon asgjë jashtë suazave dhe kapacitetit të njeriut, përpos që ai të jetë i dobishëm dhe pozitiv, t’i bëjë mirë secilit, të ketë seriozitet, përgjegjësi e aftësi për kryerjen e obligimeve që i jepen, të largohet nga e keqja dhe të jetë i drejtë.

Allahu xh.sh. në Kur’an në disa vende e përsërit urdhëresën për drejtësi e cila është universale dhe nuk bën dallime në mes njerëzve. Kërkesa e Allahut xh. sh. drejtuar njeriut për drejtësi përmban frymën e pushtetit dhe të udhëheqjes. Kjo kërkesë nënkupton që kur të gjykojmë kundër vetes, kundër mikut dhe kundër armikut tonë, vetia jonë të jetë drejtësia. Sepse ai që e ka humbur vetinë e drejtësisë, e ka humbur edhe besueshmërinë dhe sigurinë. Sipas Kur’anit, e kundërta e besimit është zullumi dhe tirania. Zullumi është shmangja e gjërave nga vendi i vet. Ndërsa drejtësia nënkupton t’i vësh gjërat në vendin e duhur. Allahu xh.sh. kërkon nga ne që t’i mbrojmë të shtypurit pa marrë parasysh identitetin e tyre. Nuk duhet qëndruar indiferent ndaj padrejtësisë së ushtruar ndaj ndonjërit, qoftë ky të jetë edhe armiku ynë. Kërkon nga ne që drejtësia të jetë ideali, kushtetuta, e vërteta, synimi ynë.

I nderuari xhemat! Almiri ishte një fëmijë i cili u godit për vdekje nga një burrë i cili zgjodhi që të merrte makinën dhe ta drejtonte drejt Almirit duke ia sjellë atij vdekjen. Nga ana tjetër gjykata mori vendim jo të drejtë. Çka ishte më e trishtueshmja, vëllai i vrasësit duke u larguar nga gjykata ka reaguar triumfalisht me disa gjeste bizare kundrejt familjarëve të viktimës”.

Shfrytëzoj rastin që nga ky vend t’i lus të gjitha subjektet e kyçura në këtë proces, që të kontribuojnë në mënyrë që ky rast të mbarojë ashtu sikur e kërkon drejtësia, dhe secili nga ne ta ngrejë zërin kundër zullumit, kundër padrejtësisë, duke dhënë maksimumin e mundit tonë që të mos na përsëriten skena të kësaj natyre. Lus Allahun fuqiplotë që Almirin ta shpërblejë me Xhennet, ndërsa familjes së Almirit u dhëntë durim dhe fuqi që ta tejkalojnë sa më lehtë këtë krizë.

Hutben dua ta mbaroj me disa pjesë nga fjalimi i të Dërguarit të Allahut drejtuar njerëzimit: “O njerëz! Kini  frikë Zotin dhe respektojeni Atë. Bëhuni të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Më të vërtetë gjaku dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj. Ruajeni, respektojeni dhe nderojeni vlerën e personalitetit dhe dinjitetit njerëzor. Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe mjerë ai që e nënçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut. Ju, o njerëz, pashmangshëm dhe pakthyeshëm do t’i ktheheni Allahut të Amshueshëm dhe Ai do t’ju marrë në përgjegjësi për veprat dhe punën tuaj.”

O Allah! Mos na ngarko me barë për të cilën nuk kemi fuqi që ta mbajmë! Na i mbulo të këqijat, na fal dhe na mëshiro. Ti je Mbrojtësi ynë, dhe na ndihmo prej padrejtësisë. O Allah mos na e merr këtë iman që e kemi dhe na mundëso që të vdesim me La ilaheil-Ilallah!

Artikuj të ngjajshëm

error: