You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Hafizi dr. Selver Xhemaili “Mësuesi-edukatori i brezave të ri” 06.03.2015

Hytbe nga Hafizi dr. Selver Xhemaili “Mësuesi-edukatori i brezave të ri” 06.03.2015

“….Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët, (që e dinë se) Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe Falës.” (Kur’an 35/28)

I nderuari xhemat,

7 marsi në historinë tonë njihet si Festa e mësuesit. Në këtë datë në të gjithë trojet shqiptare nderohet puna dhe kontributi i mijëra mësuesëve që investojnë në arsimimin dhe edukimin e brezit te ri. Urimet tona për të gjithë mësuesit tanë të dashur.

 Siç e dimë edhe nga këndvështrimi Islam mësimi dhe arsimimi janë baza dhe jeta e zhvillimit të njerëzisë nga të gjitha aspektet. Në fakt këto dy komponenta në historinë islame zënë vendë qëndror, sepse janë shtyllat themelore të kulturës e të civilizimit islam. Mësimi dhe arsimimi në islam janë të përcaktuara me fjalën e Zotit në Kuranin e Madhërueshëm (Kur’an, 96/1-5), dhe në thëniet e Muhamedit a.s. duke u bërë të obliguara për çdo musliman e muslimane edhe atë në çdo kohë dhe në çdo vend.

Është një fakt i pamohueshëm se figura qëndrore në zhvillimin dhe përhapjen e arsimit është vetë mësuesi. Qëndrimi islam ndaj dijetarit, mësuesit, edukatorit është shumë transparent. I Dërguari i Allahut Muhamedi a.s. thoshte: “Në ditën e gjykimit vihet në peshoj gjaku i dëshmorëve dhe ngjyra e pendës së dijetarëve, ngjyra e pendës së dijetarëve peshon më rëndë“. Pas Betejës së Bedrit, duke shqyrtuar statusin e robërve të luftës Pejgamberi a.s. profesionin e mësuesisë e barazoi  me gjënë më të çmueshme për njerëzinë-me lirinë, andaj edhe ndaj robërve të luftës së Bedrit e mori këtë qëndrim: “Kush ua mëson dhjetë muslimanëve shkrim leximin do ta fitoj lirinë”. Me siguri nga këto qëndrime të të Dërguarit të Allahut është frymëzuar edhe Hz. Aliu i cili në lidhje  me mësuesin është shprehur në këtë mënyrë: “Kush ma mëson një shkronjë do t’i shërbej tërë jetën atij.”  Një fjalë e urtë thotë: “Po mos të  ishin dijetarët-mësuesit, njerëzit do të jetonin si kafshët”. Kjo është kështu sepse mësuesi njëkohësisht është një edukator,  udhëzues, orientues, ideator, kreator dhe udhëheqës i njerëzimit.

I dashuri xhemat,

Mësuesit janë të vetëdijshëm se detyra e mësuesisë është një mision dhe  ata janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e misionit të tyre në kohë, para gjeneratave të reja dhe sigurisht që nesër, në botën tjetër edhe para Madhërisë së Allahut xh.sh. Sepse detyra e shenjtë e mësuesisë thjeshtë nuk është vetëm të përcjellë, të bartë apo transmetojë të dhëna të ndryshme, përkundrazi, misioni i tij është në pozicion që të mbjellë ndjenjat e së mirës, të bukurës, etikës, moralit dhe sinqeritetit. Ai, të fëmijët mbjell dashurinë ndaj librit dhe leximit, mirësjelljen ndaj njerëzisë, respektin ndaj të shenjtës-fesë, ndërton ndërgjegje të shëndoshë, mendje me vetëdije përgjegjësie. Pra me një fjalë mësuesi është i vetëdijshëm se ai po edukon dhe përgatit njeriun apo gjeneratën e së ardhmes duke mos harruar se guri në themelin e fortifikatës së të ardhmes vendohet pikërisht në të tashmen.

Sipas botëvështrimit islam procesi i mësimit dhe arsimimit e përshkon tërë jetën: “Kërkoni diturinë prej djepi e deri në varr.” (Hadith), ai është një mision që kërkon angazhim permanent, energji dhe zell të lartë, përkushtim, dashuri dhe një zemër të mbushur me energji pozitive. Sepse me çka është e mbushur zemra ai derdhet në sjelljen e njeriut. Mu për këtë arsye detyra e mësuesisë nuk është punë për dembelat, përtacët apo për ata që e vrasin kohën e lirë mbi tavolinën e gurrëluajtjes.

Në kuadër të kësaj teme mos harrojmë edhe këtë të vërtetë se një nxënës, një person që dëshiron të mësojë nga ndonjë mësuses, mundë të përfitojë nga ai aq sa do ta respektojë mësuesin e tij. Prandaj ne shprehim një respekt, dashuri, sjellje të bukur ndaj atyre që na mësojnë, këshillojnë dhe edukojnë. E përfundojmë këtë hutbe me lutjen kuranore: “O Zoti im, shtoma dijeninë” (Kur’an 20/114).

Faleminderit!

Artikuj të ngjajshëm

error: