You are here
Home > Hytbe > Hytbe nga Dr. Selver Xhemaili (20.03.2015)

Hytbe nga Dr. Selver Xhemaili (20.03.2015)

Të nderuarë dhe të respektuarë xhemat,
Jemi në prag të stinës së pranverës, periudhë e cila karakterizohet me bukurinë e natyrës, rinisjen e melodive të bukura të shpezëve, lulëzimin e mjedisit natyror, lëvizjen dhe shpresën që ngjallet si rezultat i aktivizimit të njeriut në punët e kësaj periudhe kohore. Andaj të rikujtojmë edhe njëherë mësimet islame të cilët e orientojnë besimtarin të ketë një qëndrim të ekuilibruar ndaj punëve të kësaj bote dhe detyrimeve ndaj botës tjetër, ndryshe thënë ndaj përmbushjeve të kërkesave trupore/materiale dhe adhurimeve shpirtërore.
Në Kur’anin Fisnik Allahu i Madhërishëm ia përkujton njeriut se, “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, deri sa ata ta ndryshojnë veten e tyre” (Kur’an, 13/11). Nëpërmjet këtij ajeti në mënyrë shumë të qartë na bëhet me dije se ndryshimi, përparimi, suksesi në cilën do fushë qoftë nuk vijnë nga qielli i paketuar në adresën tonë, por kërkon nga ne përpjekje të vazhdueshme, punë, aktivitet, disiplinë dhe respekt në veprimtaritë tona. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Një popull përpara jush e mashtroi shpresa duke ëndërruar në falje, derisa dolën nga dynjaja pa punuar asnjë vepër të mirë duke thënë: Ne mendojmë mirë për Allahun. Në fakt, ata gënjyen, sepse po të kishin pasur mendim të mirë për Të (Allahun) do të kishin punuar mirë”.
Ndërsa në një ajet tjetër thuhet: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin”(Kuran, 16/90). Në bazë të këtij urdhëri hyjnor, Një person që nuk e kryen punën e ngarkuar siç duhet nuk është i mirëpritur as nga Krijuesi as nga shoqëria. Zhvillimi dhe përparimi në çdo fushë vjen kur secili bën siç duhet punën që i takon. Progresin dhe zhvillimin e meritojnë vetëm ata që e kryejnë detyrën e dhënë në mënyrën më cilësore dhe më të mirë. Suksesin në këtë botë Allahu nuk ia jep askujt sipas përkatësisë fetare, apo kombëtare por sipas përpjekjes dhe punës, pa dallim feje dhe bindjeje. Suksesi i vërtetë u takon atyre që pas përpjekjeve të mundshme njerëzore, i mbështeten tërësisht Allahut xh.sh. Allahu nuk i dhuron sukses një populli pa bërë përpjekjet e duhura për të ndryshuar situatën e vet, thjesht vetëm se ky popull është besimtarë.
I nderuari xhematë
Besimtarët janë urdhëruar t’i kryejnë detyrat, qofshin ato shpirtërore apo materiale, në mënyrë më cilësore dhe më të bukur. Ai që e kryen punën e ngarkuar në mënyrë më cilësore dhe të mirë e ka çuar në vend përgjegjësinë që ka para Allahut dhe para shoqërisë, ai me këtë dëshmon se ka vetëdije të përgjegjësisë/takvallëk. Kush e kryen punën si duhet në çfarë do lloj fushe qoftë, ai është i fituar si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën. Kurse një person që anashkalon punën dhe nuk bën siç duhet, e ka gënjyer veten.
Kur përmendet fjala musliman, përnjëherë duhet të nënkuptohet njeriu bamirës, i dobishëm për të tjerët, njeriu nxitës të punëve të mira, që nuk i bë dëm askujt, njeriu i kulturuar që sillet mirë me të tjerët, njeriu i matur që din të respektojë atë që duhet të respektohet, që i din kufijtë e vet, që din të flas dhe të hesht kur dhe ku duhet, që e din vlerën e kohës dhe e planifikon atë për të bërë mirë. Ashtu siç e ka përkufizuar edhe vetë i Dërguari i Allahut a.s.: “Musliman i përkryer është ai njeri, prej gjuhës dhe duarve të të cilit, të tjerët janë të qetë dhe rehatshëm.”
Për të na prezantuar një definicion më real dhe më të qartë rreth dynjasë, Pejgamberi a.s. na i thotë këto fjalë: ”Shembulli i kësaj bote në krahasim me botën tjetër, është si të fusësh gishtin në det dhe të shohësh sa ujë ke marrë.” Me këtë hadith, Pejgamberi a.s kërkon që ne ta trajtojmë dynjanë ashtu siç e meriton, sipas vlerës së saj reale. Këtë fakt e shohim edhe në ajetet e Kur’anit Fisnik sepse ai ashtu siç flet për dynjanë, flet dhe për ahiretin, pa i hyrë në hak asnjërës prej tyre, në një ajet na ka mësuar të lutemi në këtë mënyrë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit” (Kur’an 2/201) Në këtë ajet, ne shohim që Zoti i Madhëruar i ka përmendur fillimisht të mirat e kësaj bote para atyre të botës tjetër. Kështu, ne duhet t’i balancojmë kërkesat e kësaj bote me ato të botës tjetër. Një brez që edukohet me urrejtjen për këtë botë, do e neglizhojë tërësisht jetën, nuk i kushton asnjë rëndësi punës, suksesit dhe zhvillimit.
E kanë pyetur Nuhin a.s, i cili jetoi gati se një mijë vite: Si të është dukur jeta e kësaj bote? Ai është përgjigj: Më është dukur si një ndërtesë me dy dyer, ku unë kam hyrë nga njëra derë dhe kam dalë nga tjetra. Kështu, jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse një urë dhe shteg për të kaluar në botën tjetër. Por ama edhe ura e ka vlerën e vet sepse të mundëson të kalosh në anën tjetër. Pra ndërtoje urën tënde, gjegjësisht ndërtoje “dunjanë” shëndetshëm, që të kalosh përtej rehatshëm. Mbjellë në pranverë që t’i gëzohesh vjeshtës. Vepro në dunja që të gëzohesh në ahiret, sepse “Dunjaja është ara (vendmbjellja) e ahiretit” (hadith). Mos harro se mëshira e Allahut për këtë botë është e indeksuar për punën, aktivitetin dhe përpjekjen ndërsa në ahiret është e lidhur me besimin dhe adhurimin.
Andaj duke filluar me punët e pranverës duhet të kemi parasysh se të drejtën e vet e kanë edhe shpirti, shëndeti, syri, veshi, gjuha etj. Andaj hakun duhet dhënë secilit ashtu siç e meriton, shpirtit, profesionit dhe çdo pune të bërë. Natyrisht se çdo musliman është i detyruar t’ia jap hakun besimit, islamit dhe namazit, njësoj siç duhet t’ia jap hakun punës dhe parasë së fituar. Hutben po e përfundoj me fjalën e Pejgamberit a.s.: “Puno për këtë botë sikur do të jetosh përgjithmonë në të dhe puno për ahiret, je gati, sikur nesër do të vdesësh”.

Artikuj të ngjajshëm

error: